Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se “ceremonia e bukur” e Kinës që shënon fundin e Luftës së Dytë Botërore, duhet të kishte nxjerrë në pah rolin që SHBA-të luajtën në humbjen e Japonisë.
“Mendova se ishte një ceremoni e bukur. Mendova se ishte shumë, shumë mbresëlënëse”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale, disa orë pasi sugjeroi në mediat sociale se takimi i udhëheqësve të huaj në Pekin mund të jetë një komplot kundër SHBA-së.
“E pashë fjalimin mbrëmë. Presidenti Xi është një mik i imi, por mendova se Shtetet e Bashkuara duhej të ishin përmendur mbrëmë gjatë atij fjalimi, sepse ne e ndihmuam Kinën shumë, shumë.”
Ambasada kineze në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Presidenti kinez Xi Jinping e ka shndërruar 80-vjetorin e përfundimit të luftës në një shfaqje të rëndëshishme të qeverisë së tij dhe lidhjeve të saj të ngushta me vendet në konflikt me Uashingtonin.
I shoqëruar nga Vladimir Putin i Rusisë dhe Kim Jong Un i Koresë së Veriut, Xi foli para një turme prej më shumë se 50,000 spektatorësh në Sheshin Tiananmen. Ai vëzhgoi një paradë trupash dhe pajisjesh ushtarake të teknologjisë së fundit, që synonin të pengonin kundërshtarët e mundshëm, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Pushtimi i Kinës nga Japonia në vitin 1937 ishte një përshkallëzim i madh në luftime që do të çonte në Luftën e Dytë Botërore, dhe dorëzimi i Japonisë në vitin 1945 shënoi fundin e konfliktit. SHBA-të iu bashkuan luftës në vitin 1941, duke ndihmuar forcat kineze në luftën kundër ushtrisë japoneze dhe duke luajtur një rol vendimtar në humbjen e Japonisë.
Duke përdorur historinë për të zhvilluar betejat politike të ditëve të sotme, Xi e ka cilësuar Luftën e Dytë Botërore si një pikë kthese të madhe në “ringjalljen e madhe të kombit kinez”, i cili tani sundohet nga Partia e tij Komuniste Kineze dhe aleatët e saj.
Të mërkurën, Xi falënderoi “qeveritë e huaja dhe miqtë ndërkombëtarë që mbështetën dhe ndihmuan popullin kinez”, sipas një zyrtari. Por ai nuk u ndal te roli i Shteteve të Bashkuara në luftë.
Marrëdhëniet SHBA-Kinë janë në një moment të tensionuar. Të dyja palët kanë mosmarrëveshje për një sërë çështjesh sigurie, nga Ukraina te Deti i Kinës Jugore, dhe po debatojnë për një marrëveshje të gjerë tregtare për të shmangur tarifat për mallrat e njëra-tjetrës.
Por Trump ka përsëritur vazhdimisht një marrëdhënie personale pozitive me Xi-në, të cilën ndihmësit e tij thonë se mund t’i drejtojë dy ekonomitë më të mëdha të botës në një drejtim konstruktiv. Ai ka thënë gjithashtu se së shpejti mund të takohet me Xi-të.
Në një postim drejtuar Xi në Truth Social ndërsa nisi parada, Trump tha: “Ju lutem, jepni përshëndetjet e mia më të ngrohta Vladimir Putin dhe Kim Jong Un, ndërsa komplotoni kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Kremlini tha se ata nuk po komplotonin dhe sugjeroi që komentet ishin ironike./ Reuters.