Tag: jakshiq

  • Dialogu Strategjik Serbi-SHBA: Për çfarë do të negociohet?

    Dialogu Strategjik Serbi-SHBA: Për çfarë do të negociohet?

    Thellimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Uashingtonit përmes Dialogut Strategjik.

    Kjo është paralajmëruar muajt e fundit gjatë takimeve midis zyrtarëve të Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.

    Megjithatë, nuk është saktësuar se çfarë do të nënkuptonte ky Dialog Strategjik gjatë mandatit të dytë të presidentit amerikan, Donald Trump.

    “Raportet diplomatike midis Serbisë dhe SHBA-së, të cilat zgjasin më shumë se 140 vjet, kanë kaluar rrugën nga aleanca deri tek armiqësia”, kujtoi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë analisti i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq.

    Dialogu Strategjik që SHBA-ja zhvillon me dhjetëra shtete të botës me qëllim thellimin e bashkëpunimit, përfshin një sërë fushash, nga ekonomia, siguria e deri te politika e jashtme.

    “Është e sigurt që gjatë mandatit të dytë të ‘udhëheqësit të epokës’, siç e quajti Trumpin Vuçiqi, marrëdhëniet midis Beogradit dhe Uashingtonit po përparojnë dukshëm drejt një partneriteti që po i shqetëson evropianët”, thekson Jakshiq.

    “Ata mendojnë se Vuçiq ka marrë anën në konfliktin e zjarrtë midis aleatëve transatlantikë dhe po largohet nga Brukseli”, shtoi ai.

    Qëndrime të ndryshme për Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën nga Beogradi dhe Uashingtoni
    Si dallime kyç midis Beogradit dhe Uashingtonit, Jakshiq sheh qëndrimin ndaj çështjeve rajonale në Ballkanin Perëndimor.

    “Nëse ekziston ndonjë interes strategjik dhe politik i amerikanëve me Serbinë, atëherë ai kryesisht ka të bëjë me uljen e tensioneve në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë”, u shpreh Jakshiq.

    Përderisa SHBA-ja është një nga partneret kryesore të Kosovës dhe ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e saj më 2008, Serbia vazhdon të mos e pranojë shtetësinë e ish-provincës së saj.

    Me tensionet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, dialogu për normalizim të raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian mbetet i bllokuar për dy vjet.

    Qeveria në Serbi po ashtu mbështet Millorad Dodikun, udhëheqës politik nga entiteti i Republikës Sërpska në Bosnje, i cili është nën sanksione amerikane, përfshirë, ndër të tjera, për aspiratat secesioniste në Bosnje e Hercegovinë.

    “Vetëm fakti që çështjet, padyshim të ndjeshme, të Bosnjës dhe Kosovës nuk janë pengesë për nisjen e Dialogut Strategjik me Uashingtonin është i mirë për pozicionin diplomatik të Beogradit”, tha Boshko Jakshiq.

    “Megjithatë, mënyra se si do të diskutohet është krejtësisht e pasigurt”, paralajmëroi ai.

    “Duke pasur parasysh që Trumpit i pëlqen të komandojë, ai thjesht do të kërkojë që gjithçka të bëhet sipas mënyrës së tij, dhe atëherë Vuçiqi mund të gjendet në një pozicion shumë të vështirë”, vlerësoi Jakshiq.

    Përpjekja për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë u pa gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit – në prani të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hoti, në Shtëpinë e Bardhë.

    Marrëveshja, e cila kishte në fokus vendosjen e marrëdhënieve ekonomike midis Beogradit dhe Prishtinës, pothuajse nuk u zbatua.

    Në muajt e fundit, pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka deklaruar disa herë se si president ka parandaluar “një luftë të re të madhe” që Serbia po përgatitej të zhvillonte me Kosovën.

    “Ne e parandaluam për shkak të tregtisë. Ata donin të tregtonin me Shtetet e Bashkuara. Unë thashë se nuk tregtojmë me ata që luftojnë”, u shpreh Trump.

    Beogradi zyrtar nuk ka reaguar ndaj deklaratave të Trumpit.

    Megjithatë, presidentja e Kosovës,Vjosa Osmani, ka konfirmuar pohimet e Trumpit dhe autoritetet në Serbi i kanë cilësuar si “akuza të rreme”.

    Me kë zhvillon SHBA-ja Dialog Strategjik?

    SHBA-ja zhvillon Dialog Strategjik me disa dhjetëra shtete në botë, me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale, sipas Departamentit amerikan të Shtetit.

    Në këtë proces zhvillohen bisedime në nivel të lartë – në Uashington ose në vendin partner – për një gamë të gjerë temash, si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia dhe ekonomia.

    Sipas të dhënave nga faqja e Departamentit të Shtetit, së fundmi SHBA-ja ka zhvilluar Dialog Strategjik me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Greqinë, Austrinë, Poloninë, Moldavinë, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin dhe vende të tjera.

    Nga vendet përreth Serbisë, Dialog Strategjik me Uashingtonin kanë zhvilluar Rumania dhe Sllovenia, anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe Maqedonia e Veriut – shteti i vetëm nga Ballkani Perëndimor.

    “Të hapur dhe të sinqertë” në Nju Jork

    Njoftimi i fundit për Dialogun Strategjik u bë pas takimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, më 23 shtator në Nju Jork.

    Por, për vetë takimin, i zhvilluar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, nuk ka shumë informacione.

    Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi shkurtimisht se Vuçiq dhe Rubio kanë biseduar për “thellimin e partneritetit përmes Dialogut dypalësh Strategjik”, si dhe për pjesëmarrjen e SHBA-së në ekspozitën ndërkombëtare EXPO, që Serbia do të mirëpresë në vitin 2027.

    Ndërkaq, përmes një postimi në Instagram, Vuçiq tha se me Rubion pati një “dialog të hapur dhe të sinqertë”.

    Ai i dërgoi një ftesë presidentit amerikan, Donald Trump, për të vizituar Serbinë.

    “Pa dyshim që Beogradi është i entuziazmuar nga kjo perspektivë e Dialogut Strategjik me amerikanët”, vlerësoi Boshko Jakshiq.

    Fitorja e Trumpit në zgjedhjet në SHBA dhe rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar të këtij viti, në Beograd u prit me entuziazëm.

    “Për Vuçiqin, një Trump i tillë është një aleat më se i mirëpritur”, vlerësoi Jakshiq.

    Administrata e mëparshme amerikane, e udhëhequr nga demokratët, kishte kritikuar disa herë Vuçiqin sa i përket çështjeve rajonale, por edhe atyre të brendshme, sikurse rënia e institucioneve demokratike dhe korrupsioni.

    “Kjo ka vërtetuar se autoritetet në Beograd padyshim e kanë më të lehtë me administratën Trump sesa me administratën Biden, kur politika e jashtme zhvillohet nën moton ‘demokracia kundër autokracisë’. Trumpit këto vlera nuk i interesojnë, politika e tij e jashtme është një vazhdimësi e karrierës së tij biznesore, ndaj pozicionin e merr fitimi, jo demokracia”, shtoi ai.

    Gjatë vitit të fundit, në Beograd kanë qëndruar bashkëpunëtorë të afërt dhe anëtarë të familjes së Trumpit, ku temat e takimeve kanë qenë investimet.

    Si projekt kryesor veçohet ndërtimi i një kompleksi luksoz në Beograd, në vendin ku ndodhej ndërtesa e bombarduar e Shtabit të Përgjithshëm. Kompania private që është e interesuar për këtë projekt është në pronësi të dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner.

    Ndryshe nga Brukseli, nga ku muajt e fundit janë dëgjuar disa zëra kritikë ndaj regjimit të Vuçiqit, drejtuesit e lartë në Uashington nuk kanë komentuar për protestat masive antiqeveritare në Serbi.

    Nuk ka reagime zyrtare nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit, ndërsa qindra mijëra demonstrues në rrugët e Serbisë për më shumë se dhjetë muaj po kërkojnë përgjegjësi nga autoritetet për vdekjen e 16 personave në aksidentin në Novi Sad.

    Tarifat e larta amerikane dhe sanksionet ndaj NIS-it

    Në fillim të gushtit hynë në fuqi tarifat e larta, të cilat administrata e Donald Trumpit i vendosi për importin e mallrave nga disa vende.

    “Shtrohet pyetja pse Trumpi i vendosi Serbisë tarifa kaq të larta, të cilat janë ndër më të lartat në botë dhe Evropë, dhe me diferencë më të larta në Ballkanin Perëndimor”, theksoi Jakshiq.

    Tarifa prej 35%, që SHBA-ja vendosi për mallrat nga Serbia, janë të dytat për nga lartësia në mesin e shteteve evropiane, pas Zvicrës.

    Pas vendosjes së tarifave, autoritetet në Beograd kanë theksuar se ato u shkaktojnë probleme të mëdha për shkak të tërheqjes së investimeve të huaja.

    Edhe pse pas takimit me Rubion, Vuçiq deklaroi se “çështja e tarifave ishte në fokus”, rezultatet e asaj bisede deri tani nuk dihen.

    Marrëdhëniet dypalëshe mes dy shteteve janë të rënduara edhe nga sanksionet që Uashingtoni vendosi në janar ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), e cila është në pronësi kryesisht ruse.

    NIS arriti që të shtynte disa herë zbatimin e sanksioneve, por Vuçiq njoftoi më 25 shtator se ato do të hyjnë në fuqi më 1 tetor.

    “Ne kemi qenë jashtëzakonisht korrektë ndaj partnerëve rusë dhe partnerëve amerikanë, dhe do të përpiqemi të vazhdojmë të jemi korrektë, por njerëzit duhet të dinë se do të duhet të paguajmë një çmim jashtëzakonisht të lartë”, tha Vuçiq për gazetarët në Nju Jork më 25 shtator.

    Sanksionet ndaj Industrisë së Naftës janë vendosur për shkak të të ashtuquajturit “rrezik sekondar” për shkak të lidhjes me Gazprom Neft-in rus, e cila është nën sanksione perëndimore për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

    Pas vendosjes së sanksioneve, Vuçiq kishte deklaruar se do të kërkohet “dalja e plotë e Rusisë nga pronësia e NIS-it”, gjë që do të kërkojë një transformim të strukturës së pronësisë.

    Pavarësisht thirrjeve për të vendosur sanksione ndaj Kremlinit pas nisjes së pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, autoritetet në Serbi vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me Rusinë.

    Dhe ndërsa me Uashingtonin paralajmëron Dialog Strategjik, Beogradi ka raporte të ngushta edhe me rivalen e SHBA-së, Kinën.

    Liderët e Serbisë dhe Kinës i përshkruajnë këto marrëdhënie si “miqësi të hekurt”, që pavarësisht kritikave nga Perëndimi, zhvillohet kryesisht përmes projekteve infrastrukturore.

    “Vuçiq do të vazhdojë të luajë kështu, derisa të marrë atë që dëshiron”, tha Jakshiq.

    Megjithatë, ai theksoi se lidhjet e ngushta të Vuçiqit me Lindjen në këtë moment nuk paraqesin pengesë në marrëdhëniet me Uashingtonin.

    “Kjo është krejtësisht tipike për qasjen biznesore të Trumpit ndaj diplomacisë”, tha analisti i politikës së jashtme.

    Pezullim i Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën

    Nisja e Dialogut Strategjik midis Serbisë dhe SHBA-së është paralajmëruar që nga gushti i këtij viti.

    Sipas zyrtarëve amerikanë, ai do të nisë “së shpejti”, por Departamenti i Shtetit nuk ka specifikuar afatin e saktë kohor.

    Siç është përshkruar, ai pritet të sjellë “një epokë të re” në marrëdhëniet dypalëshe: të ringjallë lidhjet politike, të zgjerojë bashkëpunimin tregtar dhe ushtarak, si dhe bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe teknologjive të komunikimit.

    Shtatorin e vitit të kaluar, Serbia e ka nënshkruar me SHBA-në marrëveshjen e parë strategjike, në fushën e energjetikës.

    Para udhëtimit për në Nju Jork, Vuçiq vlerësoi se është “një sinjal i rëndësishëm” fakti që amerikanët dëshirojnë të zhvillojnë Dialog Strategjik.

    Megjithatë, ai theksoi se Serbia ka “një rrugë disi më të ngushtë” në këtë proces se sa vendet e tjera.

    Siç nënvizoi, Serbia, si shtet ushtarakisht neutral, nuk do të hyjë në aleancën e NATO-s, ku SHBA-ja është një nga udhëheqësit.

    Gjithashtu, Vuçiq theksoi se dy vendet “nuk janë dhe nuk do të jenë” në pajtim për të gjitha çështjet, duke veçuar si dallim kryesor marrëdhëniet ndaj Kosovës.

    Ndërsa paralajmëron nisjen e Dialogut Strategjik me Serbinë, administrata e Trumpit ka vendosur të pezullojë përkohësisht Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën.

    Uashingtoni njoftoi se vendimi është marrë për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë të Kosovës, të cilat tha se kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë në vend.

    “Gabimi më i madh që Beogradi mund të bëjë është të gëzohet për këtë, duke menduar se Trumpi po kthehet kundër Prishtinës”, tha Jakshiq.

    “Këto hapa taktike të SHBA-së duhet të ndiqen shumë me kujdes, sepse ato nuk janë garanci që Vuçiq, pavarësisht nga lëvdatat për Trumpin nga Beogradi, është bërë i preferuari i Uashingtonit brenda natës”, shtoi ai.

    SHBA nuk kanë saktësuar se cilat hapa konkretë kanë çuar në pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën.

    Qeveria në detyrë e Albin Kurtit ka qenë shpesh cak i kritikave nga komuniteti ndërkombëtar gjatë katër vjetëve të fundit, kryesisht për veprimet në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – ku ajo përpiqet të shtrijë kontrollin e plotë.

    Gjithashtu, vendimi i SHBA-së erdhi në një kohë kur Kosova po përballet me një krizë institucionale dhe politike, pasi vendi ende nuk ka formuar ekzekutivin e ri pas zgjedhjeve të shkurtit.

    Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, duke ua ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime dhe të zhvillojnë ndonjë procedurë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

    Kurti e ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese për njëanshmëri, duke pretenduar se ajo është e afërt me partitë shqiptare që mandatin e kaluar ishin në opozitë.

    Kushtetuesja dhe komuniteti ndërkombëtar hodhi poshtë këto pretendime të Kurtit dhe nga bashkësia ndërkombëtare këto deklarata u vlerësuan si presion nga Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, mbi gjykatën më të lartë të vendit./REL/

  • Pse Vuçiç dhe Dodik po vrapojnë pas Trumpit?

    Pse Vuçiç dhe Dodik po vrapojnë pas Trumpit?

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq prej muajsh është përpjekur me ngulm të kontaktojë Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Pas dështimit total në muajin maj në Florida, nga ku ai u kthye papritur në Serbi në rrethana ende misterioze për shkak të “dhimbjeve në gjoks”, fushata diplomatike që mund të quhet edhe “dua të takoj Trumpin” ka vazhduar.
    Udhëheqësit e qeverisë serbe kanë folur vazhdimisht për një lloj dialogu strategjik me Amerikën dhe kthimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në “nivelin e tyre të mëparshëm”. Kështu, në fillim të gushtit, u zhvillua një takim midis Ministrit të Jashtëm serb Marko Gjuriq dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, të cilin pala amerikane praktikisht nuk e komentoi, por megjithatë Gjuriq e vlerësoi takimin si “historik”.
    Dëshirave të Presidentit serb iu bashkua edhe ish-Presidenti i Republika Srpska Milorad Dodik, i cili gjithashtu dëshiron të takohet me Trumpin dhe i cili e përshkroi shkarkimin e tij si “një përpjekje për ta penguar atë të flasë me Trumpin”.
    Kjo kulmoi në kohën kur Asambleja e RS po thërriste një “referendum për Dodikun”, anëtarja serbe e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, nisi një propozim për t’i dhënë Trumpit Çmimin Nobel për Paqen.
    Dodik beson se “po minohet” nga të ashtuquajturit “Bidenistë” dhe se gjithçka do të ishte ndryshe nëse do ta kishte informuar Trumpin për të gjitha detajet e ngjarjeve në rajon.
    Bazuar në disa veprime të mëparshme, është e mundur të supozohet se Vuçiq dhe Dodik do të përpiqeshin të paraqiteshin në Amerikë si “evropianë konservatorë të MAGA-s” të cilët, ashtu si Trumpi, po ngacmohen nga forcat globaliste të krahut të majtë.
    Komentatori i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, i thotë DW-së se Aleksandar Vuçiq është kaq i etur për të takuar Trumpin “sepse e sheh atë mbi të gjitha si mbrojtësin e autokracisë”. Ndërsa Bashkimi Evropian, “pavarësisht nga qasja ndonjëherë llogaritëse e Gjermanisë dhe Francës”, ende këmbëngul në disa vlera të demokracisë liberale.
    “Pas presidentëve rusë dhe kinezë, edhe Vuçiq e sheh Trumpin si një aleat ideologjik dhe kjo është arsyeja pse Vuçiq po distancohet nga Evropa. Por këtu ka një pengesë, sepse Trump është pragmatik dhe i orientuar drejt biznesit dhe nuk është i interesuar për afërsinë ideologjike. Ndërsa në këtë fushë biznesi, Serbia praktikisht nuk ka asgjë për të ofruar”, thekson Jakshiq.
    Milorad Dodik përdor të njëjtin model si Vuçiq, vazhdon bashkëbiseduesi ynë, duke shtuar, “se ata e shohin Trumpin si një lloj shpëtimtari, por unë kam paralajmëruar më parë se do të ketë zhgënjim pas sloganeve ‘Trump, serb’. Kur shikon faktin se Serbia është ndëshkuar me një tarifë mjaft të lartë prej 35 përqind, që është pasojë e afërsisë së Serbisë me Kinën, shohim se ka shumë pak hapësirë ​​për manovrim për të ndryshuar diçka në mënyrë domethënëse”, thekson Boshko Jakshiq.
    Asgjë nuk mund të rregullohet ose ndryshohet vetëm nga takimi i Vuçiqit dhe Dodikut me Trumpin, thotë historiani dhe ish-ambasadori në Uashington Milan St. Protiq. Sipas tij, Amerika ka gjëra shumë më të rëndësishme për të bërë në botë sesa të takohet me Vuçiqin e Dodikun.
    Edhe po të ndodhte në takim i tillë, Milan St. Protiq nuk e ka të qartë se çfarë duan ata nga Trumpi dhe shton se kjo është parë edhe në takimin e Vuçiqit me Trumpin në mandatin e parë.
    “Vuçiqi as nuk guxoi të kërkonte një karrige të mirë, por u ul në një stol dhe dukej i humbur në hapësirë. Mendoj se ata vetëm sa do të na turpëronin më tej, sepse me punën e tyre deri më tani kanë treguar se nuk janë të denjë për pozicionin që mbajnë”, beson Protiq.
    Izraeli si një portë anësore
    Si pjesë e këtyre përpjekjeve, ka pasur një kthesë gjithnjë e më të madhe drejt Izraelit, në përpjekjet për të fituar një mbështetje më të fortë amerikane. Aleksandar Vuçiq pothuajse u mburr se Serbia ishte i vetmi vend evropian që furnizonte me armë Izraelin, dhe zbuloi se ka një kontratë të rëndësishme ushtarake për blerjen e armëve nga Izraeli me vlerë 1.64 miliardë dollarë.
    Në fillim të korrikut, Kryetarja e Parlamentit serb, Ana Brnabiq, gjithashtu shkoi në një vizitë tre-ditore në Izrael, duke deklaruar se ky ishte fillimi i një bashkëpunimi më intensiv politik dhe ekonomik midis dy vendeve.
    Supozimi i autoriteteve në Beograd është ndoshta ky: Trump mbështet pa kompromis Izraelin, dhe kështu ne do të fitojmë favorin amerikan në mënyrë të tërthortë. Të dy bashkëbiseduesit tërheqin vëmendjen te edhe në takimin e parë midis Vuçiq dhe Trump, i cili supozohej t’i kushtohej Kosovës, në fund rezultoi se tema kryesore ishte Izraeli.
    Boshko Jakshiq beson se kjo është një përpjekje e Vuçiqit që të arrijë te Trumpi përmes një dere të pasme, por kjo mund t’i kushtojë seriozisht Serbisë. “Mburrja e Vučić-it se Serbia është i vetmi vend që i shet armë Izraelit, në një kohë kur shumë thonë se në Gazë po ndodh një ‘gjenocid’, kërcënon ta bëjë Serbinë bashkëpunëtore në të. Ky është një çmim shumë i lartë për t’u paguar për t’u afruar me Trumpin. Unë mund ta imagjinoj se Izraeli dhe Uashingtoni nuk janë fare të intereusar për Vuçiqin”, thotë Jakshiq për DW.
    Pse Vuçiqi po injoron Evropën?
    Evropa po kritikon akoma pak, por me zë gjithnjë e më të lartë represionin në Serbi. Prandaj autoritetet serbe po i drejtohen gjithnjë e më shumë Amerikës. Anëtarët e regjimit nuk hezitojnë më t’u përgjigjen ashpër zyrtarëve evropianë, gjë që mund të jetë një shenjë se ata nuk e konsiderojnë më Evropën një aktor serioz politik. Ata shpresojnë se do të mbeten në pushtet me ndihmën e Trumpit dhe Amerikës.
    Milan St. Protiq thotë se kjo është një llogari e gabuar. “Evropa është mjedisi ynë dhe një faktor vendimtar për ne. Trump do ta përfundojë mandatin e tij, politika amerikane do të kthehet shpejt në normalitet, ndërsa Evropa do të mbetet aty ku është. Si Vuçiq ashtu edhe Dodik janë kundërshtarë të demokracisë dhe për këtë arsye po kërkojnë bashkëbisedues aty ku mendojnë se ka një bazë për një marrëveshje, pavarësisht nga institucionet demokratike”, paralajmëron ish-ambasadori serb në Amerikë.
    Një injorim kaq gjithnjë e më i dukshëm i Evropës, të cilin Vuçiç po e tregon, “është i rrezikshëm dhe strategjikisht shumë i gabuar”, thotë Jakshiq. “Jo vetëm për shkak të gjeografisë, por në rregullimin aktual të marrëdhënieve botërore, nuk ekziston vetëm një detyrim politik dhe ekonomik, por edhe moral për të qenë në anën e Evropës në vend të Amerikës, Rusisë apo Kinës. Vuçiq ka vetëm një llogaritje këtu – si të mbetet në pushtet dhe që askusht të mos e dënojë represionin në Serbi. Pra, kjo është një tendencë shumë e rrezikshme për të cilën Serbia tashmë po paguan, dhe ndoshta do të vazhdojë të paguajë një çmim të lartë”, përfundon Jakshiq. DW