Showbiz E Enjte, 4 Dhjetor 2025 19:04
Irlanda, Spanja dhe Holanda do të bojkotojnë Festivalin e ardhshëm Evropian të Këngës, pasi organizatorët vendosën t’i lejojnë Izraelit pjesëmarrjen. Këto shtete ishin në mesin e vendeve që kërkuan përjashtimin e Izraelit, për shkak të kostos humanitare të luftës në Gaza dhe akuzave për parregullsi në procesin e votimit. Pavarësisht thirrjeve për të mbajtur votim mbi pjesëmarrjen e Izraelit, anëtarët në vend të kësaj miratuan një set të ri rregullash, të cilat synojnë të mbrojnë integritetin e festivalit.
Tag: izraelit
-

Izraeli mbetet në Eurovision, në shenjë revolte tërhiqen 3 shtete
-

Netanyahu do të takohet me Trump në SHBA në fund të dhjetorit, Siria dhe Gaza në qendër të diskutimeve
Benjamin Netanyahu pritet të vizitojë Shtetet e Bashkuara për t’u takuar me Donald Trump midis 28 dhe 31 dhjetorit, sipas informacionit nga Radioja Ushtarake e Izraelit. Datat e sakta nuk janë konfirmuar ende.
Burimet thanë se takimi mund të zhvillohet në vendpushimin e presidentit amerikan, Mar-a-Lago.
Zyra e Kryeministrit Izraelit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi datat e planifikuara të vizitës.Zyra e Kryeministrit njoftoi dje se Trump e ka ftuar Netanyahun të takohet në Shtetet e Bashkuara, e cila do të jetë vizita e tij e pestë që kur Trump mori detyrën në janar.
Takimi pritet të përqendrohet në një marrëveshje sigurie në zhvillim midis Izraelit dhe Sirisë, si dhe në koordinimin mbi zbatimin e planit të paqes së Trump në Gaza./vizionplus.tv -

E enjta vendimtare: Eurovision në prag të një trazire që mund të ndryshojë gjithçka
Eurovision po hyn në një nga momentet më të ndërlikuara në historinë e tij, teksa të enjten pritet një vendim që mund të përcaktojë fatin e edicionit të ardhshëm. Anëtarët e European Broadcasting Union (EBU) do të diskutojnë rregullore të reja për të frenkuar ndikimin politik dhe promovimin e tepërt, mes polemikave të forta për pjesëmarrjen e Izraelit në konkursin e vitit 2026.
Teksa rregullat synojnë të shmangin ndërhyrjen e qeverive në fushatat e votimit, EBU ka paralajmëruar se nëse anëtarët nuk bindën për efektivitetin e tyre, do të zhvillohet një votim për pjesëmarrjen në garë — pa e përmendur drejtpërdrejt Izraelin, por me një peshë të qartë ndaj situatës së krijuar.
Katër televizione publike – ato të Sllovenisë, Irlandës, Spanjës dhe Holandës – kanë paralajmëruar bojkot nëse Izraeli lejohet të konkurrojë, duke shprehur shqetësim për situatën humanitare në Gaza, ku numri i viktimave palestineze raportohet të ketë kaluar 70,000. Një bojkot i tillë nga pjesëmarrës kyçë mund të ndikojë rëndë në audiencën prej 150 milionë shikuesish dhe të rrezikojë marrëdhëniet me sponsorët.
Ekspertët e quajnë këtë një moment vendimtar. Paul Jordan, studiues i Eurovisionit, thotë se gara po përballet me një krizë të vërtetë dhe votimi është pothuajse i pashmangshëm. Ben Robertson nga ESC Insight paralajmëron se mungesa e Izraelit mund të izolojë konkursin, ndërsa prezenca e tij mund të nxisë bojkot masiv.
Ndërkohë, burime të brendshme sugjerojnë se Gjermania mund të tërhiqet nga transmetimi nëse Izraeli përjashtohet, ndërsa Austria, si vend mikpritës, mbështet pjesëmarrjen e tij. KAN, transmetuesi izraelit, e konsideron debatin të padrejtë dhe thekson respektimin e plotë të rregullave nga ana e tyre.
Vendimi i së enjtes pritet të përcaktojë jo vetëm listën e pjesëmarrësve, por edhe të ardhmen e Eurovisionit si një event jopolitik. -

Eurovision përballë krizës, vendet pjesëmarrëse kërkojnë përjashtimin e Izraelit
Festivali Europian i Këngës Eurovision po përballet me një moment vendimtar. Të enjten, anëtarët e Unionit Europian të Transmetimeve (EBU) pritet të diskutojnë dhe të votojnë mbi pjesëmarrjen e Izraelit në edicionin e vitit 2026, mes kërcënimeve për bojkot nga disa vende për shkak të luftës në Gaza.
Transmetuesit publikë të Sllovenisë, Irlandës, Spanjës dhe Holandës kanë paralajmëruar se do të tërhiqen nga gara nëse Izraeli lejohet të marrë pjesë, duke përmendur numrin e lartë të viktimave palestineze, që sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza ka kaluar mbi 70 mijë.
Eurovision synon të jetë jo-politik
Festivali i përvitshëm i muzikës pop, i ndjekur nga rreth 150 milionë shikues në mbarë botën, synon të jetë jo-politik, por lufta në Gaza e ka futur në polemika. Një bojkot nga disa prej mbështetësve më të mëdhenj europianë të konkursit, përfshirë Spanjën, rrezikon një rënie të madhe të audiencës dhe sponsorizimeve.
Këtë vit, kritikët akuzuan Izraelin se kishte ndikuar padrejtësisht në renditjen e dytë të këngëtarit të tij Yuval Raphael, i mbijetuar i sulmit të 7 tetorit nga militantët e Hamasit që ndezi konfliktin.
Izraeli nuk ka reaguar ndaj këtyre akuzave, por shpesh argumenton se përballet me një fushatë shpifjesh globale.
“Shpresojmë shumë që paketa e masave të sigurojë anëtarët se kemi marrë masa të forta për të mbrojtur neutralitetin dhe paanshmërinë e Festivalit të Këngës,” tha EBU.
Eksperti i Eurovision-it, Paul Jordan, i cili ka kryer doktoraturë mbi konkursin, e quajti këtë një “moment vendimtar” për garën. “Kjo është një pikë krize e vërtetë për Eurovision dhe EBU-në… Mendoj se me shumë gjasë duhet të shkojë në votim,” tha Jordan, sipas Reuters.
Ben Robertson nga faqja e fansave ESC Insight vuri në dukje ndikimin e mundshëm të humbjes së audiencës, por shtoi se pa përfshirjen e Izraelit, Eurovision rrezikon të bëhet më i izoluar.
Norvegjia i quan ndryshimet e propozuara ‘premtuese’
Transmetuesi RTL i Luksemburgut i mbështeti ndryshimet e propozuara, ndërsa transmetuesi norvegjez NRK i përshkroi sinjalet e EBU-së për ndryshime të mëdha si “premtuese”.
Nëse një votim kundër Izraelit do të ishte i suksesshëm, Gjermania me shumë gjasë do të tërhiqej dhe nuk do ta transmetonte konkursin, tha një burim i industrisë së transmetimit për Reuters.
Transmetuesi gjerman ARD nuk komentoi, ndërsa transmetuesi austriak ORF, që do të jetë organizator, dëshiron që Izraeli të marrë pjesë.
Burime brenda transmetuesit izraelit KAN i thanë Reuters se besojnë se diskutimet për përjashtimin e Izraelit janë të pajustifikuara, duke theksuar se KAN është në përputhje të plotë me rregullat e EBU-së. Ata gjithashtu vunë në dukje mbështetjen e KAN për artistët izraelitë që kanë dhuruar performanca të cilësuara si të paharrueshme në Eurovision.
Sjellim ndërmend se Rusia është gjithashtu e përjashtuar nga Eurovision që prej pushtimit të disa pjesëve të Ukrainës në vitin 2022. -

Shqetësimet për sigurinë/ Fryn erë lufte në Europë, Gjermania aktivizon super-mburojën raketore Arrow-3
Mes shqetësimeve në rritje për sigurinë në Europë, zyrtarë të lartë gjermanë treguan armën e re super-mbrojtëse të vendit të tyre: sistemin izraelit Arrow-3.
Mediat në Gjermani shkruajnë se bëhet fjalë për sistemin më modern të mbrojtjes ajrore të Bundesëehr-it që tani është i stacionuar në Holzdorf. Të mërkurën, Inspektori i Përgjithshëm Carsten Breuer dhe Inspektori i Forcave Ajrore Holger Neumann do të japin zyrtarisht miratimin për vendosjen e sistemit.
Një kontingjent fillestar është vendosur atje: raketat, sistemet e radarit dhe teknologjia e kontrollit janë gati. Por do të pasojnë më shumë module. Kjo nënkupton se për herë të parë, Gjermania mund të shkatërrojë raketat armike jashtë atmosferës përpara se ato të arrijnë në territorin e saj.
Në këtë drejtim, bëhet e ditur se Forcat e Armatosura Gjermane (Bundeswehr) po investojnë afërsisht 4 miliardë euro nga fondi i tyre i posaçëm në sistemin e mbrojtjes. Eksperti i mbrojtjes i SPD-së, Falko Droßmann, ka përshëndetur këtë lëvizje. Sipas tij, “me blerjen e sistemit Arrow, Bundeswehr fiton aftësinë për të paralajmëruar popullsinë tonë herët dhe për të kapur raketat me rreze të gjatë veprimi që vijnë”. Shitja prej gati 4 miliardë eurosh (4.6 miliardë dollarë) e Arrow 3 Gjermanisë, e konsideruar marrëveshja më e madhe e eksportit të mbrojtjes në historinë e Izraelit, u nënshkrua në shtator 2023.
Sistemi Arrow 3 është projektuar për të shkatërruar raketat balistike ndërsa ato janë ende jashtë atmosferës. Ai thuhet se ka rrëzuar qindra raketa balistike të lëshuara drejt Izraelit nga Irani dhe grupi Houthi i mbështetur nga Irani në Jemen gjatë luftës aktuale.Top Channel
-

Administrata e presidentit Trump apel Izraelit: Mos ndërhyj në Siri
Administrata e Presidentit Donald Trump i ka bërë apel Izraelit që të mos ndërhyjë në Siri teksa kjo pritet të jetë një nga temat kryesore gjatë vizitës së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, e cila do të mbahet këtë muaj.
Në një postim në rrjetet sociale, Trumpi paralajmëron Izraelin të mos ndërhyjë në Siri.
Qëndrimi i Trumpit vjen disa ditë pasi trupat izraelite u sulmuan gjatë një operacioni arrestimesh në Siri, duke shkaktuar përleshje në të cilat u vranë 13 persona, sipas raporteve siriane.
Rrjeti “Channel 12” citon një zyrtar amerikan që thotë se “Siria nuk dëshiron probleme me Izraelin, situata nuk është si Liban”, por paralajmëron se Netanyahu duhet të ndryshojë kursin përpara se “të kthejë regjimin e ri në Siri në një armik të Izraelit”.
Zyra e Netanyahut njoftoi sot vizitën e ardhshme, një ditë pasi ai kërkoi falje në gjyqin e tij për korrupsion nga presidenti Herzog, një lëvizje që Trump e mbështet gjithashtu.
Në fund të këtij viti pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad-it në dhjetor 2024, administrata Trump ka hequr sanksionet ndaj Sirisë dhe po përpiqet të integrojë udhëheqësin e ri, Ahmed al-Sharaa, në një koalicion pro-perëndimor, duke synuar paqe rajonale dhe zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit.
Izraeli, nga ana tjetër, ka vazhduar bombardimet dhe operacionet në Siri për të parandaluar kërcënimet, duke shkaktuar frikë se po destabilizon qeverinë e re siriane. -

Netanyahu përsëri në Shtëpinë e Bardhë, Trump fton kryeministrin izraelit për bisedime të mëtejshme
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ftuar Benjamin Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë në “të ardhmen e afërt”, tha zyra e kryeministrit menjëherë pasi Trump tha se Izraeli duhet të mbajë një dialog të fortë dhe të vërtetë me Sirinë.
Sipas ‘Reuters’, një vizitë në Shtëpinë e Bardhë do të shënonte të pestin takim mes kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidentit amerikan, Donald Trump, që nga rikthimi i këtij të fundit në detyrë në janar. Të dy udhëheqësit kanë theksuar marrëdhënie të ngushta, megjithëse burime amerikane dhe izraelite kanë raportuar se Trump herë pas here ka shprehur zhgënjim ndaj Netanyahut.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, takimi përfshiu diskutime mbi çarmatosjen e Hamasit dhe demilitarizimin e Gazës. Trump kishte njoftuar më parë, në shtator, një plan për të dhënë fund luftës në Gaza, ndërsa një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit është në fuqi që nga tetori.
Trump ka theksuar rëndësinë e një dialogu të fortë mes Izraelit dhe Sirisë, duke deklaruar se “nuk ndodh asgjë që do të ndërhynte në evolucionin e Sirisë në një shtet të begatë”. Ai tha gjithashtu se Siria dhe Izraeli do të kenë një marrëdhënie të gjatë dhe të begatë së bashku, ndërsa administrata e tij përpiqet të ndërmjetësojë një pakt mossulmimi midis dy vendeve.
Siria nuk e njeh zyrtarisht Izraelin, i cili ka pushtuar pjesë të territorit sirian që nga dhjetori i vitit 2024 dhe ka aneksuar Lartësitë e Golanit, një veprim i njohur nga Shtetet e Bashkuara, por jo nga shumica e vendeve të tjera. Trump ka mbështetur udhëheqësin e ri sirian, Ahmed al-Sharaa, ndërsa Izraeli ka shprehur shqetësim për lidhjet e tij të kaluara me militantët islamistë dhe ka lobuar në Uashington për të kufizuar fuqinë e Sirisë.
Së fundmi, një bastisje izraelite në Sirinë jugore të premten shkaktoi 13 viktima, sipas mediave shtetërore siriane. Ushtria izraelite tha se kishte shënjestruar një grup militant libanez.
Takimi ndodhi gjithashtu një ditë pas që Netanyahu i kërkoi falje presidentit izraelit në gjyqin e tij për korrupsion. Trump ka shprehur mbështetje për një falje të mundshme dhe i ka dërguar një letër Presidentit Isaac Herzog, duke i sugjeruar shqyrtimin e kësaj çështjeje. Në deklaratën e kryeministrit për takimin nuk u përmend falja, ndërsa politikanët e opozitës i kanë bërë thirrje Netanyahut që të japë dorëheqjen në vend të kësaj.Top Channel
-

Netanyahu del para gjykatës teksa presidenti izraelit shqyrton kërkesën e tij për falje
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka thënë të hënën se do të përqendrohet vetëm tek “interesat më të mira të Izraelit” kur ta shqyrtojë kërkesën e kryeministrit Benjamin Netanyahu për ta falur për akuzat për korrupsion.
“Do të shqyrtohet në mënyrën më të drejtë dhe më të saktë. Unë do t’i marr parasysh vetëm interesat më të mira të Shtetit të Izraelit dhe të shoqërisë izraelite”, tha Herzog në një deklaratë.
Netanyahu njoftoi të dielën se kishte paraqitur kërkesën për falje, duke thënë se çështjet e gjata gjyqësore po e copëtonin Izraelin.Ndërkohë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i shkroi muajin e kaluar Herzogut, duke i kërkuar ta falë Netanyahun.
Netanyahu i ka mohuar vazhdimisht akuzat për korrupsion.
Ai dhe bashkëshortja e tij Sara akuzohen në një rast se kanë pranuar më shumë se 260.000 dollarë në formë dhuratash luksoze si puro, bizhuteri dhe shampanjë nga miliarderë në këmbim të favoreve politike.
Kryeministri akuzohet gjithashtu se ka kërkuar të negociojë mbulim më të favorshëm mediatik nga dy media izraelite në dy raste të tjera.
Meqenëse çështjet kanë nxjerrë në pah përçarje të thella në shoqërinë izraelite midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të tij, Netanyahu tha se po kërkon që të falet në mënyrë që t’i “ulë tensionet dhe ta promovojë pajtimin që vendit tonë i duhet kaq shumë”.
Netanyahu e ka mohuar vazhdimisht fajësinë në rastet gjyqësore dhe nuk e pranoi fajësinë as të dielën kur njoftoi se i ka kërkuar presidentit ta falë.
Ai doli para gjykatës në Tel Aviv, ku protestues pro dhe kundër tij brohoritën slogane. Disa prej protestuesve ishin të veshur me uniforma ngjyrë portokalli të stilit të të burgosurve.
“Ai duhet të gjykohet si çdo qytetar tjetër në Izrael”, tha për AFP protestuesja Paula Keusch.
Por, demonstruesi pro Netanyahut, Rafael Shamir tha: “Nëse e mira e vendit e çon Netanyahun të kërkojë pezullimin e gjyqit, atëherë unë e mbështes atë”.
Në Izrael, falja tradicionalisht është dhënë vetëm pasi procedurat ligjore kanë përfunduar dhe i pandehuri është dënuar.
Avokatët e Netanyahut argumentuan se presidenti mund të ndërhyjë kur është në rrezik interesi publik, si në këtë rast, me synimin për të shëruar ndasitë dhe për të forcuar unitetin kombëtar./rel -

Hetimet për korrupsion, Netanyahu paraqitet në gjykatë pas kërkesës për falje
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u paraqit këtë të hënë, 1 dhjetor, në gjykatë, për herë të parë që prej dorëzimit të kërkesës së tij për falje drejtuar presidentit të Izraelit, një kërkesë e cila ka marrë mbështetje nga aleatët e tij si dhe nga presidenti amerikan Donald Trump.
Seanca u mbajt në Tel Aviv, ku dhjetëra protestues u mblodhën jashtë sallës së gjyqit. Disa prej tyre, të veshur me kostume portokalli të stilit të burgut, bënin thirrje që Netanyahu të dënohet dhe të shkojë në burg.
Kërkesa për falje ka shkaktuar reagime të forta politike. Opozita izraelite e ka kundërshtuar ashpër, duke deklaruar se çdo falje duhet të shoqërohet me largimin e Netanyahut nga politika dhe pranim të fajit. Të tjerë kanë kërkuar që kryeministri të thërrasë zgjedhje të reja kombëtare para se të kërkojë një falje presidenciale.
Netanyahu, kryeministri me mandatin më të gjatë në historinë e Izraelit, u padit në vitin 2019 për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit, pas një hetimi disavjeçar. Gjyqi i tij nisi në vitin 2020 dhe ka vijuar prej atëherë, ndërsa ai ka mohuar kategorikisht akuzat.
Në letrën drejtuar Presidentit Isaac Herzog, e publikuar të dielën, avokatët e Netanyahut argumentuan se paraqitjet e vazhdueshme në gjykatë po e pengojnë kryeministrin të qeverisë siç duhet. Ata pretenduan se një falje presidenciale “do t’i shërbente edhe interesit kombëtar”, ndërsa theksuan se Netanyahu beson se, nëse procedurat do të shkonin deri në fund, ai do të shpallej i pafajshëm. -

Njësia e tij vrau palestinezët e dorëzuar, komandanti izraelit gradohet nga ministri Ben-Gvir
Pas zemërimit për një video që tregon forcat izraelite të sigurisë duke qëlluar palestinezët që po dorëzoheshin në Bregun Perëndimor, Ministri i Sigurisë i Izraelit, Itamar Ben-Gvir, ka ngritur në detyrë komandantin e njësisë së akuzuar.
Kjo u raportua, ndër të tjera, nga media izraelite Haaretz. Ben-Gvir e kishte mbrojtur më parë njësinë publikisht. “Luftëtarët (izraelitë) vepruan pikërisht siç pritej – terroristët duhet të vdesin!” shkroi ai në mediat sociale.
Videoja, e publikuar javën e kaluar në Jenin të Bregut Perëndimor, tregon një ekskavator që përplas derën e një garazhi dhe dy burra që dalin jashtë me duart lart. Pak më vonë, dëgjohen të shtëna dhe burrat bien përtokë. Mediat izraelite dhe palestineze raportuan se dy palestinezët, të moshës 26 dhe 37 vjeç, u qëlluan nga afër.
Organizata terroriste Xhihadi Islamik deklaroi se viktimat ishin një nga komandantët e saj dhe një luftëtar. Ushtria izraelite njoftoi se do të hetonte incidentin. Autoriteti Palestinez e quajti atë një krim lufte. “Jemi të tmerruar nga vrasja e paturpshme e dy palestinezëve nga policia kufitare izraelite në Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar, në atë që duket të jetë një tjetër vrasje jashtëgjyqësore”, tha Jeremy Laurence, zëdhënës i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, në Gjenevë. Yuli Novak, drejtoreshë ekzekutive e organizatës izraelite për të drejtat e njeriut B’Tselem, tha se “ekzekutimi i dokumentuar është rezultat i një procesi të përshpejtuar të çnjerëzimit të palestinezëve dhe shpërfilljes së plotë të regjimit izraelit për jetën e tyre”. Ajo shtoi se për këtë arsye, është detyrë e bashkësisë ndërkombëtare t’i japë fund pandëshkueshmërisë së Izraelit.
Sulmet rifillojnë në Gaza
Edhe pse zyrtarisht që nga 10 tetori në Rripin e Gazës ka hyrë në fuqi një armëpushim, janë raportuar përsëri sulme izraelite. Ushtria izraelite pretendon se ka vrarë dhjetëra luftëtarë të Hamasit në operacionet për shkatërrimin e tuneleve në Gaza javën e kaluar. Ushtria deklaroi të dielën se qëllimi i operacioneve, të cilat kanë vazhduar për 40 ditë pranë Rafah, është “të shkatërrojë sistemet e mbetura të tuneleve nëntokësore në zonë dhe të eliminojë terroristët e fshehur brenda tyre”.
“Për më tepër, dhjetëra tunele dhe objekte të infrastrukturës terroriste, si mbi tokë ashtu edhe nën tokë, u shkatërruan në zonë”, shtoi ushtria izraelite. Këto pretendime nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, pjesërisht sepse Izraeli ka refuzuar të lejojë gazetarët e huaj në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës. Armëpushimi i brishtë nuk e ka ndryshuar këtë për momentin.
Grupi radikal islamist Hamas pranoi publikisht për herë të parë të mërkurën se luftëtarët mbeten në tunelet në Rripin jugor të Gazës. Vlerësimet e mëparshme kishin sugjeruar tashmë se rreth 200 luftëtarë të Hamasit, mbanin pozicionet e tyre në sistemin e tuneleve poshtë Rafah. Hamasi vazhdon të kontrollojë gjysmën e Rripit të Gazës ku ushtria izraelite nuk është e pranishme. Pjesa tjetër – më shumë se 50 përqind e Rripit të Gazës – është nën kontrollin izraelit.
Hamasi u bëri thirrje SHBA-ve, Katarit, Egjiptit dhe Turqisë, të veprojnë si ndërmjetës, që ta nxisin Izraelin t’u japë kalim të sigurt luftëtarëve që kanë mbetur në tunele. Izraeli më parë kishte kundërshtuar publikisht lirimin e luftëtarëve të Hamasit nga tunelet. Megjithatë, sipas burimeve të shumta, negociatat në lidhje me qëndrimin e vazhdueshëm të luftëtarëve tani kanë filluar./ Der Standard.