foto ilustruese
ITALI-Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i përbashkët i SPAK me prokurorinë e Breshias. Mediat italiane kanë zbardhur skemën se si funksiononte grupi shqiptar me bazë në Durrës dhe si u zbulua ai. Po ashtu bëhet e ditur se grupi kishte lidhje edhe me “Sacra Corona Unita”.
Sipas hetuesve, të dyshuarit janë pjesë e një organizate të strukturuar të aftë për të trafikuar drogë në shkallë globale. Janë gjithsej 49 të dyshuar, 24 prej të cilëve i janë nënshtruar masave paraprake (21 janë arrest në burg dhe tre janë vendosur nën arrest shtëpiak). Mediat italiane shkruajnë se në krye të grupit që drejtohej nga Shqipëria ishin Denis Myftiu, Erion Kapidani dhe Elvis Doçi, i njohur dhe si ‘Visi i Pojës’.
Roli i shqiptarëve me në krye ‘Visin e Pojës’
Selia qendrore e Lecco-s, sipas rindërtimit të bisedave të koduara në Sky Ecc, menaxhohej nga Ardian Deliu. Komunikimet mes Denis Myftiut dhe Erion Kapidanit, zbuluan se Deliut iu besuan afërsisht 80 kilogramë kokainë në pak se një muaj.
Midis nëntorit dhe dhjetorit 2020, Deliu u akuzua për të paktën dhjetë raste trafikimi droge: një kilogram në Padova më 26 nëntor, një tjetër në Pordenone po atë ditë, 1.5 kilogram në Casalpusterlengo më 27 nëntor, tre kilogramë në Torino më 28 nëntor, një kilogram në Zogno më 28 nëntor, një kilogram në Palazzolo sull’Oglio më 30 nëntor dhe tre kilogramë në Piossasso më 5 dhjetor.
Myftiu mbante kontaktet me furnizuesit e lëndëve narkotike, duke përcaktuar sasinë, mënyrat dhe afatet e importimit, si edhe duke vendosur se në cilën bazë logjistike do të dërgohej droga. Për çdo aktivitet të paligjshëm, Myftiu i drejtohej Erion Kapidanit i cili nga provinca e Bërgamos kujdesej për detajet e pritjes, magazinimit dhe më pas shpërndarjes së drogës te grosistët e ndryshëm. Më pas nga data 24 dhjetor 2021, pasi kishte braktisur përfundimisht territorin italian, Erion Kapidani drejtoi trafikun e kokainës të organizatës drejtpërdrejt nga Shqipëria së bashku me Denis Myftiun.
Sipas një bisede të regjistruar më 14 dhjetor 2022, Mytiu raportonte se kishte ende në posedim pesë kilogramë heroinë, të cilën e identifikonte me termin “të zinjtë”, dhe tre kilogramë kokainë, të quajtur “bugatti” në zhargonin e trafikut.
Provat e gjetura përfshijnë edhe fotografi të pakove të drogës dhe një fletë me shënime të hollësishme mbi shpërndarjen, ku përmenden destinacione si Torino, Torbole, Liqeni Garda, Trevizo dhe Udine, si edhe një sasi prej pesë kilogramësh të shënuar si “Zeze”.
pamje nga chat-i
Kalimi i drogës
Rrjeti kishte gjashtë baza logjistike në Itali: tre në provincën e Brescias (Rovato, e menaxhuar nga Arlin Buzali; Palazzolo sull’Oglio, nën mbikëqyrjen e Eduart Leba; dhe një në kryeqytet), një në provincën e Lecco-s të menaxhuar nga Deliu, një bazë në Puglia të koordinuar nga Vincenzo Bruno dhe Altin Shehaj, dhe një tjetër në Italinë Veriore.
Këto qendra operacionesh ruanin drogën që vinte nga Amerika e Jugut dhe më pas ua shpërndanin klientëve. E gjithë kokaina me origjinë nga Amerika e Jugut udhëtonte nëpërmjet rrugëve tregtare detare drejt porteve kryesore të Evropës Veriore dhe më pas transferohej në Itali e fshehur brenda automjeteve të rënda. Pasi kalonin doganën, ngarkesat shpërndaheshin në bazat logjistike.
Droga nga Ekuadori transportohej drejt Italisë me kamionë. Ndërkohë, heroina transportohej nga Shqipëria në drejtim të Italisë, përmes autobusëve. Sipas mediave Italiane, shoferët e autobusëve shpesh nuk ishin në dijeni, ndërsa shoferët e kamionëve ishin bashkëpunëtorë të klaneve. Paratë nga shitjet transferoheshin te udhëheqja shqiptare nëpërmjet korrierëve, të ashtuquajturve “money mules”: shoferë autobusësh të rregullt në linjën Itali-Shqipëri, të cilët transportonin fondet në udhëtimet e tyre të rregullta.







