Nga Vali R. Nasr – NYT
Sulmi i Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore të Iranit fundjavën e kaluar, pas një fushate njëjavore bombardimesh nga Izraeli, ka shënuar një pikë kthese për Iranin. Përfshirja e Uashingtonit në konflikt përbën një nga sfidat më të mëdha për Republikën Islamike që nga themelimi i saj në vitin 1979 dhe është një moment e vërtetësie për udhëheqësin suprem të vendit, Ajatollah Ali Khamenei, i cili e ka mbajtur armiqësinë e Iranit ndaj Perëndimit për 36 vjet me radhë në pushtet.
Tani e ardhmja e programit bërthamor të vendit dhe fati i armëpushimit të brishtë me Izraelin varen nga duart e tij dhe, edhe përballë një kërcënimi të rëndë, është e pamundur që ai të tërhiqet.
Udhëheqësit e Iranit nuk janë të panjohur me luftën. Shumë prej figurave kryesore të vendit, përfshirë presidentin, ministrin e jashtëm dhe drejtuesit ushtarakë, janë veteranë të luftës së gjatë të Iranit me Irakun në vitet 1980, një përballje rraskapitëse që i kushtoi Iranit miliarda dollarë dhe qindra mijëra jetë. Nën udhëheqjen e Ajatollah Khameneit, i cili ka shërbyer si president nga 1981 deri në 1988 dhe u bë udhëheqës suprem i Iranit në vitin 1989, mësimet e asaj lufte të egër janë bërë bazamenti i këndvështrimit të regjimit dhe i politikës së tij të sigurisë kombëtare.
Siç e sheh Ajatollah Khamenei, Irani ndodhet në një betejë për mbijetesë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, përfshirë Izraelin. Politikat që ka ndjekur që prej ardhjes në pushtet, shtypja e brendshme, zgjerimi bërthamor dhe mbështetja për milicitë e deleguara si Hamasi dhe Hezbollahu, kanë qenë të gjitha në funksion të fitores në këtë përballje. Mosbesimi i tij ndaj Uashingtonit është thelluar më tej pas tërheqjes së Donald Trump-it në vitin 2018 nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 që Teherani kishte arritur me administratën Obama.
Republika Islamike i njeh mirë kufizimet e saj në këtë betejë. Ushtria e saj është shumë e papërshtatshme përballë armatimit më të avancuar të SHBA-së. Ekonomia e saj është e goditur rëndë nga sanksionet ndërkombëtare. Dhe vitet e fundit, qytetarët iranianë janë ngritur kundër politikës së regjimit për rezistencë të përhershme ndaj Perëndimit, si dhe kundër politikave represive të brendshme të regjimit. Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë ruajtur një prani të fortë në rajon, me dhjetëra mijëra trupa të vendosur në një rrjet bazash.
Nëse historia ka ndonjë vlerë udhëzuese, Ajatollah Khamenei nuk do të tërhiqet, e aq më pak të dorëzohet. Ai ka pranuar, për momentin, një armëpushim me Izraelin, por vetëm sepse është i bindur se Irani e mbajti qëndrimin e tij përballë sulmeve amerikane dhe izraelite. Edhe në të kaluarën, ai ka bërë lëshime kur ka qenë e domosdoshme. Teherani hyri si në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, ashtu edhe në raundin më të fundit të negociatave bërthamore me Shtetet e Bashkuara, me qëllim lehtësimin e presionit ekonomik.
Ajatollah Khamenei nuk ka asnjë interes për të bërë kompromise që mund të ndryshojnë në mënyrë themelore drejtimin e Iranit. Ai është i kujdesshëm madje edhe për të mos krijuar përshtypjen e gatishmërisë për kompromis, pasi beson se Shtetet e Bashkuara do ta interpretonin si shenjë dobësie. “Amerika është si një qen,” u ka thënë ai këshilltarëve të tij në një mbledhje mbi një dekadë më parë. “Nëse tërhiqesh, ajo të hidhet përpjetë; por nëse i hidhesh ti, ajo stepet dhe tërhiqet.”
Udhëheqësi suprem i Iranit ka kërkuar një ekuilibër që mund të përmblidhet me shprehjen “as luftë, as paqe.” Ai nuk dëshiron as përballje, as normalizim me Shtetet e Bashkuara. Ajo që dëshiron është që Uashingtoni të ndalojë përmbajtjen e Iranit, të çlirojë ekonominë e tij dhe ta lejojë Iranin të përqafojë statusin e një fuqie të madhe rajonale.
Ajatollah Khamenei beson se Irani mund ta arrijë këtë objektiv me kalimin e kohës. Nëse Teherani këmbëngul, mendon ai, mund t’i tejkalojë orekset e Uashingtonit dhe Izraelit për një përballje. Për dekada, regjimi i tij e ka ndërtuar strategjinë ushtarake mbi durimin dhe këmbënguljen, duke reflektuar mësimet e drejtuesve të tij nga lufta Iran-Irak. Në vitin 1980, Iraku nisi një sulm të papritur kundër fqinjit të vet, duke pushtuar mijëra kilometra katrorë në jugperëndim të Iranit. Dy vjet më vonë, Irani arriti të manovrojë përtej ushtrisë më të mirëarmatosur të Irakut duke përdorur forca guerile dhe të ashtuquajturat sulme të “valës njerëzore”, duke arritur të rimarrë pjesën më të madhe të territorit të humbur. Mësimi, për Ajatollah Khamenein dhe bashkëpunëtorët e tij, ishte se Irani është i aftë të rraskapitë kundërshtarët më të mirëpajisur, edhe kur shanset janë kundër tij.
Ky mësim e udhëhoqi reagimin e Iranit ndaj pushtimit të Irakut nga SHBA në vitin 2003. I bindur se Irani ishte në listën e radhës të Uashingtonit, Ajatollah Khamenei ngarkoi gjeneralin Qassem Soleimani, i cili u vra nga një sulm me dron amerikan në vitin 2020, që të përfitonte nga kaosi dhe nga kryengritja në Irak duke e zhytur SHBA-në në një batak. Gjeneral Soleimani më pas ndërtoi një rrjet ndikimi iranian në gjithë Irakun, duke bashkëpunuar me politikanë irakianë dhe duke mobilizuar milici shiite për të sulmuar forcat amerikane. Strategjia funksionoi; deri në vitin 2011, Shtetet e Bashkuara kishin tërhequr pjesën më të madhe të trupave të tyre pas një kryengritjeje të zgjatur dhe rraskapitëse.
Në vitet e fundit, Irani ka pasur plot kohë për t’u përgatitur për një sulm amerikan ose izraelit. Vendosja e thellë nën tokë e objektit të pasurimit në Fordo, për shembull, mund ta ketë shpëtuar atë nga shkatërrimi i plotë prej bombave amerikane për bunkerë të thellë. Një konflikt më i madh do të përbënte një kërcënim më serioz, veçanërisht në një kohë kur ekonomia iraniane është e dobët dhe popullsia e saj e pakënaqur. Për momentin, Teherani me shumë gjasë ka arritur në përfundimin se mund të përballojë vështirësitë ekonomike të kohës së luftës dhe se popullsia do të bashkohet rreth flamurit dhe do ta drejtojë zemërimin ndaj sulmuesve të jashtëm.
Me këtë llogari në mendje, Ajatollah Khamenei e ka ndjerë qartazi të domosdoshme që të përgjigjet për të treguar se ai nuk është mposhtur. Ai gjithashtu kërkon të tregojë se Uashingtoni nuk mund të arrijë qëllimet e tij me forcë, qofshin këto ndryshim regjimi apo çmontimi i programit bërthamor të Iranit. Irani po kërkon frikësim, jo përshkallëzim. Shkalla dhe momenti i lëshimit të raketave që synuan Bazën Ajrore Al Udeid në Katar duken të kalibruara me kujdes, me zyrtarët iranianë që dhanë paralajmërim paraprak se sulmi po vinte.
Nëse armëpushimi bie dhe lufta rifillon, Irani mund të zgjedhë të sulmojë anije apo baza amerikane në Gjirin Persik ose të mbyllë ngushticën e Hormuzit. Pavarësisht nëse e bën apo jo këtë gjë, ajo që ka rëndësi është aftësia e tij për ta mbajtur botën në pasiguri, duke përdorur pasiguritë për të tronditur çmimet e energjisë dhe tregjet globale.
Në rast se Irani sulmon, goditjet e tij me gjasë do të kenë si synim ta detyrojnë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të kënaqen me një luftë nervash. Një luftë e gjatë dhe e rraskapitshme, beson Irani, do të prishte planet e SHBA-së dhe Izraelit për një fitore vendimtare dhe do t’i detyronte ata të bëjnë kompromis përballë kostove në rritje dhe reagimeve të brendshme. Irani nuk do ta konsiderojë thirrjen për paqe të presidentit Trump si një rrugëdalje diplomatike të mirëpritur. Vetëm pasi të ketë rifituar njëfarë frikësimi, ndoshta duke siguruar një armë bërthamore, Irani mund të jetë gati për bisedime.
A ka regjimi i Ajatollah Khameneit kapacitetin ushtarak, forcën e brendshme dhe qëndrueshmërinë politike për të përballuar një luftë nervash? Kjo paqartësi është pjesë e planit të udhëheqësit suprem. Ajo që mund të ketë më shumë rëndësi nuk është nëse Irani ka kapacitet të luftojë pa afat, por nëse mund të rezistojë më gjatë sesa janë të gatshme SHBA-ja ose Izraeli ta durojnë, veçanërisht nëse Irani arrin të rindërtojë infrastrukturën e vet bërthamore, madje edhe të përmbledhë një arsenal bërthamor.
Llogaritjet e Iranit do të varen shumë nga vlerësimi se sa pjesë e programit të tij bërthamor ka mbijetuar pas bombardimeve të SHBA-së dhe nëse mund ta shndërrojë rezervën ekzistuese të uraniumit shumë të pasuruar në armë bërthamore. Ai mund të vendosë së shpejti ta mbyllë programin e vet bërthamor ndaj inspektimeve të jashtme, dhe, edhe nëse mbetet nënshkrues i Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, ta lërë botën në mëdyshje për synimet e tij. Shtetet e Bashkuara mund të përpiqen ta ndalojnë përparimin e Iranit, por përveçse duke dërguar trupa në terren, mund të ketë një kufi për atë që mund të bëjnë.
Dhe pikërisht te kjo mund të mbështetet Ajatollah Khamenei: se perspektiva e një tjetër “lufte të përjetshme” në Lindjen e Mesme është aq frikësuese, sa për të mbajtur Shtetet e Bashkuara larg. Nga këndvështrimi i Teheranit, duket se e ka bindur tashmë zotin Trump që të përqafojë me zell një armëpushim. Deri tani, Irani kishte shpresuar se ambiciet e tij bërthamore mund të mjaftonin për të përfunduar politikën amerikane të përmbajtjes dhe për të fituar lehtësim të sanksioneve në tryezën e negociatave. Tani, Ajatollah Khamenei mund të arrijë në përfundimin se e vetmja mënyrë për të arritur qëllimet e tij është që ta kalojë vijën bërthamore njëherë e mirë./ nytimes- syri.net/