Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS) mori tre vendime gjatë pjesës së parë të këtij viti ku dy prej tyre lidhen me investime në hoteleri dhe rezdenciale ndërkohë që një tjetër ishte ajo për gjermanët e rrejtit të supermarketeve LIDL.Këta të fundit parashikojnë ngritjen e një qendre logjistike në kuadër të hyrjes së tyre në tregun e shitjes me pakicë në Shqipëri. Por çfarë përfaqësojnë në fakt tre projektet në fjalë dhe lehtësitë që përfitojnë nga vendimet që ka marrë Komiteti.Hoteli markë në BorshI pari është një investim në strukturë hotelerie në Jug të vendit, konkretisht në Borsh. Subjekti aplikues është “Grand Hotel Borsh” që synon të ndërtojë një strukturë me 5 yje i cili do të përfshijë 240 dhoma dhe 4 vila private.“Vlera e investimit të projektit të investimit “RADISSON INDIVIDUALS PREMIUM BORSH” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë mbi 27.6 milionë Euro.Sipërfaqe totale e projektit është 18.500 m² (1.85 ha) në ZK 1253, në fshatin Borsh, Bashkia Himarë, e cila është në pronësi private të ortakëve të subjektit aplikues Grand Hotel Borsh sh.p.k. Projekti i investimit i plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikon të punësojë 255 punonjës” thuhet në vendim.Projekti i propozuar ka nënshkruar marrëveshje me marken ndërkombëtare Radisson Hospitality Belgium SRL.Vendimi i KIS I ka dhënë miratimin Statusit “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Asistuar”. Ky status i jepet për tre vjet.Po kështu subjektit i është dhënë e drejta e shfrytëzimit të plazhit për një periudhë 30 vjeçare.“Në zbatim të nenit 29 të Ligjit Nr.55/2015, i ndryshuar, miratohet në parim masa mbështetëse e lejimit të përdorimit të brigjeve të detit si dhe zonën përkatëse të plazhit për parcelën Kodi: HI-215/5 e tipologjisë “e menaxhuar”, si dhe për parcelën Kodi: HI-216 e tipologjisë “e menaxhuar”, sipas koordinatave të konfirmuara nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Aneks 1 i këtij vendimi, me një afat 30 (tridhjetë) vjeçar” thuhet në vendim.Qendra Logjistike e LIDLNjë tjetër vendim i KIS ka të bëjë me ngritjen e një qendre logjistike të markës së shitjes me pakicë LIDL që pritet të hyjë në tregun shqiptar. Subjekti aplikues “LIDL SHQIPËRIA” SHPK është pjesë e kompanive të rrjetit ndërkombëtar gjerman Schwarz Group, i cili është një lider ndërkombëtar në industrinë e shitjes me pakicë, i pozicionuar në 31 shtete.“Vlera e investimit të projektit të investimit “LIDL Shqipëria– Qendër Logjistike” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë mbi 105 milionë Euro.Projekti i investimit synon të zhvillohet në një sipërfaqe totale prej 200 mijë m2, e cila ndodhet pranë zonës logjistike portuale në Porto Romano, Durrës. Projekti i investimit parashikon ndërtimin e një qendre logjistike e cila do të shërbejë si objekt kryesor për magazinimin e produkteve me shumicë.Produktet e magazinuara synojnë të furnizojnë si tregun shqiptar, duke lehtësuar grumbullimin, mirëmbajtjen dhe shpërndarjen e produkteve vendase, ashtu si dhe promovimin dhe eksportin e jashtëm të këtyre produkteve. Subjekti synon gjithashtu të operojë në tregun shqiptar duke krijuar operacione të shitjes me pakicë përmes një rrjeti të gjerë supermarketesh.Sipërfaqja e synuar ndodhet brenda konturit të “Masterplanit të Portit të Ri Tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano”, me zhvillues Autoritetin Portual Durrës, miratuar me Vendim KKTKU me nr. 09, datë 27.07.2022 “Leje zhvillimi për objektin “Porti i Durrësit – Porto Romano”” thuhet në vendim. Ky project investimi parashikon të punësojë të paktën 2500 persona.Vendimi i KIS i ka miratuar atij Statusiin “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Veçantë” për tre vjet. Do të jetë Autoriteti Portual Durrës, në cilësinë e zhvilluesit të zonës pas përfundimit të procedurave administrative dhe disponimit të pronës, ai që do të të lidh kontratë qiraje afatgjatë me shoqërinë “Lidl Shqipëria” sh.p.k.Projekt hotel dhe rezidenca në TiranëVendimi i tretë i KIS është në favor të subjekteve “ANIMA CON” shpk dhe “EB CONSTRUCTION” SHPk.Projekti i investimit parashikon ndërtimin e një kompleksi me funksion të përzier si hotel, rezidencial, godina banimi dhe shërbimesh, në Bashkinë Tiranë.“Projekti përfshin komponentë që i përkasin sektorit të turizmit, dhe konsiston në ndërtimin e tre ndërtesave me kombinim përdorimit si ndërtesa multifunksionale me theks të veçantë në hoteleri dhe shërbime rezidenciale, njësi banimi dhe ndërtesa dedikuar hapësirave të zyrave. Vlera e investimit të projektit të investimit “ANIMA” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë rreth 55.6 milion Euro.Subjektet aplikuese propozojnë zhvillimin e një investimi në ZK 8160, në Bashkinë Tiranë. Projekti i propozuar shtrihet në një sipërfaqe totale prej 0.96 ha nga të cilat rreth 0.79 ha janë në pronësi private të subjekteve aplikuese në bazë të kontratave të sipërmarrjeve.Ndërkohë, subjektet për një sipërfaqe prej afro 0.17 janë në fazë negociatash për lidhjen e marrëveshjeve me subjekte private. Projekti i investimit i plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikon të punësojë rreth 500 punonjës” thuhet në dokument.Statusi i miratuar është “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Veçantë” për një afat 3 vjeçar.Falë këtij statusi subjekti përfiton masa mbështetëse në kryerjen e procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike. Po kështu masa mbështetëse të asistencës në lidhje me dhënien e lejeve, licencave dhe autorizimeve të nevojshme për realizimin e projektit, në përputhje me afatet e parashikuara sipas legjislacionit të investimeve strategjike./ N.MahoKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.