Gjatë një diskutimi në Komisionin për Burimet Natyrore është ngritur shqetësimi për mungesën e investimeve strategjike në veri të vendit, duke vënë në qendër të vëmendjes projektin e rrugës Milot-Balldren dhe një disbalancë të theksuar të fondeve krahasuar me jugun e Shqipërisë.
Sipas deputetit të PD, Klit Hoti, projekti i aksit rrugor Milot-Balldren, një segment kyç për veriun dhe gjithë vendin, ka një histori të gjatë dhe problematike.
‘Fillimisht, në vitin 2016, projekti ishte buxhetuar me një kosto prej 7 milionë eurosh për kilometër. Më pas, kostoja u rrit në 15 milionë euro për kilometër, për të arritur së fundmi në një propozim Partneriteti Publik-Privat (PPP) me një vlerë prej 21 milionë eurosh për kilometër, duke trefishuar kështu koston fillestare. Ky propozim, i cilësuar si “nonsens ligjor”, u miratua nga parlamenti në vitin 2019’, u shpreh Hoti.
Pavarësisht rëndësisë së saj, është denoncuar se kjo rrugë nuk figuron fare në projektbuxhetin afatmesëm deri në vitin 2026. Kjo mungesë është cilësuar si tërësisht e palogjikshme, duke marrë parasysh nevojën urgjente për këtë segment infrastrukturor.
Më tej, diskutimi ka nxjerrë në pah një pabarazi alarmante në shpërndarjen e investimeve publike. Duke bërë një krahasim mes Shkodrës dhe një qyteti tjetër të madh në jug të vendit, pa përmendur emrin e këtij të fundit, është theksuar se raporti i investimeve është 1 me 10 në favor të qytetit jugor. Kjo do të thotë se për çdo 1 euro të investuar në Shkodër, investohen 10 euro në qytetin tjetër me përmasa të ngjashme.
Hoti: Përveç diskutimeve që u bënin, megjithatë unë do flas për rrugën, desha me bë një pyetje për rrugën Milot-Balldren. Desha me bë këtë rrugë, ndoshta për me, se ndoshta janë të rinj këto, ëh, zotnijtë e, e ministrisë, po desh me thënë që ka qenë e projektuame ose e buxhetua me qysh në vitin 2016. Nga qeveria e kohës.
Me 7 milionë euro kilometrin. Pastaj u dha te AKN-ja me 8, me 15 milionë euro kilometrin.
Pastaj në 2019-ën u aprovu, pra që ishte nonsens ligjor, u konfirmua nga parlamenti, u aprovua nga parlamenti.
Dhe aktualisht u dha me PPP, që akoma nuk është dhënë, me 21 milionë euro. Ndërkohë në buxhetin e ministrisë, rruga Milot-Balldren nuk është e, duke pasur parasysh që është shumë projekt i rëndësishëm për gjithë Shqipërinë, për veriun edhe për Shkodrën, unë e kam ngritur edhe shumë herë të tjera, por nuk është në mënyrë absolute te, te, te buxheti i vitit 2026.
M’u duk komplet e pa, e pa logjikshme, nuk e di si mund të bëhet një buxhet në qoftë se nuk merret, nuk do të merret në konsideratë kjo rrugë.
Kur pashë pastaj dhe te buxheti raporte që, nuk du me përmend emrin e qytetit, por një qytet i madh në, në jug, që raporti i investimeve në Shkodër, krahasova jo me Tiranën.
Mund t’ia them edhe emrin e qytetit, po nuk du me kriju konotacion negativ, veri-jug, po ishte raporti 1 me 10. Me të gjithë investimet që do bëhen në Shkodër edhe investimet që do bëhen te ky qyteti që është me të njëjtat përmasa, bile pak më e vogla sesa Shkodra.







