Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ditën e sotme ndodhen në Zall-Herr, në prezantimin e arritjeve dhe sfidat e të ardhmes në fushën e mbrojtjes.
Gjatë aktivitetit po prezantohen edhe pajisjet më të cilat është e pajisur ushtria shqiptare.
“Forcat e Armatosura janë në rrugën e një transformimi historik”, tha kreu i qeverisë.
Ky aktivitet përkon me 16-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se investimet në fushën e mbrojtjes janë 10-fishuar përgjatë 10 viteve qeverisje nga PS.
Rama: Kemi plot arsye për të qenë më shumë se sa të inkurajuar për të nesërmen. Duke kthyer kokën mbrapa Shqipërisë i ndodhi çka nuk i ka ndodhur asnjë vendi tjetër. Një rënie në humnerë dhe pastaj një braktisje shumë e gjatë. Nëse sot ne kemi një trupë që mbështetet mbi kapacitete të rëndësishme njerëzore, ky është i vetmi asset i trashëguar nga e shkuara që është kapaciteti i drejtuesve të sotëm të Forcave të Armatosura falë të cilëve dje këto forca i mbijetuan me shumë vështirësi një sfide të paparë si rezultat i shembjes së shtetit dhe pastaj i kthimit të kurrizit nga ana e shtetit dhe e Forcave të Armatosura. Nga një anë është krenari të them se ne në 10 vite kemi 10-fishuar investimet në fushën e mbrojtjes, një rritje që nuk ka ndodhur në asnjë fushë tjetër. Por nga ana tjetër është dramatike të mendosh se kur ne morëm detyrën FA mbështeteshin në 28 milionë euro investim, një shifër që sot është shumë më e vogël se sa shifra që ne kemi investuar.
Kreu i qeverisë tha se sot ushtria shqiptare është më e paguara në Ballkanin Perëndimor, ndërsa shtoi se synon që të arrihet një mesatare njësoj me Foract e Armatosura të NATO-s.
Rama: Sot ne kemi ushtrinë më të mirëpaguar në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që kur morëm detyrën kishim ushtrinë më të keqpagur dhe më të keqtrajtuar në rajon. Jemi sot me një pagë mesatare 1550 euro që më lejoniu t’iu garantoj nuk është stacioni ynë i fundit, por është vetëm një nga stacionet për të shkuar drejt stacionit që e kemi ndarë me ju në krye të herës dhe kemi mirëkuptuar mosbesimin tuaj total. Kur ju kam thënë që ne do të arriijmë të kemi një ushtri shqiptare të paguar në mesataren e Forcave të Armatosura të NATO-s. jemi duke iu afruar asaj mesatarje por kemi ende hapa për të bërë.
vizionplus.tv





