Te Interi ishin me vëmendjen te Parma dhe te Cagliari në dy ndeshjet e fundit të Serisë A, pas gabimit që bëri Napoli kundër Xhenoas në barazimin 2-2. Me këtë barazim, diferenca u ngushtua në 1 pikë dhe te Interi besonin shumë te ndalja që Parma mund t’i bënte Napolit.
Në radhës e Parmës si trajner është Chivu, figurë e njohur për Interin, ndërsa ndeshja luhej në shtëpi. Për më tepër, Parmës i duheshin pikët për mbijetesë dhe nuk ishte vetëm çështje favori për zikaltërit.
Kështu ndodhi, Parma mori një barazim me Napolin, por Interi harroi të luante ndeshjen e tij pasi barazoi 2-2 ndaj Lacios. Tani vëmendja ka shkuar te Cagliari, teksa Napoli pret në shtëpi Cagliarin në ndeshjen e fundit të Serisë A dhe me një fitore vendos gjithçka në favorin e tij.
Në mediat italiane ka qarkulluar lajmi se presidenti i Cagliarit, është një tifoz i Interit, Tommaso Giulini. Madje jo vetëm kaq, por ka qenë më parë në bordin drejtues të zikaltërve. Lidhja e tij me Interin i ka rrënjët në 1995 kur familja Giulini hyri në strukturën e Interit duke marrë 12% të aksioneve dhe nga viti 2005 deri në 2013, Giulini ishte pjesë e bordit drejtues të Interit. A do të bëjë Cagliarin befasinë? Misioni është i pamundur, por në cdo rast Interi nuk duhet të harrojë se ka edhe një ndeshje për të luajtur të sajën, me Comon, mund të përsëristet e njëjta histori si ndaj Lacios dhe atëherë titulli do të bëhej shumë i dhimbshëm. /Sport Ekspres/
Tag: interit
-

Pasi dolën huq me Parmën, tani me vëmendjen te Cagliari që të ndal Napolin: Presidenti i Cagliarit është tifozi i Interit
-

Interi, edhe shifrat i ka kundër. Në 20 vitet e fundit, askush s’ka fituar titull me këtë statistikë
Barazimi në “San Siro” ndaj Lazios e ka reduktuar në minimum shpresën e Interit për të fituar titullin e 21-të kampion. Jo vetëm sepse Napoli pret në “Maradona” një Cagliari që është i shpëtuar dhe pa presion, por edhe statistikat e së shkuarës e bëjnë misionin e skuadrës së Inzaghit praktikisht të pamundur.
Që nga sezoni 2004-2005, i pari në epokën me 20 skuadra dhe sistemin me 3 pikë për fitore, asnjë skuadër nuk e ka fituar kampionatin me më pak se 82 pikë. Interi, në rast fitoreje ndaj Comos në javën e fundit, mund të arrijë maksimumi 81 pikë. Përjashtim mbetet sezoni i “Calciopolit” (2005-2006), kur titulli iu dha Interit me 76 pikë, ndonëse në fushë ishte Juventusi që e mbylli i pari me 91 pikë, para se të penalizohej dhe zbriste në Serie B.
Që nga ajo kohë, për t’u shpallur kampion nevojiten të paktën 82 pikë, kuotë që Napoli do ta arrinte pikërisht nëse mund Cagliarin. Për të gjetur një kampionat të fituar me kaq pak pikë, duhet të kthehemi pas në vitin 2011, kur Milani i Allegrit mposhti rivalët e qytetit me 82 pikë ndaj 76 të Interit.
E njëjta kuotë me të cilën Interi fitoi më 2010, në sezonin historik të tripletës. Atëherë skuadra e Mourinhos e mposhti Romën e Ranierit në javën e fundit (82 ndaj 80 pikëve). Në sezonin 2019-2020, ai i pandemisë, Juventusi i Sarrit u shpall kampion me vetëm një pikë më shumë se Interi i Contes (83 kundër 82).
Me fjalë të tjera, Napoli dhe Interi këtë vit më shumë kanë bërë një garë “breshkash” sesa “kuajsh gare”, sidomos po të kujtojmë se në 10 sezonet e fundit, katër herë me 82 pikë nuk janë renditur as të dytët.
Sido që të mbyllet kjo garë për titull, skuadra që do të dalë pa trofe do të ketë shumë pengje, sepse në javët e fundit, për arsye të ndryshme, si Napoli, ashtu edhe Interi, kanë lëshuar pikë vendimtare në momentet kyçe. -

Bllofi i fundit i Napolit gëzon Interin, por jo Kristjan Asllanin, mesfushori i Shqipërisë kthehet në stol
Sezoni i Interit ka marrë një të papritur të madhe, teksa fati e lëkundur në shumë era të rrezikshme në kohët e fundit. Një sezon i nisur në mënyrën më spektakolare, por me afrimin e sezonit drejt fundit, nisi edhe lodhja e zikaltërve.
Interi lëshoi shumë pe dhe për një moment mund ta mbyllte sezonin pa titull dhe pa luftuar deri në momentin e fundit. Aktualisht ekipi i Inzaghit e sheh veten në finalen e Champions League pasi ka eliminuar Barcelonën.
Por jo vetëm kaq, sezoni i Interit ka marrë një trajektore të papritur me bllofin e fundit të Napolit në barazimin 2-2 kundër Genoa. Tani diferenca është vetëm 1 pikë mes dy ekipeve dhe titulli kampion te zikaltërit, nuk është një mision aq i pamundur sa dukej në fillim.
Të gjithë shpresat te Interi janë që Chivu të ndal Napolin me Parmën në shtëpi, për më tepër Parma po lufton edhe për mbijetesën, ndërsa në ndeshjen e fundit do të ketë një tjetër ndeshje të fortë, në transfertë me Atalantën.
E parë në këtë prizëm, te Interi po kujdesen që në rast mrekullie të Parmës me Napolin, të mos jenë ata që të hedhin hapin e gabuar. Për këtë arsye Inzaghi do të rikthejë të gjithë titullarët në ndeshjen e nesërme kundër Lacios, me Calhanoglu që merr vendin e Asllanit. Kështu ai bllof i fundit i Napolit i bëri shumë punë Interit, por jo Asllanit, që në rast fitore të Napolit në ndeshjen e kaluar dhe një diference me 4 pikë, do të ishte sërish titullar kundër Lacios. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/
-

Frikë pas aksidentit në shtëpi, ish-mbrojtësi i Interit në terapi intensive për shkak të djegieve
Shqetësim i madh për Lucio, ish-mbrojtësin e Interit të tripletës historike në vitin 2010. Siç raporton “Globoesporte”, 47-vjeçari brazilian është shtruar në terapi intensive në një spital të Brasilias, pas një incidenti shtëpiak, që i shkaktoi djegie në disa pjesë të trupit.
Në raportin mjekësor të fundit thuhet: “Pacienti është në gjendje të qëndrueshme, i vetëdijshëm dhe nën kujdesin e një ekipi të specializuar mjekësor. Ai po merr trajtimin e nevojshëm për djegiet”.
Lucio i dha lamtumirën futbollit në vitin 2020, pothuajse në moshën 42-vjeçare. Në karrierën e tij ka veshur fanellat e Bayer Leverkusen, Bayern Munich, Inter, Juventus, São Paulo, Palmeiras dhe në fund Brasiliense.
Ai është kampion bote me Brazilin në vitin 2002 dhe fitues i dy “Confederations Cup”. Me Interin fitoi gjithçka në sezonin historik 2009-2010: Champions League, Serie A, Kupa e Italisë dhe Botërorin për Klube. Me Bayernin kishte fituar tri Bundesliga.
Tifozët zikaltër dhe gjithë bota e futbollit i urojnë shërim të shpejtë kampionit të madh. -

Moratti mes kujtimeve dhe krenarisë: Interi i tripletës ishte më i forti, Inzaghi po shkruan historinë zikaltër
Massimo Moratti mbushi 80 vjeç. Duke folur për mikrofonin e “Sky”, ish-presidenti i Interit e ktheu kokën pas: “Imazhi i parë është Kupa e parë e Kampionëve e fituar, me familjen time. Është gjëja e parë që më vjen ndër mend kur mendoj për përvojën futbollistike të familjes sime në futboll”.
Vendimi për të cilin ndiheni ende krenar?Eh, nuk e di, por ajo që më ka bërë shumë të gëzuar ka qenë blerja e Ronaldos. Një gjë e papritur dhe surprizë. Një gjë tjetër që i ka rezistuar kohës dhe shpresoj të vazhdojë të rezistojë është ‘Inter Campus’, organizatë për fëmijët e varfër në mbarë botën.
Sa shpesh mendoni për Champions-in e fituar me Mourinhon?Është një mendim i gëzueshëm, më jep kënaqësi. Të shohësh ato imazhe me tifozët që qanin nga lumturia është diçka që duhet të jesh shumë i ftohtë për të mos u prekur. Nuk mendoj se jam i vetmi që mendoj për të ndonjëherë, besoj se ka mbetur në kujtesën e shumë njerëzve.
Cordoba tha së fundmi se Interi i vitit 2010 nuk ishte më i forti, por fitoi. A mund të ketë një paralelizëm me këtë sezon?Po, le të themi që ajo që po tregon kjo skuadër është karakteri i ndryshëm, i fortë. Është një tipar i veçantë i skuadrës së Inzaghit. Për vitin 2010, nuk jam dakord me Cordoba, ne ishim më të fortët.
A ju kujtohet fitorja e Vjenës, edhe si kujtim për Jair?Jair kishte një stil loje të veçantë dhe të mrekullueshëm, ishte anësor i rrallë, që nuk gjendet sot në futboll. Mendoj se, duke parë fitoret e Interit, mund të frymëzohesh edhe nga Milito. Ai ishte i jashtëzakonshëm në finalen e Champions-it, në Siena dhe në Kupën e Italisë.
Itali-Gjermani 4-3 e vitit 1970 është një ndeshje mitike, por mund të thuhet e njëjta gjë për Inter-Barcelona 4-3. A shkruhet historia me fitore apo me emocione?Janë emocionet, ato që të lënë kujtime. Këto ngjashmëri ekzistojnë, gjysmëfinalja e Champions-it është një lloj trampoline. Është momenti kur kupton nëse je i fortë apo jo. Unë kam parë Italinë kundër Brazilit dhe Gjermanisë më 1982, të dyja ndeshje të mrekullueshme, por Itali-Brazil të thyen zemrën.
Helenio Herrera është në historinë e Interit, po Inzaghi?Besoj se është tashmë. Para së gjithash, është prej disa vitesh tek Interi. Ka fituar kampionatin, ka arritur dy herë në finalen e Champions League. Inzaghi është shumë i mirë, vërtet shumë i mirë.
A mendoni të shkoni në Mynih për finalen ndaj PSG-së?Jo, për momentin nuk e kam në plane. Pastaj, ku i dihet, ndoshta do të ndodhë.
Moratti feston 80-vjetorin e lindjes, presidenti më i suksesshëm në historinë e Interit -

De Paul rikthehet në modë tek Interi, një vit para skadencës së kontratës aktuale
Konfirmohet interesimi i Interit për Rodrigo De Paul të Atletico Madridit. Sipas asaj që ka mësuar TMW, mes profileve që zikaltrit po vlerësojnë për të përforcuar skuadrën e trajnerit Simone Inzaghi gjatë verës është edhe ai i mesfushorit argjentinas, ish-lojtar i Udineses.
Mund të ketë një kontakt mes palëve së shpejti, por pista që çon te lojtari i lindur në vitin 1994 është ide që rikthehet në modë në shtëpinë zikaltër. Me madrilenët, De Paul ka vetëm një vit kontratë të mbetur. Në këtë sezon ka regjistruar deri tani 47 paraqitje, 3 gola dhe 9 asistime në të gjitha kompeticionet, me “colchoneros”.
Mesfusha e Interit mund të përjetojë një transformim të thellë gjatë merkatos së ardhshme. Nuk bëhet fjalë për një rregullim të vogël, por, siç raporton “Tuttosport”, për një “revolucion” të vërtetë. Aktualisht, vetëm Nicolò Barella, Hakan Calhanoglu (përveç ndonjë surprize të madhe…) dhe Piotr Zielinski duken të sigurt për sezonin e ardhshëm. Me ta do të bashkohet edhe talenti Petar Sucic, i marrë nga Dinamo Zagreb.
Henrikh Mkhitaryan, Davide Frattesi dhe Kristjan Asllani janë gati të largohen. Veterani armen është një figurë kyçe për Simone Inzaghin, por ka lënë të kuptohet se së shpejti mund “t’i varë këpucët në gozhdë”. -

Zirkzee rikthehet objektiv për sulmin e Interit, ideohet huazimi me të drejtë blerjeje
E ardhmja e repartit ofensiv të Interit mund të quhet Joshua Zirkzee. Pas një sezoni në të cilën alternativat ndaj Lautaro Martinez dhe Marcus Thuram nuk arritën të bindnin plotësisht, me Arnautovic, Sanchez dhe së fundi Taremi (pa harruar edhe Correa), që nuk dhanë garanci as për vazhdimësi, as për efikasitet, klubi zikaltër po e analizon me kujdes profilin e sulmuesit holandez, sipas asaj që raporton “Corriere dello Sport”.
Ideja e drejtorit sportiv Piero Ausilio është t’i propozojë Manchester United, aktualisht në pronësi të kartonit të Zirkzee, huazim me të drejtë blerjeje. Kjo formulë do t’i lejonte Interit ta vlerësonte konkretisht sulmuesin në kontekstin e futbollit italian dhe, nëse përmbushen kushtet e caktuara, ta kthejë operacionin në blerje përfundimtare.
Një vit më parë, “Djajtë e Kuq” investuan 40 milionë euro për ta rrëmbyer Zirkzee nga Bologna. Shumë jo e tepruar për një sulmues me potencialin e tij, edhe pse vlera e holandezit në treg ka rënë në 12 muajt e fundit. Edhe paga e holandezit, rreth 3.5 milionë euro në sezon, plus bonuse, hyn në parametrat ekonomikë të përballueshëm për Interin, duke qenë në linjë me vizionin e ri të fondit Oaktree.
Javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të kuptuar sa i realizueshëm është ky operacion. Zirkzee do të përfaqësonte një alternativë me karakteristika ndryshe në krahasim me Nico Paz, një tjetër talent i ri i ndjekur nga klubi zikaltër.
Megjithatë, merkatoja e Interit për repartin ofensiv nuk ndalet te Zirkzee. Në rast se Napoli do të tentojë me forcë për Frattesi, mund të rihapet pista e Giacomo Raspadori. Pa u nënvlerësuar edhe profili i të riut të Parmës, Ange-Yoan Bonny, megjithëse ky i fundit shihet më shumë si një opsion për rolin e sulmuesit të katërt në skuadër. -

Boban pranon realitetin: Sot ka diferenca të mëdha midis Interit dhe Milanit
“Sot ka shumë diferencë si klube mes Interit dhe Milanit. Në aspektin teknik, dy skuadrat milaneze nuk janë larg. Distanca qëndron në mënyrën se si ndërtohet një skuadër konkurruese. Milanit i duhen 3-4 përforcime të duhura që t’i japin ekuilibër lojës, çka i ka munguar gjatë gjithë sezonit…”
Kështu, Zvonimir Boban, ish-mesfushori dhe ish-drejtuesi i kuqezinjve, i ka komentuar dallimet e dukshme midis Interit dhe Milanit, duke theksuar hendekun e thellë në strukturën dhe identitetin e klubeve.
Në një intervistë për kanalin YouTube të gazetarit sportiv Andrea Longoni, “Milan Hello”, Boban nënvizoi: “Kur shikojmë rezultatet, diferenca është e qartë. Edhe kur shikojmë shoqëritë përkatëse, dallimi është i qartë. Kur shikojmë në tërësi atë që përfaqësojnë sot Interi dhe Milani, diferenca është e qartë. Kjo është e lehtë për t’u kuptuar, edhe pse më vjen shumë keq”.
Kroati shtoi se Milani ka pasur mungesë identiteti gjatë gjithë sezonit, duke ndryshuar shpesh stilin e lojës dhe pa një drejtim të qartë. Sipas Boban, me 3-4 përforcime të duhura, që mund të sjellin një logjikë loje, Milani mund të shpresojë të bëhet skuadër e vërtetë. Në kontrast, ai e përshkroi Interin si skuadër konkurruese, me një identitet të qartë dhe që gjithmonë di çfarë të bëjë.
Këto komente pasqyrojnë shqetësimin e Boban për drejtimin aktual të Milanit dhe theksojnë nevojën për një strategji më të qartë, përforcime të menduara mirë për ta rikthyer “Djallin” në nivelet më të larta të konkurrencës. -

Disa tifozë të Interit thanë se ishte i pavlerë, ndërkohë mbrojtësi i Interit: Lamine Yamal, ti je një përbindësh!
Interi arriti që të fitonte ndaj Barcelonës dhe të kalonte më tej në finalen e Champions League, atje ku do të përballet me PSG. Pavarësisht talenteve të shumta në ekip, katalanasit nuk arritën dot që të kalonin italianët.
Por nëse disa tifozë të Interit kanë reaguar në eufori e sipër pas ndeshjes duke thënë se Yamal ishte i pavlerë dhe se nuk bëri asgjë në këtë ndeshje, të kundërt janë reagimet e vetë protagonistëve të Interit në fushën e blertë.
Nëse Inzaghi tha në ndeshjen e parë se nuk kishte parë prej vitesh një lojtar si Yamal dhe se e detyroi që ta markonte me 3 lojtarë, këtë herë është Bastoni që jep një mendim po të ngjashëm. “Vetëm tani arrita të kuptoj vërtet se çfarë çmendurie kemi bërë kundër Barcelonës. Dua të përmend edhe një “fëmijë” tmerrësisht të mirë, Lamine Yamal, është një përbindësh”, tha Bastoni, ndërsa deklarata e tij ka bërë jehonë të madhe edhe në Spanjë. /Sport Ekspres/
