Është vigjilja e finales në kampin e Interit, me zikaltërit që kanë mbërritur dje në mëngjes në Mynih, ku sot në mbrëmje do të zhvillohet sfida kundër PSG-së së Luis Enrique. Ndeshje që vlen një sezon të tërë, ajo që mund t’i dorëzojë Ligën e Kampionëve skuadrës së Inzaghit dhe t’i japë kapitenit Lautaro Martinez mundësinë të ngrejë “kupën me veshë të mëdhenj”, 15 vite pas triumfit të fundit të klubit zikaltër.
Një ndeshje me mijëra kuptime, në të cilën sulmuesi argjentinas, i lënë pushim në ndeshjet e fundit të kampionatit për të qenë në formë të plotë për finalen e sotme, dëshiron të lërë gjurmë për të konfirmuar rëndësinë e tij në projektin e Interit: “Është sikur më kanë adoptuar, më morën që fëmijë dhe sot dua të jap 100% për këtë fanellë. ‘Topi i Artë’? Çmimet individuale vijnë pas atyre ekipore. Dua të jap maksimumin për Interin dhe ta ndaj gëzimin me tifozët”.
Çfarë do të thotë për ty të fitosh Champions-in?Kam arritur objektiva të rëndësishëm, nga Kupa e Botës, ‘Copa America’, te trofetë e fituar me Interin. Do të ishte një objektiv i madh. Jam krenar që po luaj një tjetër finale dhe do të përpiqemi të bëjmë një ndeshje perfekte për ta marrë trofeun në Milano dhe Itali.
Si fitohet?Duhet të jemi në maksimum, detajet bëjnë diferencën. Kushdo që do të bëjë më mirë, do ta marrë trofeun. E dimë që duhet të jemi të përqendruar për t’i ndalur parizienët, duhet të përfitojmë nga përgatitja jonë.
Si ndihesh në prag të kësaj ndeshjeje si kapiten?Ndjej përgjegjësinë, por besoj se çdo ndeshje është finale. Sigurisht, kjo është finalja e vërtetë dhe kushdo që fiton, merr trofeun. Për ne ka rëndësi të luajmë siç kemi bërë gjithmonë, me armët dhe forcat tona. Kundërshtari duhet respektuar, por mendoj se mund t’i dëmtojmë me forcat tona.
Lautaro duket më shumë i vlerësuar në Itali sesa në Argjentinë. A e keni objektiv ‘Topin e Artë’?E dini si më shohin në Argjentinë, por mendoj se çmimet individuale vijnë më pas. Nuk ka rëndësi Lautaro në planin personal, jo se nuk dua ta fitoj ‘Topin e Artë’, por dua të jap maksimumin për Interin. Dua ta ndaj gëzimin me tifozët, kjo ka rëndësi, sepse jam këtu prej 7 vitesh. Në Itali më shohin çdo ditë, prandaj më vlerësojnë më shumë. Edhe kur luaj me kombëtaren, shtypi është pozitiv.
Sezoni i konfirmimit në Europë?Është një sezon ku kam shënuar shumë gola, kam luajtur ndeshje të rëndësishme. Përpiqem të rritem çdo ditë edhe me kombëtaren. Kam menduar çdo ditë për rritjen dhe arritjen e objektivave. Jam i lumtur me këtë rrugëtim dhe me mundësinë për të luajtur një tjetër finale Champions-i. Kjo është meritë e punës, sakrificës dhe përulësisë.
A është ky momenti i duhur për ta fituar Champions-in?Me siguri jemi përmirësuar dhe kemi përparuar, duke përballuar kundërshtarë me shumë vlera, në stadiume të vështira. E kemi fituar respektin në Champions, kemi punuar me kokën ulur për ta çuar Interin sa më lart. E kemi këtë mundësi, shpresoj që kjo të jetë hera e duhur. Do të përpiqemi të bëjmë një ndeshje perfekte.
Si ndalet Kvaratskhelia?E njohim, kemi luajtur kundër tij kur ishte te Napoli. Është një lojtar me cilësi, duhet të jemi të kujdesshëm ndaj tij dhe të gjithë lojtarëve të PSG, që kanë cilësi të ngjashme. Janë edhe pak orë, edhe një stërvitje e fundit për t’i përgatitur detajet. Do të pushojmë për të bërë një ndeshje të madhe.
Sa dëshirë keni t’ia dedikoni fitoren Inzaghit?Çdo ditë dalin lajme, edhe për ne, por jemi të qetë. Trajneri është me ne dhe punon për ta përmirësuar skuadrën. Këtë javë kemi punuar si gjithmonë. Sigurisht që do t’ia dedikojmë fitoren atij, familjeve tona dhe tifozëve tanë. Ky sport është kështu, çdo ditë duhet të rritesh dhe të japësh maksimumin. Triumfi vlen për të gjithë; për atë dhe tifozët.
Një Lautaro i qetë dhe me Interin në zemër…Është sikur më kanë adoptuar, më morën që fëmijë dhe sot dua të jap 100% për këtë fanellë. Sot kemi mundësinë të rikthejmë një trofe të rëndësishëm në shtëpi. Do të përpiqemi ta përgatisim ndeshjen sa më mirë për ta shijuar mbrëmjen. Kemi vuajtur dhe kemi punuar, e meritojmë të jemi këtu.
Tag: interin
-

PSG-Inter, flet Lautaro: Na mungon vetëm një hap për ta bërë realitet ëndrrën e madhe
-

“Inter, unë nuk e kam fituar kurrë Champions-in. Ma dhuro ti këtë gëzim në Mynih”
E pabesueshme, por e vërtetë. Ronaldo, “Fenomeni”, nuk e ka fituar kurrë Ligën e Kampionëve. Jo vetëm kaq, sulmuesi më i fortë i epokës moderne nuk ka arritur asnjëherë të luajë një finale të këtij kompeticioni, e ka prekur vetëm nga afër në vitin 2003, kur Juventusi eliminoi Real Madridin e tij në gjysmëfinale.
Me Interin ka fituar një Kupë UEFA, si protagonist absolut. Me Interin, me të cilin ka mbetur një tifoz i madh, shpreson tani të festojë në Mynih, çka do ta shpërblente rrugëtimin europian sezonal deri tani entuziazmues.
“Nuk jam i vetmi që nuk e ka fituar kurrë Champions-in, – ka treguar Ronaldo në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”. – Rastësisht, para pak kohësh, më ra rasti të lexoja listën e të gjithë atyre që nuk e kanë arritur këtë triumf. Nga Buffon te Matthäus, deri te Maradona, jam në shoqëri të mirë (qesh)… Natyrisht, do të ishte shumë bukur që skuadra e sotme e Interit të ma dhuronte këtë gëzim, të vetmin që më mungon. Madje, si më 2010, ta dhuronte për të gjithë ne, interistët e së shkuarës, që për një arsye apo një tjetër, nuk ia dolëm”.
Një sfidë shumë e vështirë për Ronaldon, ndoshta edhe më shumë se ajo me Barcelonën në gjysmëfinale: “Skuadrat e Luis Enrique kanë gjithmonë ekuilibër. Besoj se edhe fakti që ka stërvitur në Itali e ka ndihmuar të rritet në ide dhe mentalitet. Problemi për Interin është që përpara, PSG nuk është shumë më pak e fortë se Barcelona. Vetëm pak, jo shumë. Fundja, parizienët nuk kanë pasur kurrë probleme buxheti, apo jo…?”
Jo, asnjë problem, por në fushë shpresohet që nuk luajnë eurot: “Nga Lautaro më kanë bërë përshtypje dy gjëra: shikimi që kishte në mbrëmjen e Inter-Barça, ku nuk ndihej mirë, por dukej sikur donte ta hante ndeshjen me dhëmbë. E imagjinoj se në Mynih do të dojë ta hajë topin, tani që ka rikuperuar edhe fizikisht. Atë fytyrë e pres edhe nga gjithë të tjerët, nga Barella e poshtë”. -

Raiola për të ardhmen e Donnarumma: Rinovimi me PSG është shtyrë, asnjë kontakt me Interin
Në finalen e Champions League, që do të luhet të shtunën në Mynih, do të ketë një italian që do të bëjë gjithçka për të mos e lejuar Interin të fitojë trofeun më të lakmuar. Fjala është për Gianluigi Donnarumma, lider i kombëtares së Luciano Spallettit, kampion i Europës dhe një nga pikat kyçe të PSG-së së Luis Enrique.
“Do të jetë një finale e bukur, – shpjegon përmes gazetës “Tuttosport” agjenti i ish-portierit të Milanit, Enzo Raiola. – Edhe pse me rrugë të ndryshme, të dyja skuadrat e merituan të mbërrinin deri në fund. Interi e nisi menjëherë shumë mirë këtë edicion të Champions League, ndërsa për PSG-në ishte një rrugëtim më i vështirë, duke parë rezultatet në fillim. Në çerekfinale dhe gjysmëfinale, parizienët treguan diçka më shumë se rivalët”.
I pyetur më pas për çështjet që lidhen me rinovimin e kontratës me klubin parizien dhe të ardhmen e Donnarumma në përgjithësi, Raiola sqaroi: “Për rinovimin kemi vendosur ta shtyjmë gjithçka, ndoshta edhe për pak supersticion, duke parë numrin e madh të ndeshjeve. Nuk kemi asnjë nxitim, marrëdhëniet me klubin janë të mira, Gigio ndjehet mirë në Paris dhe kontrata i skadon në vitin 2026.
Zërat për Interin? Është kënaqësi kur emri i Gigio përmendet nga klube të rëndësishme, por dua të sqaroj se nga personat e përfshirë nuk ka asnjë kontakt. Gigio është i lumtur te PSG. Natyrisht, nëse nuk do të arrijmë një marrëveshje, do të vlerësojmë mundësi të tjera, pa përjashtuar asgjë. Do të jetë thelbësor projekti që do t’i ofrohet”. -

Lautaro Martinez: Pasioni është fjala që ia rrënjosim çdo lojtari që firmos me Interin
Lautaro Martinez, kapiteni i Interit, ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të FIFA-s, ku ka folur mbi Botërorin e Klubeve që do të zhvillohet në SHBA kësaj vere.
Për pjesëmarrjen në Botërorin e Klubeve: “Jam vërtet i emocionuar nga pjesëmarrja në Botërorin e Klubeve. Personalisht më kujton shumë Kupën e Botës. Mendoj se do të jetë një përvojë fantastike. Do të jetë diçka e jashtëzakonshme, sepse është hera e parë që kjo lloj gare zhvillohet me këtë format, ndaj jam shumë kurioz dhe i emocionuar për të parë si do të shkojë”.
Për sfidën ndaj Monterrey në “Rose Bowl”, Los Angeles: “Do të jetë një ndeshje e mrekullueshme. Do të ketë atmosferë të jashtëzakonshme dhe padyshim të zjarrtë, sepse është një stadium i madh. Do të ketë shumë tifozë në shkallët e stadiumit. Meksika nuk është larg nga Los Angeles, kështu që pres shumë tifozë të Monterrey. Më pëlqen t’i luaj ndeshje të tilla. Sa më shumë tifozë dhe sa më e zjarrtë atmosfera, aq më shumë të shtyjnë të japësh maksimumin. Kjo është shumë e rëndësishme për mua. Shpresoj të jetë një ndeshje pozitive për ne, por siç them gjithmonë, më e rëndësishmja është që të argëtohemi dhe të japim gjithçka për Interin”.
Mbi mundësinë për t’u përballur me River Plate: “Jam përballur me këtë kundërshtar edhe kur luaja në Argjentinë, është skuadër gjigante në vendin tim. Po ashtu, River Plate është o njohur në mbarë botën. Të gjithë e dinë kush janë dhe çfarë janë në gjendje të bëjnë. Duhet të përgatitemi mirë, e dimë që ata do ta marrin këtë ndeshje shumë seriozisht, njësoj si ne. Do ta trajtojmë si një finale kupe, ashtu siç bëjmë me çdo ndeshje. Do të jetë argëtuese të luaj kundër tyre, sepse njoh shumë nga lojtarët e River Plate. Disa janë edhe shokë të mi te kombëtarja, ndaj do të jetë kënaqësi”.
Për objektivat e Interit në këtë turne: “E kam thënë dhe e përsëris: për mua, duke parë historinë dhe madhësinë e klubit, Interi gjithmonë duhet të synojë të fitojë trofe. Sigurisht, ndonjëherë ka pengesa dhe kundërshtarë të fortë, kështu që është normale të ketë ndalesa përgjatë rrugës, por gjëja më e rëndësishme është të japësh gjithmonë maksimumin për klubin dhe të bësh çmos për të fituar çdo garë ku marrim pjesë”.
Çfarë e bën Interin kaq të veçantë: “Interi është sinonim i pasionit. Për mua, kjo është fjala kyçe që më vjen në mend kur mendoj për Interin sot. Është fjala që ia përcjellim çdo lojtari që firmos për ne. E gjitha sillet rreth pasionit për fanellën, klubin dhe stemën. Tifozët e tregojnë këtë pasion çdo javë, jam i sigurt që do të na mbështesin 100% edhe në SHBA. Ata do të jenë me ne në çdo hap. Kemi fituar shumë trofe këto vite. Titulli i fundit, që ishte vërtet i veçantë për ne, na solli yllin e dytë në fanellë, pasi mundëm rivalët tanë më të mëdhenj, Milanin. Ia dolëm me ndihmën e Zotit, e kemi shkruar emrin në historinë e klubit. Fitimi i trofeve e bën Interin një klub të madh në Itali dhe në futbollin botëror, shpresoj që të vazhdojmë kështu”.
Për stilin e tij si kapiten: “Nuk e di saktësisht. Flisja shpesh me babain tim dhe i thoja se, sipas meje, liderët nuk krijohen, ata lindin të tillë. Gjithmonë them se të gjithë të punojnë në të njëjtën drejtim, sepse grupi është më i rëndësishëm se individët. Për të arritur diçka të madhe, siç është Botërori i Klubeve, kemi nevojë që të gjithë të jenë në të njëjtën gjatësi vale dhe të japin maksimumin. Sigurisht që një lider është ai që udhëheq, shembulli për të tjerët, por në fund të fundit, grupi është mbi gjithçka. Prandaj është thelbësore që lideri të jetë gjithmonë pozitiv dhe shembull për të tjerët, por njëkohësisht të ketë përfshirjen e të gjithë shokëve të skuadrës”. -

Moratti: Nuk e shihja Inzaghin të përshtatshëm për Interin, por tani kam ndryshuar mendim
Massimo Moratti, ish-presidenti historik i Interit, ka dhënë një tjetër intervistë, kësaj here për “Corriere della Sera”, ku ka folur për ecurinë e Interit dhe finalen e Ligës së Kampionëve. Ai ka veçuar disa prej lojtarëve, që e kanë impresionuar:“Mua më pëlqen shumë Barella, është përmirësuar jashtëzakonisht. Një lojtar që të befason, driblon, lufton, është i rrezikshëm në sulm. Më pëlqen edhe Lautaro, është shumë i fortë. Më pëlqen Thuram, e njoh babain e tij”.
Për trajnerin Simone Inzaghi: “E kam ndryshuar mendimin tim. Në fillim nuk e konsideroja të përshtatshëm për Interin, por në fakt është shumë i aftë, i përgatitur, i menaxhon mirë situatat më delikate, ka gjykim racional dhe është gjithmonë i qetë”.
Në fund, një koment për presidentin aktual të klubit, Beppe Marotta: “Po e bën shumë mirë punën e tij. Edhe unë e kisha kërkuar që në kohën kur ishte te Sampdoria”.
Mbi Interin e tij të preferuar: “Interi i madh i babait tim ishte një shembull dhe më mbetet në zemër, ishte ekuivalenti i ‘Beatles’. Unik, ashtu si ajo katërshe që tronditi një epokë të tërë. Nuk do të mund të gjeja krahasime muzikore për skuadrat e tjera që kam pasur si president.
Interi im i preferuar mes atyre që nuk fituan? Varet çfarë kuptohet me këtë… Ai i tripletës bëri histori, por jam shumë i lidhur edhe me djemtë e mrekullueshëm të vitit ’98, që nuk e fituan titullin vetëm për shkak të një vjedhjeje të Juventusit”. -

Paraqitjet e legjionarëve/ Asllani shënon sërish për Interin, gjejnë rrugën e rrjetës edhe Daku dhe Pajaziti
Lojtarët e Kombëtares shqiptare po kalojnë një formë shumë të mirë në fundin e sezonit, duke u bërë vendimtarë në klubet e tyre.
Për të dytën ndeshje radhazi, Kristjan Asllani ishte protagonist për Interin, teksa gjeti sërish rrugën e rrjetës në fitoren në transfertë ndaj Torinos me rezultatin 2-0. Mesfushori kuqezi e nisi ndeshjen si titullar dhe shënoi golin e dytë të zikaltërve në minutën e 49-të, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Tri pikë shumë të rëndësishme për Interin që vijon garën për titullin në Serie A, ndërsa kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i sezonit të rregullt.
Pas një periudhe prej dy muajsh, Mirlind Daku u rikthye te goli në kampionatin rus. Sulmuesi i Kombëtares realizoi golin e fitores për Rubin Kazan ndaj Rostov, duke shënuar në minutën e 91-të dhe duke i dhënë tri pikët skuadrës së tij. Në fund të takimit, Daku u vlerësua edhe si lojtari më i mirë i ndeshjes.
Një formë shumë të mirë po kalon edhe Adrion Pajaziti në Kroaci. Mesfushori kuqezi shënoi për Gorica-n në sfidën ndaj Hajduk Split, duke zhbllokuar rezultatin në minutën e 48-të. Megjithatë, kundërshtarët barazuan në minutën e 55-të dhe takimi u mbyll 1-1.
Titullarë këtë javë ishin edhe Elhan Kastrati, Ivan Balliu, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Juljan Shehu, Nedim Bajrami, Anis Mehmeti, Jasir Asani, Myrto Uzuni dhe Rey Manaj.
Ndërkohë, si zëvendësues dhanë kontributin e tyre edhe Andi Hadroj, Medon Berisha, Qazim Laçi, Indrit Tuci dhe Arbër Hoxha. -

Tardelli lartëson Interin dhe Inzaghin: E kanë merituar plotësisht finalen e Champions-it
Marco Tardelli, ish-mesfushori legjendar italian, ka shkruar një opinion për gazetën “La Stampa”, ku lavdëron Simone Inzaghin dhe Interin për arritjen në finalen e Ligës së Kampionëve: “Të gjithë në këmbë për të nderuar punën e madhe të Simone Inzaghit.
I shpëtoi tripleta, por ende ka mundësinë të hyjë në histori duke fituar një Champions që deri tani është mëse i merituar, me paraqitje që tregojnë cilësinë e Interit, përkushtimin që këta djem kanë treguar deri në fund, duke hedhur zemrën përtej pengesave, pavarësisht një forme fizike jo 100%”.
Tardelli vlerëson sidomos aftësinë menaxheriale të Inzaghit në drejtimin e një grupi të pasur me cilësi, që në kushte normale mund të kishte sjellë probleme për balancën e ekipit: “Aftësia e Simone në menaxhimin e një skuadre me cilësi të qarta, që zakonisht mund të krijojë probleme, ka qenë perfekte. Lojtarë që në skuadra të tjera të mëdha do të kishin qenë titullarë, janë përshtatur duke pritur momentin e tyre. Dhe kur momenti ka ardhur, e kanë shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Ky moment, sipas Tardellit, ka qenë ndeshja ndaj Barcelonës, sidomos gjysmëfinalja e kthimit, kur gjatë kohës shtesë ndodhi “mrekullia”: “Goli i Frattesit, vrapimi i tij, ai shikim i mbushur me mosbesim, lumturi dhe dëshirë për hakmarrje… Vetëm ai e di çfarë ka ndjerë në atë çast, një moment që do të mbetet përjetë i gdhendur në lëkurën dhe zemrën e tij”.
Tardelli e përmbyll analizën duke e cilësuar këtë rrugëtim drejt finales si një shembull të frymës së sakrificës dhe menaxhimit të shkëlqyer. Kjo i jep Interit merita të plota për të luftuar për trofeun më të rëndësishëm në Europë. -

PSG-ja eleminon Arsenalin dhe shkon në finale, do të sfidojë Interin për trofeun më të lakmuar në Europë
Shpërthen festa në “Parkun e Princave”. PSG-ja ka mposhtur Arsenalin me shifrat 2-1 dhe ka prerë biletën për në Mynih, aty ku do të luhet finalja e Ligës së Kampionëve. Parisienët gjetën rrugën e rrjetës në minutën e 27 me anë të Fabian Ruizit, ndërsa në të 72-tën Hakimi dyfishoi shifrat.
Vetëm 4 minuta më vonë Saka ngushtoi diferencat në 2-1. Por goli i tij nuk mjaftoi për Arsenalin, që i duhet të kthehet në Londër me një humbje me rezultat të përgjithshëm 3-1. PSG-ja do të përballet më 30 maj me Interin në Mynih, ku do të vendoset se cili ekip do të ngrejë lart trofeun më të lakmuar në Europë, atë të Ligës së Kampionëve./Sport Ekspres/

