Nga njëra anë është shansi i fundit për të shpëtuar sezonin; nga ana tjetër, një hap tjetër drejt një sezoni që mund të bëhet legjendar. Gjithçka është në lojë në Inter-Milan, gjysmëfinalja e kthimit e Kupës së Italisë, e cila nis nga barazimi 1-1 i ndeshjes së parë. Dy skuadrat njihen shumë mirë, pasi kjo është përballja e pestë mes tyre këtë sezon.
Megjithëse Interi ka 20 pikë më shumë se Milani në kampionat, kuqezinjtë i kanë hidhëruar zikaltrit me 2 barazime dhe 2 humbje në 4 ndeshjet direkte. Pra, konsiderohet një ndeshje krejtësisht e hapur.
Në lojë është një vend në finale kundër njërës skuadër mes Bologna dhe Empolit. Sfida ndërqytetase është caktuar të startojë sonte në orën 21:00, në stadiumin “San Siro” dhe do të gjykohet nga Daniele Doveri i seksionit “Roma 1”.
GJENDJA E INTERIT – Zgjedhje pothuajse të detyruara për Inzaghin, i cili përballet me mungesa të shumta dhe një kalendar të ngjeshur. Në formacionin klasik 3-5-2, përpara portierit J.Martinez do të jenë Pavard, Acerbi dhe Bastoni.
Acerbi, ish-lojtari i Lazios, është një nga tre të ndëshkuarit që rrezikojnë pezullimin (bashkë me Bisseck dhe Dumfries), por tekniku nuk pritet të heqë dorë prej tij. Calhanoglu, ish-lojtari i Milanit, do të luajë në rolin e organizatorit, me Barella (i favorizuar ndaj Frattesi) dhe Mkhitaryan në krahë.
Në të djathtë do të luajë Darmian, ndërsa në të majtë Dimarco. Në sulm, me mungesën e Thuram dhe Arnautovic jo në formë të mirë, Correa pritet të luajë nga minuta e parë si partner i Lautaros.
GJENDJA E MILANIT – Conceicao pritet të vazhdojë me formacionin 3-4-3, të përdorur në dy javët e fundit të kampionatit. Tomori, Gabbia dhe Pavlovic do të formojnë treshen mbrojtëse përpara portës së Maignan.
Fofana dhe Reijnders do të jenë në qendër të mesfushës, të mbështetur në krahë nga Jimenez (i avantazhuar ndaj Walker) dhe Theo Hernandez. Në qendër të sulmit pritet të luajë Abraham, duke plotësuar treshen me Pulisic dhe Leao. Megjithatë, ish-lojtari i Romës rrezikohet nga Jovic.
Nuk përjashtohet as mundësia që trajneri kuqezi ta nisë me skemën 4-2-3-1, me Walker si mbrojtës i djathtë, Theo në të majtë, Gabbia jashtë dhe Jimenez si pjesë e treshes ofensive së bashku me Pulisic dhe Leao, pas sulmuesit qendror.