Ka ende jetë në “planetin Inter”. Kjo është diagnoza pas një sfide që, në letër, dukej më e pamundur se kurrë, përballë një Barcelone që ecën me ritme marramendëse, gjithmonë dhe ndaj kujtdo. Një paradoks i vogël: seria e humbjeve u ndërpre pikërisht duke dhënë më të mirën, në mbrëmjen më të rrezikshme.
Ishte një natë pothuajse magjike, me një mrekulli të prekur me dorë dhe me shumë shpresa për takimin e kthimit gjysmëfinal. Por kujdes: në “San Siro” nuk do të jetë më e lehtë. Do të jetë një betejë po aq e egër, vuajtje pa fund. Një nga ato netë ku duhet të jesh hero si, dhe ndoshta më shumë se në “Montjuïc”, sepse fitorja është e vetmja rrugë. Edhe nëse do të duhet për ta çuar gjithçka te penalltitë.
Nuk kishte rrugë tjetër për ta përballuar këtë transfertë. Kundër Barcelonës mund të luash vetëm në një mënyrë: sa më shumë lojtarë pas topit për sa më shumë minuta të jetë e mundur. Mbyll çdo hapësirë dhe shpreso që të mos shpërthejë ndonjë aksident nga ndonjë rikoshet.
Barça është një makineri e pamëshirshme golash, mund të shënojë sa të dojë, si të dojë dhe kundër kujtdo. Statistikat nuk gënjejnë. Tjetër dogmë përballë skuadrës së Flick: vëmendje maksimale në tranzicion, kalimi nga faza mbrojtëse në atë sulmuese duhet të çojë në kundërsulme rrufe. Pikërisht kështu lindi goli i parë i Marcus Thuram, ndoshta paksa shumë herët.
Nga ndeshja në “Montjuïc” dalin disa të vërteta që nuk kundërshtojnë aspak atë që kemi parë këtë sezon. E para: Interi ka lojtarë të pazëvendësueshëm. E lehtë kjo për t’u identifikuar: dy sulmuesit titullarë, Thuram dhe Lautaro, regjisori Calhanoglu dhe krahu më i kompletuar, Dumfries. Pa këta të katër nuk është i njëjti Inter, jo vetëm teknikisht, por edhe fizikisht.
Nuk ka “alter ego” për ta, kjo është e padiskutueshme. E vërteta e dytë: skuadra si tërësi është dukshëm e lodhur, gjë më se e kuptueshme. Lojtarë si Dimarco dhe Bastoni nuk kanë më qartësinë që i karakterizoi në fazën qendrore të sezonit. Sidoqoftë, këtë herë zëvendësimet dhanë ndihmën e tyre, veçanërisht Carlos Augusto.
Kështu që, ndryshe nga zakonisht, kur pas një ore loje Interi bie ndjeshëm, kësaj here diti t’i kufizojë dëmet. E vërteta e tretë, jo më pak e rëndësishme: Simone Inzaghi ka ende nevojë për shumë kohë për të bërë rregullime taktike.
Pas slalomëve të pandalshëm të Lamine Yamal në fillim, duhej bërë diçka për ta kufizuar, të paktën për ta provuar. Kjo është e vetmja vërejtje për trajnerin zikaltër në këtë ndeshje. Gjysmë vërejtje, për të qenë të saktë, sepse me futjen e Carlos Augusto në vend të një Dimarco të rraskapitur, Yamal u kufizua disi.
Në atë natë spektakolare mbeten sigurisht edhe disa pengje për Interin. I pari: dy herë u hodh në avantazh dhe dy herë e shpërdoroi atë. Në rregull, ai avantazh i parë ishte shumë i hershëm për t’u mbrojtur për 70 minuta, por ai 3-2 duhej ruajtur më mire, ndoshta pa u shtypur kaq shumë në goditjen nga këndi që solli 3-3 e Raphinha.
Pengu i dytë: të paktën dy raste të shkëlqyera për të shënuar golin e katërt, në një fazë ku Barcelona linte hapësira të mëdha. Dhe më pas, goli i anuluar i Mkhitaryan, ai me majë këpuce në pozicion jashtë loje. Një mallkim që të ndodh një herë në një miliard ndeshje.
Tani ka mbetur ndeshja e kthimit, në një “San Siro” që do të shpërthejë me zë dhe shpirt për t’i mbështetur idhujt e vet. E marta do të jetë një natë që, në një mënyrë apo tjetër, do të hyjë në histori: për gjithçka ose për asgjë.
Tag: inter
-

Ka ende jetë në “planetin Inter”… Të martën në “San Siro” për gjithçka, ose asgjë
-

Henry i indinjuar nga rregulli i Champions-it që dëmton Inter-in: “Si është e mundur?”
1 Maj 2025
15:43
Telesport
Ish-sulmuesi Thierry Henry ka kritikuar heqjen e avantazhit të golave në transfertë pas barazimit 3-3 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League mes Barcelona-s dhe Inter-it.
Nga studiot e CBS, Titi ka thënë: “E di se është kështu prej shumë kohësh dhe duhet ta pranojmë. Po si mund të shënosh tre gola në transfertë dhe të mos kesh një avantazh?”.
“Për mua golat në transfertë kanë qenë të jashtëzakonshëm, nëse shënon tre jashtë fushe nuk mund të mos kesh një avantazh nëse ndeshja e kthimit mbaron 0-0”. -

Inter në telashe, pa kapitenin në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale ndaj Barcelonës
1 Maj 2025
10:14
Telesport
Sulmuesi Lautaro Martinez rrezikon të mos luajë në gjysmëfinalen e dytë të Champions League ndaj Barcelonës. Argjentinasi i Inter u dëmtua në fund të pjesës së parë dhe u zëvendësua. Ai vendosi duart në fytyrë në momentin e dëmtimit.
Zëvendësimi ishte i pashmangshëm, por pas barazimit 3-3 që Inter arriti dje në Barcelonë mungesa e Lautaro mund të ndihet shumë në “San Siro”. Ai do t’i nënshtrohet testeve instrumentale midis të enjtes dhe të premtes.
“Lautaro vinte nga tetë ndeshje radhazi, ndaj ekzistonte ky rrezik, – tha Simone Inzaghi sot për mediat, kur foli për gjendjen e Lautaro. – Shpresojmë të mos e humbasim kapitenin tonë, por kam disa dyshime“.
Më tejm, Inzaghi shtoi: “Do të jetë shumë e vështirë të rikuperojmë Lautaro për ndeshjen e kthimit. Të martën ndoshta do të luajmë pa kapitenin tonë dhe kjo do të jetë tashmë një finale për ne“.






