Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka komentuar mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke deklaruar se partitë tradicionale Partia Socialiste (PS) dhe Partia Demokratike (PD) kanë humbur seriozitetin dhe raportin organik me shoqërinë. Ai argumentoi se qytetarët nuk kanë më besim tek këto forca politike, ndërsa Lëvizja Bashkë synon të sjellë një ndryshim thelbësor.
Qori theksoi se programi politik i partisë së tij është i majtë, me fokus në shëndetësi, arsim, kujdes social dhe të drejtat e punëtorëve. Ai akuzoi partitë e mëdha për mosveprim ndaj oligarkisë ekonomike dhe shkeljeve të të drejtave të punëtorëve, duke pohuar se Kodi i Punës është ligji më pak i zbatuar në Shqipëri.
Duke folur për skenën politike, ai e cilësoi ndarjen qeveri-opozitë si fiktive, duke pretenduar se PD dhe PS shpesh bashkëpunojnë për çështje kyçe. Sipas tij, ekziston një rrezik real që pas zgjedhjeve këto dy parti të ndryshojnë reformën në drejtësi, duke zhbërë institucionet e reja të drejtësisë.
Qori gjithashtu kritikoi fragmentimin e opozitës së djathtë, duke vënë në dukje se në fletën e votimit do të ketë 9 parti të djathta dhe vetëm një parti të majtë, që sipas tij tregon mungesën e qartësisë programore të opozitës.
“Çdo gjëje i vjen fundi. Fatmirësisht edhe të keqes i vjen fundi. 35 vjet janë shumë. Partitë e vjetra i kanë ezauruar forcat e tyre, kanë humbur dimensionin e seriozitetit dhe të raportit organik me shoqërinë. Sot partitë e vjetra, PS-ja dhe PD-ja, janë tërësisht ilegjitime, në kuptimin që asnjë njeri që takon në rrugë nuk të thotë që unë votoj me bindje për to. Unë mendoj që kësaj radhe kanë për të qenë shumë herë më pak se kurdoherë tjetër, sepse kriza e legjitimitetit politik dhe moral të këtyre partive sa vjen e theksohet.
Ne duam ta transformojmë shtetin në një shtet zhvillimor, që mëkëmb shëndetësinë, arsimin, kujdesin social, vendos minimumin jetik. Gjithashtu jemi për një shtet të së drejtës, që me seriozitet lufton korrupsionin, evazionin fiskal, informalitetin në punë e shumëçka tjetër. Mirëpo asgjë nga këto nuk është e realizueshme nëse shoqëria nuk merr pjesë. Për ne politika nuk është thjesht komandë nga lart-poshtë, por është përfshirje, pjesëmarrje në jetën politike, sociale, ekonomike, sepse pa përfshirjen e qytetarëve edhe idetë më të mira do të mbesin në baltovinën e burokratizmit politik dhe të neglizhencës, siç jemi mësuar. Partitë e tjera kanë qenë gjithmonë të heshtura, të mekura kur ka qenë puna për të folur për oligarkinë ekonomike, për të denoncuar kapjen e shtetit nga oligarkia ekonomike. Ne jemi e vetmja parti që shtrojmë për zgjidhje çështjen e të drejtave në punë. Punëtorët janë me qindra mijëra në Shqipëri dhe janë totalisht të braktisur nga shteti. Ligji më pak i zbatuar sot në Shqipëri është Kodi i Punës,” u shpreh Qori.
Mua më çudit fakti që në fletën e votimit ka për të pasur 9 parti që deklarohen se janë të djathta, 1 parti si Partia Socialiste që deklarohet përtej së majtës dhe së djathtës dhe 1 parti që deklarohet e së majtës, që është Lëvizja Bashkë. Mua vërtet më çudit pse ato 9 partitë e tjera nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të hyrë në një koalicion.
Ndarja e sotme qeveri-opozitë është një ndarje fiktive, sepse një pjesë e mirë e partive opozitare hera-herës bashkëqeverisin me Partinë Socialiste, sidomos kur vjen puna te ligjet e rëndësishme. Ka një probabilitet shumë të lartë që pas zgjedhjeve, PD dhe PS, nëse do të kenë së bashku një shumicë kushtetuese, do të ndryshojnë ligjet e reformës në drejtësi, duke zhdukur institucionet e reja të drejtësisë,” tha Qori.