Eksporti i shërbimeve të dixhitalizuara mund të jetë një potencial i rëndësishëm për të ardhmen e ekonomisë shqiptare.Në fjalën e tij gjatë prezantimit të raportit të tranzicionit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se politikat industriale sot nuk kanë të bëjnë me mbrojtjen e industrive të vjetra, por me nxitjen e sektorëve të së ardhmes, që mund të rriten, të shkallëzohen dhe të krijojnë vlerë të qëndrueshme.Ai theksoi se për shumë vende të BERZH-it, përfshirë Shqipërinë, rruga drejt rritjes përmes eksporteve tradicionale industriale është bërë më e vështirë. Në vend të saj, po shfaqet një mundësi e re: eksporti i shërbimeve të digjitalizuara dhe të tregtueshme ndërkombëtarisht.“Këto “shërbime të inovacionit global” — si teknologjia e informacionit, dizajni, logjistika dhe analiza e të dhënave — janë në zemër të rritjes së produktivitetit dhe vlerës së shtuar, por për t’i zhvilluar, nevojiten themele të forta: investime në arsim, fuqi punëtore e kualifikuar, infrastrukturë digjitale moderne dhe kapacitete të larta institucionale. Disa ekonomi të Europës Qendrore dhe Lindore tashmë janë bërë eksportuese lider në fushën e shërbimeve kompjuterike. Edhe Shqipëria ka potencialin ta ndjekë këtë rrugë,” tha Sejko.Sipas tij, politikat që do të ndërmarrë Shqipëria duhet të jenë të harmonizuara me procesin e integrimit evropian. Si një ekonomi e vogël dhe e hapur, me 70% të tregtisë të orientuar drejt BE-së, Shqipëria ka më shumë për të fituar, duke ecur drejt konvergjencës me Bashkimin Evropian. Përveç kësaj, anëtarësimi në SEPA na afron me tregjet europiane dhe redukton kostot e transaksioneve ndërkombëtare me 30%.Ai theksoi gjithashtu nevojën për përfshirje dhe qëndrueshmëri.“Politikat industriale nuk duhet të fokusohen vetëm te sektorët ku kemi potencial për të fituar në tregjet globale, por edhe te ata që janë jetikë për punësimin dhe kohezionin social brenda vendit. Ato duhet të mbështeten nga politika vendore të përshtatura për kontekste specifike — si zonat ekonomike të veçanta — duhet të dizenjohen me kujdes, duke theksuar karakteristikat specifike lokale e rajonale. Gjithashtu, ndihma shtetërore duhet të fokusohet te firmat me potencial të lartë. Të dhënat tregojnë se firmat e reja dhe dinamike janë nxitëset kryesore të punësimit dhe inovacionit. Politika të orientuara për stimulimin e tyre, të tilla: si garancitë e kredive, huatë me interesa të subvencionuara apo fondet e kapitalit sipërmarrës të mbështetura nga shteti, mund të sjellin një ndryshim të madh,” u shpreh Guvernatori.Sipas tij, në debatin për politikën industriale dhe drejtimet e zhvillimit, roli i bankës qendrore, ndonëse jo drejtpërdrejt, është i veçantë dhe i pazëvendësueshëm.Banka qendrore nuk harton politika industriale, por kontribuon në to si garantuese e stabilitetit makroekonomik dhe financiar – kusht themelor për çdo zhvillim të qëndrueshëm.Stabiliteti i çmimeve, sistemet financiare funksionale, një sektor bankar dhe një sistem pagesash modern që i shërben ekonomisë reale — janë parakushte të rëndësishme për investim afatgjatë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.Përtej kësaj, ai theksoi Banka e Shqipërisë po jep një kontribut të rëndësishëm edhe në përmirësimin e përfshirjes në financë, përmes inovacionit të sistemeve të pagesave dhe anëtarësimit në SEPA, institucionalizimit të llogarisë bazike, mbikëqyrjes efektive, edukimit financiar dhe promovimit të inovacionit financiar.Këto ndërhyrje hapin tregje e mundësi të reja dhe ai u angazhua se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të japë kontributin e saj në të gjitha këto drejtime, me përkushtim dhe profesionalizëm.“Ju ftoj të jemi ambiciozë, por të kujdesshëm; të hartojmë politika industriale të zgjuara dhe gjithëpërfshirëse, që përputhen me aspiratat tona afatgjata. Mbi të gjitha, duhet të investojmë jo vetëm në sektorët e ekonomisë, por edhe te njeriu, si qeliza bazë e fuqisë punëtore, si dhe te institucionet dhe infrastruktura që do të definojnë Shqipërinë e së nesërmes, në rrugëtimin tonë drejt integrimit evropian, si një hapësirë mundësish për një transformim të pandërprerë,” tha Sejko.Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.
Tag: inovacionit
-

Bashkëpunimi me IFC për Parqet Eco Industriale në Shqipëri, Gonxhja: Kombinati në Tiranë do të jetë një nga pikat kryesore
Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit këtë të enjte nënshkruajti marrëveshjen e bashkëpunimit me IFC për Parqet Eco Industriale në Shqipëri, për të cilën thotë se është një angazhim konkret për një të ardhme ku rritja ekonomike dhe mbrojtja e mjedisit ecin paralelisht. ”Kombinati në Tiranë do të jetë një nga pikat kryesore ku do të përqendrohet ky model i ri zhvillimi, një hapësirë me potencial të madh për t’u kthyer në një park eko-industrial që do të kombinojë teknologjinë e gjelbër me ndërlidhjen efikase të bizneseve dhe inovacionit”,-shkruan Gonxhja.
Postimi i plotëNjë hap i rëndësishëm drejt zhvillimit industrial të qëndrueshëm dhe modernizimit ekonomik të Shqipërisë. Nënshkruam sot Marrëveshjen e bashkëpunimit me IFC për Parqet Eco Industriale në Shqipëri, një angazhim konkret për një të ardhme ku rritja ekonomike dhe mbrojtja e mjedisit ecin paralelisht.
Përmes konceptit të Parqeve Eko-Industriale, Shqipëria pozicionohet strategjikisht në zemër të tranzicionit të gjelbër dhe në përputhje me standardet e kapitullit 20, duke mbështetur politikat industriale dhe zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Si dikur Ruhri në Gjermani, ne kemi mundësinë të transformojmë zona si Uzina Metalurgjike në Elbasan në qendra të inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Kombinati në Tiranë do të jetë një nga pikat kryesore ku do të përqendrohet ky model i ri zhvillimi, një hapësirë me potencial të madh për t’u kthyer në një park eko-industrial që do të kombinojë teknologjinë e gjelbër me ndërlidhjen efikase të bizneseve dhe inovacionit.
Me mbështetjen e 🇪🇺Bashkimit Europian dhe partneritetin me IFC, synojmë të ndërtojmë korniza më të forta ligjore, të rrisim kapacitetet institucionale dhe të nxisim investimet private në teknologji të qëndrueshme. Kjo është rruga për ta kthyer industrinë shqiptare në një histori suksesi të tranzicionit të gjelbër në rajon. -

Marrëveshja Shqipëri-Francë për Inovacionin, Gonxhja: Synojmë të jemi një qendër europiane për AI të gjelbër
Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti francez Emmanuel Macron kanë shkuar në ambientet e Piramidës në Tiranë, ku u nënshkrua marrëveshja Shqipëri-Francë “Plani i Veprimit për Inovacionin”.
Macron nuk hezitoi të përshëndesë punonjësit e qendrës TUMO, që synon të kthehet në qendër të inovacionit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo është vizita e dytë zyrtare në vendin tonë e Macron.Marrëveshja u nënshkrua nga ministrat përkatës, ku për vendin tonë nënshkroi ministri Blendi Gonxhja, i cili nga ana tjetër, është kandidati socialist më i votuar në zgjedhjet e 11 Majit, me mbi 22 mijë vota.
Postimi i plotë
Vetëm pak orë para firmosjes së Marrëveshjes Dypalëshe për Planin e Veprimit për Inovacionin, zhvilluam sot një takim me Ministren franceze të Inovacionit Clara Chappaz dhe drejtueset e institucioneve kyçe të ekosistemit tonë të inovacionit dhe të Koordinimit të Projekteve Strategjike.
Ky plan shënon një hap të madh përpara për Shqipërinë, që synon të kthehet në një qendër evropiane për AI të gjelbër dhe inovacion të qëndrueshëm.
Diskutuam për projektet konkrete që po marrin jetë, nga Fabrika AI dhe kampusi digjital, te përfshirja në teknologjitë më të avancuara si superkompjuterët dhe Qendra BCC në Korçë.
Partneriteti me Francën është çelësi për të afruar më shumë investime, për të rritur bashkëpunimin akademik dhe për të fuqizuar ekonominë kreative shqiptare. -

Miratohen ndryshime në buxhet, 10 milionë euro për Korporatën e Investimeve
Qeveria ka ndryshuar buxhetin e shtetit për herë të parë për vitin 2025. Përmes një akti normativ të publikuar në Fletoren Zyrtare, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i është shtuar një fond prej 1 miliard lekësh apo 10 milionë eurosh në formën e transfertës kapitale për Korporatën e Investimeve Shqiptare, si aksionar i vetëm i këtij institucioni, me qëllim pjesëmarrjen e qeverisë shqiptare, të përfaqësuar nga Korporata e Investimeve Shqiptare, në startup-in “Thinking Machines Lab”.
Referuar relacionit që shoqëron këtë akt normativ, ky efekt financiar në buxhet do të mbulohet nga rritja në të njëjtën masë prej 1 miliard lekësh e të ardhurave jotatimore në zërin “të ardhura nga tjetërsimi i pasurive të konfiskuara”.
Në relacion argumentohet se referuar shkresës së Ministrisë së Ekonomisë, ky startup është një nga projektet më inovative në nivel global në fushën e inteligjencës artificiale, me potencial të madh për avancimin teknologjik dhe të ardhura ekonomike për vendin, duke ofruar përfitime strategjike për Shqipërinë në tërësi, ku përveç ndikimit ekonomik të drejtpërdrejtë, ky partneritet do të rrisë pozicionin e vendit në komunitetin global teknologjik, duke treguar angazhimin e vendit, për të mbështetur teknologjitë inovative dhe hulumtimin e avancuar.
“Vlen të theksohet se të gjitha aspektet teknike që kanë të bëjnë me angazhimin në fjalë, me leverdishshmërinë financiare që ai parashikohet të sjellë dhe me përllogaritjen e fondit të nevojshëm për këtë qëllim janë vlerësuar dhe konfirmuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit brenda përgjegjësive të saj funksionale si ministria përgjegjëse për politikat e teknologjisë dhe inovacionit. Kështu, referuar shkresës së Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ky startup është një nga projektet më inovative në nivel global në fushën e AI, me potencial të madh për avancimin teknologjik dhe të ardhura ekonomike për vendin, duke ofruar përfitime strategjike për Shqipërinë në tërësi, ku përveç ndikimit ekonomik të drejtpërdrejtë, ky partneritet do të rrisë pozicionin e Shqipërisë në komunitetin global teknologjik, duke treguar angazhimin e vendit për të mbështetur teknologjitë inovative dhe hulumtimin e avancuar”, – thuhet në relacion.
Po ashtu, sipas qeverisë, kjo do të tërheqë investitorë ndërkombëtarë dhe do ta pozicionojë Shqipërinë si një qendër për kërkimin dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale (AI), një bashkëpunim që do të shërbejë edhe si mundësi marketingu global për vendin tonë. Akti normativ vepron me fuqinë e ligjit për një periudhë kohe, maksimalisht 45-ditore. Ndërkohë që është depozituar për miratim edhe në Parlament. -

BE të adoptojë përdorimin e alternativave më të sigurta. Këshilli Europian i Inovacionit: Përdoruesit e duhanit dhe nikotinës nuk do të zhduken brenda natës.
Përfitimet kryesore që vijnë nga përqafimi i alternativave më të sigurta përfshijnë ruajtjen e kontributit ekonomik të një industrie të ndërtuar në Europë; përmirësimin e shëndetit publik përmes përditësimit të kuadrit rregullator dhe parandalimin e tregut të paligjshëm, për produkte me standarde të ulëta sigurie që vijnë kryesisht nga Kina.
Këshilli Europian i Inovacionit (EIC) është platforma kyҫe e inovacionit në Europë e cila synon identifikimin, zhvillimin dhe adoptimin e teknologjive dhe inovacioneve që po ndryshojnë industritë dhe ekonominë.
EIC, si një organizatë jo qeveritare ka publikuar së fundmi studimin ‘Si Europa mund të shpëtojë miliona jetë duke promovuar rritjen ekonomike.’’ Materiali pasqyron ndikimin ekonomik që ka industria e duhanit në nivel europian, gjithashtu ofron një këndvështrim praktik për rregullimin e këtij tregu.
Sipas autorëve, duke pasur parasysh se përdoruesit e duhanit dhe nikotinës nuk do të ‘zhduken’ brenda natës, Europa duhet të inkurajojë adoptimin dhe përdorimin e alternativave më të sigurta. Kjo arrihet duke krijuar një industri europiane e cila kontrollohet rreptësisht. Kjo qasje do të përmbushte tre qëllime: Ruajtjen e kontributit ekonomik të një industrie plotësisht të ndërtuar në Europë; Përmirësimin e shëndetit publik përmes një kuadri rregullator që balancon reduktimin e dëmit me nevojën për të hequr gradualisht cigaret; Parandalimin e tregut të paligjshëm, për produkte me standarde të ulëta sigurie që vijnë kryesisht nga Kina.
Përveҫ efektit pozitiv që këto alternativa kanë për shëndetin publik, ato kanë një impakt pozitiv dhe në ekonominë e Bashkimit Europian. Në nivel evropian, sektori i duhanit kontribuon me 223.7 miliardë euro në vit në PBB, shifër kjo sa 1.3% e PBB-së totale të Bashkimit Evropian.
Të ardhurat totale vjetore nga taksat mbi duhanin arrijnë në 112.9 miliardë euro. Industria punëson, drejtpërdrejt dhe indirekt, më shumë se 2.1 milionë njerëz.Duke eleminuar tregun e paligjshëm të cigareve, BE eleminon humbjen prej 11.6 miliardë euro në vit.
Raporti i bën thirrje institucioneve që të miratojnë një kuadër rregullator i cili mbron zinxhirin evropian të duhanit dhe më shumë se 2.1 milionë vende pune. -

E afërt me ChatGPT, Shqipëria do të financojë me 10 mln dollarë projektin e Mira Muratit
Shqipëria do të bashkë-financojë me 10 milionë dollarë platformën e re në drejtim të Inteligjencës Artificiale që ish-shefja e teknologjisë e “Open AI”, Mira Murati po ndërton, të quajtur “Thinking Machines Lab”. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka depozituar kërkesën për fonde pranë Ministrisë së Financave.
Për të bindur KQZ-së, Ministria e Financave argumenton se financimi i Shqipërisë në “Thinking Machines Lab” do të ishte me leverdi për ekonominë e venit. Thinking Machines Lab ka deklaruar se synon të ndërtojë sisteme të AI që janë më të kuptueshme, të personalizueshme dhe më të afta se ato ekzistuese të CHATGPT.“Vlen të theksohet se të gjitha aspektet teknike që lidhen me investimin në fjalë – përfshirë leverdishmërinë financiare që pritet të sjellë dhe përllogaritjen e fondit të nevojshëm janë vlerësuar dhe konfirmuar nga Ministria e Ekonomisë dhe e Inovacionit në përputhje me përgjegjësitë e saj funksionale si autoriteti përgjegjës për politikat në fushën e teknologjisë dhe inovacionit”.
Startupi i ri i AI i themeluar shqiptarja Mira Murati, po synon të mbyllë një nga raundet fillestare më të mëdha ndonjëherë, me një objektiv prej 2 miliardë dollarësh. Sipas Business Insider, nëse arrihet kjo shifër, vlera e kompanisë do të kapë të paktën 10 miliardë dollarë, pavarësisht se startupi nuk ka një produkt apo të ardhura konkrete. -

Lançohet NomadTech: Platforma që Promovon Potencialin e Inovacionit në Shqipëri
Kur një ide e thjeshtë takohet me një vullnet të palëkundur, ajo kthehet në Zhvillim – nën këtë mesazh u lançua sot në Tiranë NomadTech – një platformë e re inovative që synon të fuqizojë startup-et shqiptare dhe të promovojë një ekosistem zhvillimi të qëndrueshëm dhe bashkëkohor. NomadTech përfaqëson një angazhim konkret të sektorit privat për të mbështetur idetë që transformojnë – duke krijuar ura mes inovatorëve, institucioneve dhe sipërmarrjes.
Eventi u zhvillua në ambientet simbol të Piramidës së Tiranës – vetë një hapësirë transformimi – dhe mblodhi bashkë liderë institucionalë, përfaqësues të qeverisë, aktorë të ekosistemit të inovacionit dhe përfaqësues të sipërmarrjes.
Në mesin e të ftuarve që ndanë vizionin e tyre për zhvillimin e vendit përmes teknologjisë dhe inovacionit ishin: znj. Shqipe Berisha, CEO Piramida e Tiranës, znj. Keti Luarasi, Nënkryetare e Bashkisë së Tiranës, z. Lorent Gordi, Drejtor i Përgjithshëm i Philip Morris Albania, z. Blendi Gonxhja, Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, dhe znj. Delina Ibrahimaj, Ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.
Në fjalën e tij, z. Lorent Gordi theksoi se NomadTech është më shumë sesa një platformë inovacioni – është një mision. “Ne nuk po mbështesim vetëm teknologjinë – po mbështesim kurajon për të ndryshuar, për të menduar ndryshe, për të guxuar. Inovacioni nuk lind vetëm nga njohuritë – por nga vullneti për të ecur përpara, edhe kur rruga është e panjohur.” u shpreh Gordi.
Në cilësinë e përfaqësueses së Bashkisë Tiranë, Nënkryetarja znj. Keti Luarasi vlerësoi rëndësinë e nismave në mbështetje të start up-eve si një mundësi për të nxitur idetë drejt inovacionit dhe zhvillimit.
Gjitahshtu, Ministrja Delina Ibrahimaj dhe Ministri Gonxhja çmuan rëndësinë e këtij eventi si një momenti i ri për start up-et në Shqipëri dhe vlerësuan se si një kompani investohet në mbështetje të ideve të reja, që nxisin modele inovacioni për mundësi të reja zhvillimi.
NomadTech është projektuar për të ofruar mbështetje të strukturuar për ide me potencial transformues, përmes:
* Grante të pjesshme për startup-e me potencial të lartë zhvillimi
* Mentorim nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë
* Mundësi për bashkëpunim me aktorë kyç të ekosistemit të inovacionit dhe sipërmarrjes
Drejtuesi i projektit NomadTech, Ergys Gezka duke prezantuar detaje të kësaj nisme bëri të ditur se duke nisur nga sot 22 prill dhe deri në datë 31 Maj 2025 të gjitha start ups mund të aplikojnë në websitin www.nomadtech.al/ dhe të bëhen pjesë e përfituesve.
“Çdo aplikim do të kalojë përmes një vlerësimi të detajuar nga ekspertë të pavarur. Dhe për më të mirët, nuk ofrojmë thjesht financim – ofrojmë mentorim, rrjetëzim dhe një trampolinë drejt tregut rajonal dhe pse jo edhe atij europian. Sot, dua t’ju ftoj jo vetëm të aplikoni. Dua t’ju ftoj të guxoni. Të shihni veten si pjesë e një brezi që nuk pret më që të ndodhin gjërat, por që i krijon ato. Një brezi që merr përgjegjësi për të ardhmen dhe i jep kuptim fjalës novator” u shpreh Gezka.
NomadTech synon të bëhet një pikë referimi për idetë që synojnë ndryshimin, duke vendosur në qendër filozofinë e re të përgjegjësisë korporative, ku inovacioni, ndikimi social dhe zhvillimi i qëndrueshëm bashkëjetojnë në një mision të vetëm. -

Ministri Gonxhja: Shqipëria shihet si shembull në rajon për dixhitalizimin
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja deklaroi se Shqipëria po merret si shembull në rajon sa i përket dixhitalizimit dhe inovacionit.
Gonxhja tha se fokusi është që vendi ynë të kthehet në një pikë referimi teknologjie për Evropën Juglindore.“Sot Shqipëria nuk është një vend që përpiqet të arrijë të tjerët, por shikohet si shembull në rajon dhe më gjerë si qasje ndaj digjitalizimit dhe inovacionit, që po merret tashmë edhe si model nga të tjerët. Kjo është arritur me punë dhe me besimin se teknologjia është e ardhmja, jo vetëm e administratës sonë por e gjithë zhvillimit ekonomik.
Për këtë arsye, fokusi ynë është i gjerë, edukimi digjital, sipërmarrja teknologjike, bashkëpunimi me sektorin privat, krijimi i kushteve për start up që ndërtojmë këtu dhe konkurrojnë me jashtë, krijimi i një Shqipërie që tenton të bëhet krijuese e teknologjisë. Ky është momenti për të çuar me tej gjithçka kemi ndërtuar, investuar më shumë në burime njerëzore, për të mbështetur talentet dhe për ta kthyer Shqipërinë në pikë referimi për Evropën juglindore. Transformimi i nisur është i pakthyeshëm por i vazhdueshëm“, tha mes të tjerash Gonxhja. -

Shqipëria në ITB Berlin: Jo vetëm turizëm, por edhe inovacion!
Startoi në Messe, Berlin, edicioni i 59 i “ITB Berlin”, panairi më i madh i turizmit në botë, ku këtë vit vendi mikpritës është Shqipëria, me hashtagun e saj të mirënjohur “Albania – All senses”. Çdo vit, një vend i rëndësishëm i lihet inovacionit dhe ndërthurjes së tij me turizmin, ndaj nuk është rastësi që për herë të parë vendi ynë merr pjesë në panair me një ekip start up-esh dhe sipërmarrjesh inovative.
Stenda e start up-eve dhe sipërmarrjeve shqiptare të inovacionit në ITB Berlin u vizitua edhe nga kryeministri i Shqipërisë, zoti Edi Rama, i cili ka treguar, sidomos vitet e fundit, një mbështetje të madhe për digjitalizimin, teknologjinë dhe inovacionin në vend, duke përmirësuar bazën ligjore, qasjen fiskale e të taksave, por edhe duke dhënë grante drejtpërdrejtë për idetë dhe bizneset inovative, sidomos ato të lidhura me teknologjinë.
“Delegacioni” ynë i inovacionit në ITB Berlin 2025 përbëhet nga shtatë start up-e sipërmarrje inovative si “Albanian Night” e Immersive MA dhe GADK, koncepte moderne të promovimit të kulturës, traditës e turizmit shqiptar. Po ashtu “Space 05” kushtuar promovimit të industrisë kreative Made in Albania apo C4Communities, laboratori ku talente vendase takohen me gjenialitetin e nomadëve digjitalë. Pjesë e delegacionit janë edhe start up-e si “Patoko”, theboatapp (e para marine data cloud në vendin tonë) apo Rent from locals, të gjithë pionierë të teknologjisë e inovacionit në vend.
Përfaqësimi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare me start up-e dhe sipërmarrje inovative është shumë domethënës në këto kohë kur flitet intensivisht për të ardhmen e inovacionit në gjithë botën. Ballkani Perëndimor duhet të nxitojë që t’i bashkohet Evropës me një ekosistem inovacioni më të fuqizuar, ku Shqipëria ka avancuar me hapa galopantë vitet e fundit. Vendi ynë ka tashmë një ekosistem të mirëfilltë inovacioni e start up-esh dhe është kthyer në një nga destinacionet më tërheqëse, jo vetëm turistike, por edhe për nomadët digjitalë dhe investitorët e huaj.
Për krijimin dhe fuqizimin e këtij ekosistemi, iniciativat e reja po gjejnë mbështetje tek EU4Innovation, zbatuar nga GIZ në Shqipëri, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, apo grantet e Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit dhe Agjencisë Startup Albania. -

E ardhmja e turizmit është TI
A do të na e marrin robotët punën? A mund të punojmë nga shtëpia falë teknologjisë? Me çfarë po merret Mira Murati tani? A do ta shesë Sam Altman ChatGPT? A do ta shpëtojnë planetin makinat elektrike? Po operacionet në distancë falë 5G, sa do ta transformojnë mjekësinë?
E pra, kurrë më parë nuk është folur kaq shumë për teknologjinë dhe inovacionin, të cilat kanë pushtuar çdo aspekt të jetës sonë. Ndaj nuk është çudi që gjithë ky impakt që inovacioni ka në jetën ekonomike e sociale të ndjehet si kurrë më parë edhe në Shqipëri, ku ka filluar të gëlojë tashmë një komunitet vibrant start up-esh dhe sipërmarrjesh inovative.
I përbërë nga biznese të guximshme, të konceptuara e menaxhuara kryesisht nga të rinjtë, ky ekosistem inovacioni, i nxitur fillimisht nga zhvillimet ekonomike dhe sociale në botë, ka shkaktuar efektin e anasjellë, pra e ka kthyer Shqipërinë në një vend tërheqës për investitorë të huaj dhe nomadë digjitalë. Kjo falë ligjeve të favorshme, taksave e kostove të ulëta, por edhe klimës e mënyrës së jetesës.
Duhet theksuar se Shqipëria ka hedhur hapa gjigandë që favorizojnë zhvillimin e ekosistemit të inovacionit, ku kryesoret mbeten miratimi i ligjit për start up-et dhe krijimi i “Startup Albania Agency”, një institucion kyç që lehtëson proceset dhe stimulon start up-et, nomadët digjitalë, sipërmarrjet e lidhura me teknologjinë, etj. Nga ana tjetër, qeveria e stimulon ekosistemin duke mbështetur financiarisht sipërmarrësit e rinj, start up-et apo idetë inovative.
Edhe institucionet akademike kanë nisur përpjekjet për të shkuar përtej procesit bazik mësimor, me ambicien për t’u shndërruar në laboratorët ku krijohen dhe zhvillohen idetë e para të biznesit inovativ.
Inovacioni ka depërtuar kështu në çdo fushë të jetës, por një sektor ku ndjehet veçanërisht impakti i tij është turizmi. Ja pse në evente prestigjioze globale si ITB Berlin, i cili do të mbahet këtë vit në kryeqytetin gjerman nga data 3 deri në 6 mars, janë integruar platforma speficike dedikuar inovacionit e teknologjisë, si “TTA – The Marketplace for Technology, Tours & Activities”. Dhe vendi ynë, i cili është është host country në panairin e këtij viti nën petkun e “Albania All Senses”, nuk do të përfaqësohet vetëm nga operatorë turistikë, por edhe nga disa prej elementëve më të spikatur të ekosistemit të start up-eve dhe inovacionit.
Mësohet se “delegacioni” ynë përbëhet edhe nga sipërmarrje inovative si “Albanian Night” e GADK, dy koncepte moderne të promovimit të kulturës, traditës e turizmit shqiptar. Po ashtu të pranishëm do të jenë konceptet e hapësirave të co-working si Destil Creative Hub, me projektin “Space 05” kushtuar promovimit të punëve artizanale apo CooLab me projektin C4Communities, laboratori ku talente vendase takohen me gjenialitetin e nomadëve digjitalë. Pjesë e delegacionit janë edhe start up-e si “Patoko”, theboatapp (e para marine data cloud në vendin tonë) apo Rent from locals, pionierë të teknologjisë e inovacionit në vend. Këto sipërmarrje janë mbështetur nga projekte si EU4Innovation, zbatuar nga GIZ në Shqipëri, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, apo grantet e Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit dhe Agjencisë Startup Albania.
Sigurisht që kryefjala në ITB Berlin do të jenë destinacionet turistike, turizmi sportiv, punimet artizanale, glikotë dhe vera, por në kohët kur jetojmë asgjë nuk mund të kuptohet pa Turizmin Inteligjent, pra Tourism Intelligence ose TI.E ardhmja, por edhe e tashmja e turizmit, është tani dhe është TI!
