Një aksident hekurudhor ka ndodhur mesditën e së enjtes në qytetin e Patrës në Greqi, kur një automjet u përplas me një tren të Proastiakos, në një kryqëzim të mbrojtur me barriera, në zonën e rrugës Antheas.
Sipas mediave greke, shoferi i automjetit, një burrë rreth 55 vjeç, u bllokua brenda mjetit, por ishte në gjendje të vetëdijshme dhe në komunikim me ekipet e shpëtimit gjatë operacionit të ndërhyrjes nga zjarrfikësit.
Momenti i aksidentit të sotëm është kapur nga kamera sigurie, dhe në pamjet që po qarkullojnë online, shihet qartë se barrierat ishin të ulura për disa minuta para përplasjes.
Megjithatë, shoferi i automjetit e injoroi sinjalizimin, eci me shpejtësi dhe they barrierën, duke u përplasur direkt me trenin teksa kalonte.
Nga përplasja e fortë, automjeti u shkatërrua pjesërisht dhe 55-vjeçari mbeti i bllokuar brenda.


