Tag: informacione

  • Britania hap portal për rekrutimin e spiunëve të huaj, MI6 do të operojë në “dark web”

    Britania hap portal për rekrutimin e spiunëve të huaj, MI6 do të operojë në “dark web”

    Agjencia e spiunazhit të Mbretërisë së Bashkuar po lançon një portal të ri në “dark web” për të rekrutuar informatorë dhe për të marrë informacione sekrete nga agjentë në Rusi dhe në mbarë botën.
    Sipas deklaratës së Zyrës së Jashtme, të Komonuelthit dhe Zhvillimit të Britanisë, shërbimi Sekret i Inteligjencës, i njohur ndryshe si MI6, do të shpallë zyrtarisht nisjen e platformës së re të mesazheve të sigurta, të quajtur “Korrieri i Heshtur”.
    Qëllimi i këtij portali është të shfrytëzojë anonimitetin që ofron dark web – pjesa e fshehtë dhe më pak e aksesueshme e internetit, e cila përdoret shpesh nga aktorë kriminalë – për të mundësuar që kushdo, nga kudo në botë, të kontaktojë MI6 në mënyrë të sigurt.
    Përdoruesit mund të dërgojnë informacione të fshehta për aktivitete të paligjshme në çdo cep të botës, ose të ofrojnë shërbimet e tyre për agjencinë britanike të inteligjencës, sipas një deklarate zyrtare të Zyrës së Jashtme.
    Shefi aktual i MI6, Sir Richard Moore, i cili do t’ia dorëzojë detyrën pasardhësit të tij Blaise Metreweli më vonë këtë muaj, e shpalli zyrtarisht hapjen e portalit këtë të premte në një ngjarje në Stamboll.
    “Në ditët e sotme, po u bëjmë thirrje atyre që kanë informacione të ndjeshme për paqëndrueshmërinë globale, terrorizmin ndërkombëtar ose aktivitetet e inteligjencës nga shtete armiqësore që të na kontaktojnë në mënyrë të sigurt online. Porta jonë virtuale është e hapur për ju”, deklaroi Moore gjatë prezantimit.
    Udhëzimet për përdorimin e këtij portali do të jenë të disponueshme publikisht në kanalin zyrtar të MI6 në YouTube. Përdoruesit inkurajohen ti qasen portalit përmes VPN-ve dhe nga pajisje që nuk lidhen me identitetin e tyre real.
    Përpara nisjes së portalit, Sekretarja e re e Jashtme, Yvette Cooper, deklaroi se “siguria kombëtare është detyra e parë e çdo qeverie dhe themeli i Planit për Ndryshim të kryeministrit” – duke iu referuar një plani të përmirësimit kombëtar të paraqitur nga lideri i Partisë Laburiste, Keir Starmer, në dhjetor.
    “Ndërsa bota ndryshon dhe kërcënimet shumëfishohen, duhet të sigurohemi që Britania të jetë gjithmonë një hap përpara kundërshtarëve të saj. Tani po i forcojmë përpjekjet e tyre me teknologji moderne, në mënyrë që MI6 të rekrutojë spiunë të rinj për Mbretërinë e Bashkuar në Rusi dhe në të gjithë botën”, shtoi Cooper.

  • “Ka marrë rrezik të madh përsipër”, eksperti i IT-së paralajmëron: Murati do ta nxjerrë zbuluar Diellën, pritet…

    “Ka marrë rrezik të madh përsipër”, eksperti i IT-së paralajmëron: Murati do ta nxjerrë zbuluar Diellën, pritet…

    Në një studio televizive u diskutua mbi sigurinë e inteligjencës artificiale dhe rreziqet që ajo paraqet, bazuar edhe tek ministrja më e re, Diella.
    Eksperti Gent Progni hodhi dyshime se pas Diellës është Mira Murati, ish drejtoresha e teknologjisë Open AI.
    Ai ngriti shqetësime serioze mbi mënyrën se si një inteligjencë artificiale e re mund të sfidojë Diellën dhe të zbulojë informacione të shumta, përfshirë të dhëna mbi tendera, dokumente dhe lidhje të dyshimta brenda institucioneve shtetërore.
    Pjesë nga biseda:
    Progni: Mund të jetë edhe Mira Murati. Ne kemi bërë një investim tek kompania e saj, edhe pse është kundra ligjit. Ka marrë rrezik shumë të madh mbi supe.
    Moderatorja: Pse?
    Progni: Nuk është e vështirë të bësh një inteligjencë tjetër artificial dhe të ketë informacione më të shumta se Diella. Dhe t’a vendosesh në pyetje-përgjigje me Diellën. Ajo mund t’a thyejë logjikën e Diellës dhe të japi informacione që ndoshta këta nuk e kanë menduar që mund të dalin. Që do të thotë, nëse i bën pyetje: A ka vërtet korrupsion në ministrinë tënde dhe ajo të kthen përgjigje me emra me fakte, me shkresa. Mund të thotë që filani bën korrupsion me këtë tender, me këtë dokument etj etj.
    Moderatorja: Arrin t’a bëj një filtrim të tillë informacioni nëse do duhet?
    Progni: Nëse ajo është në mjediset e të gjithave ministrive, do të thotë se i ka informacionet. Pra ajo ka informacion kush është i punësuar, sa e ka rrogën, çfarë lidhje kanë të punësuarit me njëri-tjetrin. Kur ti bëhesh lajm botëror, jo vetëm vëmendja pozitive, por edhe negative është tek ty. Kështu që këto hakërime që kemi parë deri më sot me Diellën, mund të jenë burim informacioni dhe nxjerrje informacioni shumë i frikshëm.

  • I shiste informacione sekrete agjentëve kinezë/ Dënohet me 4 vite burg punonjësi i DASH

    I shiste informacione sekrete agjentëve kinezë/ Dënohet me 4 vite burg punonjësi i DASH

    Një punonjës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së (DOS) u dënua me 48 muaj burg për komplot mbi mbledhjen dhe transmetimin e informacioneve të mbrojtjes kombëtare te individë që ai besonte se punonin për qeverinë e Republikës Popullore të Kinës (PRC).
    Sipas dokumenteve të gjykatës, duke filluar nga prilli i vitit 2022, Michael Charles Schena, 42 vjeç, nga Aleksandria, Virxhinia, komunikonte me njerëz që takonte në internet përmes platformave të ndryshme të komunikimit dhe u ofronte atyre informacione të ndjeshme të qeverisë amerikane, në këmbim të parave. Dy prej këtyre individëve u paraqitën si punonjës të kompanive ndërkombëtare të konsulencës. Pavarësisht indikacioneve të qarta dhe besimit se po punonin në emër të Republikës Popullore të Kinës, Schena vazhdoi marrëdhënien e tij me ta.
    Në gusht të vitit 2024, Schena takoi një individ në një hotel në Peru, i cili i dha Schenës 10,000 dollarë dhe një celular që do të përdorej nga Schena për të marrë detyra dhe për të transmetuar informacione.
    Në tetor 2024, ndërsa ishte në punë, Schena përdori telefonin celular që mori në Peru për të fotografuar dhe transmetuar të paktën katër dokumente të klasifikuara që përmbanin informacione të mbrojtjes kombëtare dhe të cilat ishin të klasifikuara në nivelin SEKRET.
    Në shkurt 2025, kamerat e sigurisë e kapën Schenën përsëri duke përdorur telefonin celular për të fotografuar shtatë dokumente të shënuara si SEKRET që përmbanin informacione të mbrojtjes kombëtare.
    Agjentët e FBI-së e sekuestruan telefonin celular përpara se Schena të mund të transmetonte fotografi të këtyre dokumenteve të klasifikuara te trajtuesit e tij dhe e arrestuan Schenën.
    “I pandehuri e hodhi poshtë karrierën e tij, tradhtoi vendin e tij dhe abuzoi me besimin që Shtetet e Bashkuara i kishin dhënë duke i dhënë atij leje sigurie “Top Secret”. Ai do të kalojë vite të tëra të jetës së tij në burg për dhënien e informacionit të klasifikuar individëve që ai besonte se ishin agjentë të qeverisë kineze. Dënimi shërben si një paralajmërim për ata që do të shkelnin besimin që u ka dhënë Kombi ynë dhe do të mashtronin popullin amerikan”, tha Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm për Sigurinë Kombëtare John A. Eisenberg.
    Ndërkohë, Prokurori i SHBA-së Erik S. Siebert për Distriktin Lindor të Virxhinias, u shpreh: “Çmimi i tradhtisë së turpshme të Michael Schena-s ndaj vendit të tij është shumë më i lartë se shuma e vogël për të cilën ai e shkëmbeu nderin e tij. Aktet e tij të lakmisë egoiste bënë që gratë dhe burrat besnikë të komunitetit tonë të inteligjencës dhe kombit të cilit ata i shërbejnë të paguajnë kostot. Kostoja që Schena do të paguajë është humbja e integritetit të tij, e reputacionit të tij dhe, me dënimin e sotëm, e lirisë së tij”.
     

  • U arrestua bashkë me të dashurin për spiunazh, Policia e Kosovës bastis shtëpinë e shtetases serbe

    U arrestua bashkë me të dashurin për spiunazh, Policia e Kosovës bastis shtëpinë e shtetases serbe

    Policia e Kosovës ka kryer bastisje në shtëpinë e serbes A.M., që së bashku me të dashurin e saj, J.I, pjesëtar i forcave ajrore kroate, u arrestuan në Kroaci nën akuza për spiunazh për Serbinë.
    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, i tha Radios Evropa e Lirë se bastisjet u kryen më 27 gusht rreth orës 20:00, pas publikimit të informacioneve se A.M., ishte arrestuar në Kroaci.
    Elshani tha se menjëherë autoritetet kosovare kanë verifikuar adresën e të dyshuarës A.M., në Mitrovicë të Veriut.
    “Kemi gjetur lokacionin e shtëpisë, kemi pranuar informacione se në atë shtëpi mund të ketë armë, kemi hyrë kemi bastisur këtë shtëpi, kemi gjetur një sprej, disa gëzhoja, fishekë dhe jemi larguar nga ai vend”, u shpreh Elshani.
    Sipas Elshanit, autoritetet e Kosovës janë në koordinim të ngushtë me autoritetet kroate për këtë rast.
    Më 28 gusht, Prokuroria e Qarkut në Split njoftoi se ndaj të dyshuarve ka caktuar masën e paraburgimit.
    Sipas medias kroate, Index, J.I., që në Kosovë ka shërbyer në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, i ka dhënë informacione konfidenciale partneres së tij, të cilat ajo më pas ua ka përcjellë anëtarëve të Listës Serbe.
    Lista Serbe është partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
    Transmetuesi publik kroat, HRT ka raportuar se sipas informacioneve joyzrtare A.M., dyshohet se për tre vjet ka mbledhur informacione konfidenciale nga partneri i saj, piloti kroat, i cili i kishte këto informacione për shkak të punës së tij si pjesëtar i kontigjentit kroat të KFOR-it.
    Këto informacione lidhen, për shembull, me lëvizjet dhe planet e KFOR-it.
    Ndërkaq, NATO-ja ka thënë për Radion Evropa e Lirë se trajton me “seriozitet” pretendimet se piloti kroat ka zbuluar tek e dashura e tij informacione për lëvizjet e serbëve në veri, si dhe të pjesëtarëve të këtij misioni.
    “Ne i marrim shumë seriozisht këto pretendime. Siguria e personelit të KFOR-it dhe integriteti i informacionit të klasifikuar janë parësore”, ka deklaruar më herët një zyrtar i NATO-s për Radion Evropa e Lirë.
    Lidhur me këtë rast, Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar edhe Ministrinë e Mbrojtjes të Kroacisë. Por, ky institucion iu referua komunikatës së Prokurorisë së Qarkut në Split lidhur me paraburgosjen e të dyshuarve.
    Ndërkaq, mediat në Kroaci aluduan se në hetimet për këtë rast është përshirë edhe EUROPOL-i.
    Por, një zëdhënës i këtij institucioni ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se kjo agjenci e Bashkimit Evropian për Zbatim të Ligjit nuk është përfshirë në hetimet për këtë rast.
    Pas publikimit të lajmeve për arrestimin e dy të dyshuarve për spiunazh për Serbinë, nga Qeveria në detyrë e Kosovës kanë shprehur gatishmëri që të bashkëpunojnë me autoritetet kroate për këtë rast, pasi “veprimtaria e të arrestuarve është zhvilluar në Kosovë”.
    Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, tha më 28 gusht se as ai dhe as ndonjë eksponent tjetër i Listës Serbe nuk e njeh A.M., duke mohuar që ndokush prej tyre të ketë pasur lidhje me të./ REL

  • Skandal spiunazhi në Austri: Ish-oficeri i inteligjencës akuzohet për lidhje me Rusinë

    Skandal spiunazhi në Austri: Ish-oficeri i inteligjencës akuzohet për lidhje me Rusinë

    Një skandal i madh spiunazhi ka tronditur Austrinë, ku një ish-oficer i inteligjencës, Egisto Ott, është paditur me akuza të rënda, përfshirë mbështetjen e një shërbimi rus të inteligjencës. Aktakuza, e paraqitur në një gjykatë në Vjenë, e akuzon Ott-in për spiunazh në dëm të Austrisë dhe shpërdorim detyre.
    Sipas prokurorëve, Ott, i cili u arrestua në mars të vitit të kaluar, dyshohet se ka mbledhur informacione të ndjeshme dhe të dhëna personale nga bazat e të dhënave të policisë nga viti 2017 deri në 2021. Këto informacione dyshohet se u kaluan te Jan Marsalek, një bashkatdhetar austriak i arratisur, i kërkuar për mashtrim pas falimentimit të kompanisë gjermane Wirecard. Besohet se Marsalek tani ndodhet në Rusi dhe ka lidhje të drejtpërdrejta me agjencinë ruse të inteligjencës, FSB.
    Prokurorët theksojnë se Ott ka pranuar “shpërblime financiare” për informacionet e dhëna. Mes akuzave të tjera, ai dyshohet se në nëntor 2022, me urdhër të Marsalek, dorëzoi një laptop që përmbante pajisje komunikimi të sigurt të vendeve të Bashkimit Evropian, në këmbim të 20,000 eurove. Ky kompjuter më pas iu dorëzua një shërbimi rus të inteligjencës.
    Një oficer i dytë policie, emri i të cilit nuk u bë i ditur, gjithashtu u akuzua për bashkëfajësi, pasi dyshohet se ka kaluar informacione personale pa autorizim. Të dy të dyshuarit, nëse shpallen fajtorë, rrezikojnë dënime me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

  • Dyshime për spiunazh, ja mesazhet për të cilat u arrestuan piloti kroat dhe e dashura serbe

    Dyshime për spiunazh, ja mesazhet për të cilat u arrestuan piloti kroat dhe e dashura serbe

    Piloti i Forcave Ajrore të Kroacisë J.I. (54) dhe partnerja e tij shumëvjeçare A.M. (46), shtetase e Serbisë, përfunduan në paraburgim në mënyrë që të mos pengonin hetimin. Prokuroria e Qarkut në Split vetëm sot konfirmoi se ka hapur hetim kundër tyre për spiunazh.
    Për çfarë akuzohen?
    Piloti akuzohet për formën më të rëndë të këtij krimi, për të cilin është parashikuar dënim deri në 10 vjet burg, pasi, sipas prokurorisë, ai zbulonte informacione të fshehta.
    Partneres së tij i kanosen nga një deri në pesë vjet burg, sepse dyshohet për formë më të lehtë spiunazhi, përkatësisht për mbledhje informacionesh sekrete dhe dërgimin e tyre më tej. Ajo u dërgua në paraburgim jo vetëm për shkak të rrezikut të ndikimit mbi dëshmitarët, por edhe për rrezikun e arratisjes.
    Edhe pse prokuroria kërkoi që paraburgimi t’u caktohej edhe për shkak të rrezikut të përsëritjes së veprës penale, gjykata vendosi se kjo nuk mund të ndodhë më pasi piloti nuk është më i angazhuar në misionin në Kosovë. Dyshohet se ai i zbulonte partneres së tij informacione ndaj të cilave kishte qasje si pjesëtar i forcave ndërkombëtare në Kosovë.
    Çifti, sipas burimeve, ishte njohur që në vitin 2016 pikërisht në Kosovë. Ai në atë kohë ishte pjesëtar i kontingjentit kroat në KFOR-it, ndërsa ajo punonte si përkthyese në misionin EULEX-it. Marrëdhënia e tyre, me ndërprerje, zgjat tashmë nëntë vjet. A.M. ka ardhur shpesh në Kroaci gjatë këtyre viteve, ku në fund edhe u arrestua.
    Hetuesve, pas nisjes së procedurës, piloti u ka thënë se partnerja e tij i dërgonte vetëm të dhëna për kushtet atmosferike, të rëndësishme për fluturimet e tij. Ai mohoi se kanë shkëmbyer informacione konfidenciale. Për më tepër, ai këmbëngul se është viktimë e një kurthi, ndërsa A.M. thjesht “dëm kolateral”.
    Por, sipas akuzës, ai i zbulonte të dhëna për lëvizjet dhe pozicionet e forcave të KFOR-it, ndërsa ajo i dërgonte më tej përmes aplikacioneve të enkriptuara. Ai vetë, sipas akuzës, pranoi se e kishte marrë me mend që A.M. mund të tregtonte informacione të tilla. Hetimi do të zbardhë saktësisht për çfarë bëhej fjalë.
    A.M. ka qenë e angazhuar edhe si “fiksere”, pra si ndihmëse nga terreni për ekipe të ndryshme gazetarësh.
    Akuza kundër çiftit bazohet në mesazhe të gjetura në celularët e tyre. Ata, mes tjerash, ishin shkëmbyer rreth ngjarjes së 25 dhjetorit 2022, kur në Zubin Potok u sulmuan pjesëtarët e KFOR-it.
    Atëherë A.M. i kishte shkruar mikut të saj të fëmijërisë, Vladimir Radivojević, i njohur si Mami, një nga përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës. Ai është nga Mitrovica, si edhe ajo, por autoritetet e Kosovës e konsiderojnë si një nga udhëheqësit e të ashtuquajturës “Brigada e Veriut”, e lidhur me struktura nga Beogradi.
    Mami lidhet edhe me sulmin terrorist në Banjskë në vitin 2023, për të cilin në vitin 2024 është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
    Mesazhi i diskutueshëm që A.M. i dërgoi Mamit ishte: “Duhet ta ‘hekurosni’ sulmin ndaj KFOR-it me çdo kusht”. (Me gjasë mendohet në mbulimin, maskimin, fshehjen e sulmit ndaj KFOR-it, v.j.). Po atë ditë, i dashuri i saj pilot i shkroi: “Mbrëmë vërtet e keni dhjerë”.
    Në mbrojtjen e saj, A.M. thuhet se ka deklaruar se punon për shërbimin sekret gjerman, konkretisht Shërbimin Federal të Inteligjencës (BND), i cili merret me mbledhjen dhe analizimin e të dhënave të inteligjencës jashtë vendit.
    Dihet se Gjermania ishte ndër vendet kryesore të përfshira në misionin e KFOR-it nën udhëheqjen e NATO-s dhe është një nga donatorët më të mëdhenj të Kosovës përmes investimeve në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe ekonomi. Gjithashtu, ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon të mbështesë integrimin e saj europian si dhe dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.

  • Piloti ushtarak dhe e dashura e tij u arrestuan për spiunazh, Qeveria e Kosovës mohon lidhjen: S’ka pasur qasje në informacione

    Piloti ushtarak dhe e dashura e tij u arrestuan për spiunazh, Qeveria e Kosovës mohon lidhjen: S’ka pasur qasje në informacione

    Qeveria në detyrë e Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet se spiunia nga Serbia A.M. nga Mitrovica, e cila është arrestuar më 27 gusht nga Kroacia së bashku me të dashurin e saj nën dyshime për spiunazh për Serbinë, ka pasur lidhje edhe me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës.
    Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka thënë se Zyra e Kryeministrit përbëhet nga stafi civil i përhershëm dhe kabinetet e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave të cilat përbëhen nga të emëruar politikë.
    “Duam të theksojmë se qasja në informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit është strikt e kufizuar.  Andaj ne hedhim poshtë çdo pretendim se personi në fjalë mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit.  Viteve të fundit, si pasojë e humbjes së kontrollit në veri përmes rrjetit kriminal të udhëhequr nga Millan Radojiçiq, Serbia ka rritur aktivitetet e spiunazhit dhe ne vazhdimisht kemi ngritur në publik shqetësimet tona mbi aktivitetet e inteligjencës serbe në territorin e Republikës së Kosovës.”
    Ju kujtojmë se në muajin korrik një toger i Policisë së Kosovës, i etnisë serbe, ishte arrestuar mbi dyshime të bazuara për veprimtari spiunazhi në Republikën e Kosovës, për interesa të Agjencisë për Siguri dhe Informim (BIA), me synim rrezikimin e sigurisë në përgjithësi dhe operacionet e Policisë së Kosovës në veçanti. Kurse në shkurt ishte arrestuar një person tjetër mbi dyshime për spiunazh, po ashtu e etnisë serbe, e cila punonte në misionin e OSBE-së në Kosovë. Institucionet tona të sigurisë dhe inteligjencës po punojnë në vazhdimësi e me vigjilencë të lartë, dhe suksesshëm po i kundërvihen përpjekjeve të dashakeqe dhe destabilizuese të Serbisë në Kosovë’, tha ai.
    Kryeziu ka thënë se institucionet e Kosovës janë në gatishmëri të plotë që të bashkëpunojnë me institucionet e Kroacisë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve dhe zbardhjen e plotë të aktiviteteve dhe rrjetit të veprimit, pasi që veprimtaria e A.M. dhe kroatit J.I., të dy të arrestuar më 25 korrik në Kroaci, është zhvilluar në Kosovë./Kosovapress

  • Dënohen shqiptarët motër e vëlla! Tentuan “spiunazh” me informacione nga bursa, gjyqtari: Do i kishit bërë vetë ato para!

    Dënohen shqiptarët motër e vëlla! Tentuan “spiunazh” me informacione nga bursa, gjyqtari: Do i kishit bërë vetë ato para!

    Redinel dhe Oerta Korfuzi

    LONDËR- Një ish-analist i “Janus Henderson”, një grup global britaniko-amerikan i menaxhimit të aseteve me seli në Qytetin e Londrës, Mbretëria e Bashkuar, u shpall fajtor për përdorimin e informacionit konfidencial mbi kompani. Në këtë mënyrë ai kishte fituar gati 1 milion paund (1.3 milion dollarë). Bëhet fjalë për një shqiptar që kishte një karrierë të ngritur në Britaninë e Madhe, por vendosi që të “devijonte”. Redinel Korfuzi, 38 vjeç, u akuzua për përdorimin e informacionit që ai kishte aksesuar përmes punës së tij si analist kërkimor duke përdorur llogaritë e mbajtura nga motra e tij Oerta Korfuzi, 36 vjeç. Bashkë me shqiptarët, të pandehur u morën edhe dy persona të tjerë.
    Sipas mediave të huaja, Korfuzi e përdori rolin e tij për të parë email-et nga kompanitë që vlerësonin interesin e investitorëve për rritje të kapitalit ose shitje të mëdha aksionesh. Brenda pak minutash nga momenti që kishte qasje në informacion, shqiptari tregtonte aksionet e prekura duke përdorur llogari të shumëfishta, përfshirë ato që operoheshin nga motra e tij.
    Midis dhjetorit 2019 dhe marsit 2021, të dy “tregtuan” në 13 kompani dhe gjeneruan fitime prej më shumë se 960,000 £. Dyshja u arrestua në mars të vitit 2021. Rasti zbuloi gjithashtu një operacion ndërkombëtar pastrimi parash, që përfshinte 173 depozita nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri.
    Redinel dhe Oerta Korfuzi u shpallën fajtorë për abuzim me informacione të brendshme dhe pastrim parash më 19 qershor 2025, pas një gjyqi 18-javor në Gjykatën e Kurorës në Southwark. Redinel Korfuzi, 38 vjeç, u dënua me gjashtë vjet burg në Gjykatën e Kurorës në Southwark të premten, ndërsa motra e tij Oerta Korfuzi, 36 vjeç, u dënua me pesë vjet burg.
    “Tregtia me informacione të brendshme zvogëlon besimin e publikut në integritetin e tregut. Ju menduat se ishit shumë të zgjuar për të mos u kapur. U mblodhën aq shumë para të gatshme saqë u porosit një kasafortë në West End për t’i ruajtur. Fitimet tuaja të ligjshme do të kishin tejkaluar shumë më shumë. Asnjëherë më nuk do t’ju besohet më nga askush që të investoni para në emër të tyre,”- tha gjykatësi Alexander Milne sipas “Bloomberg”.
    Redinel Korfuzi konsiderohej si një yll në ngritje te “Janus Henderson”, i lavdëruar si një punonjës jashtëzakonisht i zellshëm përpara se të arrestohej në mars 2021. Ai ishte në rrugën e duhur për t’u ngritur në detyrë nga analist në një rol menaxhimi fondesh. Për një vit ai fitoi më shumë se 500,000 £ në vitin 2020./ZËRI

  • Londër/ Dënohen shqiptarët vëlla e motër! “Spiunazh” me informacione nga bursa, gjykatësi: Kjo ishte lakmi dhe arrogancë

    Londër/ Dënohen shqiptarët vëlla e motër! “Spiunazh” me informacione nga bursa, gjykatësi: Kjo ishte lakmi dhe arrogancë

    Karriera e shkëlqyer e një shqiptari në Londër si analist i tregjeve financiare është ndërprerë, pasi ai dhe e motra u dënuan për përdorim të informacioneve të brendshme për përfitime monetare.

    Sipas agjencisë Reuters, të cilës i referohet Top Channel, Redinel Korfuzi, 38 vjeç i lindur në Tiranë, drejtoi skemën dhe i dha informacione motrës së tij Oerta Korfuzi, 36 vjeçe e lindur në Dibër, duke përfituar nga tregtimi aksioneve 1 milion stërlina.
    Redinel Korfuzi, një ish-analist kërkimi me një pagë vjetore prej 500,000 paund në vit, u dënua me 6 vite burg. Motra e tij Oerta u dënua me pesë vjet burg.
    Gjatë procesit gjyqësor ata mohuan akuzat por u shpallën fajtorë nga një juri për komplot për të kryer tregti të brendshme dhe pastrim parash, pas një gjyqi tre mujor në Gjykatën Southark të Londrës.
    Autoriteti i Sjelljes Financiare (FCA), që e ndoqi çështjen penalisht, tha se dyshja kishte përdorur aksesin e Korfuzit në informacione të brendshme për të “manipuluar sistemin dhe kënaqur lakminë e tyre”.
    Ata përfituan nga informacione konfidenciale të 13 kompanive duke blerë e shitur aksione tek këto kompani dhe marrë një fitim pothuajse 1 milion paund. Redinel Korfuzi merrte informacione të brendshme rreth planeve të kompanive për të ngritur kapital ose për të shitur blloqe të mëdha aksionesh të zotëruara nga aksionerë ekzistues.
    Ai tregtonte aksionet përmes disa llogarive, përfshirë ato të motrës së tij – për të cilën gjykata dëgjoi se ishte e vetëdijshme për mashtrimin.
    Tek sa lexoi masën e dënimit Gjykatësi Alexander Milne i tha se: “Kjo ishte lakmi dhe arrogancë. Gjithçka për të cilën keni punuar, tani ka marrë fund. Asnjëherë më nuk do t’ju besohet të tregtoni.Të dy menduat se ishit shumë të zgjuar për t’u kapur.”
    “Nuk ka dyshim tha gjykatësi se ishit të suksesshëm në rolin tuaj, dhe shefi juaj i mëparshëm foli për ju me admirim. Gjykatësi u tha të dyve se “nuk ju shkoi mendja” se tregtia nga llogari të ndryshme duke përdorur të njëjtën adresë IP kompjuteri, do të linte “gjurmë digjitale”.
    Gjatë dy viteve, të dy kishin fituar shuma të mëdha parash që nuk mund të justifikoheshin.

    Top Channel

  • Osmani në SHBA: Kam informacione se Trump parandaloi një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë në javët e fundit

    Osmani në SHBA: Kam informacione se Trump parandaloi një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë në javët e fundit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar nga Uashingtoni se ka “informacione të besueshme” se ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka ndërhyrë kohët e fundit për të parandaluar një përshkallëzim të mundshëm të situatës nga ana e Serbisë kundër Kosovës.
    Në një ligjëratë të mbajtur në kryeqytetin amerikan, Osmani theksoi se ndërhyrja e Trump nuk lidhet me ngjarjet e së kaluarës, por me zhvillime “shumë të vona”, duke e përjashtuar kategorikisht vitin 2023 apo më parë.

    Ajo rikujtoi gjithashtu sulmin e armatosur në Banjskë të shtatorit 2023, ku një grup paramilitar serb sulmoi Policinë e Kosovës dhe rreshteri Afrim Bunjaku humbi jetën. Osmani e cilësoi këtë ngjarje si “akt agresioni” i organizuar plotësisht brenda territorit të Serbisë.
    “Frenimi dhe parandalimi janë thelbësorë, sidomos kur rreziku është real dhe i provuar”, theksoi presidentja, duke shtuar se nganjëherë për të shmangur krizat nuk mjafton vetëm prania ushtarake, por kërkohet edhe udhëheqje politike dhe vendime të qarta. “Nganjëherë mjafton një telefonatë, një paralajmërim, dhe kjo është ajo që ndodh kur Amerika merr rolin udhëheqës”, u shpreh ajo.
    Osmani paralajmëroi se kërcënimet nga Serbia mbeten të vazhdueshme dhe nuk duhen nënvlerësuar. Ajo e akuzoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç për mentalitet të ngujuar në të kaluarën, duke thënë se “është ende i lidhur me mendësinë e viteve ’90”, dhe si provë për këtë solli sulmin në Banjskë.