Vetëm pesë shoqëri me kapital vendas që operojnë në industrinë përpunuese kanë arritur të hyjnë në listën e më të mëdhave sipas fitimeve, nga mbi 42 që ushtrojnë aktivitet në ndërtim. Kjo tregon qartë se sektori industrial, që historikisht është konsideruar si baza e zhvillimit të qëndrueshëm, po mbetet pas.
Edhe industria automotive, e cila viteve të fundit kishte nisur të gjeneronte investime të reja dhe kthime premtuese, raportoi humbje apo fitime minimale në vitin 2024, kryesisht si pasojë e dobësimit të Euros.
Kjo goditje financiare u përjetua veçanërisht nga eksportuesit që punojnë me material porositës, të cilët nuk kanë mundur të transferojnë kostot shtesë në çmime, për shkak të kontratave fikse dhe presionit të lartë për çmime konkurruese nga porositësit ndërkombëtarë.
Shumë prej këtyre bizneseve u detyruan të ulin fitimet, madje edhe të deklarojnë humbje, duke rrezikuar vijimësinë e aktivitetit të tyre.
Kjo situatë është edhe më shqetësuese në kushtet aktuale, kur industria, sidomos ajo përpunuese dhe ushqimore, duhet të investojë për të përmbushur standardet e nevojshme për integrimin në Bashkimin Europian.
Për të qenë konkurruese në tregun europian, kompanitë duhet të modernizojnë linjat e prodhimit, të digjitalizojnë proceset dhe të përmirësojnë standardet e cilësisë dhe mjedisit.
Por mungesa e fitimeve po ua mbyll rrugën këtyre investimeve. Një industri që nuk gjeneron fitim, nuk ka kapital për inovacion, as për rritje produktiviteti apo për trajnimin e fuqisë punëtore.
“Sa i përket përgatitjes për standardet e BE-së, shumë kompani shqiptare janë ende larg përmbushjes së kërkesave teknike, mjedisore dhe të sigurisë ushqimore.
Boshllëqet kryesore lidhen me mungesën e laboratorëve të akredituar, certifikimeve ndërkombëtare dhe infrastrukturës për kontrollin e cilësisë”, thotë Arben Shkodra, ekspert ekonomie.
Në mungesë të burimeve financiare, shumë kompani janë të detyruara të mbeten në nivel bazë prodhimi, duke u kthyer në një hallkë të ulët të zinxhirit të vlerës globale.
Rreziku është që industria përpunuese të shndërrohet në “magazinuese”, një sektor që vetëm monton ose ambalazhon produkte, pa shtuar vlerë reale për ekonominë. Ky model është i pasigurt dhe nuk garanton as qëndrueshmëri, as punësim afatgjatë.
Për më tepër, dobësimi i Euros i ka goditur jo vetëm eksportuesit, por edhe prodhuesit që furnizojnë tregun vendas. Mallrat e importit janë bërë më të lira, duke rritur konkurrencën dhe duke ulur marzhet e fitimit për prodhuesit vendas.
Në një treg të vogël si Shqipëria, ku kërkesa e brendshme është e kufizuar, edhe planet e përpunuesve për zgjerim në tregjet e huaja pengohen nga kursi i pafavorshëm i këmbimit.
Edhe rritja e pagave po e zbeh avantazhin tradicional të kostos së ulët që kishte industria shqiptare, pa siguruar një prioritet tjetër konkurrues, pikërisht për shkak të mungesës së investimit në teknologji.
Ajo po ndodh jo si rezultat i përmirësimit të produktivitetit, por për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, që po largohet drejt emigracionit dhe vendimeve të qeverisë për pagën minimale, që pritet të arrijë në 50 mijë lekë në 2026-n.
Edhe kjo prirje po e bën më të vështirë për kompanitë të ruajnë konkurrueshmërinë, veçanërisht për sektorët me bazë eksporti.
“Duke qenë se avantazhi i kostos së ulët të punës është zbehur, baza e re e konkurrueshmërisë duhet të mbështetet në teknologji, cilësi dhe pozicion gjeografik.
Afërsia me tregun europian, portat hyrëse strategjike dhe lidhjet me Ballkanin Perëndimor mund të shfrytëzohen për zhvillimin e zonave industriale rajonale dhe parqeve teknologjike logjistike”, thotë Arben Shkodra, ekspert i ekonomisë.
Mungesa e fitimeve në industri rrezikon të kthehet në një pengesë strukturore për të ardhmen e saj. Pa fitime nuk ka investime, pa investime nuk ka modernizim, dhe pa modernizim, industria shqiptare nuk mund të përmbushë standardet që kërkon integrimi europian.
Edhe zgjerimi i tregjeve të eksportit, ku synojnë kompanitë që maturohen në tregun vendas, do të jetë i vështirë pa standarde dhe konkurrencë në kosto.
Rreziku
Mungesa e fitimeve në industri rrezikon të kthehet në një pengesë strukturore për të ardhmen e saj. Pa fitime nuk ka investime, pa investime nuk ka modernizim, dhe pa modernizim, industria shqiptare nuk mund të përmbushë standardet që kërkon integrimi europian. Edhe zgjerimi i tregjeve të eksportit, ku synojnë kompanitë që maturohen në tregun vendas, do të jetë i vështirë pa standarde dhe konkurrencë në kosto.
Pasojat po ndihen tashmë. Sektori i industrisë hyri zyrtarisht në recesion në vitin 2024 duke shënuar rënie gjatë të katër tremujorëve radhazi. Tendenca u përkeqësua dhe në pjesën e parë të 2025-s.
Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se industria në total (“Industria nxjerrëse; përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit”) pësoi rënie me 4.55% në vitin 2024, hera e parë me ecuri negative që nga periudha e pandemisë, kur tkurrja ishte 7.32%.
Industria përpunuese u reduktua me 3.65%, me ecuri më negative sesa gjatë periudhës së pandemisë (-3.58%).
Kriza e sektorit ka bërë që kontributi i industrisë në ekonomi të vijë në rënie të vazhdueshme. Në vitin 2024, pesha e industrisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) zbriti në 7.6%, nga 8.47% vitin e mëparshëm, sipas të dhënave të INSTAT.
Përtej madhësisë, kontributi është shumë më i rëndësishëm në punësim. Vetëm industria përpunuese (përjashtuar energji elektrike, gazi, uji dhe trajtimi i mbetjeve, që janë kryesisht shtetërore) kishte rreth 105 mijë të punësuar në vitin 2023 (viti i fundit kur raportohen të dhënat), duke qenë punëdhënësi i tretë më i madh në vend, pas tregtisë e shërbimeve me dy të parat ku mbizotërojnë të vetëpunësuarit.
Luan Leka, themelues i E.H.W, një nga sipërmarrjet më të mëdha në vend në fushën e industrisë përpunuese ushqimore, thotë se për fat të keq, statistikat demonstrojnë atë që po ndodh. Është fakt që produktet e importit po konkurrojnë ndjeshëm prodhimin vendas, gjë që të bën më pak optimist për investimet.
“Jo më kot nuk ka investime të huaja në këtë industri. Pse të ndodhë kjo në një sektor tepër të rëndësishëm të lidhur me konsumin e përditshëm dhe aq të ndjeshëm për të gjithë?”.
Z.Leka shton se ka disa arsye madhore që ndikojnë negativisht në aktivitetin e këtij sektori.
– Së pari, mungesa e furnizimit të industrisë agroushqimore me produkte nga sektorët vendas të bujqësisë dhe blegtorisë, na detyron të importojmë masivisht lëndët e para. Kuptohet që kjo imponon kosto të shtuara për shkak të taksave doganore dhe shpenzimeve të transportit.
– Së dyti, për shkak të legjislacionit të sigurisë ushqimore të paunifikuar me BE, produktet tona nuk kanë të drejtën e eksportit, duke na detyruar të punojmë në një treg të vogël, të mbyllur. Ky faktor rrit ndjeshëm koston e investimeve.
– Për të rritur aftësinë konkurruese të ndërmarrjeve tona duhet të bëjmë investime të rëndësishme në teknologjinë bashkëkohore, të cilat bëhen eficiente vetëm në rastin kur të arrijmë të eksportojmë produktet tona në tregjet e BE-së, por për këtë duhet kapërcyer një pengesë madhore që përmendëm më sipër – Unifikimi, në një kohë sa më të shkurtër, i legjislacionit tonë të sigurisë ushqimore me atë të BE.
“Kjo do të bëjë të mundur lejimin e eksportit të produkteve tona dhe rritjen e besimit të konsumatorit europian”, sugjeron z. Leka.
Alban Zusi, nga Shoqata e Eksportuesve, pohon se të ndërtosh industrinë përpunuese është një proces i vështirë, por në të njëjtën kohë, i domosdoshëm për një vend.
Vetëm përpunimi industrial i shton vlerën produktit, shton zinxhirin e vlerës nëpërmjet nxitjes së sektorëve mbështetës, hap vende pune për profesionistë, përtej menaxherëve të shitjes që kërkon importi.
Kompanitë që po mbijetojnë në listën e fitimeve, në disa raste po kthehen thjesht në importues të lëndëve të para, si një formë për të ulur kostot e larta të brendshme.
Biznesi më i leverdishëm në sektorin përpunues është ambalazhimi i ujit, që nuk kërkon sofistikim.
As turizmi nuk po shfrytëzohet për të nxitur sektorin vendas të përpunimit të ushqimeve, përkundrazi konsumi shtesë ka ndikuar më së shumti në rritjen e importeve.
Sipërmarrjet me fitime më të larta në industri
“E.H.W”, një prej kompanive më të mëdha përpunuese në vend, që i raporton të dhënat prej disa vitesh si grup (përfshirë aktivitetin e përpunimit të mishit dhe prodhimit të ujit dhe të zinxhirëve të supermarketeve), raportoi fitime prej 1.3 miliardë lekësh në vitin 2024, me rritje 16.4% në raport me një vit më parë.
Gati gjysma e fitimeve vijnë nga rrjeti i tregtisë me pakicë të supermarketeve, “Conad Albania”.
Të ardhurat e kompanisë ishin 7.9 miliardë lekë, me rritje rreth 5.8%. Norma e fitimit ishte 16.4%. CEO i shoqërisë, z. Luan Leka, thotë se tendenca është rrjedhojë kryesisht e investimeve të reja në disa degë të aktivitetit ekzistues.
“Coca Cola” është një ndër sipërmarrjet më të mëdha në industrinë përpunuese në vend, me aktivitet të qëndrueshëm.
Në vitin 2024, fitimet e kompanisë ranë me 9.7%, në 975 milionë lekë. Norma e fitimit ishte e qëndrueshme, në rreth 16.5%. Të ardhurat ishin 5.9 miliardë lekë, me një rritje të lehtë nga viti 2023.
Luca Busi, sipërmarrës dhe President i “Coca-Cola Bottling Shqipëria”, pohon se “kemi negociuar në mënyrën më të mirë të mundshme rritjet që na janë aplikuar nga furnitorët, duke u mbështetur në platformat e blerjes së Coca-Cola Europë.
Për më tepër, falë një avantazhi prej 7,4% nga kursi i këmbimit të favorshëm të Euros, blerjeve në grup dhe paraprakisht për një vit, kemi arritur të menaxhojmë dhe kufizojmë ndikimin e rritjes së çmimeve, me zero rritje të çmimeve për konsumatorin”.
“Lajthiza Invest”, me aktivitet në prodhim, ambalazhim, tregtim i ujit natyral, është një nga sipërmarrjet e industrisë përpunuese me norma më të larta fitimi, prej 22.3%. Kompania raportoi një aktivitet pozitiv në vitin 2024.
Të ardhurat u rritën me 22%, në 4.8 miliardë lekë, ndërsa fitimet u zgjeruan me 29%, në gati 1 miliard lekë.
Thanas Siveri, administratori i “Lajthiza Invest”, thotë se prodhimi ka ardhur në rritje, mbështetur nga investimet e reja për shtim të gamës së produkteve, siç është uji me vitamina me ambalazhime PET (ambalazhim ekologjik i riciklueshëm).
Kompania është zgjeruar dhe në eksport dhe po tregton në disa shtete si p.sh.: Zvicër, SHBA, Britani e Madhe, Tajvan, Francë, Maltë, si dhe në vendet e rajonit si Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi etj.
“Capital Resources”, me emrin tregtar “Kraco”, është një hyrje e re nga sektori përpunues në listën e më të mëdhave, një zhvillim pozitiv ky, mes problemeve të shumta që po has sektori. Shoqëria ka shënuar një zgjerim të fortë në vitin 2024.
Të ardhurat e kompanisë arritën në 2.3 miliardë lekë në vitin 2023, me rritje prej 44%.
Përmirësimi i rezultatit financiar ishte dhe më i fortë, me fitimet që pothuajse u katërfishuan, në 344 milionë lekë. Norma e kthimit ishte 15%.
Sipas burimeve zyrtare, kompania ka në fokus prodhimin dhe shpërndarjen e çajeve me formate dhe shije të ndryshme, infuzioneve, pluhurave për përgatitjen e pijeve të nxehta dhe të ftohta, përgatitjeve për ëmbëlsira, pure patatesh, kafeve në kapsula, sheqerit të paketuar, etj.
“Coral”, që vepron në regjimin e përpunimit aktiv, përpunim peshku, duke qenë më e madhja në këtë segment, kishte të ardhura prej 2.8 miliardë lekësh në vitin 2024, me rënie 8.8% me bazë vjetore. Edhe fitimet u tkurrën me 21%, në 253 milionë lekë.
Sipas raportit të aktivitetit, problematikat me të cilat u përball shoqëria gjatë 2024-s kanë qenë të shumta.
Ndër më kryesoret përmenden mungesa e theksuar e punonjësve, që ka sjellë vonesa në dorëzimin e porosive, si dhe rritja e përgjithshme e kostove.
“Atlas Mills” kishte të ardhura prej 1.7 miliardë lekësh, me rritje 7.7% me bazë vjetore. Kompania ka hyrë në listën e fitimeve, pas dyfishimit të tyre në 211 milionë lekë. Norma ishte 12.3%.
Të mëdhenj në xhiro, por mbeten jashtë fitimeve
Disa sipërmarrje në industrinë përpunuese, që janë në listën e “Monitor 200” sipas të ardhurave, që nënkupton se realizojnë qarkullim vjetor mbi 20 milionë euro në vit, nuk hyjnë në atë të fitimeve, pasi kanë një rezultat financiar më të ulët sesa 1.5 milionë euro, sa është dhe kufiri minimal i fitimit për të hyrë në listë.
Eksportuesi i kromit, “Albchrome”, shënoi rënie me 20% të të ardhurave, pas përgjysmimit në vitin 2023, duke zbritur në 6.5 miliardë lekë. Kompania raportoi humbje prej 78 milionë lekësh, gjithsesi në reduktim të ndjeshëm nga viti 2023.
Sipas raportit të aktivitetit, “viti 2024 ishte një vit me paqëndrueshmëri të tregut, pas një periudhe mjaft të destabilizuar të çmimeve të energjisë elektrike, si dhe nga kriza e luftës në Ukrainë që kaloi industria, ku për shkak të kërkesës së ulët, çmimet e ferro-kromit u ulën me rreth 35%, duke u krahasuar me vitin 2023.
Gjatë vitit 2024 nuk u operua me kapacitet prodhues të plotë për shkak të vendimeve të bordit duke vlerësuar ndikimin e tregut të energjisë elektrike, si dhe kërkesën e shitjeve të produktit final. Për pasojë është prodhuar një sasi prej 13,199 tonësh në Elbasan dhe 11,191 tonë në Burrel.
Ndërkohë prodhimi i kromit arriti shifrën 89,837 tonë gjatë 2024”.
“Kombinati i Mishit”, p.sh. kishte të ardhura prej 3.6 miliardë lekësh dhe fitime prej vetëm 73 milionë lekësh, me një normë prej vetëm rreth 1%.
“CWI-Albania” (Çokyasar Wire Industry Albania) është një nga sipërmarrjet më të reja në fushën e industrisë, një investim dhe bashkëpronësi shqiptaro-turke. E themeluar në vitin 2019, kompania nisi prodhimin e telave të galvanizuar, që përdoren për rrjeta ose kosha.
Ndonëse prej tre vitesh është në listën e më të mëdhave sipas të ardhurave, me xhiro 9 miliardë lekë në 2024, kompania deklaroi për herë të parë fitime prej 126 milionë lekësh.
“Uji i Ftohtë Tepelenë”, me aktivitet në prodhimin dhe ambalazhimin e ujit, ka qenë historikisht në renditjen e 200 më të mëdhave sipas fitimeve. Por në vitin 2022, fitimet e saj ranë me 67%, në 81 milionë lekë, duke dalë nga lista.
Në vitin 2023, fitimi u përmirësua në 150 milionë lekë, por mbetet larg viteve më të mira kur arrinte në 250 milionë lekë. Në vitin 2024, rezultati para taksave u përmirësua më tej, në 207 milionë lekë.
Hyrjet e reja nga industria mbështetëse automotive nuk arrijnë të bëhen fitimprurëse
Industria mbështetëse automotive është nga të paktat që po tërheq investime gjatë viteve të fundit.
Sektori mori hov pasi shtetet e Europës Lindore, si p.sh. Çekia, kaluan në një fazë më të lartë teknologjie, duke bërë që proceset më të thjeshta të zhvendoseshin në vende që kanë ende kosto të lira të fuqisë punëtore.
Por dhe këto kompani nuk po japin një kthim të qëndrueshëm, teksa po ndikohen negativisht nga rënia e Euros. Kompanitë kanë pezulluar dhe planet optimiste që kishin kur hynë në Shqipëri për hapje të fabrikave të tjera e shtim të personelit.
“Yura Corporation Albania” sh.p.k., më e madhja në këtë segment, ka shënuar rënie të të ardhurave, për herë të parë që pas nisjes së aktivitetit.
Në vitin 2024, kompania deklaroi një qarkullim vjetor prej 5.7 miliardë lekësh, me tkurrje 3.7% me bazë vjetore.
Pasi doli me fitim në vitin 2022, me gati 500 milionë lekë, shoqëria ka deklaruar humbje për dy vitet e mëpasshme, me përkatësisht 218 dhe 216 milionë lekë.
Këto humbje e kanë detyruar atë të rrisë kapitalin në mënyrë që të vazhdojë aktivitetin, si dhe të kërkojë mbështetje nga shoqëritë e vendeve të tjera.
“Në mënyrë që Shoqëria të plotësonte nevojat e saj për likuiditet dhe të vazhdonte pa ndërprerë operacionet, më 5 dhjetor 2024, ortaku i vetëm i shoqërisë vendosi për rritjen e kapitalit të nënshkruar të shoqërisë në shumën 4,500,000 euro (në shumën ekuivalente në lekë 442,485,000).
Përveç kësaj, ‘Yura Sllovakia’ është zotuar, përmes një letre mbështetëse të datës 21 janar 2025, të mbështesë Shoqërinë për të përmbushur detyrimet e saj për të ardhmen e parashikueshme”, thuhet në raportin vjetor.
Pas këtyre ndërhyrjeve, shoqëria vlerëson që “bazuar në pozicionin e likuiditetit të Shoqërisë, në datën e autorizimit të këtyre pasqyrave financiare, dhe në pasigurinë që rrethon zhvillimin e ardhshëm të shpërthimit, menaxhmenti vlerëson se ajo nuk do të ketë nevojë për financim shtesë për të përmbushur detyrimet e saj financiare”.
“SEWS Cabind Albania”, pjesë e grupit “SEWS Cabind S.p.A”, me seli qendrore në Collegno, Torino, Itali, që hyri në Shqipëri në vitin 2019, ka pasur rezultat financiar pozitiv.
Të ardhurat e shoqërisë ishin 4.1 miliardë lekë, me rënie prej gati 1% me bazë vjetore. Fitimi ishte 210 milionë lekë, me tkurrje prej 25% nga viti i mëparshëm.
Shoqëria pohon se ka operuar me kapacitet prodhimi prej 53% dhe ka ruajtur një nivel të qëndrueshëm shitjesh kundrejt klientëve të saj kryesorë”. Numri i punonjësve ka rënë në 1224, nga 1303 në fund të vitit 2023.
Shoqëria ka ndërtuar disa fabrika prodhimi dhe ka vazhduar me procesin e instalimit të makinerive për linjat e reja të prodhimit.
Eksportuesit e fasonit, në krizë të thellë
Për të tretin vit me radhë, industria e këpucëve dhe produkteve të lëkurës, ku përqendrohen disa nga sipërmarrjet më të mëdha që punojnë me material porositësi, po përballet me dy sfida të mëdha.
Së pari, dobësimi i ndjeshëm i Euros ka ulur ndjeshëm të ardhurat në Lek për eksportuesit. Së dyti, mungesa e fuqisë punëtore po bëhet gjithnjë e më e theksuar, duke bërë që shumë kompani të mos arrijnë të përmbushin kërkesën e porositësve të huaj.
Këtyre vështirësive u janë shtuar edhe kostot në rritje, të ndikuara kryesisht nga rritja e pagës minimale, e cila në prill 2023 arriti në 40 mijë lekë dhe pritet të shkojë në 50 mijë lekë nga viti 2026.
Edhe më parë, ndërmarrjet kishin filluar të rrisnin gradualisht pagat, për të frenuar largimin e punonjësve drejt emigracionit.
Por kjo rritje e kostove po e ul ndjeshëm konkurrueshmërinë, duke bërë që porositësit e huaj, kryesisht nga Italia, të zhvendosin prodhimin drejt vendeve me kosto më të ulëta, si Maroku apo shtetet e Lindjes së Mesme.
Edhe ndryshimet klimatike po ushtrojnë një tjetër presion të heshtur mbi tregun: ngrohja e motit në Europë dhe në rajonet kryesore importuese po ndikon drejtpërdrejt në rënien e kërkesës sezonale për këpucë.
Dimrat gjithnjë e më të shkurtër dhe më të butë kanë ulur porositë për modelet e këpucëve dimërore, çizmeve dhe produkteve të rënda të lëkurës, që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të prodhimit në fabrikat shqiptare.
Kjo tendencë ka bërë që shumë furnitorë të huaj të ulin sasinë e porosive, të ndryshojnë ciklet e prodhimit ose të kërkojnë modele më të lehta dhe më të përshtatshme për mot të ngrohtë gjatë gjithë vitit.
“Albaco Shoes” mbetet fabrika më e madhe e prodhimit të këpucëve.
Të ardhurat e shoqërisë ranë me rreth 27% në vitin 2024, duke zbritur në 1.6 miliardë lekë. Për herë të parë, kompania deklaroi humbje prej 78 milionë lekësh në vitin 2024, nga fitimet minimale të vitit të mëparshëm.
Sipas raportit të aktivitetit, shoqëria “Albaco Shoes”, gjatë vitit 2024 ka pasur një ecuri jonormale të aktivitetit të saj. Kompania rendit dhe arsyet e rënies.
Faturimet kanë pësuar ulje me rreth 26.35% në krahasim me vitin 2023, kjo për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, rënies së kërkesës dhe kursit të këmbimit. Kostot e prodhimit kanë shënuar rritje me rreth 16.4% në krahasim me vitin 2023.
Numri i të punësuarve është ulur rreth 6% në krahasim me vitin 2023. Çmimet e faturimit në Euro janë rritur, por rënia e kursit të këmbimit ka sjellë ndikim të madh negativ.
Në vitin 2023, kompania kishte 1554 punonjës, ndërsa pas reduktimit të tyre me rreth 6%, shoqëria kishte rreth 1460 të punësuar në vitin 2024.
“Fital”, një nga operatorët më të mëdhenj të prodhimit të këpucëve në vend, ka shënuar rënie të ndjeshme të të ardhurave me 40%, në 826 milionë lekë, duke qenë shumë poshtë vitit më të mirë në 2019-n, kur qarkullimi vjetor arriti në rreth 2.4 miliardë lekë.
Dy vitet e fundit, kompania ka deklaruar humbje përkatësisht 138 dhe 52 milionë lekë. Kompania ka shkurtuar vazhdimisht punonjës, nga 911 në vitin 2022, numri i tyre ka zbritur në 647 në vitin 2024.
Paga mesatare mujore për të punësuar është rritur vazhdimisht, nga 42.2 mijë lekë në vitin 2022, në 49.6 mijë lekë në vitin 2024.
“Efekte negative në treguesit e vitit 2024 ka dhënë kursi i këmbimit të Euros, i cili në fillim të vitit 2024 ka qenë 103.88 lekë/euro, ndërsa në fund të vitit 2024 ka qenë 98.15 lekë/euro, si dhe rënia e eksporteve në krahasim me vitin 2023”, thuhet në raportin e aktivitetit.
Në vitin 2024, eksportet e veshjeve të këmbëve ranë me 8.2% në sasi dhe 19.4% në vlerë, të ndikuara nga vijimi i nënçmimit të Euros, shtimi i kostove nga pagat e larta, ndryshimi i kërkesës globale për këpucë për shkak të motit të ngrohtë dhe zhvendosjes së prodhimit të sipërmarrjeve europiane drejt vendeve me kosto më të lira të punës, si India e shtete të tjera të Azisë./ Monitor.









