Tag: india

  • SHBA dhe India nënshkruajnë marrëveshje 10-vjeçare për bashkëpunim në mbrojtje

    SHBA dhe India nënshkruajnë marrëveshje 10-vjeçare për bashkëpunim në mbrojtje

    India dhe SHBA-të kanë nënshkruar një marrëveshje kornizë për të zgjeruar bashkëpunimin në mbrojtje gjatë 10 viteve të ardhshme.
    Pakti u njoftua pas një takimi midis Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së, Pete Hegseth, dhe homologut të tij indian, Rajnath Singh, në Kuala Lumpur.
    Marrëveshja do të përmirësojë “koordinimin, ndarjen e informacionit dhe bashkëpunimin teknologjik” dhe do të përparojë “stabilitetin dhe parandalimin rajonal”.

    Bëhet e ditur se ky vendim vjen ndërsa të dy vendet po përpiqen të mbyllin një marrëveshje tregtare dhe të qetësojnë marrëdhëniet e tensionuara pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump vendosi tarifa prej 50% ndaj Indisë , duke përfshirë një gjobë prej 25% për blerjen e naftës dhe armëve ruse.
    Marrëveshja pritet të ofrojë drejtim politik për të gjithë spektrin e marrëdhënieve mbrojtëse Indi-SHBA.
    “Paralajmëron një dekadë të re partneriteti. Mbrojtja do të mbetet një shtyllë kryesore e marrëdhënieve tona dypalëshe. Partneriteti ynë është kritik për të siguruar një rajon Indo-Paqësor të lirë, të hapur dhe të bazuar në rregulla”, tha Singh.
    Ndryshe, pakti është i fundit në një seri marrëveshjesh midis dy vendeve që e kanë bërë “më të lehtë për dy ushtritë të arrijnë ndërveprimin, Indinë të ketë akses në teknologji dhe dy sektorët e mbrojtjes të punojnë së bashku”.
    India dhe SHBA-të kanë rritur vazhdimisht lidhjet e tyre mbrojtëse kohët e fundit. Mbrojtja ishte një temë kryesore diskutimi midis kryeministrit indian Narendra Modi dhe Trumpit gjatë vizitës së të parit në SHBA në shkurt të këtij viti, me Trumpin që tha se SHBA-të do të rrisnin shitjet e pajisjeve ushtarake në Indi me miliarda dollarë, duke i hapur rrugën furnizimit të Delhit me aeroplanë luftarakë të fshehtë F-35.
    Por që atëherë, varësia e Delhit nga nafta ruse me çmime të ulëta, si dhe marrëdhënia e saj e gjatë me Moskën, kanë qenë një pikë e rëndësishme acarimi për administratën Trump.

  • Eksperti rus Yushkov: Sanksionet amerikane nuk do të ndalin eksportet ruse të naftës, India dhe Kina nuk do të ndalojnë blerjet

    Eksperti rus Yushkov: Sanksionet amerikane nuk do të ndalin eksportet ruse të naftës, India dhe Kina nuk do të ndalojnë blerjet

    Rusia ka zhvilluar tashmë një “përvojë të thellë” në shmangien e sanksioneve ndërkombëtare dhe është e gatshme të zbatojë strategji të reja për të anashkaluar kufizimet e reja amerikane mbi eksportet e saj të naftës.

    Ky është qëndrimi i Igor Yushkov, profesor në Universitetin Financiar pranë qeverisë ruse dhe analist kryesor në Fondin Kombëtar për Sigurinë Energjetike. Yushkov konsiderohet një nga figurat më premtuese të brezit të ri të elitës financiare ruse dhe përfaqëson ata që presidenti Vladimir Putin po promovon për të rigjeneruar klasën drejtuese të vendit.
    “Nuk është hera e parë që kompanitë tona goditen nga sanksionet. Gazpromneft dhe Surgutneftegaz kanë qenë nën kufizime, por vazhdojnë të funksionojnë dhe madje të eksportojnë. E njëjta gjë do të ndodhë me Rosneft dhe Lukoil; do të paguajnë një çmim, por do të vazhdojnë të punojnë si në tregun vendas, ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, tha Yushkov.
    Sipas tij, këto kompani do të përdorin rrjete të gjata ndërmjetësish për të siguruar që konsumatorët përfundimtarë të mos frikësohen nga sanksionet.
    “Kjo do të rrisë shpenzimet për transport, qira të anijeve cisternë dhe sigurime, por nuk do të ketë ndikim të madh në buxhetin federal,” shton ai.
    Yushkov pranon se mund të ketë një ulje deri në 40% të të ardhurave nga dividentët që shteti përfiton përmes Rosneft dhe Lukoil, por e konsideron këtë “të menaxhueshme”.
    “Do të kemi më pak fitime, por nuk është fundi i botës për financat tona. Rusia është mësuar të funksionojë nën sanksione,” thekson ai.
    Për analistin rus, tregjet kryesore të energjisë për Moskën mbeten Kina, India dhe Turqia, që së bashku përbëjnë rreth 85% të eksporteve të naftës ruse. Ai nuk beson se presioni amerikan do t’i bindë këto shtete të ndryshojnë qëndrim.
    “Pse India dhe Kina duhet ta bëjnë këtë?”, pyet Yushkov. “Nëse e ndalojnë naftën tonë, çmimet globale do të rriten dhe do të dëmtojnë ekonomitë e tyre. Shtetet e Bashkuara nuk kanë asgjë konkrete për t’u ofruar në këmbim. Rreziqet janë shumë më të mëdha se çdo përfitim”, shtoi ai.
    Në lidhje me deklaratat e presidentit Donald Trump, i cili ka paralajmëruar se brenda gjashtë muajve sanksionet do të ndikojnë ndjeshëm në ekonominë ruse, Yushkov shprehet skeptik.
    “Nuk mendoj se Trump e kupton plotësisht situatën. Afati i gjashtë muajve është më shumë një mënyrë për t’u mbrojtur nga akuzat për butësi ndaj Putinit.”
    Sipas Yushkov, edhe nëse India dhe Kina do të reduktonin blerjet, Rusia nuk do të ndryshonte qëndrimin e saj politik. “Edhe nëse ndalet çdo eksport, nuk do të thotë se do të dorëzojmë Krimenë apo do të ndryshojmë politikën e jashtme. Nuk ka garanci që kjo do të ndodhë,” thotë ai.
    Analisti shton se Rusia nuk ka frikë nga reagimi i tregjeve. “Në fillim mund të ketë një lëvizje emocionale dhe rritje të çmimeve për shkak të frikës nga mungesa e furnizimit, por situata do të stabilizohet,” shpjegon ai.
    Në përfundim, Yushkov akuzon Shtetet e Bashkuara për shfrytëzimin e luftës në Ukrainë për përfitime ekonomike.
    “Amerikanët po përfitojnë nga lufta, shesin më shumë armë dhe presidenti i tyre shet rolin e ndërmjetësit çdo herë që kërkon më shumë përfitime. Nuk ka arsye pse të heqë dorë nga kjo situatë,” tha ai për Corriere della Sera.

    Top Channel

  • Pavarësisht lidhjeve me naftën ruse, SHBA dhe Britania vazhdojnë blerjet e naftës së rafinuar nga India

    Pavarësisht lidhjeve me naftën ruse, SHBA dhe Britania vazhdojnë blerjet e naftës së rafinuar nga India

    Edhe pse SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë ndaluar importet e drejtpërdrejta të naftës ruse, ato vazhdojnë të blejnë produkte të rafinuara nga India, e cila përpunon naftë bruto të importuar nga Rusia në sasi të mëdha.

    Produkte si nafta dhe karburanti për avionë po eksportohen nga rafineritë indiane drejt tregjeve perëndimore, duke i shmangur sanksionet përmes një praktike të diskutueshme, pas përpunimit, origjina e naftës konsiderohet “e ndryshuar”, duke e bërë të ligjshëm eksportin në vendet që kanë ndaluar naftën ruse.
    Presidenti Donald Trump ka shtuar presionin diplomatik mbi Indinë për t’i dhënë fund importit të naftës ruse.
    Megjithatë, Ministri i Jashtëm i Indisë, S. Jaishankar, reagoi ashpër, duke thënë:
    “Nëse keni problem me blerjen e naftës ose produkteve të rafinuara nga India, mos e blini. Askush nuk ju detyron ta blini.”
    Të dhënat nga Vortexa dhe Kpler tregojnë se, eksportet indiane në SHBA ranë në shtator, por u rritën përsëri në tetor.
    Britania e Madhe nuk ka importuar ende produkte të rafinuara nga India gjatë tetorit, sipas shifrave paraprake që mund të ndryshojnë.

    Top Channel

  • Indi/ Autobusi përfshihet nga flakët, të paktën 20 të vdekur

    Indi/ Autobusi përfshihet nga flakët, të paktën 20 të vdekur

    Të paktën 20 persona humbën jetën kur një autobus që transportonte më shumë se 50 pasagjerë u përfshi nga flakët në shtetin perëndimor indian të Rajasthanit të martën, thanë mediat dhe autoritetet.

    Autobusi po udhëtonte midis qyteteve Jaisalmer dhe Jodhpur dhe u përfshi nga flakët. “Nëntëmbëdhjetë pasagjerë vdiqën brenda autobusit dhe një tjetër vdiq nga djegiet e tij në një rrugë në Jodhpur”, tha për AFP Rajesh Meena, një oficer policie.
    Sipas agjencisë së lajmeve Press Trust of India, e cila raportoi të njëjtën histori, autobusi u ndal në anë të rrugës sepse nga pjesa e pasme dilte tym, përpara se të përfshihej nga flakët brenda një kohe shumë të shkurtër.

    Tragedy in Jaisalmer 💔 Bus carrying 57 passengers catches fire en route to Jodhpur — 19 killed in horrific accident 🚨 #BreakingNews #India #Jaisalmer #Rajasthan #BusAccident #Tragedy #Fire #DisasterUpdate #Rescue #LatestNews #NewsAlert #UttarakhandNewsXpress pic.twitter.com/MMWB1qGfiH
    — उत्तराखंड न्यूज़ एक्सप्रेस/Uttarakhand News Xpress (@UkExpressnews) October 14, 2025

    Jaisalmer, Rajasthan: Chief Minister Bhajan Lal Sharma inspects the bus fire accident site
    (Video Source: CMO) pic.twitter.com/3U0WyOApVh
    — IANS (@ians_india) October 14, 2025

    Kryeministri indian Narendra Modi tha nëpërmjet Twitter-it se ishte “i tronditur nga humbja e jetëve njerëzore” dhe premtoi kompensim deri në 200,000 rupi (rreth 1,940 euro) për familjet e të ndjerëve.

    Distressed by the loss of lives due to a mishap in Jaisalmer, Rajasthan. My thoughts are with the affected people and their families during this difficult time. Praying for the speedy recovery of the injured.
    An ex-gratia of Rs. 2 lakh from PMNRF would be given to the next of…
    — PMO India (@PMOIndia) October 14, 2025

    Në Indi, vendin më të populluar në planet, situata e sigurisë rrugore përshkruhet si katastrofike.
    Në vitin 2023, sipas të dhënave zyrtare më të fundit në dispozicion, në rrugët indiane u regjistruan më shumë se 480,000 aksidente rrugore, me pothuajse 173,000 vdekje dhe rreth 463,000 të plagosur.

    Top Channel

  • India dhe Kanadaja “miqësohen” pas dy vitesh tensione diplomatike, nisin bisedimet për bashkëpunim

    India dhe Kanadaja “miqësohen” pas dy vitesh tensione diplomatike, nisin bisedimet për bashkëpunim

    India dhe Kanadaja kanë rënë dakord për të ndërmarrë hapa konkrete drejt normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe, pas një periudhe tensioni të ashpër të shkaktuar nga vrasja e një zyrtari në tokën kanadeze në vitin 2023.

    Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Anita Anand, zhvilloi vizitën e saj të parë zyrtare në Indi, ku u takua me homologun e saj S. Jaishankar dhe kryeministrin Narendra Modi. Ky i fundit theksoi se vizita do të shërbejë për t’i dhënë një impuls të ri partneritetit mes dy vendeve.
    Kriza diplomatike shpërtheu vitin e kaluar kur kryeministri i atëhershëm kanadez, Justin Trudeau, akuzoi publikisht Indinë për përfshirje në vrasjen e Hardeep Singh Nijjar, akuza që India i mohoi kategorikisht. Si pasojë, të dy vendet pezulluan shërbimet e vizave dhe dëbuan diplomatët përkatës.
    Pas takimeve në Delhi, të dyja palët njoftuan një sërë masash për përmirësimin e marrëdhënieve, përfshirë rifillimin e diskutimeve në nivel ministror mbi tregtinë dhe investimet, si dhe rikthimin e Forumit të Drejtorëve Ekzekutivë Kanada-Indi, që synon rritjen e bashkëpunimit ekonomik.
    Në deklaratën e përbashkët u theksua se ringjallja e partneritetit dypalësh do të krijojë mundësi të reja ekonomike dhe do të ndihmojë në përballimin e sfidave që rrjedhin nga ndryshimet në skenën globale.
    Zbutja e marrëdhënieve ka nisur të ndihet këtë vit pas marrjes së detyrës së kryeministrit nga Mark Carney. Në qershor, Carney dhe Modi zhvilluan një takim në kuadër të samitit të G7 në Kanada, ndërsa në muajt pasues, të dy vendet emëruan ambasadorë të rinj.
    Anand dhe Jaishankar u takuan gjithashtu në shtator gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku u vunë themelet për bashkëpunim të mëtejshëm.
    “Shohim në Kanada një ekonomi plotësuese, një shoqëri të hapur dhe një partner të rëndësishëm në rajonin Indo-Paqësor”, tha ministri indian Jaishankar, duke theksuar se ka hapësirë për një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
    Anand, nga ana e saj, shprehu përkushtimin e Kanadasë për forcimin e lidhjeve me Indinë, sidomos në kuadër të strategjisë së re kanadeze për Indo-Paqësorin.
    Gjatë vizitës së saj, Anand do të takohet edhe me Ministrin Indian të Tregtisë, Piyush Goyal, për të diskutuar forcimin e lidhjeve tregtare. Më pas, ajo do të udhëtojë në Mumbai për të zhvilluar takime me udhëheqës të biznesit rreth mundësive ekonomike dhe investimeve në rajon.
    Vizita do të vazhdojë me ndalesa në Kinë dhe Singapor, si pjesë e strategjisë më të gjerë të Kanadasë për thellimin e angazhimit në rajonin Indo-Paqësor.

    Top Channel

  • (VIDEO) Tensionet për tregtinë dhe naftën/ India portretizon Trump si demon në festivalin hindu! Artistët: Mënyra jonë për të folur..

    (VIDEO) Tensionet për tregtinë dhe naftën/ India portretizon Trump si demon në festivalin hindu! Artistët: Mënyra jonë për të folur..

    Në një shfaqje simbolike gjatë festivalit hindu të Durga Puja në shtetin indian të Bengalit Perëndimor, një kompozimi artistik e portretizoi presidentin amerikan Donald Trump si demonin Mahishasura, armikun mitologjik të perëndeshës Durga. 
    Vepra e zbuluar në qytetin Murshidabad, tërhoqi mijëra vizitorë dhe ndezi një debat të gjerë në media dhe rrjete sociale. Organizatorët thonë se kjo përfaqëson një reagim të drejtpërdrejtë ndaj tensioneve në rritje midis Indisë dhe SHBA-së, të shkaktuara nga politikat e fundit të administratës Trump. 
    Marrëdhëniet midis dy vendeve, dikur të afërta dhe të thelluara përmes ngjarjeve të mëdha publike si “Howdy Modi” dhe “Namaste Trump”, janë përkeqësuar ndjeshëm me rikthimin e Trump në politikë. 
    Udhëheqësi amerikan ka ndërmarrë hapa të ashpër kundër Indisë, përfshirë vendosjen e tarifave të larta mbi produktet indiane, kritikimin e ekonomisë indiane si “e vdekur” dhe vendosjen e një tarife prej 100 mijë dollarësh për aplikimet për vizat H-1B, të cilat prekin drejtpërdrejt profesionistët indianë që kërkojnë të punojnë në SHBA. 
    Ndërkohë, përplasjet mbi blerjet e naftës ruse nga ana e Indisë kanë shtuar më tej tensionin diplomatik. Administrata Trump e quajti luftën në Ukrainë si “luftën e Modit”, duke kërkuar nga India të shkëpusë lidhjet me Rusinë, një qëndrim që qeveria indiane e ka konsideruar të pabazuar dhe të padrejtë, duke theksuar hipokrizinë e vendeve perëndimore që vazhdojnë të tregtojnë me Moskën. 
    Pikërisht këto tensione gjetën shprehje në formën e artit publik në Bengalin Perëndimor, ku Durga Puja nuk është vetëm një festë fetare, por edhe një platformë për koment politik dhe shoqëror. Në këtë kontekst, Trump u shndërrua në figurën e demonit që përfaqëson të keqen bashkëkohore, të cilën perëndesha Durga, simbol i drejtësisë dhe fuqisë hyjnore, e mposht. 
    Për tre muaj me radhë, artistët dhe organizatorët punuan në fshehtësi për realizimin e skulpturës, duke ruajtur detajet e identitetit të “demonit” deri në momentin e fundit. Kur statuja u zbulua, pamja e saj, me flokët e verdhë karakteristikë dhe pamjen e dallueshme të Trump, shkaktoi reagime të forta publike dhe një interes masiv nga vizitorët. 
    Artisti Sanjay Basak, pjesë e komitetit organizues, tha se ky realizim është një reflektim i kulturës së protestës dhe komentit politik që ka rrënjë të thella në historinë e Bengalit. Nga lëvizjet antikoloniale deri te kritikat moderne përmes artit publik, Durga Puja është shndërruar në një arenë të gjallë të mendimit kritik. 
    “Tani që Trump po vendos tarifa mbi tarifa, kjo është çështja e ditës,” tha ai. “Kjo është mënyra jonë për të folur.” 
    Statuja e Donald Trump-it si Mahishasura nuk është e para që përdor simbolikën mitologjike për të komentuar mbi politikën ndërkombëtare, figura si Osama bin Laden dhe Xi Jinping janë përshkruar në role të ngjashme në të kaluarën. Por ky rast nënvizon më thellë çarjen aktuale në marrëdhëniet SHBA-Indi dhe tregon se si arti dhe feja në Indi vazhdojnë të ndërthuren për të reflektuar realitetet bashkëkohore dhe ndjenjat popullore. 
     
     
     
     
     
     

  • India dhe Kina rikthejnë fluturimet direkte pas gati pesë vitesh ndërprerje

    India dhe Kina rikthejnë fluturimet direkte pas gati pesë vitesh ndërprerje

    India dhe Kina do të rifillojnë fluturimet direkte mes dy vendeve gjatë këtij muaji, duke shënuar kështu një hap tjetër drejt normalizimit gradual të marrëdhënieve dypalëshe.

    Fluturimet direkte midis dy vendeve janë pezulluar që nga viti 2020, pas përplasjes së dhunshme mes trupave ushtarake në kufirin e përbashkët në Himalaje, ku humbën jetën të paktën 20 ushtarë indianë dhe katër kinezë. Kjo ishte përballja e parë me viktima që nga viti 1975 dhe solli ngrirjen e marrëdhënieve dypalëshe.

    Megjithatë, gjatë vitit të fundit, Delhi dhe Pekini kanë ndërmarrë hapa për të zbutur tensionet dhe për të rindërtuar marrëdhëniet, përfshirë edhe arritjen e disa marrëveshjeve për menaxhimin e kufirit të diskutueshëm.

    Të enjten, kompania ajrore më e madhe me kosto të ulët në Indi, IndiGo, bëri të ditur se do të rinisë fluturimet direkte midis qyteteve Kolkata dhe Guangzhou duke filluar nga data 26 tetor. Ministria e Jashtme e Indisë deklaroi se rifillimi i fluturimeve do të ndihmojë në nxitjen e kontakteve ndërnjerëzore dhe do të kontribuojë në “normalizimin gradual të shkëmbimeve dypalëshe”.

    India dhe Kina ndajnë një vijë kufitare të paqartë, me gjatësi mbi 3 mijë e 440 kilometra, përgjatë së cilës të dyja vendet pretendojnë territore të mbivendosura.

    Zyrtarë të nivelit të lartë nga të dyja palët kanë zhvilluar disa raunde bisedimesh për të ulur tensionet. Në tetor të vitit të kaluar, India dhe Kina ranë dakord për mënyrat e patrullimit përgjatë kufirit të kontestuar në Himalaje.

    Këtë vit, Kina ka lejuar pelegrinët indianë të vizitojnë disa vende me rëndësi fetare në atë që e quan Rajoni Autonom i Tibetit, ndërkohë që India ka rifilluar shërbimet e vizave për turistët kinezë dhe ka pranuar të rifillojë bisedimet për hapjen e tregtisë kufitare përmes kalimeve të caktuara.

    Përkeqësimi i marrëdhënieve mes Indisë dhe SHBA-së për shkak të tarifave të larta të vendosura nga ish-presidenti Donald Trump, ka shtuar gjithashtu motivimin për përmirësimin e marrëdhënieve midis Delhit dhe Pekinit.

    Në gusht, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi vizitoi Delhin, ku theksoi se Kina dhe India duhet të shohin njëra-tjetrën si “partnere”, jo si “kundërshtare”. Po atë muaj, ambasadori kinez në Indi, Xu Feihong, e quajti SHBA-në “një ngacmuese” për vendosjen e tarifave të larta ndaj Indisë dhe vendeve të tjera.

    Gjithashtu në gusht, kryeministri indian Narendra Modi vizitoi Kinën për herë të parë pas shtatë vitesh, në kuadër të Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO). Gjatë samitit, ai u takua me presidentin kinez Xi Jinping dhe të dy liderët riafirmuan angazhimin për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

  • Tarifa 100 mijë dollarë për vizat e punës: pse SHBA-të mund të humbasin më shumë se India

    Tarifa 100 mijë dollarë për vizat e punës: pse SHBA-të mund të humbasin më shumë se India

    Vendimi i Presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur një tarifë deri në 100 mijë dollarë për vizat e punës, H-1B, një rritje deri në 50 herë nga niveli aktual, ka shkaktuar tronditje të madhe në SHBA dhe Indi. Edhe pse Shtëpia e Bardhë u përpoq të zbusë reagimet duke sqaruar se tarifa vlen vetëm për aplikantët e rinj dhe është një pagesë njëherëshe, pasojat afatgjata për tregun e punës, ekonominë dhe marrëdhëniet dypalëshe janë të pashmangshme.
    Një goditje për programin që ndërtoi ura mes Indisë dhe SHBA-së
    Prej më shumë se tre dekadash, programi H-1B ka qenë themeli i shkëmbimit të talenteve mes dy vendeve. Për Indinë, kjo vizë ishte rruga e artë për miliona programues, inxhinierë dhe mjekë që nga qytete të vogla u shndërruan në profesionistë globalë, duke sjellë pasuri për familjet e tyre dhe zhvillim për sektorë të tërë ekonomikë. Për SHBA-të, ajo ishte burim jetik i trurit, laboratorët, universitetet, spitalet dhe startup-et janë mbushur me talente indiane që kanë dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm.
    Sot, drejtues të kompanive gjigante si Google, Microsoft dhe IBM janë me origjinë indiane, ndërsa mjekët indianë përbëjnë rreth 6% të forcës së përgjithshme mjekësore amerikane.
    Kush prek më shumë tarifa 100 mijë dollarëshe?
    Meqë tarifa do të aplikohet vetëm për aplikantët e rinj, goditja nuk është e menjëhershme, por ka pasoja të thella afatmesme dhe afatgjata. Indianët janë shumica absolute e përfituesve të H-1B, mbi 70% të totalit, ndërsa kinezët janë të dytët me vetëm 12%. Në fushat e teknologjisë, prania e tyre është edhe më e dukshme: mbi 80% e punësimit në pozicione kompjuterike shkonte për qytetarë indianë edhe një dekadë më parë, dhe kjo prirje mbetet e pandryshuar.
    Por ironia është se pasojat më të mëdha nuk do t’i ndiejë India, por vetë SHBA-të. Arsyeja është e thjeshtë: shumë kompani indiane si TCS dhe Infosys janë përgatitur prej kohësh duke ndërtuar staf vendas në SHBA ose duke zhvendosur shërbimet offshore.
    Në të kundërt, spitalet amerikane, universitetet që varen nga studentët ndërkombëtarë dhe startup-et që nuk kanë fuqinë lobuese të Amazon apo Google, do të përballen me mungesa serioze. Në mjekësi, vetëm në vitin 2023 u dhanë mbi 8,200 viza H-1B për spitalet, duke plotësuar boshllëqet në sektorin e kujdesit shëndetësor.
    Pasoja ekonomike dhe shoqërore në SHBA
    Vendimi i Trump ka potencial të ndryshojë rrënjësisht tregun e punës në Amerikë.
    Teknologjia– kompanitë do të detyrohen të zhvendosin projekte jashtë vendit dhe të mbështeten te punëtorët në distancë, duke reduktuar rolet onshore.
    Mjekësia – mungesa e mjekëve të huaj, ku indianët kanë rol kyç, do të përkeqësojë krizën e kujdesit shëndetësor.
    Universitetet – India është burimi më i madh i studentëve ndërkombëtarë në SHBA (1 në 4 studentë). Rritja e kostos së vizave do t’i shtyjë ata të zgjedhin vende të tjera, duke dëmtuar të ardhurat e universiteteve dhe prestigjin e tyre.
    Startup-et dhe inovacioni – ndërmarrjet e vogla që nuk kanë mundësi për përjashtime do të përballen me vështirësi në rekrutimin e talenteve, duke dobësuar avantazhin konkurrues të SHBA-ve.
    Sipas të dhënave, mbajtësit e vizave H-1B kontribuojnë rreth 86 miliardë dollarë çdo vit në ekonominë amerikane, përfshirë 24 miliardë në taksat federale dhe 11 miliardë në taksat lokale. Ky është një kontribut që vështirë se mund të zëvendësohet lehtë.
    India – humbje afatshkurtër, por jo fatale
    India, natyrisht, do të ndiejë tronditjen. Sektori i saj IT, që vlen 283 miliardë dollarë, mbështetet tek tregu amerikan për më shumë se gjysmën e të ardhurave. Megjithatë, përvoja e kompanive indiane për të zhvendosur shërbime offshore dhe për të krijuar staf vendas në SHBA, i jep industrisë indiane një fleksibilitet që e mbron nga një kolaps i menjëhershëm.
    Në fakt, disa analistë parashikojnë se talentet indiane thjesht do të drejtohen drejt Europës, Kanadasë, Australisë apo Lindjes së Mesme, duke rritur konkurrencën e këtyre ekonomive me SHBA-të. Pra, India humb një kanal të fuqishëm drejt ëndrrës amerikane, por fiton alternativa të reja globale.
    Një “test stresi” për ekonominë amerikane
    Edhe pse vendimi i Trump mund të shfaqet si një tarifë mbi punëtorët e huaj, në fakt është më shumë një test stresi për vetë kompanitë dhe ekonominë amerikane. Për disa gjigantë të teknologjisë mund të ketë përjashtime ligjore, por startup-et, spitalet dhe universitetet nuk kanë këtë luks.
    Siç thekson analisti Gil Guerra, “kërkesa për punonjës të rinj në teknologji dhe mjekësi në SHBA do të rritet, dhe mungesa e tyre edhe për disa vite mund të ketë pasoja serioze për ekonominë dhe mirëqenien kombëtare.”
    Vendimi i papritur për të vendosur një tarifë 100 mijë dollarëshe për vizat H-1B është një politikë simbolike e Trump për të treguar mbrojtjen e punëtorëve amerikanë. Por realiteti është i kundërt: SHBA-të rrezikojnë më shumë se India. Ndërsa India ka tregje të tjera për të kanalizuar talentet e saj, SHBA-të mund të humbasin kapitalin më të vlefshëm, talentin njerëzor, që për dekada ka qenë themeli i inovacionit, ekonomisë dhe liderizmit global amerikan.

  • Rrëzimi i avionit me 260 të vdekur në Indi, familjarët e viktimave ngrenë padi kundër kompanive Boeing dhe Honeywell

    Rrëzimi i avionit me 260 të vdekur në Indi, familjarët e viktimave ngrenë padi kundër kompanive Boeing dhe Honeywell

    Familjet e katër pasagjerëve që vdiqën në rrëzimin e avionit të Air India në Ahmedabad të Indisë, qershorin e kaluar, kanë ngritur një padi në Shtetet e Bashkuara kundër prodhuesit të avionëve Boeing dhe prodhuesit të pjesëve të avionëve Honeywell, duke i akuzuar kompanitë për neglizhencë që çoi në tragjedi.

    Fluturimi 171 i Air India, një Boeing 787 me destinacion Londrën Gatwick, u rrëzua menjëherë pas ngritjes, duke vrarë 260 persona (229 pasagjerë, 12 anëtarë të ekuipazhit të kabinës dhe 19 persona në tokë).

    Padia, e paraqitur të martën dhe e parë nga BBC , thotë se shkaku i rrëzimit ishin ndërprerësit e karburantit me defekt dhe akuzon kompanitë se “nuk kanë bërë asgjë” pavarësisht se janë në dijeni të rreziqeve të natyrshme në projektimin e avionit.

    Ndërprerësit e karburantit janë bërë fokus i hetimit pasi një hetim paraprak zbuloi se furnizimi me karburant i motorëve u ndërpre disa sekonda pasi avioni u ngrit.

    Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka thënë më parë se çelësat e kontrollit të karburantit në avionët Boeing janë të sigurt.

    Padia pretendon se të dyja kompanitë e dinin për rrezikun e rrëzimit ndërsa zhvillonin dhe tregtonin 787 Dreamliner dhe pjesët e tij.
    Ajo citon një rekomandim të FAA-s të vitit 2018 që i nxiti (por nuk i kërkoi) pilotët të inspektonin mekanizmin e kyçjes në çelësat e karburantit për t’u siguruar që ato nuk mund të lëviznin aksidentalisht, duke ndërprerë furnizimin me karburant.

    Në rastin e fluturimit 171 të Air India, çelësi u zhvendos nga pozicioni “i punës” në pozicionin “ndërprerje”, duke i penguar motorët e aeroplanit të prodhonin shtytje, sipas një raporti paraprak hetimor nga autoritetet indiane.

    Familjet pretendojnë se kjo përbënte një “defekt” në dizajn që “lejoi ndërprerjen e paqëllimshme të furnizimit me karburant dhe humbjen e plotë të shtytjes së nevojshme për shtytje” të aeroplanit.

    Honeywell dhe Boeing “nuk bënë asgjë për të parandaluar katastrofën e pashmangshme”, thonë ata .

    Një raport i detajuar mbi rrëzimin pritet diku në vitin 2026.