Tag: ikona

  • ”Ikona e plagosur”, romani më i ri nga Mira Meksi

    ”Ikona e plagosur”, romani më i ri nga Mira Meksi

    Showbiz E Premte, 26 Shtator 2025 19:32
    Ikona bizantine e Donika Kastriotit ka pesë shekuj që mban në trupin e saj një të fshehtë shumë të rëndësishme për familjen Kastrioti, për vetë Arbërine dhe historinë e saj.
    Në vitin 1997, dy historianë medievistë shqiptarë ndërmarrin një ekspeditë të jashtëzakonshme në gjurmët e ikonës-në Napoli, në Valencia dhe në malin Athos. Aventura halucinante e shoqërojnë këtë ekspeditë, ashtu si edhe pengesa nga më të padegjuarat.

    Historia ndërthuret me mite, legjenda, dashuri qindravjeçare, dashuri të pamundura dhe të penguara. Historia kalon nëpër portat e hapësirës dhe kohës, përvidhet në Manastirin e Trinisë së Shenjtë të Valencias, në Manastirin e Hilandarit të Athosit dhe trupëzohet me një trill magjik romanor për të zhbiruar të gjitha fijet e misterit të Ikonës së Kastriotëve. ”Ikona e plagosur” është një roman i rrallë në krijmtarinë e suksesshme të Mira Meksit.

  • Charles Bronson – Ikona e filmit

    Charles Bronson – Ikona e filmit

    Më 30 gusht 2003, bota e kinemasë humbi një nga figurat e saj më të veçanta, aktorin legjendar Charles Bronson. I njohur për rolet e tij të forta, të heshtura dhe plot karakter, ai u bë simbol i heroit që lufton padrejtësinë me vendosmëri dhe guxim.

    Karriera e tij shtrihet në mbi pesë dekada, duke sjellë filma që mbeten klasikë, si “Once Upon a Time in the West”, “The Magnificent Seven”, “The Great White Escape” dhe seria “Death Wish”, ku personazhet e tij shfaqeshin të pathyeshëm dhe plot drejtësi të ashpër, transmeton KultPlus.

    Përtej rolit të aktorit, Bronson mbeti një figurë që mishëronte forcën dhe karakterin e vërtetë amerikan, duke u bërë frymëzim për breza të tërë. Në përvjetorin e vdekjes, kujtohet jo vetëm ylli i madh i kinemasë, por edhe njeriu që ktheu heshtjen në forcë dhe rolin e thjeshtë në art të pavdekshëm./KultPlus.com

  • Ikona Shën Mëria në restaurim për të shmangur degradimin e saj, vepra e gjetur në kishën e Shën Gjergjit në Libofshë

    Ikona Shën Mëria në restaurim për të shmangur degradimin e saj, vepra e gjetur në kishën e Shën Gjergjit në Libofshë

    Nga Julia Vrapi
    Ikona Shën Mëria e realizuar nga vëllezërit Çetiri është duke iu nënshtruar procesit të restaurimit për të shmangur degradimin e saj. E gjetur në kishën e Shën Gjergjit në fshatin Libofshë të Fierit, ikona Shën Mëria e realizuar nga vëllezërit Çetiri është edhe pjesë e fondit të ikonave në laboratorin e restaurimit të veprave të artit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat. “Kjo ikonë aktualisht është duke iu nënshtruar procesit të restaurimit, duke nxjerr në dritë një tjetër thesar të trashëgimisë kulturore”, thuhet nga kjo drejtori e trashëgimisë, që sjell herë pas here në vëmendje punën që bëhet me restaurimin e ikonave të ndryshme që janë pjesë e fondit.
    Më herët DRTK Berat shprehej se ndërhyrja restauruese në ikonë konsiston në: Konsolidimi i grundit dhe pelikulit, dezinfektimi i ikonës, pastrimi vernikut të degraduar dhe vendosja e vernikut për mbrojtjen e pikturës.  Vëllezërit Çetiri ishin një grup piktorësh ikonash dhe afreskësh të cilët për rreth 100 vjet (1762-1853) pikturuan kisha, etj. Bëhet me dije se vepra e tyre, nga pikëpamja sasiore është e madhe dhe përmbledh ikona kishtare, dekorime tempujsh dhe ikonostase druri të pikturuara.  Mjeshtrat Çetiri realizuan pikturimin e shumë kishave dhe ikonostaseve në Berat dhe Myzeqe, ashtu si dhe në vendlindjen e tyre Grabovë.
    Restaurimet e ikonave
    Në laboratorin e restaurimit të veprave të artit pranë Drejtorisë Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat janë restauruar vepra, që janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore, ku këtë herë sillet në vëmendje puna me ikonën Shën Mëria realizuar nga vëllezërit Çetiri. Ndër të tjera për restaurim përmendim dhe më parë ikonën “Shën Gjergji” me prejardhje nga kisha “Lindja e Shën Mërisë”, Vokopolë, autori anonim dhe ikona “Shën Gjergji dhe Shën Mitri” me prejardhje nga kisha “Profet Ilia” Berat, autori anonim. Këto ikona pjesë e fondit të DRTK-Berat, ku më herët bëhej me dije se ndërhyrjet konservuese dhe restaurimi do të bëjë të mundur nxjerrjen në dritë të këtyre veprave të artit nga faza e degradimit, duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësinë të një procesi që ka për vizion ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
    DRTK Berat është institucion rajonal i specializuar në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe ushtron veprimtarinë e saj në fushën e trashëgimisë kulturore, me seli në Berat. DRTK Berat ka për mision ruajtjen, mbrojtjen, mirëmbajtjen, konservimin dhe restaurimin e monumenteve të kulturës si edhe promovimi i vlerave të Trashëgimisë Kulturore materiale dhe jomateriale në territorin administrativ nën juridiksionin e saj. DRTK Berat monitoron dhe administron qendrën historike Berat, si pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Specialistët e drejtorisë hartojnë projekte konservimi, restaurimi, vlerësimi, projekte të tjera në fushën e trashëgimisë kulturore dhe bashkërendon punën për zbatimin e tyre në nivel rajonal e vendor.

  • Certifikata e vdekjes thotë se ikona e heavy metalit, Osbourne vdiq nga një atak në zemër

    Certifikata e vdekjes thotë se ikona e heavy metalit, Osbourne vdiq nga një atak në zemër

    Ozzy Osbourne, ikona e heavy metal-it dhe i vetëshpalluri Princ i Errësirës, vdiq nga një atak në zemër, sipas një certifikate vdekjeje të publikuar nga New York Times.

    Certifikata konfirmon se Osbourne vdiq nga “a) Arrest kardiak jashtë spitalit (b) Infarkt akut miokardi (c) Sëmundje e arteries koronare dhe sëmundje e Parkinsonit me mosfunksionim autonom (Shkaqe të kyçeve)”.

    Osbourne ishte diagnostikuar me sëmundjen e Parkinsonit në vitin 2003. Ai vdiq në shtëpi i rrethuar nga familja e tij më 22 korrik në moshën 76 vjeç, vetëm disa javë pas koncertit të tij të lamtumirës në Birmingham.

    Mijëra tifozë mbushën rrugët e Birminghamit për t’i bërë homazhe Osbourne, ndërsa kortezhi i tij funeral kaloi nëpër qytet më 30 korrik. 

  • 6400 ikona shqiptare udhëtojnë drejt Francës, do ekspozohen në muzeun në Chambery

    6400 ikona shqiptare udhëtojnë drejt Francës, do ekspozohen në muzeun në Chambery

    Një ekspozitë unike do të zhvillohet në Muzeun e Arteve të Bukura në Chambéry, në Francë, ku mbi 45 vepra ikonografike të përzgjedhura nga koleksioni i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, do të prezantohen për publikun francez dhe ndërkombëtar.

    Me një fond prej mbi 8200 objektesh muzeale, prej të cilave 6400 janë ikona, MKAM është muzeu me koleksionin më të madh të ikonave në botë, një thesar i rrallë i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe ndërkombëtare.

    Lajmin e ka konfirmuar edhe vetë ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

    “Ky projekt është pjesë e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Francës dhe do të përfshihet gjithashtu në Komitetin Shkencor francez, duke thelluar shkëmbimin mes institucioneve muzeale të të dy vendeve”, shprehet ministri.

    Ai e cilëson gjithashtu edhe si një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të artit shqiptar, që afirmon Korçën si një qendër kyçe të artit mesjetar në Europën Juglindore.

    Ekspozita do të jetë e hapur për publikun, nga maji deri në tetor 2026, në qytetin historik të Chambéry, për t’u zhvendosur më pas në një tjetër qytet francez deri në mars 2027./euronews.al/ KultPlus.com

  • Venus Williams e përjetshme: Ikona e tenisit rikthehet në fushë dhe fiton në moshën 45-vjeçare

    Venus Williams e përjetshme: Ikona e tenisit rikthehet në fushë dhe fiton në moshën 45-vjeçare

    Venus Williams u rikthye të luajë një ndeshje tenisi pas një pauze 16-mujore, gjatë së cilës iu nënshtrua një operacioni në miter. Ajo u rikthye me me një fitore në dyshe në turneun WTA Open në Uashington.
    Amerikania 45-vjeçare kishte si partnere bashkatdhetaren Hailey Baptiste. Në këtë ndeshje ato mposhtën kanadezen Eugenie Bouchard dhe amerikanen Clervie Ngounoue me rezultatin 2-0 (6-3, 6-1) në raundin e dytë.
    “Është ndoshta edhe më e vështirë të luash këtë ndeshje menjëherë pas kthimit sepse nuk jam lojtare e lojës dyshe“, tha Venus Williams, fituese gjashtë herë e grand slam dhe ish-numri 1 në botë në tenisin e femrave.
    “Kam rifituar besimin me topin dhe është thjesht mirë të jem në gjendje të luaj. Vetëm mendoni se një vit më parë po përgatitesha për operacion dhe tani po përgatitem për ndeshjen“, tha Venus Williams.
    “Dua vetëm të jem e shëndetshme. Mund të luash të gjitha ndeshjet në botë, mund të bësh të gjitha gjërat në botë, por kur shëndeti yt zhduket ose kur mundësitë të hiqen, perspektiva jote ndryshon plotësisht“, tha ikona e tenisit.
    “As nuk po mendoja për tenisin kur bëra operacionin. Tenisi është një sport, është jeta jonë, fjalë për fjalë obsesioni ynë. Në fakt, është një kult mendoj. Kjo ma bëri më të lehtë vendimin për t’u kthyer këtu dhe ndoshta të luaja edhe më lirshëm“, tha Williams.

  • Artisti ukrainas që pikturon ikona në kutitë e municioneve për të rritur moralin e ushtarëve

    Artisti ukrainas që pikturon ikona në kutitë e municioneve për të rritur moralin e ushtarëve

    Në vend të një pushke, Lev Skop, një artist dhe historian arti 71-vjeçar nga Ukraina, ka zgjedhur furçën si armën e tij për të mbështetur ushtrinë. Ai shndërron kutitë e përdorura të municioneve në ikona fetare, të cilat ua dhuron rregullisht ushtarëve në vijën e parë të frontit.

    Skop, i cili është gjithashtu ikonograf, pikturon imazhe të shenjtorëve dhe të Virgjëreshës Mari në dërrasa druri të marra nga arkat e armatimeve. Edhe pse shumë i moshuar për të shërbyer vetë në ushtri, ai udhëton çdo muaj drejt zonave të luftimeve për t’u dorëzuar ushtarëve këto vepra arti të mbushura me simbolikë shpirtërore.

    Shumë prej ikonave janë të vogla dhe të lehta për t’u mbajtur — disa futen në stola apo vendosen nën jelekë antiplumb. Vetë Skop nuk ka mbajtur ndonjëherë një listë të saktë, por miqtë e tij besojnë se ai ka dhuruar mbi 6,000 ikona që nga fillimi i konfliktit në vitin 2014.

    Vepra e tij merr një domethënie të veçantë ndërsa Ukraina shënon Ditën e Shtetësisë më 15 korrik, duke nënvizuar mënyrat e shumta se si qytetarët po kontribuojnë në mbrojtjen dhe frymën e vendit./ Euronews – Syri.Net

  • Restaurohet ikona “Joan Pagëzori”, vepër e realizuar në vitin 1860

    Restaurohet ikona “Joan Pagëzori”, vepër e realizuar në vitin 1860

    Ikona “Joan Pagëzori”, që kishte pësuar dëmtime të mëdha është restauruar. Ikona iu nënshtrua procesit të restaurimit në laboratorin e Restaurimit dhe Konservimit. Kjo bëhet me dije nga Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, që shprehet dhe për të veçantat e kësaj vepre që i takon vitit 1860.
    “Një tjetër thesar ikonografik i shpëtuar! Pas një pune disa mujore, kryer në laboratorin e Restaurimit dhe Konservimit, përfundoi ndërhyrja restauruese në ikonën “Joan Pagëzori” vepër e realizuar në vitin 1860. E veçanta e kësaj ikone është paraqitja në miniature e skenës së lindjes të Joan Pagëzorit. Vepra kishte pësuar dëmtime të mëdha në të gjitha komponentët e saj”, thuhet nga Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, që ka ndarë në faqen e tij në rrjete sociale edhe foto të ikonës që është vepër e vitit 1860.
    Laboratori i Restaurimit dhe Konservimit pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë është një pjesë përbërëse shumë e rëndësishme e tij. Sipas një programi të hartuar çdo fillim viti, në Laboratorin e Restaurimit dhe Konservimit të këtij muzeu restaurohen çdo vit ikona. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë u hap në vitin 1980, për të qenë më pas në një godine tjetër në vitin 2016. Ky muze që ndodhet në Korçë është dhe një qendrat muzeore më të rëndësishme, i cili ngjall kureshtjen e vizitorëve të ndryshëm, por në mjediset e tij nuk mungojnë dhe ekspozita që hapen herë pas here. Muzeu përmes një materiali më herët solli në vëmendje se sot ai ruan dhe konservon numrin më të lartë në botë të veprave ikonografike.

  • Thesaret e ikonografisë në Korçë, zbulohet për herë të parë ikona e Shën Mërisë së Mborjes

    Thesaret e ikonografisë në Korçë, zbulohet për herë të parë ikona e Shën Mërisë së Mborjes

    Për herë të parë, publiku ka mundësi të shohë ikonën e Shën Marisë, në Korçë, një nga veprat më të rralla të artit ikonografik shqiptar, që i përket kishës së Mborjes, një kishë që nuk ekziston më, por që ruan pasuri të jashtëzakonshme.

    Restauratori i njohur Genti Proko thotë se kjo ikonë është realizuar në fund të shekullit XIV dhe fillim të shekullit XV dhe ka një veçanti të rrallë: është e pikturuar nga të dy anët. Në njërën anë paraqitet Shën Maria ndërsa në anën tjetër, skena e Kryqëzimit.
    “Kjo ikonë përfaqëson një punim të rrallë për nga teknika, koha dhe përmbajtja. Dyfaqësia e saj tregon për përdorim liturgjik të veçantë dhe na lidh me një etapë të hershme të ikonografisë sonë”, tha restautori Genti Proko.

    Ndërkohë, një tjetër ikonë e rëndësishme, ajo e “Joanit Pagëzorit”, ka përfunduar restaurimin pas disa muajsh pune intensive në laboratorin e Konservimit dhe Restaurimit, pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.
    “Ikona kishte pësuar dëmtime serioze në të gjitha komponentët e saj, por tashmë ajo është restauruar dhe e gatshme për t’u ekspozuar. Është një pasuri që meriton të shihet nga publiku”, tha Marjana Lara, drejtore e muzeut.
    Muzeu i Artit Mesjetar, në një qasje të re ndaj publikut, shfaq herë pas here ikona të paekspozuara më parë, si për turistët vendas, ashtu edhe për ata të huaj./vizionplus.tv