Tag: identitetit

  • Rama: Shqiptarët do të mund të pajisen me identitetin e vet digjital duke filluar nga viti 2026

    Rama: Shqiptarët do të mund të pajisen me identitetin e vet digjital duke filluar nga viti 2026

    Në sezonin e 5-të podkastit “Flasim” në rubrikën “Shënimet e javës”, Rama tha se kur koncesioni i kahershëm i kartave të identitetit përfundoi, shteti mori përsipër një sfidë shumë të madhe jo një tjetër koncesion, por krijimin e një kompanie shtetërore për të krijuar kartat më të lira dhe më të mira se të mëparshme.

    “U krijua kompania “Identitek” që e përballoi këtë sfidë plotësisht dhe ndërkohë është angazhuar për sfidën re të identitetit digjital, pra të kalimit të kartës së identitetit në celular apo kompjuter dhe funksionimin e saj si një portofol digjital shumëfunksional dhe shumë komod drejtpërdrejt nga telefoni”, nënvizoi Rama.

    Kreu i qeverisë u shpreh se “edhe BE po ecën në këtë drejtim dhe ka vendosur që në vitin 2027 të jetë afati i futjes së identitetit digjital në jetën e përditshme të Europës dhe në aktivitetin e përditshëm të gjithë qytetarëve të BE-së”.

  • Rama prezanton dy projektet digjitale: Shqipëria drejt kapërcimit epokal…

    Rama prezanton dy projektet digjitale: Shqipëria drejt kapërcimit epokal…

    Në episodin më të fundit të podkastit “Flasim”, gjatë rubrikës “Shënimet e Javës”, kryeministri Edi Rama foli për hapat e radhës në drejtim të digjitalizimit të shërbimeve publike në vend.
    Ai nënvizoi se Shqipëria po përgatitet për një kapërcim të rëndësishëm teknologjik, ku karta e identitetit do të mund të përdoret në formë digjitale, përmes celularit apo kompjuterit, duke u shndërruar në një portofol elektronik shumëfunksional.
    Gjithashtu, Rama prezantoi edhe projektin për portën biometrike në aeroportin “Nënë Tereza”, e cila do të lejojë udhëtarët të hyjnë në vend pa ndalesa dhe pa kontroll tradicional të pasaportës, vetëm përmes verifikimit të pamjes dhe të dhënave të tyre të lidhura elektronikisht.
    Rama bëri të ditur se kompania shtetërore Identitek, e krijuar pas përfundimit të koncesionit të mëparshëm për prodhimin e kartave të identitetit, ka përmbushur me sukses sfidën e parë, prodhimin e dokumenteve të identitetit më cilësore dhe më të lira.
    Sipas tija, kompania tashmë, është angazhuar në një fazë të re – kalimin e kartës së identitetit në pajisje digjitale.
    “Kompania Identitek tashmë është angazhuar për sfidën e re të identitetit digjital, pra kalimin e kartës së identitetit në celular apo kompjuter dhe funksionimin e saj si një portofol digjital shumëfunksional,” – tha Rama.
    Ai shtoi se ky projekt është në përputhje me objektivat e Bashkimit Europian, i cili ka vendosur vitin 2027 si afatin për futjen e identitetit digjital në jetën e përditshme të qytetarëve europianë. Ndërkohë, Shqipëria synon ta ketë gati këtë sistem në fillim të vitit 2026.
    Një tjetër risi që u prezantua në podkast është futja e kontrollit digjital në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës. Rama njoftoi se po përgatitet një sistem inovativ që do të lejojë hyrjen në vend pa ndalesa dhe pa kontroll tradicional të pasaportës.
    “Një tjetër inovacion i bukur që po përgatisim është hyrja në Shqipëri nga aeroporti ‘Nënë Tereza’ pa asnjë ndalesë dhe pa kontroll pasaporte, por përmes një porte digjitale, të cilës i mjafton pamja jote për të verifikuar identitetin tënd, duke e lidhur atë elektronikisht me biletën dhe me të dhënat e tua,” – u shpreh Kryeministri.
    Sipas tij, aeroporti i Tiranës, tashmë i njohur për kontrollin digjital të pasaportave, do të bëhet i pari në Europë që implementon portën digjitale të hyrjes.
    Rama e cilësoi këtë zhvillim si një hap të madh për vendin, duke theksuar se teknologjia digjitale po i jep mundësi vendeve në zhvillim të realizojnë kapërcime epokale.
    “Kjo falë bekimit të teknologjisë digjitale, e cila u jep mundësi vendeve në zhvillim të bëjnë kapërcime epokale që, përndryshe, do të ishin të pamundura,” – përfundoi ai.

  • Denoncimi i pazakontë në Shkodër, qytetari: Një person ka nxjerrë ID me të dhënat e mia…

    Denoncimi i pazakontë në Shkodër, qytetari: Një person ka nxjerrë ID me të dhënat e mia…

    Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër është paraqitur shtetasi P. Gj., 57 vjeç, banues në Shkodër, i cili ka bërë një kallëzim në lidhje me një rast të dyshuar të falsifikimit të dokumenteve të identitetit.

    Sipas kallëzimit të bërë nga 57-vjeçari, në vitin 2011, një shtetas i panjohur ka aplikuar dhe është pajisur në mënyrë të paligjshme me dokumente identifikimi, duke përdorur të dhënat e tij personale.

    Sipas tij, ky veprim është kryer pa dijeninë dhe pa miratimin e tij, çka përbën vepër penale.

    Policia e Shkodrës ka nisur menjëherë hetimet për rastin dhe po punon për identifikimin e autorit të dyshuar si dhe për të zbardhur rrethanat në të cilat është realizuar ky falsifikim.

    Gjithashtu, po verifikohen të gjitha dokumentet përkatëse dhe gjurmët e mbetura në sistemet përkatëse të aplikimit për dokumente të identitetit.

  • “Pse Konica shkroi me pseudonime”- “Testamenti” i Jeronim De Radës për arbëreshët dhe “kushti” i tij për të vizituar Shqipërinë

    “Pse Konica shkroi me pseudonime”- “Testamenti” i Jeronim De Radës për arbëreshët dhe “kushti” i tij për të vizituar Shqipërinë

    Nga NDRIÇIM KULLA

    “Nisje dhe themel për çdo dituri është gjuha, e cila, në të njëjtën kohë, mban të gjallë edhe kombësinë e shtrenjtë të popujve. Shtetet shkatërrohen e zhduken; trojet e lashta të disa fiseve zihen nga fise të tjera që vijnë më vonë.

    E vetmja që e shquan dhe e bën të njihet një popull kudo ku mund ta kenë hedhur dallgët e jetës është gjuha”. Kështu shkruan De Rada në një nga veprat e tij më të arrira “Parime të Estetikës”, ku ai bart idetë dhe shqetësimet e tij më autentike, iluzionet dhe thellimet më teoriko-estetike e filozofike.

     “Çdo gjuhë mund të quhet edhe shpirti i ndjeshëm i popullit që e flet. Vetëm gjuha njerëzore pasqyron plotësisht gjendjen e brendshme të shpirtit, sepse fjalët, pa humbur kuptimin e përcaktuar, shprehin fizionominë e thellësinë e shpirtit”.

    Me këto fjalë, De Rada shkruan jo vetëm testamentin e tij estetik duke iu drejtuar arbëreshëve, por duke pasur parasysh edhe lexuesin italian dhe evropian, me sytë e kthyer gjithnjë drejt atdheut të vet të humbur, përtej Adriatikut. Tërë kozmopolitizmin dhe mediteranizmin antik do ta derdhë në librin “Parime të Estetikës”, vepër që është mbështetur në përvojat më të qëndrueshme dhe më të njohura të estetikës, artit dhe letërsisë botërore.

    Vlerë të veçantë, të dorës së parë, kjo vepër me karakter teoriko-estetik ka edhe për funksionin dhe misionin e theksuar pragmatik, të kërkojë zgjidhje të çështjeve themelore nga jeta e arbëreshëve, veçmas në drejtim të identitetit, të gjuhës dhe lashtësisë, të dëshmojë përkatësinë arbëreshe brenda familjes së madhe evropiane, afërsinë e saj me kulturën dhe lashtësinë antike europiane.

    Në këtë libër, që është i fushës teorike shkencore, fryma testamentare jepet drejtpërdrejtë dhe përjashton çdo shteg për hamendësim. Nuk ka dyshim se Jeronim de Rada në këtë vepër, bashkëvendësve dhe bashkëkombësve u përcjell porosi të përhershme, pra të përjetshme, të tillë çfarë është edhe vepra e tij, porosi për origjinën, për rrënjët e etnisë dhe të kaluarën e lavdishme, për atdheun e të parëve, për gjuhën, gjuhën sidomos që ka bartur dhe ruajtur shpirtin arbëresh gjatë shekujve, veçmas përmes poemës për Skënderbeun.

    Dhe, siç thotë vetë Jeronim de Rada, të gjitha ato që e përbëjnë, që janë qenia, etnia, t’i kenë të shenjta. Kapitulli i tretë i kësaj vepre, e pjesërisht edhe ai i fundit, si shtyllë parësore kanë këtë mision. Ajo që duhet veçuar nga ky kapitull është analiza që i bën De Rada ndjenjës së patriotizmit, si një ndër veçoritë madhore të njeriut që e çmon edhe si manifest të bukurisë, të përsosmërisë. Porosia që rrezaton nga kjo pjesë e estetikës është objektivi dhe ëndrra që shtrihet në krejt rrugën krijuese dhe jetësore të de Radës. I shqetësuar që të mos e lërë në harresë te bashkëkombësit e vet origjinën dhe rrënjët e të parëve, për ta bërë të përjetshme, për ta ngritur në këtë lartësi ideale ndërgjegjen kombëtare në botën shqiptare arbëreshe.

    Rrezatimi i këtij misioni përmes teksteve që ai shkruan ndryshon vetëm gjuhën dhe diskursin. Te parimet estetike, porosia vjen si një komunikim saktësisht i qartë përmes tekstit diskursiv, të cilin de Rada e shkarkon nga kornizat e rrepta të parimeve, të kodeve. Prandaj shumë kapituj dhe nënkapituj, por edhe pasuse të kësaj vepre, herë thuren me gjuhën e esesë, herë me ligjërimin bisedimor të llojit “unë mendoj se të bukurit” ose “unë jam i bindur se dashuria për atdheun”, ose “unë them se e madhërishmja etj”, me çfarë Jeronim de Rada dëshmon se dijen nga kjo sferë e ka përvojë, e ka formim jetësor, e ka bindje të brendshme, e ka perceptim të vetin jetësor dhe kulturor.

    Diskursi personalizues përballë disa parimeve estetike, përballë disa kategorive si e madhërishmja, e bukura, dashuria, heroikja apo trimëria, rrezaton një shpirt dhe mendje të madhe kreative, që le gjurmë të vetën kudo vë dorë. Parimet e estetikës nuk është tekst që vjen vetëm nga një ekspert, nga një specialist i një fushe për shërbime praktike shkollore, por vjen nga një dije, nga një perspektivë krijuese që merr dhe jep njëkohësisht.

    Nga kjo lartësi e mendimtarit dhe misionarit, Rada do të vërë në lidhje dashurinë, të madhërishmen, bukurinë, si kategori të dijes së estetikës dhe filozofisë, me dashurinë për atdheun, për motin e madh, për gjuhën në hapësirën shqiptare arbëreshe, dashuri që do të rrezatojë dhe shtrihet mbi tërë hapësirën shqiptare të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Dhe, në këtë mënyrë “ai i ngre kategoritë atdhe e gjuhë në dhunti njerëzore dhe në parime të shenjtë”.

    Në kapituj të tërë të kësaj pjese të estetikës duket sikur kategoritë e kësaj fushe si e bukura, e madhërishmja, trimëria, heroizmi, mirësia janë dhurata qiellore, thuajse të shenjta për autorin, që është paracaktuar t’i identifikojë me dashurinë arbëreshe për origjinën, e sidomos me rrënjët antike të shqiptarëve; t’i identifikojë me dashurinë e ngritur në adhurim shenjtëror për atdheun e të parëve, e veçmas me gjuhën dhe historinë, me figurën e Skënderbeut dhe bëmat heroike të tij, t’i identifikojë ato kategori estetike me ciklin epik, monument madhor i gjeniut shqiptar arbëresh, i ruajtur në kujtesën arbëreshe katër shekuj me radhë, t’i barazojë ato me tërë atë që është shpirti dhe urtia arbëreshe: fillimi e themeli i çdo diturie është gjuha që popujve u mban gjallë kombësinë e tyre të shtrenjtë.

    Jeronim de Rada beson që gjuha shqipe, pra, gjuha e bashkëkombësve të vet, është në sërën e gjuhëve më të zhvilluara të Europës, mbase superiore edhe përballë asaj italiane, greke, e mbase edhe asaj latine: për rrënjët e veta antike, thotë De Rada, por edhe për thjeshtësinë e saj me të cilën është e zonja të shprehë nuancat më bujare. Entuziazmi dhe bindja për këtë mundësi të veçantë shprehjeje vinte edhe nga besimi i De Radës se rrënjët antike të shqipes datojnë që nga pellazgo-ilirët dhe De Rada njësoj si edhe Skënderbeu i paracaktuar në fushën e betejave për çlirimin e atdheut, edhe ai qe i ardhur për ta vazhduar luftën e madhe pas humbjes së madhe që beson se e tillë e madhe ajo është humbje edhe për Europën. Dhe krejt çfarë thuhet në veprën “Parime të estetikës”, në të vërtetë është një thirrje për njohjen, për ruajtjen dhe për mostretjen e gjuhës shqipe dhe shpirtit shqiptar dhe arbëresh.

    Për ta përballur këtë tezë apo vizion testamentar me idetë e një tjetër korifeu të gjuhës shqipe, Faik Konicës, disa dekada më vonë, do të duhej të trajtonim edhe çështjen e shumë-debatuar të identitetit shqiptar. “Problemi i identitetit individual ose kolektiv është mjaft kompleks, delikat dhe shumë domethënës. Në botën e sotme nuk ekziston identitet kombëtar që nuk i është nënshtruar një kontinuiteti evolutiv. Identiteti i shqiptarëve nuk bën përjashtim në këtë proces dialektik.

    Duke marrë parasysh se bota e brendshme e njeriut reflektohet në mënyrë eksplicite edhe në kujtesën kolektive, se identiteti, në fund të fundit, mund të konsiderohet edhe si proces i vazhdueshëm në krijimin e konceptimit të ideve asociative, që në mentalitetin tonë i pranojnë vlerat e se kaluarës, ndaj, jo rastësisht, vjen e bëhet bashkë lidhja e identitetit të menduar nga ana e dy korifenjve të lartpërmendur të letrave shqipe”. Së pari, ata nuk e konsideronin përkatësinë etnike si një lloj fitore, kërkim të fitoreve, apo si rezultat i humbjes.

    Nëse ekziston ndonjë triumf në jetën e tyre, ai është triumfi i humbjes. Gjithë jetën e kalojnë nëpër paradokset e ekzilit absolut larg vendit të tyre, në kërkimin të rrugës së kthimit, secili prej tyre krijon fragmentet e identitetit letrar. Shumë përgjigje aktualizohen sot, kur ne shqiptarët akoma gjendemi para miteve të së shkuarës dhe aspiratave të botës së sotme të globalizimit dhe integrimeve, duke kërkuar shpëtimin në mitizime të reja, me animin nga Evropa ose nga Lindja.

    Jeronim de Rada dhe Faik Konica i kanë sistemuar dhe konceptuar përgjigjet e tyre që në shekujt XIX dhe XX. As De Rada, as Konica s’kanë qenë peng, të kufijve dhe territoreve shqiptare, por veprimtaria e tyre e imponon filozofinë e mërgimit. Edhe veprat dhe veprimet e tyre s’kanë qenë të ngarkuara prej horizontit të kufijve.

    Jeronim de Rada s’ka qenë kurrë në Shqipëri, kurse Faik Konica, prej 65 viteve të jetës, 60 i kaloi jashtë vendit të lindjes. Të dy e kultivojnë mitin e kthimit: Jeronim de Rada besonte se kthimi mund të ndodhte vetëm nëse mbrohej identiteti i arbëreshëve në tokën e huaj, si antitezë e heshtjes dhe diskontinuitetit të kulturës, gjuhës, letërsisë shqiptare të shekujve të humbur. Edhe Faik Konica, me instrumente gati të ngjashme me ato të De Radës, e kultivoi mitin e kthimit.

    Në kohën tonë aktualizohen tezat për karakterin evropian të identitetit të shqiptarëve, por sikur harrohet se procesi i evropianizimit nuk është gjë e re te shqiptarët, sepse ai i ka pasur për protagonistë autorë si Jeronim de Rada, Faik Konica dhe Rilindësit tjerë. Në këtë drejtim, njësoj si rilindësit tjerë: Dhimitër Kamarda, Pashko Vasa, Naim Frashëri, Sami Frashëri…, për të dëshmuar lashtësinë e popullit shqiptar dhe gjenezën evropiane të tij dhe të gjuhës shqipe, e shtjellojnë tezën e prejardhjes pellazge të shqiptarëve, të proklamuar nga arbëreshët qysh në shekullin XVII. De Rada dhe Konica do ta kultivojnë, secili në kohë dhe rrethana të caktuara, edhe mitin e kthimit të gjuhës shqipe. Për të dy kolosët, çështja e gjuhës, me të gjitha amplitudat e mundshme do të mbetet çështje obsesive, rreth së cilës do të shtjellohen angazhimet tjera letrare ose shkencore.

    Gjeneza e formimit të mitit të gjuhës shqipe, gjer atëherë të ndaluar nëpër shkolla, ishte e para që duhej ringjallur. Duke qenë të dy me kulturë të thellë evropiane, secili sipas kushteve dhe rrethanave të caktuara, do ta kenë të qartë se misioni i kthimit mund të realizohet. De Radës së pajisur me kulturë italiane i shkoi për dore të ofrojë një model të kodifikimit të arbërishtes, që mund të konsiderohej edhe si kodifikim i parë i shqipes.

    Këtë e arriti me veprat e tij monumentale “Këngët e Milosaos” dhe “Skanderbeu i pafanë”, në një kohë kur shqipja ishte larg mundësisë së kodifikimit, për shkak të kufizimeve të hegjemonisë osmanturke. Faik Konica që braktisi studimet në liceun Galatasaraj të Stambollit (edhe pse në gjuhën frënge), duke dashur të distancohet prej modeleve osmano-turke të mendimit, vazhdoi shkollimin dhe aktivitetet e veta në Francë. Poligraf dhe poliglot, si shumë Rilindës të tjerë, ai e filloi në Evropë, betejën e madhe të ideve për t’i njohur dhe kuptuar shqiptarët, për ta universalizuar kauzën e tyre.

    “Ky mision qe gati i pamundshëm për ato kohëra, njësoj si misioni i Jeronim de Radës, me të cilin ata e filluan dhe e mbaruan jetën e tyre. Alibi e këtij flijimi ishte një lloj estetizmi evropian, karakteristik për të dy rilindësit, secili pjesë e një dikotomie të mundshme në kërkim të identitetit të shqiptarëve pas ndarjeve historike, sidomos pas invazionit të Perandorisë osmane”.

    Së këndejmi, “mund të thuhet se veprat e tyre, letrare, shkencore e politike të Jeronim de Radës dhe Faik Konicës, janë në kërkim të identitetit kompleks të shqiptarëve, duke u nisur prej labirintit dhe enigmës gjuhësore. Ndryshe nga Faik Konica, De Rada ndjek rrugën dhe qëndrimin e vet ndaj estetizmit evropian. Dilemat e tij nuk janë si ato të dualitetit konician”. Faik Konica një pjesë të identitetit të vet burimor do t’ia sakrifikojë identitetit evropian, do ta fshehë identitetin e parë, jo vetëm me pseudonimet, me të cilët i nënshkruante veprat e tij të shkruara për lexuesit evropianë me pseudonimet Phyruss Bardhyli apo Trank Spiroberg…, por edhe me miqësitë kosmopolite, me frekuentimin në qarqet avangarde të Parisit dhe sidomos me miqësinë dhe bashkëpunimin shumëvjeçar me Gijom Apolinerin.

    Është gati rast pa precedent në historinë e letrave që një shkrimtar ta fshehë me aq mjeshtri identitetin e parë me identitetin e dytë, jo me qëllim të eliminimit, por për ta theksuar identitetin e parë. Ky është identiteti i gjuhës shqipe, fondamenti i identitetit të përgjithshëm shqiptar. Në fillim të shekullit të kaluar, kur në Evropë promovohej një lloj mondializmi, prej autoriteteve të linguistikës së asaj kohe nisi të promovohet nevoja për dominimin e një gjuhe artificiale, si: esperantoja, golapuku… Faik Konica, asokohe drejtor i revistës “Albania”, me mish e me shpirt, gati me penë te gjakosur, u inkuadrua në polemikë me autoritetet e mëdha të kohës dhe u pozicionua kundër zgjedhjes se esperantos, duke mbrojtur kësisoj gjuhët natyrore me histori mijëravjeçare, gjithnjë duke pasur në mendje shqipen, për fatin e së cilës luftonte edhe me Albanian e tij.

    Kësisoj, ai ia doli t’i bëjë për vete tezat e shkrimtarëve të njohur të asaj kohe: Remi de Gurmonit, Gijom Apolinerit dhe të disa kolosëve të tjerë. 20 vite pas polemikës melinguistët e njohur evropianë dhe pas botimit të esesë “Sprovë për gjuhët natyrore dhe gjuhët artificial”, Faik Konica, në gazetën Dielli (18 nëntor 1922), që botohej në Amerikë dhe të cilën e redaktonte vetë, “do ta zbulojë sekretin e rinisë militante, do ta çlirojë personalitetin prej pjesës evropiane, duke shkruar: “Shqipja është një gjuh’ e gjallë; s’munt ta përdorim si esperanton ose volapukun, duke e shtrembëruar me ukaze arbitrare… Një gjuhë është si një barishte: do shërbime delikate, që të mos thahet, po të rritet e të japë lule…”

    Është me interes të shënohet në një kontekst evropian, se edhe teza të cilën e mbron Konica gjatë polemikës në Esenë (me te cilën pajtohej edhe Apolineri, duke synuar t’ua japë goditjen e fundit dijetarëve të esperantos), është aktualizuar në kohën tonë në librin e Umberto Ekos, “Gjuhët e përkryera”. Eko vjen po në ato përfundime të Konicës, duke u dhënë përparësi gjuhëve natyrore. Edhe Jeronim de Rada edhe Faik Konica, pa pretendime që të shkruajnë vepra për lavdinë e tyre letrare, si rrallëkush në histori, i shërbejnë kauzës së njohjes, konfirmimit dhe kërkimit të rrënjëve të gjuhës, kulturës dhe letërsisë shqipe.

    Nisma, qëllimi kryesor dhe euro-albanizmi i tyre do të jetë gjuha shqipe, gjurmimi i gjenezës së saj, mbledhja e trashëgimisë folklorike, vendosja e alfabetit, norma kyçe e kodifikimit. Vizioni i De Radës dhe misioni i Konicës, edhe pse të shkruara në një hark kohor prej 41 vitesh, plotësojnë njëra-tjetrën me çështjet identitare, gjuhësore dhe letrare shqiptare. Ata duken se janë dy anë të një medalje, që përplotësojnë njëri-tjetrin, një medalje që sot duhet ta pastrojmë, lustrojmë e shkëlqejnë të gjithë ata që duan shpirtin e kombit, gjuhën e tij.

    SHENIM

    Pjesë e zgjedhur nga libri i ri i autorit “Historia e Shpirtit Shqiptar” të përgatitur për shtyp, i cili do jetë pjesë e trilogjisë së zgjedhur “Historia e Mendimit Shqiptar” botuar në 2019 nga “Plejad”, “Historia e Mentalitetit Juridik Shqiptar”, botuar në 2022 nga “Plejad” dhe “Historia e Shpirtit Shqiptar”, botuar në “Plejad”, që të tria së bashku plotësojnë një boshllëk shumë të madh në studimet dhe kulturën shqiptare.

  • Oazat shqiptare që ruajnë traditën dhe identitetin në zemër të Malit të Zi

    Oazat shqiptare që ruajnë traditën dhe identitetin në zemër të Malit të Zi

    Edhe pse prej shumë dekadash jashtë kufijve të Shqipërisë, fshatrat shqiptare Muriq, Besi dhe Krajë në Malin e Zi mbeten gurë themeli të ruajtjes së identitetit kombëtar. Banorët e tyre vazhdojnë të flasin shqip, të mbajnë gjallë traditat e lashta dhe të forcojnë lidhjen e thellë me origjinën e tyre.

    Edhe pse emigracioni dhe sfidat e jetës kanë shkaktuar zbrazje në këto treva, dashuria për vendlindjen dhe kujtesa kulturore janë të palëkundura. Pikniku tradicional i Muriqit është një moment i veçantë ku shqiptarë nga të gjitha anët e botës mblidhen pranë liqenit të Shkodrës për të ndarë këngë, valle, ushqime dhe momente kulturore që mbajnë gjallë shpirtin e kombit, përcjellë KultPlus.

    Në këtë tokë ku erërat e kohës mund të përpiqen të fshijnë gjurmët, fjalët shqipe dhe tingujt e valleve kanë rrënjët e tyre të thella si pemët e lashta, që mbajnë gjallë historinë dhe ëndrrat e brezave. Në një kohë kur asimilimi dhe largimi kërcënojnë të zhdukin trashëgiminë kulturore, këto ngjarje janë si dritat e zjarrta që ndezin flakën e identitetit, duke dëshmuar se gjuha dhe traditat shqiptare nuk shuhet, por jeton dhe përjetohet me krenari të thellë dhe pasion të pashuar./KultPlus.com

  • Pse e japim pa menduar numrin e kartës së identitetit, por kompleksohemi të themi sa para kemi borxh

    Pse e japim pa menduar numrin e kartës së identitetit, por kompleksohemi të themi sa para kemi borxh

    Ka një kontradiktë të çuditshme, mes shumë të tjerave, në përditshmërinë tonë: sa herë që na kërkohet numri i kartës së identitetit, e japim pa u menduar gjatë, në një formular online, te sporteli i ndonjë institucioni, apo edhe me mesazh në WhatsApp. Ndërkohë, kur vjen puna për shembull për të thënë sa para kemi borxh, apo çfarë kredie kemi në bankë – qofshin edhe 10 mijë lekë – kompleksohemi, shmangemi dhe ndryshojmë bisedë.

    Ky kontrast nuk është thjesht çështje morali personal. Është një tregues i fortë se ne nuk e kemi të qartë çfarë janë të dhënat personale dhe cilat prej tyre sjellin pasoja, sidomos në një botë që po bëhet gjithnjë e më digjitale dhe gjithnjë më e ndërlikuar për t’u mbrojtur.

    Kur informacioni personal bëhet objekt i mashtrimeve

    Shumë njerëz, një pjesë edhe ata që na rrethojnë, të njohur ose të panjohur e kanë “profesion” mashtrimin. Është kthyer madje në një profesion “me shumë fitim”. Mashtrimet kibernetike dhe vjedhja e të dhënave personale janë në rritje dhe kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Vitin e kaluar, dhjetëra raste të qytetarëve shqiptarë janë raportuar si viktima të skemave të mashtrimit përmes SMS-ve apo e-mail-eve që kërkonin të dhëna si numri i kartës së identitetit, të dhënat bankare apo informacioni personal, që më pas përdorej për të marrë kredi në emrin e tyre, për të hyrë në llogari bankare apo për të krijuar profile të rreme në platforma financiare.

    Ajo që shpesh ne nuk kuptojmë është se numri i kartës së identitetit dhe elementët e tjerë të saj nuk janë thjesht shifra, por një derë e hapur drejt profilit tonë ligjor, ekonomik dhe digjital. Dhe kur ajo derë është e pambrojtur, pasojat financiare dhe jo vetëm janë të parikuperueshme.

    Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Brendshme, sa i përket krimit kibernetik, gjatë vitit 2024 janë evidentuar gjithsej 1,210 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 732 ose 61% e tyre. Në raport me vitin e kaluar janë evidentuar 446 vepra penale më shumë në fushën e krimit kibernetik, ose 58% më shumë sesa në vitin 2023. Ndërkohë, sipas raportit të SPAK, mbi 6 milionë euro rezulton të jetë dëmi ekonomik nga mashtrimet kompjuterike në 2024, këtë herë të kryera jo nga individë, por nga grupe të strukturuara kriminale.

    Projektligji i ri për identitetin digjital si një mburojë mbrojtëse

    Në një përpjekje për të krijuar një kuadër më të sigurt për qytetarët, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) publikoi në qershor për konsultim publik një projektligj të ri për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital.

    Ky projektligj nuk është thjesht një rregullore teknike – është një bazë e re sigurie për qytetarët, që parashikon: Autentifikim të sigurt dhe të shumëfishtë për të hyrë në shërbimet publike apo private; Krijimin e një portofoli digjital të identitetit, ku çdo individ mund të ruajë dhe administrojë të dhënat e veta; Nënshkrim elektronik të dokumenteve, të vlefshëm ligjërisht dhe të mbrojtur nga ndërhyrje të jashtme; Standardizim të mënyrës se si institucionet kërkojnë, ruajnë dhe përdorin të dhënat personale.

    Qëllimi është i qartë: të kemi më shumë kontroll mbi të dhënat tona, dhe më pak mundësi për t’u bërë viktimë e mashtrimeve që shfrytëzojnë cënueshmërinë tonë digjitale.

    Çfarë ndodh në Evropë me të dhënat personale dhe digjitalizimin?

    Modele të ngjashme janë aplikuar shumë vite më parë në shtetet evropiane si Estonia, Gjermania dhe Franca, ku sistemet e identitetit elektronik janë të lidhura me protokolle të forta sigurie dhe ku ndërgjegjësimi publik është shumë herë më i lartë sesa në Shqipëri.

    Në Estoni, qytetarët identifikohen përmes një ID-je digjitale që përdoret për gjithçka, nga bankat te votimi elektronik – por asnjë institucion nuk mund të aksesojë informacionin pa pëlqimin aktiv të individit. Ndërkohë, në Gjermani, shkelja e privatësisë trajtohet si krim shtetëror dhe kompanitë janë të detyruara të raportojnë çdo incident. Edhe dënimet për shkelje të privatësisë, por edhe për mashtrimet kibernetike janë shumë më të rënda. 

    Ndërgjegjësimi dhe rritja e edukimit si parandalues të mashtrimeve  

    Propozimi i AKSK për një kuadër më të plotë ligjor, si edhe të përafruar me direktivat dhe praktikat evropiane, vjen në një moment kritik, kur qytetarët shqiptarë janë ende në fillimet e ndërveprimit të plotë me shtetin në mënyrë digjitale. Ky është moment vendimtar për të rritur barrierat e sigurisë kibernetike, për të frenuar valën e mashtrimeve që synojnë njerëzit më të pambrojtur, por edhe për të edukuar publikun mbi vlerën reale të të dhënave personale dhe mënyrat për t’u treguar të kujdesshëm dhe për të mbrojtur veten nga hakerat dhe mashtruesit digjitalë.

    Nëse dje ndanim pa u menduar gjatë numrin e kartës së identitetit për një formular të dyshimtë, nesër mund të kemi kontroll të plotë mbi të. Por vetëm nëse ndërgjegjësohemi sot dhe nëse ligji i nesërm zbatohet me integritet.

  • Kur nisi përdorimi i kartës së identitetit?

    Kur nisi përdorimi i kartës së identitetit?

    Shembulli i parë i një karte identiteti daton rreth fundit të mijëvjeçarit të dytë Para Krishtit. Konkretisht, ato ishin pllaka prej terrakote ku gdhendej me shkronja kuneiforme emri dhe të dhëna të tjera personale të personit në fjalë. U përdorën nga Asirianët, perandoria e të cilëve ishte e banuar nga grupe dhe popullata të shumta etnike. Një evolucion i kësaj forme dokumentacioni u shfaq vetëm shekuj më vonë, në Perandorinë Romake.

    Unë jam një qytetar romak

    Në atë kohë kishte 2 mënyra për të vërtetuar që dikush ishte një qytetar romak. E para përbëhej nga një vetë-certifikim gojor, bazuar në deklaratën “Civis Romanus Sum (Unë jam një qytetar romak). Megjithëse ishte e preferueshme që kushdo që e thoshte atë, të fliste mirë latinishten dhe të vishej sipas modës romake.

    E dyta përfshinte përdorimin e dokumenteve specifike “zyrtare”. Ato që i paraprinë lindjes së kartës së identitetit ishin diplomat, pra kartat prej bronzi të përdorura në ushtrinë romake. Me to vërtetohej shtetësia e ushtarëve të huaj të integruar në ushtrinë romake. Emrat e tyre regjistroheshin në pllaka më të mëdha, si prej bronxi ashtu edhe prej druri.

    Si ishin praktikat në Mesjetë

    Gjatë Mesjetës, risitë kryesore në fushën e certifikatave të identitetit, kishin të bënin me evoluimin e dokumenteve të ngjashme me pasaportat tona, paraardhësi kryesor i të cilëve ishte guidaticum (një dokument në formën e një letre, që mbante emrin e bartësit). Ishte një lloj licence garancie e lëshuar nga autoritetet në favor të atyre që donin të arrinin në qytete të caktuara dhe vende të huaja, kryesisht për arsye tregtare.

    Këto dokumente, të cilat qarkulluan duke nisur nga shekulli XIII e në vazhdim përmbanin emrin e bartësit dhe ndonjëherë edhe ndonjë përshkrim fizik. Por për dallim nga pasaportat e sotme, ato kishin një vlefshmëri të përkohshme, shumë të kufizuar në kohë dhe hapësirë.

    Çfarë ndodhi nga shekulli XIX e në vazhdim

    Pas shekujve të Mesjetës, për një pjesë të madhe të epokës moderne, shumëllojshmëria dhe shpërndarja e dokumenteve të identitetit mbeti e kufizuar. Qytetarëve të secilit vend iu kërkua të regjistronin emrat e tyre në regjistra të veçantë, por  pa një fletë të veçantë, apo një lëshim dokumenti vetjak.

    Gjërat ndryshuan gjatë shekullit XIX, duke nisur nga Franca Napoleonike, ku u hartuan dokumente specifike në lidhje me klasat e ndryshme të punëtorëve, dhe filluan të prodhohen lloje të ndryshme dokumentesh të identifikimit.

    Shembulli që na vjen nga Turqia, dhe që u ndoq më pas nga të tjerët

    Por formacioni i parë i madh shtetëror që prezantoi një kartë identiteti, e cila ishte e njëjtë për të gjithë qytetarët ishte Perandoria Osmane në vitin 1844, me urdhër të Sulltan Mahmudit II. U desh shumë kohë që shembulli turk të ndiqet nga vendet e tjera. Në vitin 1876 fotografi Uilliam Notman, me rastin e Ekspozitës Universale të Filadelfias në SHBA, prezantoi për herë të parë një sistem identifikimi për ekspozuesit dhe punonjësit qe përfshinte përveç të dhënave personale, edhe një fotografi.

    Me fillimin e shekullit XX, ky model do të miratohej nga qeveritë kombëtare në të gjithë botën, për të krijuar lloje të ndryshme dokumentesh të identitetit që njohim sot. Ndër të parët ishin britanikët, të cilët prezantuan pasaportën e parë të detyrueshme me fotografi që në vitin 1915. Edhe Italia prodhoi kartën e parë të identitetit në vitin 1931, për arsye të sigurisë publike./ Focus

    ObserverKult

    LEXO EDHE: Zbulohen varre mesjetare në Durrës

  • Hyri në e-Albania me të dhënat e të afërmes dhe mori kredi, nën hetim 32-vjeçarja

    Hyri në e-Albania me të dhënat e të afërmes dhe mori kredi, nën hetim 32-vjeçarja

    Një 32-vjeçare nga Tirana është marrë nën hetim nga Policia e Tiranës, pasi është denoncuar në polici nga një 25-vjeçare, e afërme e saj, për falsifikim dhe mashtrim bën të ditur gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj.
    D.C dyshohet se ka përdorur të dhënat personale të së resë, si dhe foton e kartës së identitetit të saj, duke ndërhyrë në e-Albania dhe më pas ka aplikuar në një bankë mikrokredish.
    Sipas denoncimit të 25-vjeçares, kredia është aprovuar në emrin e 25-vjeçares në vlerën 3 mijë e 500 euro.
    Burime nga policia bëjnë me dije se D. C ka mundur të skanojë fytyrën e 25-vjeçares nga karta e identitetit, duke marrë më pas të dhënat në e-Albania.
    Kjo nuk është hera e parë që emri i saj lidhet me veprime të tilla. Rezulton se më 25 qershor të këtij viti, ajo është ndaluar edhe nga Policia e Lezhës po për të njëjtën akuzë ku personave të ndryshëm iu merrte foto të kartës së identitetit, duke i mashtruar se ishte përfaqësuese e një shoqate bamirësie, dhe me të dhënat e tyre merrte kredi.
    Në atë kohë ndalimi i saj, erdhi pas 16 kallëzimeve për këtë skemë mashtrimi./tvklan.al

  • SKEMA- Hyri në e-Albania me të dhënat e të afërmes/ Mori kredi 3500€, nën hetim 32-vjeçarja

    SKEMA- Hyri në e-Albania me të dhënat e të afërmes/ Mori kredi 3500€, nën hetim 32-vjeçarja

    FOTO ILUSTRUESE

    TIRANË-Një 32-vjeçare nga Tirana është marrë nën hetim nga Policia e Tiranës pasi është denoncuar nga një 25-vjeçare, e afërme e saj, për falsifikim dhe mashtrim. Raportohet se Donika Curri dyshohet se ka përdorur të dhënat personale të së resë, si dhe foton e kartës së identitetit të saj, duke ndërhyrë në e-Albania dhe më pas ka aplikuar në një bankë mikrokredish.
    Sipas denoncimit Currit i Currit, i është aprovuar kredia në emrin e 25-vjeçares në vlerën 3500 euro. Burime nga policia bëjnë me dije se Donika Curri ka mundur të skanojë fytyrën e 25-vjeçares nga karta e identitetit, duke marrë më pas të dhënat në e-Albania.
    Kjo nuk është hera e parë që emri i saj lidhet me veprime të tilla. Rezulton se më 25 qershor të këtij viti, ajo është ndaluar nga Policia e Lezhës për po të njëjtat akuza. Curri prezantohej si përfaqësuese e një shoqate bamirësie për nëna me fëmijë të mitur, dhe u kërkonte personave të ndryshëm fotokopje të kartës së identitetit me premtimin e ndihmës mujore. Sipas policisë, shumat që kishte përvetësuar kanë qenë deri në 5 mijë euro. Më pas, ajo përdorte këto të dhëna për të përfituar kredi në institucione financiare./ZËRI

  • “Ja si i shmangin policinë britanike”,Artan Hoxha zbulon skemën tronditëse të krimit shqiptar:Ndryshimi i identitetit..

    “Ja si i shmangin policinë britanike”,Artan Hoxha zbulon skemën tronditëse të krimit shqiptar:Ndryshimi i identitetit..

    Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në  një emision televiziv, komentoi përplasjen në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe politikanit britanik Nigel Farage për emigracionin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, duke e lidhur gjithashtu edhe me fenomenin e krimit të organizuar.
    Hoxha theksoi se “Farage nuk po sulmon shqiptarët, por fenomenin e krimit të lidhur me emigracionin ilegal”, ndërsa sipas tij, “Rama po përpiqet të kamuflojë këtë realitet duke bërë populistin dhe duke bërë lojën e shifrave”.
    “Shqiptarët në Britani janë tashmë një fenomen i ekspozuar. Nuk ka pse të përfshihen në statistika shqiptarët që kanë hyrë me pasaporta greke apo italiane. Kjo është një mënyrë për të turbulluar ujin dhe për të zbutur perceptimin publik në Shqipëri,” tha Hoxha.
    Ai shtoi se krimi shqiptar përdor metoda të sofistikuara për të shmangur gjurmimin, përfshirë ndryshimin e identitetit përmes dokumenteve të vendeve të tjera të BE-së.

    “Një nga metodat që përdor krimi shqiptar është përdorimi ose ndryshimi i identitetit me dokumenteve të shteteve të tjera që të humbin përmes turmës që të bëjnë më të është perceptimin e agjencive të ligjit”, tha ai.
    Sipas tij, “paratë e pista të gjeneruara në Britani rikthehen në Shqipëri dhe destabilizojnë sistemin ekonomik dhe shoqëror”.“Farage mund të duket i avantazhuar sepse i referohet një problemi real. Ndërsa Rama kërkon të kontrollojë narrativën brenda Shqipërisë, ku e ka më të lehtë të fitojë pikë politike,” përfundoi Hoxha.