Tag: humanitar

  • Gonxhja nderon maestron Peter Michael Garst: Kontributi i tij humanitar ka prekur mijëra njerëz

    Gonxhja nderon maestron Peter Michael Garst: Kontributi i tij humanitar ka prekur mijëra njerëz

    Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka nderuar mbrëmjen e djeshme maestro Peter Michael Garst , një artist dhe humanist të veçantë lidhur me Shqipërinë.
    Në një postim në rrjete sociale, ministri vlerësoi lidhjen e veçantë të tij me Shqipërinë, duke përmendur kontributin e tij për shkollat rurale në kohët e tranzicionit, për furnizimin me ujë të pijshëm dhe për ndihmën gjatë eksodit të Kosovës.
    Ministri vlerësoi se këto vepra të mëdha u realizuan falë përkushtimit të Garstit, mbështetjes së fondacionit dhe kontributit të donatorëve, por mbi të gjitha falë mbështetjes së bashkëshortes së tij, Martha, e cila ka qenë pjesë kyçe e këtij misioni humanitar.
    “Me një lidhje të veçantë me vendin tonë, për 16 vjet ai ka mbështetur shkollat rurale në kohët më sfiduese të tranzicionit, duke u bërë për shumë komunitete një dorë e sigurt shprese dhe zhvillimi. Kontributi i tij humanitar ka prekur mijëra jetë. Ai ka ngritur shkolla në zonat më të izoluara, duke u dhënë fëmijëve mundësinë të arsimohen pranë shtëpisë dhe ka sjellë infrastrukturën për ujin e pijshëm atje ku kjo nevojë bazë mungonte prej brezash. Në ditët e vështira të eksodit kosovar, ai ngriti çadra humanitare për familjet që gjetën strehë në Shqipëri”, shkruan Gonxhja.
    Koncerti simfonik i mbrëmjes së djeshme në TKOB shënoi një kurorëzim të rrugëtimit të tij artistik, një përshëndetje të ndjerë për Tiranën dhe Shqipërinë që ai e ka dashur dhe mbështetur për dekada.
    Postimi i plotë i ministrit Gonxhja:
    Danke – Faleminderit Peter Michael Garst! Në hapje të koncertit simfonik, ndamë një histori të jashtëzakonshme, një biografi humanizmi, arti e miqësie të sinqertë, që prej dekadash e ka lidhur Zvicrën me Shqipërinë. Është historia e Maestro Peter Michael Garst dhe e Fondacionit “Zvicra Ndihmon Shqipërinë”.
    Me një lidhje të veçantë me vendin tonë, për 16 vjet ai ka mbështetur shkollat rurale në kohët më sfiduese të tranzicionit, duke u bërë për shumë komunitete një dorë e sigurt shprese dhe zhvillimi. Kontributi i tij humanitar ka prekur mijëra jetë. Ai ka ngritur shkolla në zonat më të izoluara, duke u dhënë fëmijëve mundësinë të arsimohen pranë shtëpisë dhe ka sjellë infrastrukturën për ujin e pijshëm atje ku kjo nevojë bazë mungonte prej brezash. Në ditët e vështira të eksodit kosovar, ai ngriti çadra humanitare për familjet që gjetën strehë në Shqipëri.
    Këto vepra të mëdha u bënë realitet falë humanizmit të tij, falë përkushtimit të palodhur të fondacionit, falë miqve e donatorëve që besuan. Por mbi të gjitha, falë mbështetjes së një familjeje të jashtëzakonshme, veçanërisht bashkëshortes së tij, Martha, e cila ka qenë gjithmonë pjesë e këtij misioni njerëzor.
    Maestro Garst ka lënë një gjurmë po aq të thellë edhe në botën e muzikës. I formuar nga mjeshtër si Rafael Kubelik dhe Igor Markevich, karriera e tij është shtrirë në skena të Zvicrës, Gjermanisë, Austrisë, Italisë e Spanjës, me një repertor që përfshin nga klasikët e deri te Verdi, Mahler e Schönberg.Dhe me këtë koncert, ai kurorëzon rrugëtimin e tij të gjatë artistik, duke përshëndetur Tiranën dhe Shqipërinë që e do kaq shumë e duke korrur një falënderim të thellë për gjithë atë që ai ka dhënë mes artit e solidaritetit.
    Le të mbetet kjo mbrëmje një kujtim i paharruar, një mirënjohje e përbashkët dhe një urim i sinqertë për udhëtimin e nderimin që vazhdon përtej skenës.

  • Plani 60-ditor i OKB-së për heqjen e bllokadës dhe sigurimin e fondeve në Gaza, Fletcher: Një ditë shprese dhe mundësie

    Plani 60-ditor i OKB-së për heqjen e bllokadës dhe sigurimin e fondeve në Gaza, Fletcher: Një ditë shprese dhe mundësie

    Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare dhe Koordinatori i Ndihmës Emergjente, Tom Fletcher, ka paraqitur një plan të detajuar 60-ditor për reagimin humanitar në Gaza, në sfondin e njoftimit të marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, sipas planit të paqes të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

    Z. Fletcher e përshkroi këtë moment si “një ditë shprese dhe mundësie”, duke theksuar se plani i Trump “duhet të jetë baza për të shpëtuar dhjetëra mijëra jetë”.
    Ai prezantoi një paketë masash që përfshin sigurimin e ushqimit për 2.1 milionë njerëz, rikthimin në funksion të sistemit shëndetësor të dëmtuar, furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizime për 1.4 milionë banorë, si dhe një fushatë të gjerë strehimi dimëror.
    Fletcher renditi dhjetë kushte për suksesin e planit, mes të cilave hyrja e karburantit dhe gazit, funksionimi i korridoreve humanitare, mbrojtja e punonjësve të ndihmës dhe financimi i plotë i planit, duke theksuar se aktualisht është siguruar vetëm 28% e 4 miliardë dollarëve të kërkuar në kuadër të “Flash Appeal 2025”.
    Në konferencë për shtyp, Fletcher konfirmoi se OKB-ja, UNRWA dhe organizatat joqeveritare janë mobilizuar plotësisht për zbatimin e marrëveshjes, duke nënvizuar se “bllokada e Gazës duhet të hiqet” për të garantuar qasje të papenguar humanitare.
    Ai shtoi se planifikon të vizitojë personalisht Gazën dhe se OKB-ja mban dialog të vazhdueshëm me autoritetet izraelite për kalimin e sigurt dhe të shpejtë të ndihmave.
    I pyetur nëse Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar që OKB-ja të drejtojë operacionin humanitar, Fletcher tha se plani 20-pikësh përfshin “një referencë të qartë për rolin qendror të OKB-së në menaxhimin e reagimit humanitar”.
    Sipas tij, “e gjithë familja e OKB-së është mobilizuar për t’u përgjigjur, ndërsa UNRWA mbetet e pazëvendësueshme. Po ashtu, ne mbështetemi te partnerët e OJQ-ve dhe sektori privat, sepse shpëtimi i jetëve në këtë shkallë kërkon një përpjekje kolektive masive”.
    Fletcher paralajmëroi se “elementët ekstremistë në të dyja palët” mund të përpiqen të pengojnë procesin, por u shpreh optimist se mbështetja e gjerë ndërkombëtare për planin e Presidentit Trump dhe angazhimi i ministrave të jashtëm do t’i zbehin këto përpjekje.
    “Ne kemi përvojën, vullnetin dhe detyrimin për të shpëtuar jetë në një shkallë të gjerë,” tha Fletcher. “Për ata që humbën gjithçka dhe për ata që punuan për të shpëtuar të tjerët, ne duhet të veprojmë  dhe do ta bëjmë.”

    Top Channel

  • Sulmohet karvani humanitar i Presidentit të Ekuadorit, 17 ushtarë rrëmbehen

    Sulmohet karvani humanitar i Presidentit të Ekuadorit, 17 ushtarë rrëmbehen

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të dielën në mbrëmje në Ekuador, ku një karvan humanitar i udhëhequr nga Presidenti Daniel Noboa është sulmuar nga një grup protestuesish të armatosur. Sipas zëdhënëses së qeverisë, Carolina Jaramillo, incidenti ndodhi në Cotacachi, në provincën Imbabura, gjatë një udhëtimi për të shpërndarë ndihma për komunitetet e prekura nga greva kombëtare.
    Karvani përfshinte përfaqësues të Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, ambasadorin italian dhe diplomatët e Vatikanit. Gjatë sulmit, rreth 350 persona përdorën kokteje Molotov për të sulmuar mjetet dhe ushtarët që shoqëronin presidentin. Si pasojë, 17 ushtarë janë rrëmbyer dhe aktualisht nuk dihet vendndodhja e tyre, ndërsa 12 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
    Pamje të publikuara nga Presidenti Noboa në rrjetin social X tregojnë dritare të thyera dhe automjete të dëmtuara rëndë. “Ata kundërshtojnë përparimin e Ekuadorit dhe zgjedhin dhunën. Ne nuk mund të kthehemi mbrapa,” deklaroi ai. Ndërkohë, ambasadori italian në Quito, Giovanni Davoli, konfirmoi se ishte i pranishëm në karvan, por nuk pësoi lëndime.
    Forcat e Armatosura të Ekuadorit kanë cilësuar autorët e sulmit si “grupe terroriste” dhe kanë publikuar imazhe të dhunshme të ushtarëve të gjakosur. Ato paralajmëruan se sulme të tilla nuk do të mbeten të pandëshkuara.
    Protestat janë organizuar nga organizata më e madhe e të drejtave indigjene në vend, Conaie, e cila kundërshton prerjen e subvencioneve të karburantit. Organizata ka akuzuar ushtrinë për vrasjen e një protestuesi dhe kërkon drejtësi.

  • Një zë nga Europa kundër holokaustit çifut ndaj muslimanëve

    Një zë nga Europa kundër holokaustit çifut ndaj muslimanëve

    Komisionerja Evropiane për Barazi, Përgatitje dhe Menaxhim të Krizave paralajmëroi të hënën për pasojat shkatërruese të bombardimeve izraelite të Rripit të Gazës që nga tetori 2023, duke bërë thirrje për “veprime vendimtare politike” për të lehtësuar vuajtjet e njerëzve.
    “Jeta po fshihet në Gaza”, u tha Hadja Lahbib gazetarëve përpara një takimi të Këshillit të Punëve të Jashtme në Bruksel.
    Ajo tha se “fjalët janë të pamjaftueshme për të përshkruar situatën në Gaza sot”.
    “Ndihma humanitare po zhvishet nga thelbi i saj – që do të thotë se shërbimet jetësore si uji i pastër, qasja në kanalizime dhe kujdesi shëndetësor janë në prag të kolapsit,” theksoi Lahbib.
    Ajo theksoi se ndihma nuk po arrinte te banorët e Gazës, “sidomos” pasi agjencitë e OKB-së u zëvendësuan nga Izraeli dhe Fondacioni i Ndihmës Humanitare të Gazës (GHF) i mbështetur nga SHBA-ja.
    Lahbib beson se “privatizimi është thjesht i papranueshëm”.
    “Sistemi ndërkombëtar humanitar është ndërtuar mbi parime të qarta: neutralitet, humanitet, paanshmëri dhe pavarësi. Fondacioni i Ndihmës Humanitare të Gazës nuk i përmbahet këtyre parimeve,” tha ajo.
    Lahbib tha se ndihma humanitare “nuk duhet kurrë” të “militarizohet” ose “politizohet”, duke shtuar: “Përdorimi i ndihmës humanitare si armë lufte është një shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar.”
    Izraeli vendosi një bllokadë të plotë mbi furnizimet humanitare që hyjnë në Gazë më 2 mars. Që nga fundi i majit, shpërndarja e ndihmës është kontrolluar nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), një grup humanitar amerikan që është një krah i zgjatur i ushtrisë izraelite.
    Të paktën 55,998 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit që nga tetori i vitit 2023, tha Ministria e Shëndetësisë të hënën, më 23 qershor. /tesheshi.com/

  • OKB: Dështon misioni i grupit për shpërndarjen e ndihmave në Gazë

    OKB: Dështon misioni i grupit për shpërndarjen e ndihmave në Gazë

    Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF) – që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli – ka dështuar në misionin e tij, në aspektin humanitar, thanë Kombet e Bashkuara më 13 qershor.

    OKB-ja dhe grupet e tjera të mëdha të ndihmës kanë refuzuar të bashkëpunojnë me GHF-në lidhur me shqetësimet se ky fondacion është dizajnuar për t’i ndihmuar qëllimeve ushtarake të Izraelit.
    “GHF-ja, thënë drejt, ka qenë, nga aspekti humanitar, një dështim”, tha Jens Laerke, zëdhënës i agjencisë së OKB-së për ndihmë humanitare, OCHA, gjatë një konference për media në Gjenevë.
    “Ata nuk po bëjnë atë që duhet të bëjë një operacion humanitar, që është ofrimi i ndihmës për njerëzit ku ata gjenden dhe në një mënyrë të sigurt”.
    Laerke shtoi se OKB-ja ka gati operacionin për shpërndarjen e ndihmave dhe se po presin që Izraeli t’u japë leje që të nisin shpërndarjen.
    GHF-ja nisi operacionet më 26 maj, pasi Izraeli kishte ndërprerë furnizimet për Gazën për më shumë se dy muaj, duke shkaktuar mungesë të madhe të furnizimeve.
    GHF-ja pretendoi se kishte shpërndarë pothuajse 2.6 milionë vakte ushqimore vetëm të enjten dhe mbi 18.6 milionë që kur ka nisur operimin.
    Lufta në Gazë ka nisur në tetor të vitit 2023, kur Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.
    Izraeli është zotuar se do të vazhdojë luftën deri në shkatërrimin e Hamasit dhe kthimin e pengjeve të mbetura.
    Si pasojë e ofensivës izraelite, në territorin palestinez janë vrarë më shumë se 55.000 persona dhe OKB-ja ka paralajmëruar se pothuajse e gjithë popullsia e territorit është buzë zisë së bukës. /REL

    Top Channel

  • “Ligji është një për të gjithë”/ Vrasja e mjekëve në Gaza, SHBA nuk mbron Izraelin? 

    “Ligji është një për të gjithë”/ Vrasja e mjekëve në Gaza, SHBA nuk mbron Izraelin? 

    SHBA-ja deklaroi se pret që “të gjitha palët në terren” në Gaza të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar, edhe pse nuk konfirmoi nëse është duke kryer një verifikim të sajin lidhur me vrasjen e 15 mjekëve, punonjësve të mbrojtjes civile dhe një zyrtar të OKB-së nga ushtria e shtetit hebre.

    Trupat e tyre të pajetë u gjetën në një varr masiv, të mbuluar me rërë. E pyetur për vrasjet, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Tammy Bruce insistoi se:
    “Çdo gjë që ndodh në Gaza po ndodh për shkak të Hamasit”.Agjencia humanitare e OKB-së deklaroi se pesë ambulanca, një makinë zjarrfikëse dhe një automjet i OKB-së u goditën ne 23 mars dhe se 15 trupa, përfshirë ndihmësmjekë që ende kishin uniformat në trup, ishin mbledhur dhe varrosur së bashku. Lidhje ndërkombëtar humanitar ndalon shënjestrimin e civilëve në raste konflikti, e mbi të gjitha, bën thirrje për mbrojtje të vecantë për personelin mjekësor.
    SHBA, furnizuesi më i madh i armëve i Izraelit, është gjithashtu e detyruar nga ligjet e veta që t`ua ndalojë përdorimin e armëve të saj ushtrive të huaja të cilat shkelin ligjin humanitar. Jonathan Whittall, kreu i agjencisë humanitare të OKB-së në Gaza, tha se varri masiv ishte “shënjuar” me një dritë emergjence nga një prej ambulancave të goditura në sulm.
    “Është një tmerr absolut ajo që ka ndodhur këtu,” tha ai në platformën X, duke shtuar se “punonjësit e kujdesit shëndetësor nuk duhet të jenë kurrë një objektiv”.
    Izraeli e rinisi fushatën e tij ajrore dhe tokësore në Gaza më 18 mars pas një ngecjeje të negociatave mbi një marrëveshje më të gjerë armëpushimi me Hamasin dhe që prej atëherë ka përshkallëzuar jo vetëm aksionet e tij në terren, por edhe thirrjet për zbrazjen e enklavës.

    Top Channel