Tag: huamarrja

  • Shqiptarët braktisin bankat, marrin më shumë borxh tek miqtë, ja çfarë zbulon raporti i fundit

    Shqiptarët braktisin bankat, marrin më shumë borxh tek miqtë, ja çfarë zbulon raporti i fundit

    Më shumë shqiptarë po marrin hua nga burime joformale, duke kërkuar ndihmë në para nga të afërmit apo miqtë për të mbuluar shpenzimet e tyre për konsum ose blerje banese.
    Sipas një raporti të publikuar nga Banka e Shqipërisë, në rreth 47% të rasteve të raportuara, huamarrja e familjeve rezulton në formën e kredisë nga institucione financiare. Rreth 41% e rasteve janë në trajtë kredie bankare dhe 6% janë në trajtë kartash krediti apo overdraft.
    Huamarrja në trajtë bankare ka pësuar një rënie me 3 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e dytë 2024, ndërsa huamarrja në trajtë kartash krediti dhe overdraft nuk ka ndryshuar.
    Nga ana tjetër, në rreth 39% të rasteve, huamarrja deklarohet në formën e parasë në dorë, duke shënuar rritje me 5 pikë përqindje në terma gjashtëmujorë. Në 13% të rasteve, ajo rezulton në formë malli të papaguar, në rënie gjatë të dy periudhave krahasuese.
    Për sa i përket nivelit të të ardhurave dhe shpenzimeve të familjeve huamarrëse, këto të fundit po zhvendosen drejt një niveli më të lartë të ardhurash, ndërkohë që rritja e shpenzimeve është ngadalësuar.
    Dy format kryesore të pagesës së huasë vijojnë të mbeten pagesat ‘me shumë të njëjtë çdo 1/3/6/12 muaj (58% e rasteve të huamarrjes), ‘me shumë të ndryshueshme në periudha të ndryshme’ (30% e rasteve të huamarrjes) dhe me ‘shuma të ndryshueshme çdo 1/3/6/12 muaj’ (7% e rasteve të huamarrjes).
    Raporti tregon se në 63% të rasteve të huamarrjes rezulton se huaja është e pagarantuar dhe kjo peshë është rritur me 1 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar. Nga ana tjetër, pesha e rasteve të huamarrjes së garantuar me një pronë të familjes ka rezultuar në rënie.

  • Shtrenjtohet huamarrja në Shqipëri! BSH: Interesat e kredive për individët shkojnë deri në 9%

    Shtrenjtohet huamarrja në Shqipëri! BSH: Interesat e kredive për individët shkojnë deri në 9%

    Marrja e një kredie për qytetarët shqiptarë sot kushton më shumë se një vit më parë.
    Sipas Bankës së Shqipërisë, normat e interesit për kreditë hipotekare janë ngjitur në rreth 3.8% në lekë, ndërsa për huatë në euro kanë arritur deri në 5.1%.
    Për kreditë konsumatore, kostoja është edhe më e lartë, duke u ngjitur në 8.9%, nga 8.2% që ishte vetëm disa muaj më parë.
    Ekspertët theksojnë se kjo rritje është rezultat i disa faktorëve. Së pari, norma bazë e interesit është ulur në 2.5%, por efektet e politikës monetare përcillen me vonesë në treg.
    Nga ana tjetër, kursi i këmbimit i mbiçmuar dhe kërkesa e lartë për kredi kanë rritur presionet mbi kostot e financimit.
    Një element tjetër është sjellja e bankave: konkurrenca e fortë mes tyre ka mbajtur normat më të favorshme për huamarrjet me garanci hipotekore, por kreditë konsumatore mbeten të shtrenjta, për shkak të rrezikut më të lartë.
    Në këtë panoramë, Banka e Shqipërisë paralajmëron se, ndonëse kushtet mbeten stimuluese, huamarrja duhet të bëhet me kujdes.