Tag: hetimit

  • Hapen aplikimet për Fakultetin e Sigurisë e Hetimit.Maturantët afat deri më 3 gusht

    Hapen aplikimet për Fakultetin e Sigurisë e Hetimit.Maturantët afat deri më 3 gusht

    Hapen sot aplikimet për Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit. Kështu shkruan në një postim në rrjetet sociale ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ku ka ftuar maturantët të bëhen pjesë e Akademiksë së Sigurisë.
    Ministri Hoxha shkroi se sistemi do të jetë i hapur deri në 3 gusht, për t’u dhënë mundësinë të gjithë maturantëve për përzgjedhjen deri në 10 programe studimi në këtë Fakultet. Ndërkohë të gjithë maturantët e interesuar mund të aplikojnë në këtë link: https://ualbania.al/
    ‘Hapen sot aplikimet për përzgjedhjen e programeve të studimit në universitete. Zgjidh Akademinë e Sigurisë, Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit. Sistemi do të jetë i hapur deri në 3 gusht, për t’u dhënë mundësi të gjithë maturantëve për përzgjedhjen deri në 10 programe studimi. Apliko tani në https://ualbania.al/’, shkruan ministri Hoxha.

  • Shtyhet njoftimi i përfundimit të hetimit për Metën, sot në SPAK Monika e Fatime Kryemadhi

    Shtyhet njoftimi i përfundimit të hetimit për Metën, sot në SPAK Monika e Fatime Kryemadhi

    Ndonëse ishte parashikuar të ndodhte sot, përfundimi i hetimit të SPAK, do t’i njoftohet të hënë ish- presidentit, Ilir Meta.
    Shtyrja e këtij veprimi është kërkuar nga avokati i Metës, Kujtim Cakrani, për shkak të një udhëtimi të tij jashtë vendit.
    Ndërkohë, sot në mesditë, pritet të paraqiten në SPAK, Monika Kryemadhi dhe nëna e saj, Fatime Kryemadhi, për t’u njohur me përfundimin e hetimit.

  • SPAK zgjat me 3 muaj afatet e hetimit ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Beci po hetohet për tenderin 700 mijë euro

    SPAK zgjat me 3 muaj afatet e hetimit ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Beci po hetohet për tenderin 700 mijë euro

    Prokuroria e Posaçme ka zgjatur me 3 muaj afatet e hetimit për kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci.
    Ndaj tij u regjistrua procedim penal për shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike, kryer në bashkëpunim, më 23 tetor 2024. Ndërkohë, më 23 prill të 2025, prokurori Dritan Prençi e mori të pandehur kryebashkiakun socialist.
    Beci akuzohet për tenderin me vlerë 700 mijë euro të vitit 2019, me objekt zhvillimi strategjik i sektorit energjetik (projekt kërkimor). Hetimet nisën pas zbërthimit të telefonit të ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberit, ku u zbuluan biseda kompromentuese për abuzimin me këtë tender.
    Bashkë me Benet Becin, nën hetim për këtë tender abuziv janë marrë edhe disa zyrtarë të tjerë, me rol në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave.

  • Gara për kreun e BKH-së, SPAK njofton kandidatët për hapin e radhës, çfarë pritet më 22 korrik

    Gara për kreun e BKH-së, SPAK njofton kandidatët për hapin e radhës, çfarë pritet më 22 korrik

    Vijon gara për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ndërsa 7 kandidatët që janë përzgjedhur nga faza e parë do të vijojnë procesin me një tjetër fazë, më 22 korrik. Nga raportimet mësohet se të 7 kandidatët e kualifikuar për të vijuar garën do të paraqiten në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ku do t’i nënshtrohen fazës së dytë të testimit: provimit me ese. Kjo është pjesë e procedurës përzgjedhëse, ku kandidatët do të vlerësohen me pikë, që më pas do t’i bashkëngjiten vlerësimeve nga testet fizike. Testet fizike janë zhvilluar më 10 korrik dhe ato përfshinin ushtrime, pompa, 300 metra sprint dhe 2.4 kilometra vrapim.
    Momentalisht BKH drejtohet nga Aida Hajnaj, e cila përfundon mandatin më 31 gusht. Kjo do të thotë se SPAK dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) duhet që brenda kësaj date të përzgjedhin emrin që do të drejtojë Byronë Kombëtare të Hetimit pas largimit të drejtueses aktuale. Në garën për kreun e BKH-së janë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta. Në momentin kur u hap gara për Kreun e BKH-së shprehën interes 13 kandidatë, por 6 prej tyre u skualifikuan. Mes emrave të skualifikuar ishte edhe Haki Çako, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

  • SHBA rikthehet fuqishëm si garanci e pandalshme e reformës në drejtësi, ekspertë amerikanë monitorojnë nga afër…

    SHBA rikthehet fuqishëm si garanci e pandalshme e reformës në drejtësi, ekspertë amerikanë monitorojnë nga afër…

    Rigels Seliman
    Kush mendoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ishte larguar nga drejtësia shqiptare, sot është përballë një realitet tronditës, pasi amerikanët jo vetëm që janë rikthyer, por duket se janë më të vendosur se kurrë për të çuar përpara Reformën në Drejtësi dhe për të mbështetur institucionet nevralgjike të dala prej saj, si Prokurorinë e Posaçme (SPAK), Gjykatën e Posaçme (GJKKO) dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) në çdo hap. Misioni i Uashingtonit është i qartë, ndëshkim për të korruptuarit dhe ngritja e institucioneve të pa kapur. Gazeta “SOT” ka mësuar se pak ditë më parë gjatë testimeve për kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, në qendër të Tiranës, ishin të pranishëm tre ekspertë amerikanë që monitoronin garën hap pas hapi, në testet fizike, ndërsa e njëjta skemë do të ndiqet edhe për testin me shkrim dhe atë të poligrafit, ku prezenca e SHBA do të jetë e shtuar.
    Mesazhi
    Por kjo ndërhyrje direkte e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ngritur alarmin në radhët e atyre që kanë luftuar reformën, që janë përpjekur ta sabotojnë atë dhe që sot shohin me ankth rizgjerimin e ndikimit amerikan në vetë zemrën e drejtësisë. Sipas burimeve, ambasada e SHBA në Tiranë po mban kontakte të përditshme me drejtuesit e institucioneve të drejtësisë. E ngarkuara me punë ka zhvilluar pak ditë më parë një takim me kreun e SPAK, Altin Dumani, ku është përcjellë mbështetja e palëkundur e Uashingtonit për pastrimin e politikës dhe administratës nga korrupsioni, si dhe goditja me forcë e krimit të organizuar.
    Gara për kreun e BKH
    Ndërkohë gara për kreun e BKH, struktura që funksionon si “FBI-ja shqiptare”, ka hyrë në fazën finale. Shtatë janë kandidatët: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta. Ata i janë nënshtruar një procedure të rreptë me gjashtë faza, përfshirë test fizik, ese, arsyetim logjik, poligraf, intervistë, si dhe verifikim të figurës dhe pasurisë. Disa nga këto faza janë mbyllur, teksa tashmë kanë mbetur eseje me shkrim dhe testit të arsyetimit logjik, si dhe testi i poligraf, intervista, si dhe verifikim i figurës dhe pasurisë. Burime konfidenciale bëjnë me dije se katër më të favorizuarit në këtë garë janë Gledis Nano, Gentian Ndoi, Joni Keta, si dhe Elton Kërluku. Emri përfundimtar pritet të përzgjidhet nga Altin Dumani brenda korrikut dhe të miratohet nga KLP në fillim të gushtit. Megjithatë kushdo që do ta marrë këtë post, do të ketë në dorë jo thjesht një zyrë, por çelësin e goditjes penale ndaj mafias së pushtetit. Prandaj amerikanët nuk po rrezikojnë asgjë: ata janë aty për ta garantuar këtë proces deri në fund. Madje me këtë rikthim kaq të fuqishëm të SHBA, ora e të korruptuarve ka nisur të trokasin me kërcënim të madh: Drejtësia po vjen, dhe nuk ndalet më. pra kjo panoramë tregon qartë se të gjithë ata që ëndërruan fundin e Reformës në Drejtësi dhe e shpallën “ikjen” e amerikanëve, sot janë të parët që po lëkunden nga frika.
    Kandidatët në garë për kreun e BKH:

    Andi Pogaçe
    Artur Beu
    Elton Kërluku
    Gentian Ndoi
    Gentjan Shehaj
    Gledis Nano
    Joni Keta

    Si zhvillohet procedura për zgjedhjen e kreut të BKH-së?
    Sipas rregullores, do të ndiqen 6 hapa për emërimin e kreut të BKH-së, të cilat janë verifikimi i aplikimit, vizita mjekësore dhe testi për aftësitë fizike, ese me shkrim dhe test për arsyetim logjik, testi i poligrafit dhe intervista në panel, verifikimi i figurës dhe pasurisë, identifikimi i kandidatit fitues, trajnimi dhe emërimi. Tek pika e fundit parashikohet dhe përzgjedhja e katër kandidatëve më potencialë, që i dërgohen drejtuesit të SPAK, Altin Dumani. Mësohet se brenda korrikut pritet të caktohet kandidati fitues që do t’i shkojë KLP për t’u votuar në fillim të gushtit. Pra kreu i SPAK, Altin Dumani do të bëjë përzgjedhjen përfundimtare dhe emri i kandidatit të përzgjedhur i paraqitet Këshillit të Lartë të Prokurorisë për miratimin e mandatit 5-vjeçar. Aktualisht Byroja Kombëtare e Hetimit drejtohet nga Aida Hajnaj, e cila i përfundon mandati më 31 gusht. Ajo nuk arriti të dorëzonte dokumentacionin brenda afatit të aplikimit.
    Çfarë është testi i Poligrafit?
    Poligrafi (ose siç njihet ndryshe: detektori i gënjeshtrës) është një pajisje që përdoret për të matur dhe regjistruar reagime fiziologjike të trupit të një personi gjatë marrjes në pyetje, për të kuptuar nëse ai po thotë të vërtetën apo po gënjen.
    Konkretisht, poligrafi mat këto reagime:

    Rrahjet e zemrës
    Presionin e gjakut
    Frymëmarrjen
    Djersitjen e lëkurës

    Gjatë testit, personit i bëhen një seri pyetjesh dhe nëse trupi i tij tregon shenja stresi apo tensioni në pyetje të caktuara, kjo mund të interpretohet si tregues i një gënjeshtre. Në Shqipëri, përdorimi i testit të poligrafit është pjesë e procedurave për pozicione të ndjeshme si në BKH, SPAK, SHISH apo polici, ku kërkohet besueshmëri dhe integritet absolut.
    SPAK jep detaje për testin fizik
    Nga ana tjetër, kujtojmë se Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka bërë me dije javën që shkoi është zhvilluar faza e dytë e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), përkatësisht Testi i Aftësisë Fizike (TAF). “Në përputhje me nenin 38, pika 2, shkronja ‘d’, të ligjit 95/2016, sot u zhvillua faza e dytë e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), përkatësisht Testi i Aftësisë Fizike (TAF)”, thuhet në njoftimit zyrtar. Bëhet me dije se testimi nisi në orën 07:00 në ambientet e Njësisë Speciale RENEA në Yzberisht, Tiranë. Shtatë kandidatët pjesëmarrës ishin njoftuar më herët për modalitetet e zhvillimit të testit dhe përfunduan të gjithë komponentët përbërës të tij.
    Testi synonte vlerësimin e forcës fizike dhe rezistencës:

    Numrin maksimal të palosjeve (në një minutë);
    Sprintin 300 metra, (i matur me kohë)
    Numrin maksimal të pompave (pa kufizim kohor)
    Vrapin 2.4 km, (i matur me kohë).
    Zhvillimi i testit u monitorua nga një ekip mjekësor për të vëzhguar mbarëvajtjen e tij.

    Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, për të garantuar transparencën dhe ruajtjen e standardeve të procesit. “Pas përfundimit të kësaj faze, do të vijohet me fazën e tretë, e cila konsiston në zhvillimin e një eseje me shkrim dhe testit të arsyetimit logjik”.

  • Inskenoi rëmbimin e vet për të përfituar para nga i ati, arrestohet 28-vjeçari në Kavajë

    Inskenoi rëmbimin e vet për të përfituar para nga i ati, arrestohet 28-vjeçari në Kavajë

    Dy shtetas janë arrestuar nga specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë, pasi kanë inskenuar një rrëmbim për të mashtruar një babë dhe për të marrë një shumë të konsiderueshme parash.
    Policia ka vënë në pranga shtetasit Lubjan Camema dhe Bernard Kiptiu në qytetin e Durrësit, pasi 28- vjeçari kishte krijuar një histori të rreme të rrëmbimit, duke e frikësuar babain e tij, shtetasin B. C., se djali i tij ishte kapur dhe kërkoheshin para për lirimin e tij.
    Ky akt i pashembullt i mashtrimit ka tronditur jo vetëm viktimën, por edhe komunitetin që u njoh me detajet e ngjarjes.
    Pasi babai u mundua të përmbushte kërkesat e “rrëmbyesve,” shtetasi B. K., 45 vjeç, banues në Durrës, u kap në flagrancë nga forcat e policisë. Ai po kërkonte nga shtetasi B. C. shumën e kërkuar, me pretekstin se do të shërbente për lirimin e “djalit të tij.”
    Në një moment tjetër, rreth 100 metra larg vendit të ngjarjes, policia gjeti 28-vjeçarin L. C., i cili po i qëndronte i fshehur. Ai u arrestua në flagrancë, pasi doli se kishte inskenuar gjithçka dhe dy ditë më parë i kishte marrë makinën babait të tij, duke dyshuar se e kishte shitur.
    Të dy personat janë arrestuar dhe do të përballen me akuza për “Mashtrim,” një krim që ka ndodhur në bashkëpunim. Materialet e hetimit janë dorëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Kavajës për procedura të mëtejshme.

  • Ndërtimet pa leje në Theth, Manja kritikon prokuroren Gjeli: Paaftësi profesionale! Prokuroria Shkodër të japë llogari

    Ndërtimet pa leje në Theth, Manja kritikon prokuroren Gjeli: Paaftësi profesionale! Prokuroria Shkodër të japë llogari

    Ulsi Manja

    TIRANE- Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka reaguar në lidhje me ndërtimet e paligjshme në Theth, për të cilat prokurorja Elsa Gjeli nuk ka pranuar të nisë hetimet.  Përmes një deklaratë, Manja ka drejtuar kritikat ndaj Prokurorisë së Shkodrës, për të cilët thotë se nuk është në lartësinë e misionit të madh ndërkombëtar të anëtarësitmit europian të Shqipërisë. 
    Manja konfirmoi sërish se ka kërkuar dje gna ILD, nisjen e hetimit disiplinor ndaj këtij rasti, që sipas tij, bie ndesh me parimin e ligjshmërisë.
    “Si Ministër drejtësie, bazuar në kompetencat që më jep ligji, kam kërkuar zyrtarisht dje nisjen e hetimit disiplinor për një rast flagrant të mos-ushtrimit të ndjekjes penale dhe hetimit që ka të bëjë me ndërtimin pa leje të një parku turistik në zemër të Thethit… Duke analizuar vendimin e mosfillimit, duke ballafaquar argumentet e dhëna në hetim me Kushtetutën dhe ligjin, ne mendojmë se ky vendim bie ndesh me parimin e ligjshmërisë.
    Shqipëria 2030 në BE ndërtohet çdo ditë në çdo institucion dhe institucione si Prokuroria e Shkodrës, që marrin në mbrojtje publike mosveprimin e një prokuroreje ndaj një vepre të rëndë penale si ndërtimi i një fshati të tërë turistik në zemër të një zone të mbrojtur si Thethi, nuk janë në lartësinë e misionit të madh kombëtar të anëtarësimit europian të Shqipërisë!”, tha Manja. 
    Rasti në fjalë lidhet me vendosjen e bujtinave “Eagle Hill” pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit, një rast që është denoncuar edhe publikisht nga kryemininistri Edi Rama i cili tha se rasti, nuk është ndjekur penalisht nga prokuroria e Shkodrës. Bujtinat zotërohen nga Prekë Kodra, një personazh i dyshuar për një sërë veprash penale; i shpallur aktualisht në kërkim nga SPAK. Prokuroria Shkodër iu përgjigj pretendimit të Ramës, duke sqaruar se nuk mund të niste ndjekjen penale për këtë rast, pasi strukturat e vendosura ishin të lëvizshme e si të tilla nuk ka parashikime ligjore për ndjekje penale./ZËRI

  • Garë “e nxehtë” për kreun e BKH, testet fizike zhvillohen më 10 korrik

    Garë “e nxehtë” për kreun e BKH, testet fizike zhvillohen më 10 korrik

    10 korriku do të jetë ditë jo vetëm e nxehtë, por edhe e lodhshme, për 7 kandidatët për drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

    Kandidatët janë njoftuar nga SPAK se në këtë datë do të kryejnë testin fizik, që do të mbikëqyret edhe nga nja prokuror i posaçëm, pjesë e komisionit përzgjedhës dhe nga përfaqësues të Universitetit të Sporteve.

    Testi fizik do të bëhet në ambientet sportive të repartit RENEA dhe kandidatët duhet të superojnë 300 metra spirnt, palosje barku për 1 minutë, pompa si edhe vrap rezistencë në një distancë prej 2.4 km.

    Kandidatët e mbetur në garë janë Gledis Nano, Andi Pogaçe, Artur Bequ, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj dhe Joni Keta.

    Më 26 qershor SPAK njoftoi skualifikimin nga gara të gjashtë prej 13 kandidatëve që kanë shfaqur interes për të marrë kryesimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të konsideruar si “FBI”-ja shqiptare. Sipas Strukturës së Posaçme, gjashtë prej kandidatëve nuk kanë përmbushur kriteret ligjore, dokumentacionin dhe kushtet formale, për të qenë titullarë të mundshëm të BKH.

  • Arrestimet te Bankers, Prokuroria: Ekzekutohen 9 masa sigurimi, në kërkim 5 persona

    Arrestimet te Bankers, Prokuroria: Ekzekutohen 9 masa sigurimi, në kërkim 5 persona

    Prokuroria e Fierit ka reaguar zyrtarisht në lidhje me aksionin te kompania Bankers Petroleum Albania Ltd. Organi i akuzës thotë se kompania shmangu detyrimet tatimore duke deklaruar humbje për 20 vite. U lëshuan 14 masa sigurimi, 9 ekzekutohen dhe 5 të shpallur në kërkim. Në pranga është vënë numri 1 i kompanisë, Hongping Xiao dhe ish-drejtori Leonidha Çobo.
    Hetimet e nisura nga Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe të ndjekura për 6 muaj nga organi i akuzës kanë zbuluar skemën e dyshuar mashtruese me pasoja të rënda për buxhetin e shtetit.
    Sipas Prokurorisë, kompania nga viti 2004 deri në 2024 eksportoi dhe shiti brenda vendit 532 mld lekë naftë. Pavarësisht këtij aktiviteti të lartë ekonomik, “Bankers” ka deklaruar humbje për 20 vite radhazi, duke shmangur kështu detyrimet tatimore.
    Nga 2004 deri në 2024 deklaruan 11.7 miliardë lekë humbje, ndërsa dëmi i dyshuar në buxhetin e shtetit përmes përfitimit fiktiv të TVSH-së llogaritet në miliona euro.
    Prokuroria thotë se “shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë.Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro.”
    Njoftimi i plotë
    Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, lëshoi 14 masa sigurimi për ‘Bankers Petroleum Albania Ltd’ nën akuzë për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, të parashikuara nga nenet 144/a, 180/3, 287, 248, 181/a të Kodit Penal.
    Hetimet mbi procedimin penal nr.2063, datë 30.12.2024 nisën pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe pas një hetimi 6-mujor edhe me metoda të hetimit proaktiv, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, u grumbulluan prova të mjaftueshme të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se janë konsumuar elementet e figurave të veprave penale për të cilat është regjistruar ky procedim penal.
    Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fuer dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor, janë ushtruar kontrolle në disa ambiente të kompanisë si dhe në banesa private, nga ku janë sekuestruar sende që i përkasin veprave penale dhe u ekzekutuan 9 (nëntë) masa sigurimi personal me karakter shtrëngues, ndaj Administratorit aktual të shoqërisë H.X, ish- administratorit të kompanisë të shoqërisë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, L.Ç, si dhe ndaj disa shtetasve të tjerë L.Ë, A.K, K.Xh, D.G, M.Th, M.I dhe E.A, me pozicione drejtuese në këtë kompani. Ndërsa u shpallën në kërkim 5 (pesë) shtetas, kryesisht të huaj. Ndërhyrja në këtë fazë të hetimit, lidhet me rrezikun e prishjes së provave, ndërprerjen e mëtejshme të aktivitetit kriminal dhe shmangien e rrezikut të ikjes.
    Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier. Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro.
    Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpezimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmejt skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme. Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria e punonjësit e saj dyshohet se janë falsifikuar dokumente të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë.
    Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal vijojnë pasi dyshohen disa skema të ndyshme mashtrimi për TVSH-në, pastrim parash, etj, ku janë të implikuar dhe shumë individë dhe kompani të tjera.
    Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, mbetet e angazhuar në ushtrimin me efektivitet të ndjekjes penale dhe vendosjen para përgjegjësisë së autorëve të këtyre veprave që lidhen me taksat dhe tatimet.
    Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.