Pas arrestimeve të para të ekzekutuara nga Prokuroria e Fierit, çështja e “Bankers” është zgjeruar ndjeshëm duke përfshirë hetime më të thelluara mbi zinxhirin e përgjegjësive brenda administratës tatimore, strukturave të pushtetit vendor dhe zyrtarëve që dyshohet se kanë lejuar për vite abuzimet me TVSH-në dhe detyrimet e tjera fiskale. Pas kalimit të dosjes nga Prokuroria e Fierit në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), dy prokuroret Anita Jella dhe Enkeleida Millonai kanë vënë në sitën e hetimit edhe veprimet e organeve tatimore që ndër vite kanë lejuar abuzimet.
Në një përgjigje të SPAK thuhet se kjo dosje po hetohet për “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Hetimet e SPAK mesa duket pritet të shtrihen deri te firmëtarët e koncesionit. Te ata që rinegociuan marrëveshjen apo te strukturat e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore që lejuan këtë abuzim të frikshëm, por edhe te ata zyrtarë shtetërore që lejuan që shqiptarëve t’u vidhet një pasuri e stërmadhe. Gjithashtu mund të preken dhe kompanitë që kanë bërë biznes me “Bankers”. Firma të cilat janë rritur ndjeshëm, aq sa paratë që janë nxjerrë nga nëntoka, janë investuar në ndërtime në zonat më elitare në Shqipëri.
Çfarë ka ndodhur?
Në ditët e para të korrikut 2025, Prokuroria e Fierit urdhëroi një operacion të befasishëm në zyrat qendrore të kompanisë “Bankers Petroleum Albania”, duke lëshuar 14 masa sigurie për punonjësit. Procedimi penal ishte regjistruar më datë 30.12.2024 dhe hetimet nisën pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe pas një hetimi 6-mujor edhe me metoda të hetimit proaktiv, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, u grumbulluan prova të mjaftueshme të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se janë konsumuar elementet e figurave të veprave penale për të cilat është regjistruar ky procedim penal. Ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier.
Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të TVSH-së, është në miliona euro. Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmejt skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme.
Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria e punonjësit e saj dyshohet se janë falsifikuar dokumente të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në pranga ra numri 1 i kompanisë Hongping Xiao, i cili prej vitesh drejtonte aktivitetin e Bankers Petroleum si dhe ish-drejtuesi i saj, Leonidha Çobo, ku ndaj këtij të fundit në 4 nëntor u ndryshua masa e sigurisë. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi që të nxirrte nga qelia Çobon. Gjyqtari Erjon Çela vendosi që të zëvendësonte masën e sigurisë për Çobon, ish-Ceon e shoqërisë Bankers duke e lënë në “arrest shtëpie”.