Fushata e heshtur dhe e qetë që foli pak për Shqipërinë!
Zgjedhjet parlamentare të 11 majit po trokasin në derë, por rrallëherë një fushatë elektorale ka qenë kaq e heshtur në përmbajtje dhe kaq e zhurmshme në tone. Në vend të ideve, të vizioneve për Shqipërinë e së nesërmes, të platformave të qarta për mirëqeverisje, qytetarët u përballën me një betejë të zbrazët që zhvillohej më shumë në rrjetet sociale dhe nëpërmjet algoritmeve të inteligjencës artificiale sesa në terrenin e vërtetë të politikës.
Kjo fushatë u karakterizua nga mungesa totale e përballjeve mes liderëve të forcave kryesore politike. Edi Rama dhe Sali Berisha zgjodhën të flasin nga distanca, në monologë të njëanshëm, pa pasur kurrë guximin për t’u ulur përballë njëri-tjetrit e për t’u ndeshur me argumente. Edhe kandidatët për deputetë mbetën në hije, të painteresuar për t’u prezantuar ndershmërisht para zgjedhësve që presin zgjidhje konkrete.
Në vend të debatit, mbizotëruan sulmet personale, përbaltja dhe manipulimi dixhital. Rrjetet sociale u shndërruan në arenën kryesore të kësaj fushate të zbehtë, ndërsa inteligjenca artificiale u përdor më shumë për të deformuar perceptimin sesa për të ndihmuar qytetarin të marrë një vendim të informuar. Reklama në FieriWeb – “STREET FOOD S.O.A”
Rezultati i kësaj atmosfere është tashmë i pritshëm: Partia Socialiste e Edi Ramës shkon e sigurt drejt një mandati të katërt qeverisës, jo për shkak të ndonjë entuziazmi popullor apo platforme të re shpresëdhënëse, por për mungesë alternative reale. Ndërkohë, Partia Demokratike e Sali Berishës, edhe pse e qetë në ton, po marshon e sigurt drejt një tjetër humbjeje – një rrugë e diktuar nga izolimi, mungesa e rinovimit dhe pamundësia për të ndërtuar një projekt politik që frymëzon.
Në një vend ku politika është kthyer në një rutinë të parashikueshme pa substancë, zgjedhjet e 11 majit nuk janë më një garë idesh, por një formalitet elektoral që thjesht rithekson status quonë. Shqipëria meriton më shumë – meriton një politikë që flet për qytetarin, jo për liderët.Reklama në FieriWeb – “PASTIÇERI “RUSTEMAJ”
Vladimir Muçaj / newsalbania.al




