Tag: hercegovinës

  • Von der Leyen në Sarajevë: Bosnja të emërojë kryenegociatorin që t’i fillojë negociatat me BE-në

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha më 14 tetor në Sarajevë se prioritet është mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare, për çka është e nevojshme të emërohet kryenegociatori.
    Ajo theksoi se zgjedhja e personit që do ta mbajë këtë rol i takon institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës, por se më e rëndësishmja është që emërimi të bëhet sa më parë, në mënyrë që të mund të fillohet menjëherë me aktivitetet e nevojshme.
    Vizita e saj u zhvillua menjëherë pas vendimit të Këshillit të Ministrave, më 30 shtator, për të miratuar Draftin e Agjendës së Reformave, dokument që ka rëndësi vendimtare për tërheqjen e rreth 900 milionë eurove kredi të favorshme dhe grante nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

    Në konferencën për shtyp, pas takimit me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, von der Leyen kujtoi se “para një viti e gjysmë Këshilli Evropian mori një vendim historik për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Bosnjë e Hercegovinën”.
    Ajo shtoi se Bosnja dhe Hercegovina ka bërë një rrugë të gjatë dhe se vendi sot qëndron në prag të Bashkimit Evropian.
    “Ju përgëzoj për Agjendën e Reformave, dhe tani është radha jonë ta vlerësojmë atë; në hapin e ardhshëm do të duhet të shkojmë drejt finalizimit për miratimin e fondeve”, theksoi presidentja e Komisionit Evropian.
    Ajo theksoi se e ardhmja e të gjitha komuniteteve në Bosnjë e Hercegovinë është në Bashkimin Evropian, duke shtuar se zgjerimi “nuk është vetëm çështje politike, por edhe çështje zemre, vullneti dhe zëri të popullit”.
    “Sipas një ankete të fundit të opinionit publik, 72 për qind e qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës kanë besim tek Bashkimi Evropian. Brezat e rinj duan të jetojnë në një Evropë të bashkuar, dhe detyra jonë është t’ua bëjmë këtë të mundur”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
    Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, shprehu shpresën se “do të ketë përgjegjësi politike kur bëhet fjalë për rrugën evropiane të vendit”, duke theksuar se “në këtë proces nuk duhet të ketë ndarje mes pozite dhe opozite, por përkushtim të përbashkët ndaj Bashkimit Evropian”.
    Krishto gjithashtu njoftoi se e kishte informuar presidenten e Komisionit Evropian për përgatitjet e zhvillimit të Procesit të Berlinit, që do të mbahet javën e ardhshme. “Fatkeqësisht, ende nuk kemi arritur të harmonizojmë një marrëveshje mbi lëvizshmërinë, përkatësisht për qarkullimin me karta identiteti”, shtoi ajo.
    Presidentja e Komisionit Evropian më herët është takuar edhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës – Zhelko Komshiq, Zhelka Cvijanoviq dhe Denis Beqiroviq.
    Para mbërritjes në Sarajevë, ajo vizitoi edhe Qendrën Përkujtimore Potoçari pranë Srebrenicës. Siç deklaroi, “Bashkimi Evropian do ta kujtojë gjithmonë gjenocidin e Srebrenicës dhe nuk do të lejojë që të shkruhet një histori e re për të”./REL

  • Ministri i jashtëm i BiH optimist: Vendet mike mbështesin fuqimisht stabilitetin, kriza është gati të zgjidhet

    Ministri i jashtëm i BiH optimist: Vendet mike mbështesin fuqimisht stabilitetin, kriza është gati të zgjidhet

    Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjës dhe Hercegovinës, Elmedin Konaković, tha të martën se ka marrë garanci nga përfaqësuesit e vendeve më të rëndësishme që janë miq të vendit të tij, përfshirë SHBA-në, se do të mbështesin stabilitetin dhe sigurinë e Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe vlerësoi se kriza e shkaktuar nga Milorad Dodik është gati të shpërbëhet. Konakoviç u tha gazetarëve në Sarajevë pas kthimit nga Nju Jorku, ku mori pjesë në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke deklaruar se situata në BiH, pavarësisht krizave të tjera në të gjithë botën, mbetet e rëndësishme për vendet me ndikim. “Partnerët tanë strategjikë e dinë shumë mirë se çfarë po ndodh në Bosnjë dhe Hercegovinë”, tha Konaković, duke pohuar se ky është rasti edhe me administratën aktuale amerikane dhe se mbështetja për mbijetesën dhe stabilitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës është e padiskutueshme.
    Ai theksoi se ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për të gjithë ata me të cilët foli të sigurohej stabiliteti dhe siguria e BiH-së dhe paqja e fituar me mund. Kjo vlen edhe për vlerësimin e përgjithshëm se mandati i misionit ushtarak të Bashkimit Evropian në BiH duhet të zgjatet. Konakoviç thotë se ka plane të hollësishme për një zëvendësim të mundshëm nëse ka pengesa kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendos për zgjatjen e misionit në fund të tetorit dhe kur ekziston mundësia që Rusia ta vërë veton ndaj tij. “Ka plane për të kompensuar mungesën e misionit Althea”, tha ai. Konakoviç theksoi se është e qartë për të gjithë se kriza aktuale në BiH, të cilën ai e quajti “më e thella ndonjëherë”, u shkaktua nga ish-Presidenti i Republika Srpska Milorad Dodik, dhe mohimi i tij i vendimeve gjyqësore në të gjithë botën merret gjithashtu seriozisht.

  • Hungaria injoron vendimet në Bosnje, Szijjarto i drejtohet Dodikut si president

    Hungaria injoron vendimet në Bosnje, Szijjarto i drejtohet Dodikut si president

    Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto është takuar të enjten me Millorad Dodikun në Budapest dhe i është adresuar në cilësinë e presidentit, pavarësisht se mandati i është revokuar edhe zyrtarisht.

    Ministri i Jashtëm hungarez ka thënë se shteti i tij e respekton vullnetin e popullit që “i ka zgjedhur liderët në mënyrë demokratike në zgjedhje”.

    Dodiku nuk është më president i Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, pas një vendimi të marrë nga Gjykata e Bosnje-Hercegovinës, dhe një vendimi tjetër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ia ka marrë mandatin.

    Autoritetet hungareze kanë raporte të mira me Dodikun, dhe Budapesti zyrtar e ka bllokuar çdo përpjekje të Bashkimit Evropian për ta sanksionuar atë.

    “Ne besojmë se kjo qasje ndaj liderëve të Ballkanit Perëndimor, që përfshin sanksione dhe nënçmime, nuk duhet të jetë zgjidhje, dhe nuk duhet të jetë qasje e cila aplikohet në politikat ndërkombëtare”, ka thënë Szijjarto.

    Ai ka shtuar se ndikimi i jashtëm në Ballkanin Perëndimor ka rezultuar tradicionalisht me destabilizim.

    Sa i përket referendumit joligjor që kanë planifikuar autoritetet e entitetit serb, që lidhet me vendimin ndaj Dodikut, ai ka thënë se, as ata, dhe as Brukseli, nuk duhet të vendosin për të ardhmen e Republikës Sërpska.

    Asambleja e Republikës Sërpska ka thënë se do ta organizojë një referendum më 25 tetor për mosnjohje të vendimeve të Gjykatës së Bosnje-Hercegovinës, Komisionit Zgjedhor dhe Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese e Bosnjës ka përcaktuar më parë se nivelet më të ulëta qeveritare nuk mund të organizojnë referendume për çështje shtetërore.

    Duke folur para flamujve të Bosnjës dhe Republikës Sërpska, Dodik i ka përsëritur pretendimet e mëparshme se Bosnje-Hercegovina “është shtet dhe rast problematik” dhe që Marrëveshja e Dejtonit nuk ka qenë në interes të “shumë administratave amerikane dhe zyrave në Bruksel”, nga fillimi.

    “Si palë kontraktuese, ne e sollëm Republikën Sërpska në Bosnje-Hercegovinë. Bosnje-Hercegovina nuk ishte dëshirë për ne, por domosdoshmëri”, ka thënë Dodik.

    Ai e ka përsëritur kërkesën që Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të largohet nga shteti, dhe ka thënë që “nëse gjërat nuk shkojnë në të mirën tonë”, Republika Sërpska do të marrë vendim lidhur me pavarësinë.

    Një muaj më parë, Dodiku e ka vizituar Budapestin, ku është takuar me kryeministrin hungarez, Viktor Orban. Takimi është zhvilluar pas vendimit të gjykatës, por para se t’i revokohej mandati.

    Atëbotë, Orbani ka thënë se “nuk e njeh” vendimin e Gjykatës së Bosnje-Hercegovinës./ REL/ 

  • Bojkot dhe pasiguri para zgjedhjeve në Republikën Sërpska

    Bojkot dhe pasiguri para zgjedhjeve në Republikën Sërpska

    Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnje e Hercegovinës shpalli zgjedhjet e parakohshme presidenciale në Republikën Sërpska, por nuk dihet se cilat parti do të marrin pjesë dhe cilët janë kandidatët e tyre.

    Dihet se opozita po përpiqet të ketë një kandidat, i cili, siç qëndrojnë gjërat aktualisht, do të propozohet nga më e forta mes tyre: Partia Demokratike Serbe.

    Nga ana tjetër, partia më e madhe në këtë entitet, Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur e Millorad Dodikut, paralajmëroi bojkotimin e zgjedhjeve.

    Partnerët e koalicionit të Dodikut thanë se do të ndjekin vendimet e institucioneve të entitetit, përfshirë Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska, i cili me votat e tyre shpalli një referendum.

    Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnje e Hercegovinës shpalli zgjedhjet për 23 nëntor, pasi Dodik, kryetar i Aleancës së Social-Demokratëve të Pavarur në pushtet, u dënua nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës dhe iu hoq mandati i presidentit të Republikës Sërpska. 

    Partitë në pushtet përqendrohen te referendumi

    “Zgjedhjet e parakohshme për presidentin e Republikës Sërpska] nuk janë një aspiratë apo kërkesë e vërtetë e Republikës Sërpska. Askush nuk po kërkon zgjedhje”, tha Dodik, siç u citua nga Radiotelevizioni i Republikës Sërpska.

    Qëndrimi i tij mbështetet nga partnerët e tij të koalicionit nga Sërpska e Bashkuar dhe DEMOS.

    Kryetari i Sërpskës së Bashkuar, Nenad Stevandiq, tha se do të marrë qëndrim zyrtar, “pasi të zhvillojmë një bisedë mes institucioneve të Republikës Sërpska”, duke shtuar se fokus i koalicionit qeverisës do të mbetet sfidimi i vendimit të Gjykatës.

    “Ne do t’i bazojmë veprimet tona në referendumin që kemi planifikuar për 25 tetor”, tha Stevandiq, i cili është gjithashtu kryetar i Parlamentit të entitetit, për agjencinë e lajmeve SRNA.

    Në referendumin e 25 tetorit, qytetarët e këtij entiteti duhet të shprehin mendimin e tyre për vendimin e Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës që e dënon Dodikun me një vit burg – dënim të cilin ai e shpagoi me një pagesë prej rreth 18.000 eurosh – për vendimin e KQZ-së për t’ia marrë mandatin, por edhe për vendimet e përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare.

    Referendumi u thirr edhe pse bie ndesh me ligjet e Bosnje e Hercegovinës për zbatimin e detyrueshëm të vendimeve gjyqësore, si dhe me vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës, që ndalojnë referendumet e entiteteve për çështje shtetërore, ndaj edhe pritet një ankesë para gjykatës më të lartë shtetërore.

    Nedelko Çubrilloviq, kryetar i DEMOS-it, tha se partia e tij “ndjek vendimet e institucioneve dhe organeve zyrtare të Republikës Sërpska”.

    “Ne do të mbajmë një mbledhje të kryesisë së partisë, pas së cilës do të dalim me një deklaratë”, tha Çubrilloviq për agjencinë SRNA.

    Opozita do një kandidat të vetëm

    Partitë kryesore të opozitës në Republikën Sërpska mbeten të përkushtuara për të dalë me një kandidat të vetëm, i cili duhet të nominohet nga Partia Demokratike Serbe, pasi ka më shumë përfaqësues në Kuvendin popullor të entitetit.

    Megjithatë, partia, e cila u themelua nga Radovan Karaxhiq, i dënuar me burgim të përjetshëm në Hagë për gjenocid dhe krime të tjera lufte, përjetoi një ndarje në mes të korrikut.

    Millan Milliçeviq dha dorëheqje si kryetar, ndërsa para tij pothuajse e gjithë udhëheqja e partisë, pasi tre udhëheqësit e mëparshëm – Mirko Sharoviq, Vukota Govedarica dhe Mlladen Bosiq – shprehën pakënaqësitë e tyre me udhëheqjen e Milliçeviqit.

    Zgjedhje të brendshme partiake për udhëheqjen e re nuk janë mbajtur.

    “Vendimi përfundimtar i Partisë Demokratike Serbe për zgjedhjet, pjesëmarrjen, kandidatin dhe çështje të tjera do të merret më 7 shtator, në seancën e Bordit Kryesor të partisë”, tha për Radion Evropa e Lirë Jovica Radulloviq, i cili përkohësisht drejton partinë.

    Jellena Triviq, udhëheqëse e Frontit Popullor të opozitës, e cila humbi përballë Dodikut në garën presidenciale të vitit 2022, beson se është thelbësore pjesëmarrja në zgjedhje, “pavarësisht faktit se ky vendim [kundër Dodikut] është politik” dhe se “ne nuk e mbështesim ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare”.

    “Nuk është reale që unë të jem përsëri kandidate. Gjëja më reale është që Partia Demokratike Serbe të paraqesë një kandidat të përbashkët”, tha Triviq për Radion Evropa e Lirë.

    Nebojsha Vukanoviq, kryetar i Listës së Drejtësisë dhe Rendit në opozitë, tha gjithashtu se Partia Demokratike Serbe duhet të propozojë një kandidat të përbashkët, që do të mbështetet nga opozita.

    A do të jenë zgjedhjet të drejta dhe të ndershme?

    Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnje e Hercegovinës, Irena Haxhiabdiq, tha në një konferencë për media më 28 gusht – pasi u shpallën zgjedhjet e parakohshme – se nuk pret ndonjë vështirësi në organizimin e zgjedhjeve në Republikën Sërpska.

    Sipas saj, qendrat e votimit do të jenë të njëjta me ato të zgjedhjeve lokale në vitin 2024.

    “Do të kemi 48 qendra votimi në Federatën [tjetër] të Bosnje dhe Hercegovinës për votim në mungesë. Kjo është e mjaftueshme për të zgjedhur presidentin e Republikës Sërpska”, tha Haxhiabdiq kur u pyet se sa votues duhet të dalin që zgjedhjet të jenë të vlefshme për presidentin e Republikës Sërpksa.

    Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnje e Hercegovinës vendosi të shpallë zgjedhje të parakohshme vetëm për presidentin e Republikës Sërpska nga populli serb, sepse mandatet e dy nënkryetarëve (një boshnjak dhe një kroat) nuk janë revokuar.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, rreth 1.26 milion qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme – ngjashëm me zgjedhjet e mëparshme në vitin 2022, në të cilat votuan rreth 676.000 njerëz.

    Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Bosnje dhe Hercegovinë e mbështeti vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnje dhe Hercegovinës për të shpallur zgjedhje të parakohshme presidenciale në Republikën Sërpska.

    Pse është e rëndësishme kjo pozitë?

    Presidenti i Republikës Sërpska ka kompetenca të konsiderueshme kushtetuese dhe ligjore, përfshirë të drejtën për të emëruar kryeministrin, për të thirrur seanca qeveritare, për të emëruar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe për të shkarkuar kryeministrin pa votim në Kuvendin e entitetit.

    Kryeministri i Republikës Sërpska, Radovan Vishkoviq, paraqiti dorëheqjen e tij, e cila u pranua nga Kuvendi, dhe Qeveria e Republikës Sërpska aktualisht është me mandat teknik.

    Republika Sërpska ka edhe dy nënkryetarë, që duhet të jenë të kombësive të ndryshme, por ata nuk kanë pushtet ekzekutiv, përveç nëse u delegohet nga presidenti i entitetit.

    Aktualisht, këto funksione mbahen nga Qamil Durakoviq dhe Davor Pranjiq./REL

  • Zgjedhjet e parakohshme presidenciale në Republikën Sërpska caktohen për 23 nëntor

    Zgjedhjet e parakohshme presidenciale në Republikën Sërpska caktohen për 23 nëntor

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjë dhe Hercegovinës ka shpallur zgjedhjet e parakohshme për president të Republikës Sërpska (RS) më 23 nëntor.

    Kjo pozitë në entitetin serb mbeti e lirë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia hoqi mandatin Millorad Dodikut më 18 gusht, në bazë të një vendimi të formës së prerë të Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, me të cilin ai u dënua me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim për ushtrimin e funksioneve publike për shkak të moszbatimit të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.
    Dodik refuzon të tërhiqet nga kjo pozitë.

    Ndërkohë, Kuvendi i Republikës Sërpska ka miratuar një sërë ligjesh dhe konkluzionesh jokushtetuese që lidhen me mbajtjen e një referendumi në këtë entitet të Bosnjë e Hercegovinës, në të cilin qytetarët do të duhej të shpreheshin për aktgjykimin e Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës kundër Dodikut dhe për vendimin e KQZ-së së Bosnjës me të cilin atij iu hoq mandati i presidentit të RS-së.
    KQZ-ja e Bosnjës ka marrë vendim që të shpallen zgjedhje të parakohshme për presidentin e RS-së, pasi dy nënkryetarëve (një boshnjak dhe një kroat) nuk u janë hequr mandatet.
    Në mbledhjen e KQZ-së është miratuar gjithashtu përfundimi që lista qendrore e votuesve të mbyllet më 27 gusht të këtij viti në orën 00:00. Të drejtë vote, sipas listës zgjedhore, kanë rreth 1 milion e 266 mijë votues.
    Për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për presidentin e Republikës Sërpska është e nevojshme të ndahen 6 milionë e 490 mijë marka (rreth 3.2 milionë euro).
    Bosnja dhe Hercegovina ende nuk ka buxhet të miratuar dhe shteti funksionon me buxhet të përkohshëm.
    Presidenca në Bosnje më 19 gusht ka dorëzuar projekt-buxhetin, ku është paraparë edhe financimi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në RS.
    Që të hyjë në fuqi, buxheti duhet të miratohet edhe në të dyja dhomat e Parlamentit të Bosnje e Hercegovinës.
    Kush do të mund të votojë në zgjedhje?
    Të gjithë qytetarët në moshë madhore me vendbanim të regjistruar në entitetin e Republikës Sërpska, të cilët figurojnë në listën zgjedhore, mund të votojnë për presidentin e këtij entiteti.
    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjës menaxhon me listën e votuesve.
    Qytetarët mund në çdo kohë të kontrollojnë nëse janë të regjistruar, ku ndodhet vendvotimi i tyre, si dhe të kërkojnë regjistrim ose fshirjen, për shembull, të personave të vdekur nga lista zgjedhore.
    Kush do t’i organizojë zgjedhjet?
    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjës dhe Hercegovinës është organi përgjegjës për organizimin dhe zhvillimin e të gjitha zgjedhjeve në Bosnje – të përgjithshme, lokale dhe të parakohshme.
    Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje, Christian Schmidt, në mars 2024 ka zgjeruar kompetencat e KQZ-së përmes ndryshimeve në Ligjin Zgjedhor të Bosnjës. Me këto ndryshime, KQZ-ja fitoi të drejtën të emërojë anëtarët e këshillave të vendvotimeve, të cilët vetëm në zgjedhjet lokale të atij viti ishin mbi 12.000.
    KQZ-ja përveç pranimit të kandidaturave, do të duhet të organizojë edhe pjesën teknike: shtypjen e fletëvotimeve dhe vendosjen e pajisjeve për identifikim elektronik të votuesve dhe numërim elektronik të votave. Ky sistem pritet të zbatohet plotësisht në gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën deri në zgjedhjet e rregullta të përgjithshme në tetor 2026./REL

  • Republika Sërpska drejt kutive të votimit/ Zgjedhjet e parakohshme presidenciale më 23 nëntor

    Republika Sërpska drejt kutive të votimit/ Zgjedhjet e parakohshme presidenciale më 23 nëntor

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjë dhe Hercegovinës ka shpallur zgjedhjet e parakohshme për president të Republikës Sërpska (RS) më 23 nëntor.
    Kjo pozitë në entitetin serb mbeti e lirë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia hoqi mandatin Millorad Dodikut më 18 gusht, në bazë të një vendimi të formës së prerë të Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, me të cilin ai u dënua me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim për ushtrimin e funksioneve publike për shkak të moszbatimit të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.
    Dodik refuzon të tërhiqet nga kjo pozitë.
    Ndërkohë, Kuvendi i Republikës Sërpska ka miratuar një sërë ligjesh dhe konkluzionesh jokushtetuese që lidhen me mbajtjen e një referendumi në këtë entitet të Bosnjë e Hercegovinës, në të cilin qytetarët do të duhej të shpreheshin për aktgjykimin e Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës kundër Dodikut dhe për vendimin e KQZ-së së Bosnjës me të cilin atij iu hoq mandati i presidentit të RS-së.
    KQZ-ja e Bosnjës ka marrë vendim që të shpallen zgjedhje të parakohshme për presidentin e RS-së, pasi dy nënkryetarëve (një boshnjak dhe një kroat) nuk u janë hequr mandatet.
    Në mbledhjen e KQZ-së është miratuar gjithashtu përfundimi që lista qendrore e votuesve të mbyllet më 27 gusht të këtij viti në orën 00:00. Të drejtë vote, sipas listës zgjedhore, kanë rreth 1 milion e 266 mijë votues.
    Për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për presidentin e Republikës Sërpska është e nevojshme të ndahen 6 milionë e 490 mijë marka (rreth 3.2 milionë euro).
    Bosnja dhe Hercegovina ende nuk ka buxhet të miratuar dhe shteti funksionon me buxhet të përkohshëm.
    Presidenca në Bosnje më 19 gusht ka dorëzuar projekt-buxhetin, ku është paraparë edhe financimi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në RS. Që të hyjë në fuqi, buxheti duhet të miratohet edhe në të dyja dhomat e Parlamentit të Bosnje e Hercegovinës.
    Kush do të mund të votojë në zgjedhje?
    Të gjithë qytetarët në moshë madhore me vendbanim të regjistruar në entitetin e Republikës Sërpska, të cilët figurojnë në listën zgjedhore, mund të votojnë për presidentin e këtij entiteti.
    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjës menaxhon me listën e votuesve.
    Qytetarët mund në çdo kohë të kontrollojnë nëse janë të regjistruar, ku ndodhet vendvotimi i tyre, si dhe të kërkojnë regjistrim ose fshirjen, për shembull, të personave të vdekur nga lista zgjedhore.
    Kush do t’i organizojë zgjedhjet?
    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjës dhe Hercegovinës është organi përgjegjës për organizimin dhe zhvillimin e të gjitha zgjedhjeve në Bosnje – të përgjithshme, lokale dhe të parakohshme.
    Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje, Christian Schmidt, në mars 2024 ka zgjeruar kompetencat e KQZ-së përmes ndryshimeve në Ligjin Zgjedhor të Bosnjës. Me këto ndryshime, KQZ-ja fitoi të drejtën të emërojë anëtarët e këshillave të vendvotimeve, të cilët vetëm në zgjedhjet lokale të atij viti ishin mbi 12.000.
    KQZ-ja përveç pranimit të kandidaturave, do të duhet të organizojë edhe pjesën teknike: shtypjen e fletëvotimeve dhe vendosjen e pajisjeve për identifikim elektronik të votuesve dhe numërim elektronik të votave. Ky sistem pritet të zbatohet plotësisht në gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën deri në zgjedhjet e rregullta të përgjithshme në tetor 2026. REL/

  • Dodik refuzon vendimin e gjykatës: Nuk largohem, jam presidenti i Republikës Serbe

    Dodik refuzon vendimin e gjykatës: Nuk largohem, jam presidenti i Republikës Serbe

    Milorad Dodik

    BOSNJË-HERCEGOVINA-Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Milorad Dodik ka deklaruar se nuk do ta njohë heqjen e mandatit të tij dhe do të vazhdojë të veprojë si president i Republikës Serbe.
    “Unë nuk do ta respektoj këtë vendim. Do t’i përmbahem vetëm vullnetit të popullit serb. Ju prisni që të nënshtrohem, por unë nuk do ta bëj këtë. Jam president i Republikës Serbe dhe ju mund të shkruani çfarë të doni. Populli më ka zgjedhur, jo një qeveri e huaj”, shkroi Dodik në rrjetin social X, në një reagim të ashpër ndaj vendimit.
    Ai akuzoi institucionet që e hoqën nga detyra se nuk kanë respektuar as Kushtetutën e Bosnjë dhe Hercegovinës, as atë të Republikës Serbe, e as ligjin.
    “Ju keni rrugën tuaj, ne do të ndjekim tonën. Shpresoj që ato rrugë të mos takohen”, përfundoi ai.
    Presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i ka përfunduar zyrtarisht mandati, pasi Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës e hodhi poshtë ankesën e avokatit të tij ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bosnje dhe Hercegovinës, me të cilin atij i hiqet mandati për këtë funksion.
    Vendimi i Gjykatës është përfundimtar, sipas njoftimit të këtij institucioni gjyqësor më 18 gusht. Sipas Ligjit Zgjedhor të Bosnje dhe Hercegovinës, KQZ-ja duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme për presidentin e Republikës Sërpska, të cilat duhet të mbahen brenda 90 ditësh.

  • Iu hoq mandati, Dodik sfidon sërish drejtësinë: Do të mbetem President i Republika Srpska

    Iu hoq mandati, Dodik sfidon sërish drejtësinë: Do të mbetem President i Republika Srpska

    Milorad Dodik, të cilit sot iu hoq mandati si President i Republika Srpska (RS), ka deklaruar se nuk do ta respektojë vendimin dhe se do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e tij si kreu i atij entiteti të Bosnjës dhe Hercegovinës.

    “Nuk do ta respektoj. Do ta respektoj vullnetin e popullit serb. Ju ishit arrogant dhe prisni që unë të jem i nënshtruar. Nuk do të jem. Unë jam president i Republikës Srpska, dhe ju mund të shkruani çfarë të doni. Unë u zgjodha nga populli, nuk do të zëvendësohem nga një qeveri e huaj”, tha Dodik në rrjetin social X.

    Ai akuzoi autoritetet se nuk respektuan Kushtetutën e Bosnjës dhe Hercegovinës, as Kushtetutën e RS-së dhe as ligjin, duke shtuar se “secili do të veprojë sipas mënyrës së vet”. “Shpresoj që rrugët tona të mos kryqëzohen”, përfundoi ai.

    Dhoma e Apelit e Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës sot hodhi poshtë ankesën e Dodikut ndaj vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), i cili ia hoqi mandatin pas shpalljes së një vendimi gjyqësor. Sipas këtij vendimi, Dodik u dënua me një vit burg dhe një ndalim gjashtëvjeçar për të ushtruar funksione politike, për shkak të moszbatimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë.

    Pas vendimit të sotëm, Dodik zyrtarisht nuk është më President i RS-së. KQZ-ja është e detyruar të shpallë zgjedhje të parakohshme për këtë post brenda 90 ditëve.

  • Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës: Dodik nuk është më president i Republikës Sërpska

    Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës: Dodik nuk është më president i Republikës Sërpska

    Presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i ka përfunduar zyrtarisht mandati, pasi Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës e hodhi poshtë ankesën e avokatit të tij ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bosnje dhe Hercegovinës, me të cilin atij i hiqet mandati për këtë funksion.

    Vendimi i Gjykatës është përfundimtar, sipas noftimit të këtij institucioni gjyqësor më 18 gusht.
    Sipas Ligjit Zgjedhor të Bosnje dhe Hercegovinës, KQZ-ja duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme për presidentin e Republikës Sërpska, të cilat duhet të mbahen brenda 90 ditësh.

    Mandati i presidentit të zgjedhur në këto zgjedhje do të zgjasë deri në zgjedhjet e përgjithshme, të planifikuara për në tetor të vitit të ardhshëm.
    Më herët, KQZ-ja e Bosnje dhe Hercegovinës mori vendim për t’i hequr mandatin Dodikut, pasi Gjykata e këtij vendi, në fillim të gushtit, tha se ai është dënuar me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve publike në Bosnje dhe Hercegovinë, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.
    Në ankesën, në të cilën ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, ekipi juridik i Dodikut e kundërshton zbatimin retroaktiv të përfundimit të mandatit, pasi si datë e përfundimit është përcaktuar 12 qershori, ndërsa vendimi për përfundimin e mandatit është marrë më 6 gusht.
    Po ashtu kundërshtohet edhe pjesëmarrja në votim e anëtares së KQZ-së, Vanja Bjellica Prutina, për përfundimin e mandatit të Dodikut, meqë ajo është në një proces gjyqësor civil me të.
    Në bazë të padisë së saj për shpifje, pranë Gjykatës Themelore në Sokollac po zhvillohet një procedurë civile.
    Në tetor të vitit 2024, gjykatësi ka marrë një vendim të shkallës së parë, me të cilin e ka hedhur poshtë padinë, por Vanja Bjellica Prutina ka paraqitur ankesë kundër këtij vendimi.
    Dodik e ka hedhur poshtë edhe aktgjykimin përfundimtar të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës, edhe vendimin e KQZ-së, duke paralajmëruar se në fund të shtatorit do të mbahet një referendum në Republikën Sërpska.
    Ekipi i avokatëve të Dodikut ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës edhe një masë të përkohshme për ndalimin e ekzekutimit të aktgjykimit deri në vendimin përfundimtar të kësaj gjykate, edhe pse Dodik, publikisht, nuk e njeh këtë gjykatë.
    Nga ekipi juridik i Dodikut kanë thënë më herët se paraqitja në Gjykatën Kushtetuese është parakusht që më pas t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
    Sipas aktgjykimit përfundimtar të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Dodiku është dënuar sepse ka nënshkruar publikimin e ligjeve, të cilat më herët janë shfuqizuar nga përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt, e që kanë paraparë moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republikës Sërpska.
    Ekipi i avokatëve të Dodikut ka kërkuar nga Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës që dënimi me burg prej një viti të zëvendësohej me gjobë – një mundësi që e parasheh Kodi Penal i këtij vendi – dhe gjykata e ka pranuar atë kërkesë.
    Kështu, Dodik do të paguajë rreth 36.500 marka (më shumë se 18.000 euro) brenda një viti, përkatësisht 100 marka (50 euro) për çdo ditë burgu. /REL/

  • Jep dorëheqjen kryeministri i Republikës Sërpska, Radovan Vishkoviç

    Jep dorëheqjen kryeministri i Republikës Sërpska, Radovan Vishkoviç

    Radovan Vishkoviç, kryeministër i entitetit të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, dha dorëheqje nga posti i tij të hënën, më 18 gusht.
    Ai është anëtar i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur, të udhëhequr nga Millorad Dodik.
    Vishkoviç ishte në krye të Qeverisë së Republikës Sërpska që nga viti 2018, ndërsa mandatin e tij opozita shpesh e ka kritikuar për mënyrën e menaxhimit të resurseve të entitetit, për dhe qasjen ndaj institucioneve të Bosnje e Hercegovinës.
    Që nga korriku i vitit 2023, Vishkoviç gjendet në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të kërcënimeve ndaj Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, dhe cenimit të sovranitetit të Bosnje e Hercegovinës.
    Siç pati bërë të ditur atëherë Departamenti amerikan i Thesarit, Vishkoviq është një nga udhëheqësit në RS, i cili mban përgjegjësi “për nxitjen e miratimit të ligjeve në Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska, me të cilat vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës shpallen të pazbatueshme në RS, duke penguar dhe rrezikuar kështu zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit”.
    Këto sanksione përfshijnë ndalimin e hyrjes në SHBA dhe ngrirjen e pasurisë që gjendet nën juridiksionin e tyre.
    Vishkoviç është gjithashtu një nga të dyshuarit në hetimin e Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës për veprën penale të sulmit ndaj rendit kushtetues.
    Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Dodik, president i Republikës Sërpska, si dhe Nenad Stevandiç, kryetar i parlamentit të entitetit./ REL