Elmas Bogdani
Ish-kryeministri Sali Berisha vazhdon lobimin në SHBA për heqjen e “non gratës”. Për këtë qëllim, ai ka lidhur një kontratë dyvjeçare me një kompani amerikane, që ka si objektiv heqjen e tij nga lista e zezë. Kostoja e kësaj fushate është tepër e lartë – 6 milionë dollarë – me një tarifë mujore prej 250 mijë dollarësh. Deri tani, janë paguar 750 mijë dollarë për fillimin e lobimit, që përfshin edhe një telefonatë me Dan Holler, shefin e stafit të sekretarit të shtetit Marco Rubio, i cili drejton departamentin përgjegjës për mbajtjen e “non gratës” të Berishës në fuqi. Por meqenëse Berishës i duhej një lajm i mirë nga SHBA para 11 majit për ta përdorur për të ndikuar te votuesit për zgjedhje, u aktivizua dhe një gazetar amerikan, Mark Caputo, i cili kishte pyetur një person që nuk dihet ende se kush është në Departamentin e Shtetit Amerikan nëse ish-kryeministri Sali Berisha mund të udhëtojë në Amerikë?
Ky i fundit i ishte përgjigjur se edhe mund të ndodhë. Dhe këtë gjë, gazetari nuk e kishte postuar në ndonjë gazetë apo portal, por thjesht nëpërmjet një cicërime në rrjetin e tij social. Vetëm kaq mjaftoi që e gjithë Partia Demokratike njëzëri të dilte me qëndrimin se non-grata e Berishës ka rënë. Por a mjafton një cicërimë për të thënë se një sanksionim kaq serioz është hequr apo ka rënë? Sigurisht që jo. Për Sali Berishën, gruaja e tij Liri Berisha dhe dy fëmijët, Argita dhe Shkëlzen, ky status mund të verifikohet shumë thjeshtë në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit të SHBA, ku përgjigjja për çdo pyetje lidhur me këtë çështje është e njëjtë: Sali Berisha është i sanksionuar dhe statusi i tij si “non grata” nuk është hequr. Për më tepër, deri tani, nuk ka asnjë dokument zyrtar që të konfirmojë heqjen e këtij statusi.
Ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, shpjegoi disa kohë më parë se provat që çuan në shpalljen e Berishës “non grata” janë mbledhur për vite nga agjenci të ndryshme amerikane, duke përfshirë Departamentin e Thesarit, FBI dhe CIA, të cilët kanë shqyrtuar me kujdes faktet dhe dëshmitë që lidhen me akuzat për korrupsion dhe përpjekjet për të minuar demokracinë. Pra kjo dosje e rëndë e Berishës ka qenë produkt i hetimeve të thella dhe të ndërlikuara, dhe nuk është krijuar për asnjë arsye të rastësishme. Heqja e statusit të “non gratës” për Berishën nuk është një procedurë që mund të ndodhë “me magji”, por kërkon një proces të thelluar dhe të shumëanshëm, që për momentin nuk është realizuar dhe sipas gjasave nuk do të realizohet kurrë, pasi SPAK konfirmoi akuzat ndaj Berishës nga SHBA se ka pasuruar familjen kur ishte në pushtet. Ky fakt evidentohet në dosjen “Partizani”.
Goditja që ka marrë Berisha nga administrata “Trump”
Kujtojmë se një shuplakë erdhi nga DASH së fundmi për Berishën, me një raport të publikuar në mars 2025, me të cilin fundos ish-kryeministrin duke thënë se arritja kryesore e SPAK ishte marrja e tij si i pandehur për aferën ‘Partizani’. Stafi i Donald Trump nuk i harron Berishës as shpalljen non grata në 2021. Berisha dhe besnikët e tij kishin ‘shpresa’ se me rikthimin e Trump do i hiqej non grata, por duket se stafi i Presidentit amerikan është treguar shumë i kujdesshëm që të nënvizojë në raport se Berisha është i sanksionuar nga SHBA. Departamenti amerikan i Shtetit publikoi “Raportin e Strategjisë së Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve të 2025-ës” ku vlerësohet puna e autoriteteve shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe atë të pastrimit të parave.
Pikërisht, raporti është firmosur në muajin mars 2025, tashmë që Amerika është nën drejtimin e Donald Trump, për të cilin Berisha kishte shpresa se do t’i hiqte non gratën. Por, përtej oqeanit, mesazhi vjen i qartë për ish-kryeministrin, për të cilin DASH thotë se u mor i pandehur për korrupsion, pasi pasuroi familjen e tij, ndërsa e cilëson në raport si një preson të futur në listën e zezë të SHBA. DASH vlerëson arritjet e SPAK dhe veç rastit të Berishës, thekson edhe marrjen të pandehur të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, lidhur me këtë aferë.