Tag: hemodializën

  • Koncensioni për hemodializën! Braçe në KLSH: Spitali Amerikan ka marrë pagesën pa kryer shërbime, të kryhet auditim

    Koncensioni për hemodializën! Braçe në KLSH: Spitali Amerikan ka marrë pagesën pa kryer shërbime, të kryhet auditim

    Erion Braçe

    TIRANË-Gjatë raportit vjetor të Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat (KLSH-së) për vitin 2024, deputetët i kanë kërkuar Kontrollit të Lartë të Shtetit që të kryejë një auditim dhjetëvjeçar për tre koncesionet kryesore në shëndetësi, kontrollin bazë, hemodializën dhe sterilizimin. 
    Kontrata e koncesionit të hemodializës ofrohet nga Spitali Amerikan i biznesmenit, Klodian Allajbeu dhe për të deputeti socialist Erion Braçe deklaroi se ka rezultuar me pagesa për shërbime të pakryera, konkretisht për 9241 raste nën projeksion dhe 1557 raste mbi projeksion, në vlerën 103.5 milionë lekë. 
    “Në raport thuhet se kontrata koncesionare për hemodializën ka rezultuar me pagesa për shërbime të pakryera, konkretisht për 9241 raste nën projeksion dhe 1557 raste mbi projeksion, në vlerën 103.5 milionë lekë. E njëjta sjellje përsëritet çdo vit. Duhet një auditim i plotë për 10 vitet e këtyre kontratave, nga dita e parë deri në fund, që Ministria e Shëndetësisë të vendosë nëse do t’i zgjasë apo t’i mbyllë”, deklaroi Braçe.
    Kontrata për shërbimin e hemodializës, e cila ofrohet nga Spitali Amerikan i biznesmenit Klodian Allajbeu, është një nga më të kontestuarat. Shkeljet në këtë kontratë u konfirmuan edhe nga kreu i KLSH-së, Arben Shehu, i cili kërkoi që qeveria të analizojë mundësinë e rikuperimit të dëmeve financiare.
    “Në kontratat koncesionare janë konstatuar shkelje të kritereve të financimit, mangësi në monitorim dhe në vlerësimin e efekteve buxhetore. Në disa raste janë bërë pagesa për shërbime që nuk janë kryer ose janë kryer në vëllime më të ulëta se projeksionet. Shteti duhet të analizojë këto raste dhe të rikuperojë dëmin brenda afateve ligjore,” u shpreh Shehu.
    Këto koncensione marrin miliona euro çdo vit nga buxheti i shtetit dhe kontratat me spitalet janë drejt përfundimit të afateve./ZËRI