Gazeta Standard është portali zyrtar i gazetës se përditshme “Standard”. Parimi ynë është informimi i thelluar i mbeshtetur ne objektivitet dhe investigim. “Behu pjese e lajmit”- eshte motoja jone kryesore qe fton lexuesit te jene pjese e jona
Tag: gurët
-

“Gurët gjigantë po na rrezikojnë jetën!” Deputeti Çelaj kërkon ndërhyrje në aksin Fierzë-Bajram Curri
Deputeti i Partisë Demokratike, Isuf Çelaj, ka ngritur sot një shqetësim urgjent lidhur me një rrezik të madh që kërcënon banorët e zonës së Fierzës në Tropojë. Përmes një postimi në Facebook, ai publikoi mesazhin e një banori, i cili denoncon rrezikun e rënies së gurëve me përmasa gjigante në aksin Fierzë–Bajram Curri, konkretisht në fshatin Gegëhysen.
Sipas qytetarit, gurët e mëdhenj ndodhen në prag të rrëzimit në rrugën nacionale dhe mund të shkaktojnë tragjedi në çdo moment. Ai thotë se banorët e zonës e përdorin këtë rrugë çdo ditë dhe se pavarësisht thirrjeve drejtuar Bashkisë Tropojë, nuk është marrë asnjë masë.Banorët paralajmërojnë se, në mungesë të ndërhyrjes, do të organizojnë një protestë me bllokim të rrugës dhe të hyrjes së HEC-it të Fierzës. Ata kërkojnë mbështetjen e deputetit dhe njoftimin e institucioneve përgjegjëse.
“Nuk ka për të kushtuar shumë. Ky rrezik mund të hiqet për një ditë pune!” shkruan Çelaj në reagimin e tij, duke u bërë thirrje strukturave shtetërore që të veprojnë menjëherë.
Deputeti kërkon ndërhyrje urgjente nga Emergjencat Civile, Bashkia Tropojë, Njësia e Emergjencave në Prefekturën Kukës, për të shmangur një ngjarje të rëndë në zonën e Demushajve të Gegëhysenit.
Banorët presin reagim të shpejtë, ndërsa situata vlerësohet si një emergjencë që mund të zgjidhet brenda ditës, nëse institucionet lëvizin. -

A mundet uji i gazuar të shkaktojë gurë në veshka?
Meqenëse uji i gazuar përmban minerale, a duhet të shqetësoheni se shumë ujë i gazuar mund të shkaktojë gurë në veshka?
Gurët në veshka janë depozita jonormale të forta të mineraleve dhe kripërave që formohen në veshka.
Gurët në veshka përbëhen nga depozitat e kalciumit dhe oksalateve.Gurët në veshka mund të jenë të dhimbshëm pasi lëvizin nëpër traktin urinar dhe shkaktojnë bllokim të veshkave.
Gurët që mbeten në veshka zakonisht nuk shkaktojnë dhimbje, por mund të çojnë në dëmtime të veshkave ose infeksione serioze të traktit urinar.
Gurët në veshka formohen kur përqendrimi i mineraleve dhe përbërësve që formojnë gurë në urinë bëhet shumë i lartë.
A mundet uji i gazuar të shkaktojë gurë në veshka?
Uji i gazuar përmban minerale natyrore dhe elementë gjurmë, zakonisht nga burime nëntokësore.
Mendimi i gabuar se uji mineral i gazuar shkakton gurë në veshka vjen nga fakti se ai përmban minerale.
Megjithatë, këto minerale janë natyrale dhe në doza të vogla. Sasitë e vogla të mineraleve nuk ndikojnë në formimin e gurëve.
Megjithatë, pirja e tepërt e sodës së ëmbël mund të rrisë marrjen e sheqerit, duke rritur rrezikun e disa kushteve, siç është diabeti i tipit 2.
Kjo lidhje e ujit të gazuar dhe gurëve është një keqkuptim i madh dhe shton se çdo gjë në moderim nuk mund të dëmtojë, duke përfshirë edhe marrjen e ujit të gazuar.
-

Nga murana te guri i njëjtë
Nga: Mërgim Bekteshi
Derisa Herakliti e shihte gurin si pjesë të rendit të pandryshueshëm të kozmosit, poetja Majlinda Sinani përçon të njëjtin varg filozofik në librin e saj të dytë, “…I njëjti gur” (Shtëpia Botuese Littera, 2025). Ky simbol i njëjtë shfaqet edhe në librin e parë, Muranë fjalësh, ku gurët përfaqësonin përvuajtjen, kujtimet dhe analogjitë historike, ndërsa në librin e dytë ata zhvillohen në një dimension më intim e meditativ mbi kohën, mungesën dhe marrëdhëniet njerëzore. Gurët, për poeten, nuk janë thjesht objekte të inorganizuara, por bartin peshën e përjetësisë dhe reflektimit shpirtëror.
Në Muranë fjalësh, gurët vijnë si “muranë” që ndërtojnë kujtesën kolektive e personale, duke u bërë metaforë e barrës historike e shpirtërore. Në librin e dytë, gurët shfaqen ndryshe: si shenja të një meditimi të thellë, që lidhet jo vetëm me historinë, por me përjetimin e drejtpërdrejtë të mungesës dhe kalueshmërisë. Në këtë mënyrë, poetja ruan një linjë poetike të pandërprerë, por gjithashtu shpalos një zhvillim të qartë krijues. Libri “…I njëjti gur” është i ndarë në dy tufa, të cilat simbolizojnë ndarjen figurative të gurit në dysh, si në kërkimin e thesareve të fshehur në historinë njerëzore. Çdo tufë ka karakterin e vet dhe një fokus tematik të qartë.
I.
Pjesa e parë e librit hapet me një pezullim kohor dhe atmosferë misteri: “pa e ditë / maj’i emnit / m’i mban pezull stintë” (fq. 9). Qysh në fillim, poetja ndërton bazën për reflektimin mbi rrjedhën e kohës, humbjen dhe pasigurinë, duke e paraqitur individin si një entitet në pezullim midis së tashmes dhe së shkuarës. Ky pezullim nuk është i rastësishëm: është nisja e një meditimi të gjatë, që përmes vargut të lirë do ta shoqërojë lexuesin përgjatë gjithë tufës së parë. Në këtë pjesë, kujtimet dhe përjetimet e brendshme ndërthuren me natyrën dhe universin. Përdorimi i figurave poetike është i thellë dhe preciz; imazhe si: “ditë t’zbrazuna / si andrra t’pame” dhe “avujsh n’xhama / e hidhen n’trastë” (fq.12), krijojnë një ndjesi boshllëku dhe pritshmërie të humbur.
Poetja ndërton gjithashtu peizazhe ku mungesa njerëzore është absolute: “mungesa e njerëzores / n’përgjumjen e kohës që untshëm përpinë” (fq.27). Ky varg e shfaq botën si një realitet të ftohtë, të zbrazët dhe pa shenjë jete, ku “fjala s’ka cak / as mendja / n’talljet e pafundta”. Këtu kuptohet se mungesa nuk është vetëm emocionale, por edhe filozofike: një boshllëk që përpin gjithçka, deri edhe fjalën.
Një tjetër poezi domethënëse është “botë e lamshtë” (fq.29), ku poetja ndërton një realitet të përmbysur. Simbolet e natyrës e të jetës humbasin kuptimin e zakonshëm dhe lexohen ndryshe, si në një pasqyrë të shtrembëruar: “kur dheu ik nën kambë / shiu djeg / e ajri vjen randë”. Këto vargje e shfaqin natyrën si një hapësirë tensioni dhe ankthi, ku busulla përzien drejtimet dhe hëna shfaqet si hark i Artemisës. Poetja na fton ta lexojmë realitetin si një lojë të brishtë shenjash, ku gjithçka është e lëvizshme dhe e përkohshme.
Në tërësi, tufa e parë pasqyron një udhëtim introspektiv, ku poetja ndërthur elemente natyrore, filozofike dhe mitologjike për të krijuar një univers ku koha, kujtesa dhe ndjenjat bashkëveprojnë në një rrjedhë të pandërprerë. Këtu kemi një paralelizëm të qartë me Muranë fjalësh: në librin e parë gurët dhe fjalët shfaqeshin si simbol i përvuajtjes e i përjetësisë së kujtimeve, ndërsa këtu gurët e kohës dhe kujtesës shndërrohen në elemente introspektive.
II.
Pjesa e dytë fillon me vargjet:“ndoshta kurrë s’kam me e ditë / a m’rren vjeshta / a m’rrejnë sytë” (fq.50). Ky fragment e vendos menjëherë tonin e tufës: introspeksion, dyshim, pasiguri mes reales dhe imagjinares. Vjeshta këtu simbolizon ndryshimin dhe kalimin e kohës, ndërsa sytë përfaqësojnë perceptimin e brishtë njerëzor. Në këtë pjesë, poetja përqendrohet më shumë tek mungesa dhe reflektimi shpirtëror. Poezia që i jep titull librit është tregues i qartë: “mungesa jote / trukohet n’pasqyrë / e bahet vjeshtë” (fq.57). Këtu shfaqet kontradikta midis zbukurimit dhe humbjes. Mungesa, e cila zakonisht është e hidhur, kthehet në një imazh të pasqyrës, në një vjeshtë që e mbështjell shpirtin me mall e melankoli.
Vargjet e fundit të tufës, që përmbledhin tërë librin, janë ndër më të fuqishmet: “mungesa jote / grimohet ndryshe / ndër tjera stinë / e n’kalldrëm t’pritjes / m’rrethon si mur / në t’cilin / mesnata / asht gjithmonë i njëjti gur” (fq.58). Ky fund i jep librit gravitetin e përhershëm të gurit: metafora e qëndrueshmërisë, barrës dhe përjetësisë që nuk ndryshon, pavarësisht stinëve apo përvojave.
Në këtë tufë hasim edhe poezi ku reflektohet mbi marrëdhëniet njerëzore: “fjalë e heshtun”, “kujtime që ngjiten si hije”, apo “portrete t’humbuna n’kohë”. Këto fragmente tregojnë një dialog të brendshëm mes së shkuarës dhe së tashmes, ku mungesa bëhet prani dhe kujtesa merr funksion ngushëllues. Në disa poezi, poetja prek edhe dimensionin mitologjik: “hana e re / s’shihet ma buzëqeshje / por si i Artemisës hark” (fq.29). Këtu shfaqet lidhja mes përvojës personale dhe një universi më të gjerë, ku perënditë dhe mitet i japin ngarkesë simbolike emocioneve të përditshme.
III.
Majlinda Sinani përdor dialektin gegë si bazë gjuhësore, duke e pasuruar me shprehje të përditshme të transformuar për efekt poetik: “m’rren”, “n’tëndërmjemen”, “m’rrethon”, “t’blertën e shikimit”. Ky përdorim e bën vargun të ndjehet i gjallë, organik dhe i afërt me të folurën popullore, por njëkohësisht i rafinuar për efekt poetik.
Stili i saj karakterizohet nga vargje të gjata dhe të lira, shpesh pa shenja pikësimi. Kjo strukturë pasqyron rrjedhën e mendimeve dhe ndjenjave, duke krijuar një atmosferë introspektive. Përdorimi i metaforave, elementeve natyrore dhe mitologjike e ngre poezinë në një nivel filozofik, ku çdo imazh mbart një simbolikë më të gjerë.
Poetja është mjeshtre në krijimin e imazheve të shtresuara, ku një pamje natyrore bart një kuptim shpirtëror. Për shembull, metafora e “i njëjti gur” simbolizon qëndrueshmërinë e kujtimeve, por njëkohësisht është edhe metaforë e barrës së përjetshme që njeriu mbart.
IV.
Në Muranë fjalësh, gurët e fjalët ndërtojnë një mur simbolik që përfaqëson përvuajtjen dhe kujtesën historike. Poezia aty është më shumë e lidhur me dimensionin kolektiv e historik, ku lexuesi ndeshet me analogji që lidhen me identitetin dhe peshën e së kaluarës.
Në “…I njëjti gur”, poetja zhvendoset drejt një meditimi të brendshëm, më personal. Gurët tashmë nuk janë vetëm metafora e murit apo kujtesës, por bëhen shenja të kohës, mungesës dhe meditimit shpirtëror. Në këtë kuptim, Muranë fjalësh duket si një prelud, një epilog i hapur që pret vazhdimin tek libri i dytë.
Ndërsa në librin e parë gurët janë kolektivë, të vendosur në një mur fjalësh, në librin e dytë ato shndërrohen në gurë intimë, që lidhen me përjetimin personal dhe emocional. Kjo është arsyeja pse libri i dytë ka një ton më të thellë meditativ dhe melankolik.
V.
“…I njëjti gur” ofron një udhëtim shpirtëror e emocional që lidhet me vetveten, të tjerët dhe kohën. Pjesa e parë ndërton një atmosferë filozofike e meditative mbi rrjedhën e jetës dhe natyrën, ndërsa pjesa e dytë thellohet në mungesën, humbjen dhe marrëdhëniet njerëzore. Poetja përdor figurat poetike, stinët dhe elementet mitologjike për të krijuar një univers poetik të pasur, ku koha, kujtesa dhe ndjenjat ndërthuren në një rrjedhë të pandërprerë reflektimi. Lexuesi përfshihet në një rrugëtim ku përjeton humbjen, mallin dhe shpresën.
Megjithatë, një vërejtje kritike e vogël mund të lidhet me fragmentarizmin e vargjeve. Ndonjëherë lirizmi i tepruar dhe mungesa e pikësimit mund ta bëjnë poezinë më të vështirë për t’u ndjekur nga lexuesi i zakonshëm. Por pikërisht kjo është edhe forca e saj: të kërkojë një lexues aktiv, që e ndjek vargun si një proces meditativ e jo si një shprehje të drejtpërdrejtë. Në fund, Majlinda Sinani del si një poete që jo vetëm ruan vijimësinë e vargut shqip, por e lartëson atë, duke e bërë një pasqyrë të pasur të ndjenjave njerëzore dhe një dëshmi të fuqisë së fjalës poetike.
ObserverKult
Lexo edhe:
CIKËL ME POEZI NGA MAJLINDË SINANI LULAJ: E PAANË E NDRYSHKUN
-

Sa kohë duhet për të nxjerrë rërën nga veshkat dhe si ta përshpejtoni procesin?
Gurët në veshka janë një dukuri e zakonshme që shkakton shqetësim dhe dhimbje të konsiderueshme. Ndryshe nga gurët më të mëdhenj, të cilët mund të kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale, gurët e vegjël zakonisht mund të eliminohen natyrshëm, por shumë pacientë pyesin veten: sa kohë duhet për t’i nxjerrë?
Çfarë janë gurët në veshka?
Gurët në veshka janë grimca të vogla kristali që formohen në traktin urinar. Shumica përbëhen nga oksalat kalciumi, por mund të përbëhen edhe nga minerale të tjera. Këto kristale mund të bashkohen dhe të formojnë gurë më të mëdhenj. Ndryshe nga gurët e mëdhenj, rëra zakonisht kalon natyrshëm nëpër sistemin urinar, megjithëse gjatë këtij procesi mund të shkaktojë dhimbje shpine, urinim të dhimbshëm dhe gjak në urinë.
Faktorët që ndikojnë në kohëzgjatjen e nxjerrjes së gurëve1. Madhësia dhe sasia e gurëve
Sa më të vegjël dhe më pak kristale, aq më shpejt nxirren nga trupi. Rëra më e imët (deri në 3 mm) zakonisht eliminohet brenda 3-7 ditësh, ndërsa grumbujt më të mëdhenj mund të kërkojnë disa javë.
2. Hidratimi i trupit
Pirja e mjaftueshme e ujit hollon përqendrimin e mineraleve dhe substancave të tjera në urinë, duke ndihmuar në nxjerrjen e gurëve dhe parandalimin e formimit të tyre. Njerëzit që pinë mjaftueshëm lëngje kanë më shumë gjasa të largojnë gurët më shpejt.
3. Aktiviteti fizik
Lëvizja dhe aktiviteti fizik ndihmojnë gurët të udhëtojnë më lehtë në traktin urinar, duke përshpejtuar nxjerrjen e tyre.
4. Karakteristikat individuale të sistemit urinar
Gjerësia e ureterëve dhe anatomia e traktit urinar ndryshojnë nga personi në person, gjë që mund të ndikojë në shpejtësinë e nxjerrjes së gurëve.
5. Metodat e trajtimit të aplikuara
Trajtimet natyrale ose mjekësore mund ta përshpejtojnë procesin, duke përfshirë qetësuesit e dhimbjes, medikamentet që relaksojnë muskujt e ureterëve, si dhe terapitë për parandalimin e gurëve të rinj.
Koha mesatare për nxjerrjen e gurëve
• Rërë e imët (deri në 3 mm): 3-7 ditë
• Rërë mesatare (3-5 mm): 7-14 ditë
• Grumbuj më të mëdhenj (mbi 5 mm): 2-4 javë ose më gjatë
Vlerësimet mund të ndryshojnë nga personi në person; disa mund ta nxjerrin rërën brenda pak orësh, ndërsa të tjerët mund të përjetojnë simptoma për javë të tëra.
Trajtimet mjekësore dhe kohëzgjatja e tyre
• Qetësuesit e dhimbjes dhe anti-inflamatorët: Fillojnë të veprojnë brenda 30-60 minutash, ndërsa efektet e plota mund të kërkojnë disa orë ose 1-2 ditë.
• Ilaçet për lehtësimin e nxjerrjes: Relaksojnë muskujt e ureterëve dhe zakonisht përshkruhen për 7-14 ditë.
• Litotripsia me valë shoku ekstrakorporale (ESWL): Në rastet më serioze, gurët thyhen me ultratinguj dhe grimcat nxirren brenda disa ditësh deri në dy javë.
Si të dini se rëra po nxirret me sukses
• Grimca të vogla në urinë
• Ngjyra më e errët ose e kuqërremtë e urinës
• Ulje graduale e dhimbjes
• Frekuencë e shtuar e urinimit
Mjekët rekomandojnë të mbani urinën dhe të tregoni grimcat e nxjerra për një diagnozë dhe plan trajtimi më të mirë.
Masat parandaluese
• Hidratim i mjaftueshëm
• Dietë e ekuilibruar, ulje e kripës dhe proteinave shtazore
• Aktivitet fizik i rregullt
• Kontroll mjekësor i rregullt
Kur duhet të kërkoni ndihmë mjekësore
• Dhimbje intensive që nuk kalon
• Temperaturë mbi 38°C
• Të përziera dhe të vjella
• Gjak i dukshëm në urinë
• Vështirësi në urinim
Procesi i nxjerrjes së gurëve mund të zgjasë nga disa ditë deri në disa javë, duke u ndikuar nga madhësia e gurëve, hidratimi, aktiviteti fizik dhe karakteristikat individuale. Durimi, monitorimi i simptomave dhe këshillat mjekësore janë thelbësore, ndërsa masat parandaluese ndihmojnë në zvogëlimin e rrezikut të përsëritjes.
-

“Vajza Fest 2025”, rikthehet në jetë zemra antike e olimpizmit në Amantian ilire
Nga Albert Vataj
Në ditën e dytë të “Vajza Fest 2025”, Amantia u ngrit si një orakull i ringjallur, ku mijëvjeçarët u përkulën para një çasti të vetëm. Në atë amfiteatër të gurtë, ku koha ka gdhendur heshtjen e saj madhështore, tingujt e sotëm u përzien me jehonën e largët të lashtësisë. Gurët, të tharë nga shekujt dhe të rrahur nga erërat, u bënë altari i një flake të re që digjej me të njëjtin zjarr si dikur, flaka e garës, e fisnikërisë dhe e lavdisë.Në mes të këtij teatri të përjetësisë, shfaqen priftëreshat, sikur të kishin zbritur nga legjendat, duke bartur me duar të shenjta kurorat e ullirit. Fitimtarët i morën ato si një dhuratë të dritës, një lidhje të gjallë mes epokave, ku nderi i lashtësisë fshihet në gjakun dhe djersën e garuesve të sotëm.Qielli i Amantias u mbush me krahët e pëllumbave të bardhë, si simfoni e paqes që lartësohet mbi rrënoja e mbi njerëz, mbi kujtesë e mbi të ardhme. Dhe aty, në përplasjen e gurëve të ftohtë me entuziazmin e zemrave të reja, antikja u shndërrua në të tashme, ndërsa e tashmja mori pamjen e amshueshme të një miti.Amantia nuk ishte më një qytet i rrënuar, por një tempull i gjallë ku lashtësia dhe moderniteti vallëzojnë së bashku, duke rikthyer mesazhin e pavdekshëm të olimpizmit, se njeriu e gjen përjetësinë e vet jo në gurë, por në garën e shpirtit.“Dita Olimpike” në Amantia nuk qe thjesht një aktivitet sportiv, por një ringjallje e frymës së lashtësisë. Ajo u shndërrua në një përqafim mes kohëve, aty ku gurët e vjetër të stadiumit dëshmuan sërish për rrahjen e hapave të rinisë. Në mbështetje të KOKSH-it dhe drejtuesit të saj, Fidel Ylli, kryebashkiakut, Selenicë, Nertil Bellaj, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, etj., ky rit u bë një urë lidhëse mes garave që dikur nderonin perënditë dhe përballjeve të sotme që kremtojnë vlerat njerëzore, fisnikërinë e trupit dhe madhështinë e shpirtit.Në stadiumin e Amantias, ku dikur ilirët përjetonin solemnitetin e garës, u ndie një frymë e re: jo më për të kurorëzuar fitimtarë me dafinë, por për të ngjallur tek secili vetëdijen e pjesëmarrjes, të paqes dhe të miqësisë olimpike. Gurët e stërlashtë, që kanë parë shekuj lavdie e heshtjeje, u zgjuan nga gjumi për të duartrokitur të rinjtë që vraponin në pistë, si hije të bashkuara me dritën e një tradite që nuk shuhet.“Dita Olimpike” i dha Amantias atë që i kishte munguar prej kohësh: ritmin e zemrës njerëzore, që i jep kuptim gurëve të ftohtë, gjallërinë e trupit që ringjall mitin, dhe dashurinë për garën që e bën njeriun të kapërcejë kufijtë e tij. Në këtë rikthim të frymës antike në një format bashkëkohor, Amantia u bë përsëri ajo që ishte: tempull i garës, i bukurisë dhe i shpirtit të lirë. -

Gurët sferik, dalë në sipërfaqe në Gëziq të Mirditës, gjatë punimeve për ndërtimin e “Rrugës së Kombit”
Akoma sot nuk kemi një përfundim shkencor nga ekspertët, për atë çka përfaqësojnë këto gurë (janë “gdhendur” nga Natyra, apo?…..).
Gurë të tillë janë zbuluar në disa vende të Botës: Kosta Rika, Bosnje etj, dhe vendgjetjet e tyre janë kthyer në destinacione të rëndësishme turistike.
Prandaj, sidoqë të jetë e vërteta shkencore, këto gurë duhen vendosur në Muzeun Historik të Mirditës (megjithëse nuk dihet destinacioni i tyre….)!
-

Pse përdorej kanabisi në ceremonitë e varrimit në Kinën e 2500-viteve më parë?
Në vendin e rregullave të rrepta dhe ligjeve të pamëshirshme për përdoruesit e lëndëve narkotike, në Kinën komuniste, një zbulim arkeologjik ka gjetur prova të pakundërshtueshme të konsumimit të kanabisit gjatë ceremonive funerale. Ndoshta ky fakt e shtyt më tej këtë hipotezë rreth mundësisë së përdorimit të lëndëve narkotike edhe në veprimtaritë e tjera jetësore.
Kjo kupë druri ka shërbyer për konsumimin e lëndëve psikoaktive si kanabisi. Gurët nxeheshin më parë në një vend tjetër dhe futeshin në këtë kupe, brenda të cilës hidhej lënda narkotike që gjatë djegies jeptë efektin e duhur. Kjo pajisje është ndoshta nga dëshmitë më të hershme që tregon mbi përdorimin e narkotikëve. Kjo kupë e drunjë, së bashku me gurët është zbuluar në një vend të lashtë varrimi në malet e Kinës Perëndimore.Mbetjet e kanabisit me potencial të lartë që gjenden në guralecitë e nxehur të vendosura brenda kupës, sugjerojnë se ritet e funeralit në varrezën e Jirzankalit 2500-vjeçar në malet Pamir, mund të kenë qenë një ceremonial solemn.Shkencëtarët besojnë se gurët ishin ndezur në një zjarr, para se të transferoheshin në kupën prej druri dhe të mbuluara me kanabis, e cila çlironte në mënyrë të rregullt tymin psikoaktive. Me muzikën si një shoqërim, tymi i zjarrtë mund t’i ketë nxitur të pranishmit që të përpiqen të komunikojnë me natyrën, shpirtrat ose të vdekurit.Hulumtuesit kanë gjetur më parë mbetje të kanabisit në vendet e lashta të Azinë Qendrore, por zbulimet më të fundit tregojnë për përdorimin e qëllimshëm të këtyre bimëve me nivele të larta të përbërjes aktive, THC dhe kanabisit.“Ka pasur një debat të gjatë mbi origjinën e pirjes së duhanit të kanabisit”, ka thënë për “The Guardian”, Robert Spengler në Institutin Max Planck për Shkencën e Historisë Njerëzore. “Ky studim ofron prova më të hershme, bindëse për prodhimin e kimikateve dhe përdorimin e tyre nëpërmjet djegies si një ilaç”.Albert Vataj
-

A mund të ‘shkrijë’ vërtet vaji i ullirit me limonin gurët në tëmth?
Një përzierje popullore që premton shumë, por çfarë vërteton shkenca për efektet e vajit të ullirit dhe lëngut të limonit në shëndetin e tëmthit dhe procesin e detoksikimit?
Në epokën e rrjeteve sociale dhe këshillave “natyrale” që përhapen me shpejtësi, është e zakonshme të hasim pretendime të tilla si: “vaji i ullirit me limon shkrijnë gurët në tëmth”. Por a është kjo e mbështetur nga shkenca, apo thjesht një mit i popullarizuar në internet?
A mund ta pastrojë përzierja e vajit të ullirit me limon tëmthin?
Në shumë forume shëndetësore dhe blogje natyrale, sugjerohet që një lugë vaj ulliri me pak lëng limoni, e konsumuar esëll, mund të ndihmojë në pastrimin e mëlçisë dhe tëmthit, madje edhe në tretjen e gurëve.
Megjithatë, nuk ka prova të forta klinike që vërtetojnë se kjo përzierje mund të “shkrijë” gurët e tëmthit. Sipas Mayo Clinic, gurët në tëmth (kolelitiaza) nuk shpërbëhen thjesht përmes ushqimit apo pijeve, për to zakonisht nevojitet trajtim mjekësor, përfshirë medikamente ose ndërhyrje kirurgjikale si kolecistektomia.
Pse njerëzit mendojnë se funksionon?
Arsyeja për këtë bindje qëndron te efektet e njohura të vajit të ullirit mbi rrjedhjen e tëmthit. Studime kanë treguar se vajrat e shëndetshme, sidomos vaji i ullirit ekstra i virgjër, stimulojnë kontraktimin e tëmthit dhe rrjedhjen e tëmthit në zorrë, duke ndihmuar kështu në parandalimin e stanjacionit të tëmthit, një faktor i njohur për krijimin e gurëve.
Pra, përdorimi i rregullt i vajit të ullirit mund të ndihmojë në parandalimin e gurëve, por jo në shpërbërjen e tyre.
Vaji i ullirit dhe limoni – çfarë thotë shkenca për përfitimet shëndetësore?
Vaji i ullirit ekstra i virgjër është i pasur me acid oleik (një yndyrë e shëndetshme mononepengesuar), si dhe me polifenole antioksiduese, që kanë efekte anti-inflamatore dhe mbrojtëse për qelizat. Ai ndihmon në shëndetin e zemrës, uljen e kolesterolit LDL dhe përmirësimin e funksioneve metabolike.
Nga ana tjetër, lëngu i limonit është një burim i pasur i vitaminës C, që kontribuon në forcimin e sistemit imunitar, përthithjen e hekurit dhe prodhimin e karnitinës, një përbërës kyç për metabolizmin e yndyrave.
Përveç kësaj, vitamina C ndihmon edhe në shndërrimin e kolesterolit në acide biliare, një proces që mund të ndikojë pozitivisht në parandalimin e formimit të gurëve në tëmth.
Po detoksikimi? A ka nevojë trupi për ndihmë?
Kundrejt pretendimeve të shumta për “detoksikimin e mëlçisë” me limon dhe vaj ulliri, ekspertët theksojnë se organizmi ynë ka sisteme të fuqishme detoksikimi, kryesisht përmes mëlçisë, veshkave, mushkërive dhe lëkurës.
Megjithatë, konsumimi i ushqimeve të pasura me antioksidantë natyrorë, si limoni dhe vaji i ullirit, sigurisht mund të mbështesë këtë proces, duke reduktuar dëmet nga radikalet e lira dhe duke përmirësuar ekuilibrin oksidativ të trupit.
Mund të ndihmojnë në humbjen e peshës?
Ndonëse nuk ka studime specifike për përzierjen e limonit me vaj ulliri në procesin e dobësimit, të dy përbërësit kanë efekte individuale të njohura. Limoni ndihmon në metabolizmin e yndyrave, ndërsa vajrat e shëndetshme ndihmojnë në ngopje, duke ulur dëshirën për ushqim të tepërt.
A ka ndonjë efekt të padëshiruar?
Përdorimi i moderuar i kësaj përzierjeje është përgjithësisht i sigurt për shumicën e njerëzve. Megjithatë, konsumimi i tepërt i lëngut të limonit mund të dëmtojë smaltin e dhëmbëve për shkak të aciditetit të tij, veçanërisht nëse merret pa hollim. Ndërkohë, vaji i ullirit, ndonëse i shëndetshëm, ka vlerë të lartë kalorike (~119 kalori për lugë gjelle) dhe nuk duhet teprohet nga personat që ndjekin dieta për humbje peshe.
Përfundim
Kombinimi i vajit të ullirit me lëng limoni nuk është një kurë për gurët në tëmth, por është një kombinim i dobishëm në kuadër të një diete të shëndetshme mesdhetare, që mbështet funksionin e mëlçisë, tretjen dhe metabolizmin.
Nuk duhet të zëvendësojë konsultën mjekësore nëse keni probleme me tëmthin, përfshirë gurët, inflamacionin apo dhimbjet kronike.
-

Legjenda popullore: Edhe në këtë vend duhej të sakrifikohej dikush që të qëndronte ura
Jo larg nga qyteti Kjustendill në Bullgarinë Jugore gjendet Ura e Kadinit. Legjenda popullore tregon se, gjatë kohës së ndërtimit gurët vet janë rrotulluar nga mali dhe janë renditur mbi urë. Kurse kur ura ka qenë gati, gurët kanë ndaluar së rrotulluari, kanë mbetur nëpër rrugë dhe deri më sot mund të shikohen. Në fund pjesa prej hekuri e cila vetë ka dërmuar shkëmbinjtë dhe ka nxjerr gurët për urën, është ngulitur në mal dhe ka mbetur aty përgjithmonë. Disa njerëz tregojnë se e kanë parë. Diskutojnë për këtë se që ku vjen emri i tij. Disa thonë se, është ndërtuar nga kadiu (gjyqtari në gjuhën turke). Të tjerë pohojnë se është quajtur Kadni, për shkak të një nuseje (“kadënë”) që në përkthim do të thotë Urë e nuses. Ata janë të bindur se në emër të saj është quajtur fshati i afërt Nevestino. Ekziston edhe një legjendë tjetër, që ura është e ndërtuar prej 3 vëllezërve. Ata e kanë ndërtuar mjaftë gjatë dhe gjithë nuk kanë mundur ta përfundojnë sfondin bazë-bazamentin sepse ai çdo herë është shkatërruar. Për raste të tilla një gojëdhënë e lashtë thotë se ura “kërkon kurban” – të futet hije njerëzore në gurët. 3 mjeshtrit kanë rënë dakord të fusin gruan e njërit prej tyre – ajo e cila do të vijë e para gjatë ditës tjetër tek ndërtimi. Dy vëllezërit më të mëdhenj i kanë paralajmëruar fshehurazi gratë e veta, kurse më i vogli e ka respektuar fjalën e dhënë. Gruaja e tij ka qenë e futur brenda që të forcojë urën. Që aty ka ardhur dhe emërtimi Ura e nuses (Nevestin most).
—————————
Lexo edhe:
Ura e Kamarës, si Rozafati mbart një legjendë sakrifice
ObserverKult
