Gripi mund të diagnostikohet shpejt në shtëpi thjesht duke përtypur çamçakëz, sugjeron një studim i ri.
Me sezonin e gripit që po afrohet, shkencëtarët thonë se testi i bazuar në shije do ta eliminonte nevojën për të marrë mostra nga hunda e pacientëve.
Shkencëtarë gjermanë kanë krijuar një sensor të ri molekular që çliron aromë trumze kur has në virusin e gripit.
Ata planifikojnë ta përfshijnë këtë sensor të thjeshtë në çamçakëz ose karamele, për të rritur mundësinë e testimeve në shtëpi dhe për të parandaluar përhapjen e sëmundjes para se të shfaqen simptomat.
Udhëheqësi i studimit, profesori Lorenz Meinel, thotë se qëndrimi në shtëpi është thelbësor për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve infektive si gripi.
Por njerëzit me grip janë ngjitës edhe para se të shfaqin simptomat.
Metodat aktuale për diagnostikimin e gripit, si testet PCR përmes mostrave të hundës, janë të sakta, por të ngadalta dhe të kushtueshme.
Testet e shpejta për në shtëpi, të ngjashme me ato për COVID-19, janë të përshtatshme dhe zakonisht me kosto të ulët, por nuk e zbulojnë infeksionin para se të shfaqen simptomat.
Meinel dhe kolegët e tij i janë qasur këtyre mangësive të zbulimit të gripit “duke u larguar nga detektorët dhe pajisjet e ndërlikuara dhe duke u drejtuar te një detektor që është i disponueshëm për këdo, kudo dhe në çdo kohë: gjuha.”
Ekipi zhvilloi një sensor molekular që liron një aromë të dallueshme për gjuhën e njeriut, timol, një përbërës i pranishëm te trumza.
Meinel shpjegon se sensori bazohet në një substrat të glikoproteinës së virusit të gripit të quajtur neuraminidazë.
Ai tha: “Viruset e gripit përdorin neuraminidazën për të thyer disa lidhje në qelizat e organizmit pritës që ta infektojnë atë.”
Ekipi kërkimor sintetizoi një substrat të neuraminidazës dhe i bashkëngjiti një molekulë timoli.
Meinel, nga Universiteti i Würzburgut, shtoi: “Timoli perceptohet në gjuhë si një shije bimore e fortë.
“Teorikisht, kur sensori i sintetizuar ndodhet në gojën e një personi të infektuar me grip, viruset shkëpusin molekulat e timolit dhe shija e tyre perceptohet nga gjuha.”
Pas zhvillimit të sensorit molekular, ekipi kërkimor kreu testime laboratorike me të.
Rezultatet, të botuara në revistën ACS Central Science, treguan se, në epruveta me pështymë njerëzish të diagnostikuar me grip, sensori lëshoi timol të lirë brenda 30 minutash.
Kur ata e testuan sensorin në qeliza njerëzore dhe të minjve, ai nuk ndryshoi funksionimin e qelizave.
Meinel dhe ekipi i tij shpresojnë të nisin prova klinike tek njerëzit brenda dy vitesh, për të konfirmuar ndjesinë e shijes së timolit te personat me grip në fazën para dhe pas simptomave.
Ai shtoi: “Nëse do të përfshihej në çamçakëz apo karamele, ky sensor mund të shërbejë si një mjet i shpejtë dhe i arritshëm për testim fillestar, që do të ndihmonte në mbrojtjen e njerëzve në mjedise me rrezik të lartë.” / Talker News – Syri.net