Sot, më 26 nëntor 2025, Shqipëria kujton tërmetin e vitit 2019, 6.4 ballë, që goditi vendin. 51 persona humbën jetën ndërsa mbi 3,000 të tjerë u plagosën dhe mijëra familje mbetën pa një çati. Durrësi, Thumana dhe Laçi u kthyen në simbole të dhimbjes kombëtare, ndërkohë që pavarësisht premtimeve të mëdha, ende sot shumë familje janë ende pa banesë
Syri TV
Kjo e mërkurë shënon 6 vjetorin e tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin tonë më 26 nëntori 2019. Tërmeti i fuqishëm 6.4 ballë, goditi Shqipërinë në orën 03:54 ndërsa lëkundjet u ndjenë deri në Beograd. Në vetëm 50 sekonda u shuan 51 jetë njerëzish, mbi 3,000 të tjerë u plagosën, ndërsa mijëra familje mbetën pa një shtëpi. Zona si Durrësi, Thumana dhe Laçi u kthyen në simbole të dhimbjes kombëtare, ndërkohë që dhimbja është ende e gjallë edhe sot
Rreth 1,300 pasgoditje tronditën vendin gjatë ditëve që pasuan, duke shtuar panikun dhe duke vështirësuar kërkim-shpëtimin. Ekipet shqiptare, të ndihmuara nga SHBA, Evropa, rajoni dhe dhjetëra vende të tjera, nxorën shumë të mbijetuar nga rrënojat.
Qindra ndërtesa u shembën në Durrës e Thumanë, ndërsa mbi 1,400 objekte në Tiranë dhe 900 në Durrës rezultuan të dëmtuara rëndë. Mijëra njerëz u sistemuan provizorisht në hotele, qendra sociale apo palestra, ndërkohë që nuk munguan edhe ndihmat nga shtetet e huaja.
Po edhe pse vitet kanë kaluar, drama vijon të përjetohet ende, tashmë në një tjetër formë. Shumë familje jetojnë ende pa shtëpi duke mbetur peng të procedurave dhe premtimeve të vonuara të qeverisë. Edhe pse jane shpenzuar më shumë se 800 milionë euro për rindertimin nga buxheti i shtetit, sërish qytetarët nuk e kanë një strehë ku të fusin kokën.
Në zonën e Spitallës ende sot që flasim, nuk ka asnjë banor dhe 85 pallatet e ndërtuara janë ende bosh. Projekti me 996 apartamente, i financuar nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Qeveria Shqiptare, pritet të strehojë rreth 4 mijë qytetarë. Por për shumë familje, ky premtim i strehimit mbetet ende i parealizuar.
Nga ana tjetër, pallatet e dëmtuar, tashmë të boshatisur, janë kthyer në strehë për përdoruesit e lëndëve narkotike. Janë vet banorët që jetojnë pranë këtyre pallateve, të cilët shprehet se shumë të rinj e të reja çdo ditë konsumojnë aty lëndë narkotike, duke u kthyer në shqetësim për jetën e tyre
Rindërtimi pati kontraste edhe në zbatim, ku projektet që u menaxhuan nga donatorët përfunduan ndërsa projektet me mbështetjen e buxhetit të shtetit mbeten ende rrugëve. Mjafton të krahasojmë këtu angazhimin e Turqisë me një projekt të madh në Laç, cili përfundoi në kohë rekord ndërtimin e mbi 500 apartamenteve që u kaluan më pas qytetarëve.