Tag: gjyqësor

  • “Opozita me pyetje absurde ndaj institucioneve të pavarura, ish-kolegët e mi heshtën”, ish-deputeti i PS: Në Kuvend u shpall një shtet i ri

    “Opozita me pyetje absurde ndaj institucioneve të pavarura, ish-kolegët e mi heshtën”, ish-deputeti i PS: Në Kuvend u shpall një shtet i ri

    Ish-deputeti i Partisë Socialiste Plarent Ndreca në një reagim të gjatë të bërë ditën e sotme, ka komentuar seancën e një ditë me parë në Kuvend, ku raportuar drejtuesit e institucioneve të pavarura të drejtësisë.

    Kreu i SPAK Altin Dumani, dhe kryeprokurori Oslian Çela iu përgjigjën pyetjeve të bëra me shkrim nga deputetët, që sipas Ndrecës pyetjet nga deputetët e opozitës ishin absurde, ndërsa shton se nga ana tjetër mazhoranca heshti përballë tyre.
    Ndreca thotë me ironi se në “Kuvend u shpall një shtet i ri”.
    Reagimi i plotë:
    Dje, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, u miratua në heshtje shteti paralel — shteti gjyqësor.Jo me votim, por me qëndrim. Jo me ligj, por me dorëzim.
    Seanca e raportimit të institucioneve të drejtësisë u kthye në një spektakël që dështoi në mënyrë po aq spektakolare në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues. Një pjesë e deputetëve u përfshinë në pyetje absurde, pa lidhje me detyrën e tyre për të garantuar ekuilibrin e pushteteve. Pyetjet për raste konkrete, për hetime të veçanta apo përse dikush është apo s’është marrë i pandehur, nuk janë funksion parlamentar; janë rikthim në mentalitetin e vjetër, ku politika diktonte drejtësinë. Pjesa tjetër e Kuvendit, në anën tjetër, heshti — përfshirë ish-koleget e mi të mazhorancës — duke hequr dorë nga vetë mandati që Kushtetuta i jep. Në vend që Parlamenti të garantonte, në emër të sovranit, që sistemi i drejtësisë po ecën sipas Kushtetutës dhe ligjit, ai doli nga roli i tij: një pjesë me mendësi uzurpatore, pjesa tjetër me heshtje kapitulluese.
    Askush nuk u mor me thelbin. Seanca u shndërrua në një lojë publike: kush e godet dhe kush e tremb më shumë SPAK-un. Një garë për t’u dukur “më i patremburi” përballë një strukture që vë në lëvizje drejtësinë, në vend të një analize serioze për gjendjen e sistemit të drejtësisë. Në mënyrë naïve, apo të qëllimshme, deputetët lanë në hije institucionin më të rëndësishëm për ekuilibrin mes legjislativit dhe gjyqësorit: Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD).
    Për ushtrimin e kompetencave të Kuvendit, ILD është institucioni më i rëndësishëm i qeverisjes së gjyqësorit. Ai është “syri dhe veshi” profesional dhe i pavarur i Kuvendit në sistemin e drejtësisë, instrumenti që raporton mbi standardet, disiplinën, etikën dhe devijimet që kërkojnë ndërhyrje ligjore. Në vend që deputetët të pyesnin: “A po funksionon anija që ndërtuam në vitin 2016?”, ata u morën me çështje që nuk janë as në atributet dhe as në kompetencat e Kuvendit dhe duke u marrë me atë që nuk është detyrë e tyre, lanë pa bërë detyrën e tyre.
    Për rrjedhojë, situata dramatike që ka përfshirë sistemin aktual të drejtësisë vazhdon të rrëshqasë pa kontroll, sepse vetëm ILD nuk arrin dhe nuk do ta shohë, ndërsa Kuvendi nuk ia kërkon ta shohë. Kuvendi nuk pati asnjë pyetje për ILD-në. Dhe kjo heshtje është më e rrezikshme se çdo pyetje naive. Në momentin që Parlamenti pushon së kërkuari llogari nga institucioni që monitoron drejtësinë, ai e legjitimon drejtësinë si pushtet të pakontrollueshëm. ILD, që duhet të ishte mekanizmi i kontrollit, është lënë në hije, i reduktuar në një institucion formal që paguhet për të mos folur. Kjo nuk është neglizhencë, është kapitullim i pushtetit legjislativ ndaj pushtetit gjyqësor.
    Anija e ndërtuar në vitin 2016 me votat e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë tashmë ka marrë ujë. Korporatizimi i drejtësisë, kultura e pandëshkueshmërisë brenda sistemit, thyerja e unifikimit të praktikës gjyqësore, shkeljet e rënda të të drejtave themelore dhe procesit të rregullt ligjor, përdorimi selektiv i standardeve kushtetuese dhe konventore janë bërë problem sistemik, gërryes dhe shkatërrimtar për besimin e publikut.
    Ky është pikërisht misioni i ILD-së: të sinjalizojë defektet, të raportojë rrezikun, të paralajmërojë Kuvendin se “anija” ka difekte. Por dje, Parlamenti uli kokën dhe mbylli sytë, si struci që mendon se, po nuk e pa rrezikun, ai nuk ekziston. Leshimi i kontrollit ndaj një pushteti të pakufizuar gjyqësor nuk është më çështje institucioni; është çështje shtetformimi.
    Nga dje, Shqipëria ka de facto dy shtete:
    Një shtet politik që pretendon të qeverisë,
    Dhe një shtet gjyqësor që vendos, në fakt, si qeveriset dhe me gjasë, në vijim, edhe kush qeveris.Kur Parlamenti ndalon së pyeturi për drejtësinë, drejtësia ndalon së pyeturi për ligjin. Në atë moment, drejtësia
    pushon së qeni pushtet, bëhet shtet. Një shtet i pavarur, me nuancat e një regjimi jurisprudencial që punon për pushtetin e tij dhe jo për atë të sovranit. Kuvendi, duke heshtur përballë dështimit epik institucional të ILD-së, ka dorëzuar rolin e tij si garant i ekuilibrit kushtetues. Me këtë heshtje, është shpallur de facto krijimi i një shteti paralel, shtetit gjyqësor. Një shtet pa sovran, por me pushtet; pa kontroll, por frikësues; pa llogaridhënie, por arrogant.
    Ati themelues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, James Madison, në The Federalist Papers, nr. 51, tha:“Ambition must be made to counteract ambition.”“Ambicia duhet të shërbejë për të kundërpeshuar ambicien; pushteti për të frenuar pushtetin.”

    Top Channel

  • Artur Metani: Sistemi gjyqësor po përballet me mungesa serioze

    Artur Metani: Sistemi gjyqësor po përballet me mungesa serioze

    Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, paraqiti sot në Kuvend raportin vjetor të veprimtarisë së institucionit për vitin 2024, ku theksoi se sistemi gjyqësor shqiptar po përballet me sfida të mëdha që lidhen me ngarkesën e tepërt të gjyqtarëve, mungesën e burimeve njerëzore dhe vonesat në proceset gjyqësore.
    Sipas Metanit, gjatë vitit të kaluar ILD trajtoi 2854 ankesa, nga të cilat 1374 u shqyrtuan dhe 54 përfunduan me hetim disiplinor. Në total, 11 magjistratë – 6 gjyqtarë dhe 5 prokurorë – janë proceduar disiplinarisht me masa që variojnë nga shkarkimi nga detyra deri te vërejtja konfidenciale.
    “Ngarkesa e magjistratëve në Gjykatën e Tiranës është jashtëzakonisht e lartë. Vetëm në vitin 2023, një gjyqtar ka trajtuar mesatarisht 1176 çështje, ndërsa mesatarja kombëtare është 841. Nga 80 gjyqtarë të parashikuar në organikë, vetëm 43 kanë ushtruar detyrën gjatë vitit,” – theksoi Metani.
    Ai paralajmëroi se mungesat në sistem po ndikojnë drejtpërdrejt në zvarritjen e gjykimeve dhe në cilësinë e vendimmarrjes. Vetëm në vitin 2024, ILD ka hapur 51 hetime disiplinore për vonesa të pajustifikuara dhe ka kërkuar procedim disiplinor për 17 magjistratë, mes tyre 8 gjyqtarë dhe 9 prokurorë.
    Në fund të fjalës së tij, Metani u bëri thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe institucioneve të drejtësisë që të marrin masa për rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe forcimin e efikasitetit të gjykatave, me qëllim shmangien e mbingarkesës dhe garantimin e funksionimit normal të sistemit gjyqësor.

  • Shoqata e  Avokatëve Penalistë: KOLAPS, një gjyqtar ka mbi 1500 dosje, në Apel ka 50 mijë dosje stok

    Shoqata e Avokatëve Penalistë: KOLAPS, një gjyqtar ka mbi 1500 dosje, në Apel ka 50 mijë dosje stok

    FOTO ILUSTRUESE

    TIRANË-Numri i çështjeve të prapambetura në Gjykata, është kthyer në një pengesë serioze të aksesit për drejtësi.  Kryetarja e Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Joana Qeleshi ka deklaruar se sistemi gjyqësor po përballet me mbingarkesë të paprecedent, duke e cilësuar gjendjen “në kolaps”. Qeleshi u shpreh se shteti të ndërmarrë një verifikim të plotë për të vlerësuar si do zgjidhet situata.
    “Ka ardhur momenti që shteti të ndërmarrë një verifikim të plotë për të vlerësuar si do zgjidhet situata. Gjyqtarët bëjnë maksimumin, por kanë kapacitete të kufizuara. Asnjë magjistrat sot nuk punon në kushte normale. Një gjyqtar i shkallës së parë ka mbi 1,500 dosje, ndërsa në Apel ka një stok prej 50 mijë dosjesh,” deklaroi ajo për News.24.
    Gjatë raportimit vjetor të KLP në Kuvend më 20 tetor, problemi i dosjeve u ngrit si shqetësim nga anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Vatë Staka. Sipas Stakës, një nga arsyet kryesore për vonesat në shqyrtimin e çështjeve është numri i pamjaftueshëm i prokurorëve që ushtrojnë detyrën. Ai sqaroi se shumë prokurorë janë të angazhuar në pozicione të tjera ose pranë institucioneve të ndryshme, dhe kjo redukton numrin e atyre që mund të ndjekn çështjet penale.
    Nga ana tjetër kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, tha se kanë kërkuar në mënyrë informale nga Bashkimi Evropian një studim mbi nevojat reale për sistemin gjyqësor bazuar në popullsinë dhe ngarkesën e punës.

    Më herët gjatë viti 2024 Këshilli i Lartë Gjyqësor hartoi një projekt-strategji, i cili shihte si zgjidhje kryesore rritjen e ndjeshme të numrit të gjykimeve për një gjyqtar në vit, në një kohë kur këta të fundit janë reduktuar për shkak të procesit të rivlerësimit, por sërish stoku i dosjeve mbetet pa zgjidhje./ZËRI

  • Betohen 42 gjyqtarë të rinj, mesazhi i Sadushit: Suksese dhe ndershmëri në misionin që nisni!

    Betohen 42 gjyqtarë të rinj, mesazhi i Sadushit: Suksese dhe ndershmëri në misionin që nisni!

    Sot, 23 tetor, 42 gjyqtarë të rinj kanë bërë betimin në Këshillin e Lartë Gjyqësor, duke marrë zyrtarisht detyrën e magjistratëve dhe duke nisur një etapë të rëndësishme në karrierën e tyre. 
    Në ceremoninë e betimit, kreu i KLGJ, Ilir Rusi, ka theksuar rëndësinë dhe përgjegjësinë e rolit të magjistratit. 
    “Të jesh magjistratë do të thotë të kesh përgjegjësi të madhe dhe një mision që kërkon shumë punë”, është shprehur ai, duke u drejtuar gjyqtarëve të rinj. 
    I pranishëm në ngjarje ishte edhe drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, i cili vuri theksin tek rëndësia e betimit. 
    “Ky betim do t’i shoqërojë gjatë gjithë jetës së tyre si magjistratë, duke qenë udhërrëfyes i angazhimit dhe ndershmërisë në çdo vendim”, deklaroi Rakipi. 
    Ndërsa, Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ka theksuar në reagimin e tij zyrtar rëndësinë e këtij momenti për karrierën e gjyqtarëve të rinj dhe për vetë sistemin gjyqësor. 
    “Të dashur magjistratë të rinj, në këtë ditë të shënuar për karrierën tuaj dhe për sistemin e drejtësisë, ju uroj suksese, përkushtim dhe ndershmëri në misionin që nisni.” 
    Edhe pse nuk ishte i ftuar në ceremoninë e sotme, kreu i Gjykatës së Lartë theksoi se ndan të njëjtin gëzim dhe respekt për këtë ngjarje të rëndësishme. 
    “Uroj që në të ardhmen, ngjarje të tilla të rëndësishme të pasqyrojnë gjithmonë pjekurinë, bashkërendimin dhe respektin që i detyrohemi drejtësisë. Me respekt, Sokol Sadushi!“, thuhet në mesazhin e tij. 
    Siç njoftoi më herët Këshilli i Lartë Gjyqësor, emërimi i tyre si magjistratë gjyqtarë ishte bërë tre muaj më parë, por më 22 tetor, u caktuan në detyrë. Gjyqtarët e rinj do të shpërndahen në 11 gjykata të ndryshme të vendit. 

  • Betohen 42 gjyqtarë të rinj, u emëruan nga KLGJ në 11 gjykata

    Betohen 42 gjyqtarë të rinj, u emëruan nga KLGJ në 11 gjykata

    Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ)

    TIRANË- Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka emëruar 42 magjitratë të rinj. Magjistratët e rinj u betuan për marrjen e detyrë së re në një ceremoni të enjten të organizuar, në Këshillin e Lartë Gjyqësor, në ambientet e Polit të Lirisë. 
    Sipas vendimit të KLGJ, shpërndarja e 42 magjistratëve të rinj është bërë në 11 Gjykata të juridiksionit të përgjithshëm. Nurmin më të Gjykata Administrative e Lushnjës, Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan dhe Fier, kanë numrin më të lartë të emërimeve, me 7 gjyqtarë secila.  
    Parashikohet që Këshillli i Lartë të ketë 417 gjyqtarë në të gjitha strukturat e Gjykatave. Aktualisht janë 308 gjyqtarë të emëruar, ndërsa me emërimin dhe shpërndarjen e 42 magjistratëve të rinj mbetën edhe 67 vende vakante. 

  • “Çështja ‘Gjoka’ ka tronditur besimin tek drejtësia si asnjë precedent tjetër”, Neza:Protesta 5-ditore e avokatëve ka..

    “Çështja ‘Gjoka’ ka tronditur besimin tek drejtësia si asnjë precedent tjetër”, Neza:Protesta 5-ditore e avokatëve ka..

    I ftuar në një emision televiziv, gazetari Sami Neza komentoi mbi gjendjen e drejtësisë në vend, duke e cilësuar çështjen ‘Gjoka’ si një nga rastet më tronditëse për besimin e publikut ndaj sistemit gjyqësor.
    Sipas tij, përfshirja e disa institucioneve që kanë shmangur verifikimin e akuzave për interesa politike është shembulli më i qartë i ndërhyrjes në drejtësi, ndërsa protesta e e avokatëve prej 5 ditësh pas arrestimit të kolegut të tyre në Elbasan, tregon thellësinë e krizës së integritetit në këtë pushtet.
    Sami Neza: Çfarë i ka bërë besimit tek drejtësia çështja ‘Gjoka’, nuk i ka bërë asnjë precedent tjetër në historinë e gjyqësorit, për shkak se ne kemi të përfshirë disa institucione që duhet të merreshin me verifikimin e akuzave që janë bërë ndaj saj dhe ndërkohë kemi një bllokim të verifikimit në interes të disa objektivave që kanë nisur si objektiv politik dhe kërkohen të zbatohen përmes gjyqësorit që është sërish një problematikë tjetër e madhe kur mendojmë që gjyqësori duhet të jetë tërësisht i ndarë nga politika.
    I gjithë gjyqësori është përfshirë në problematika shumë të mëdha. Problematika të cilat kanë të bëjnë me integritetin… përshembull, rasti i Elbasanit ka të bëjë me integritetin e palëve në proces. Integriteti i palëve në proces është A-ja, kur nis një proces gjyqësor dhe baza në të cilën gjykohet nëse ky proces është i drejtë apo jo. Në momentin që cënohet ky integritet, nuk i ka mbetur më asgjë gjyqtarit, ose çfarëdo lloj vendimi të japë gjyqtari është i paragjykuar.
    Protesta e avokatëve me 5 ditë për të mos marrë pjesë në të gjitha proceset gjyqësore, është rasti i parë në Shqipëri që ndodh një protestë e tillë. Ne jemi soditës të pushtetit gjyqësor dhe ne nuk e ndjejmë siç e ndjejnë grupet e interesit që punojnë brenda këtij pushteti. Por fakti që ata u detyruan që të bëjnë 5 ditë grevë, ndërkohë që ne kemi një stok çështjes…do të thotë që për një javë janë vonuar të paktën mbi 1 mijë procese gjyqësore me nga një seancë. Mendoni se çfarë lloj impakti është ky dhe kush e injektoi këtë lloj iniciative. E injektoi cënimi i integritetit të palëve në një proces gjyqësor, që është një gjë që mezi perceptohet nga publiku, or është një gjë shumë e rëndësishme për ata që përfshihen në këtë proces.

  • AXHENDA/ Këshilli i Lartë Gjyqësor mblidhet nesër, nuk e ka ndërmend të diskutojë për bllokimin e proceseve

    AXHENDA/ Këshilli i Lartë Gjyqësor mblidhet nesër, nuk e ka ndërmend të diskutojë për bllokimin e proceseve

    Këshilli i Lartë Gjyqësor mblidhet nesër në mëngjes, ku sipas axhendës ka disa çështje në rend të ditës të krakterit emërues administrativ. Sipas axhendës, nuk ka asnjë pikë diskutimi mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në Elbasan, ku një prokuror ka arrestuar avokatin që është palë në sallën e gjyqit.
    Kjo ngjarje ka shkaktuar një përplasje të madhe, sa që avokatët e Shqipërisë kanë venosur bojkotimin e proceseve deri në lirimin e kolegëve të tyre.
    Edhe pse proceset janë në bllokadë që nesër, duket KLGJ as nuk e ka vrarë shumë mëndjen, e kjo duket nga axhenda që publikohet nga njoftimi për media.
    Axhenda
    Shqyrtimi i projektvendimeve:
    1.1 Për renditjen e kandidatëve në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 594, datë 10.09.2025 të Këshillit të Lartë Gjyqësor;
    1.2 Për renditjen e kandidatëve në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 595, datë 10.09.2025 të Këshillit të Lartë Gjyqësor;
    1.3 Për renditjen e kandidatëve në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 596, datë 10.09.2025 të Këshillit të Lartë Gjyqësor;
    1.4 Për transferimin e gjyqtares znj. {…} në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë;
    1.5 Për transferimin e gjyqtarit z. {…}në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë;
    1.6 Për transferimin e gjyqtares znj. {…}në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
    1. Shqyrtimi i projektvendimeve:
    2.1 Për pranimin në shërbimin civil gjyqësor dhe caktimin në pozicionin e ndihmësit ligjor në Njësinë e Shërbimit Ligjor në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, znj. {…};
    2.2 Për pranimin në shërbimin civil gjyqësor dhe caktimin në pozicionin e ndihmësit ligjor në Njësinë e Shërbimit Ligjor në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, z. {…};
    2.3 Për pranimin në shërbimin civil gjyqësor dhe caktimin në pozicionin e ndihmësit ligjor në Njësinë e Shërbimit Ligjor në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, znj. {…};
    2.4 Për pranimin në shërbimin civil gjyqësor dhe caktimin në pozicionin e ndihmësit ligjor në Njësinë e Shërbimit Ligjor në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, znj. {…};
    2.5 Për pranimin në shërbimin civil gjyqësor dhe caktimin në pozicionin e ndihmësit ligjor në Njësinë e Shërbimit Ligjor në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, znj. {…};
    2.6 Për pranimin në shërbimin civil gjyqësor dhe caktimin në pozicionin e ndihmësit ligjor në Njësinë e Shërbimit Ligjor në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, znj. {…};
    2.7 Për pranimin në shërbimin civil gjyqësor dhe caktimin në pozicionin e ndihmësit ligjor në Njësinë e Shërbimit Ligjor në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, znj. {…};
    2.8 Për pranimin në shërbimin civil gjyqësor dhe caktimin në pozicionin e ndihmësit ligjor në Njësinë e Shërbimit Ligjor në Gjykatën Administrative të Apelit, z. {…}.
    2.9 Për pranimin në shërbimin civil gjyqësor dhe caktimin në pozicionin e ndihmësit ligjor në Njësinë e Shërbimit Ligjor në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, z. {…}.
    2. Shqyrtimi i projektvendimit “Për miratimin e rregullores “Për krijimin, funksionimin dhe procedurat e njësisë përgjegjëse për mbrojtjen e sinjalizuesve ndaj anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe gjyqtarëve”.
    3. Shqyrtimi i projektvendimit “Për shpalljen e pozicioneve të lira për gjyqtarët e emëruar më datë 31.07.2025, të diplomuar në përfundim të programit trevjeçar të formimit fillestar 2022-2025”. /tema/

  • Vdiq duke pritur drejtësinë” – Juristi Daci: Gjykata e thirri në seancë, por ai kishte ndërruar jetë

    Vdiq duke pritur drejtësinë” – Juristi Daci: Gjykata e thirri në seancë, por ai kishte ndërruar jetë

    Juristi Jordan Daci ka ngritur alarmin për situatën dramatike të sistemit gjyqësor në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një “kolaps funksional”. I ftuar në emisionin “Drejt” në Ora News, Daci tha se aktualisht janë rreth 200 mijë çështje që presin të shqyrtohen në gjykata, ndërsa gjyqet zvarriten deri në pikën që palët ndërojnë jetë pa marrë drejtësi.

    “Kam pasur raste kur më vjen njoftimi për gjyq në Gjykatën e Lartë dhe mësoj që personi që përfaqësoj ka vdekur. Dhe jo tani, por ka ndërruar jetë sepse gjyqi ka nisur 15-20 vite më parë,” – u shpreh Daci.

    Sipas tij, rreth 40% e çështjeve në sistemin gjyqësor kanë të bëjnë me pronësinë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme janë çështje administrative, ku mbi 30% prej tyre burojnë nga mungesa e nxjerrjes së akteve nga vetë shteti.
    Daci shtoi se çështjet tregtare dhe familjare përbëjnë një përqindje më të vogël, ndërsa situata në çështjet penale dhe në gjykatat e apelit është “një histori më vete”.
    Ky paralajmërim i fortë vjen në një kohë kur vonesat gjyqësore, mungesa e efikasitetit dhe reforma në drejtësi mbeten ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve dhe organizatave ndërkombëtare që monitorojnë sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

  • Shoqata Evropiane e Gjyqtarëve thirrje qeverisë shqiptarë: Ndaloni sulmet ndaj drejtësisë

    Shoqata Evropiane e Gjyqtarëve thirrje qeverisë shqiptarë: Ndaloni sulmet ndaj drejtësisë

    astrit kalaja

    TIRANË- Shoqata Evropiane e Gjyqtarëve (EAJ) ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Shqipëri, Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje gjatë shpalljes së një vendimi gjyqësor. EAJ i bën thirrje qeverisë shqiptare që të ndalojë kritikat dhe sulmet ndaj gjyqtarëve.
    Në një rezolutë të miratuar në mbledhjen e saj në Baku, EAJ dënon ashpër këtë akt tronditës dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe miqve të gjyqtarit.
    Shoqata thekson se vrasja ndodhi në një kontekst shqetësues për drejtësinë në Shqipëri, ku sistemi gjyqësor është i dobësuar për shkak të mungesës së gjyqtarëve pas procesit të vettingut, ndërsa gjyqtarët janë bërë objekt i sulmeve publike nga figura të larta politike. Këto sulme përfshijnë fyerje personale, denigrim në media dhe publikimin e fotove të gjyqtarëve në rrjetet sociale.
    REZOLUTË mbi situatën aktuale në Shqipëri
    1. Në mbledhjen e saj të mbajtur në Baku më 14 tetor 2025, Shoqata Evropiane e Gjyqtarëve (EAJ) u informua nga anëtari, Unioni Shqiptar i Gjyqtarëve, për vrasjen e fundit të një gjyqtari në Gjykatën e Apelit në Shqipëri, Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje ndërsa po shpallte një vendim gjyqësor. Delegatët e pranishëm u tronditën thellë nga kjo ngjarje dhe shprehën ngushëllimet e tyre të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e gjyqtarit.
    2. Delegatët gjithashtu u shprehën jashtëzakonisht të shqetësuar për rrethanat në të cilat ndodhi ky akt tragjik. Përveç faktit që sistemi gjyqësor është nën presion si pasojë e mungesës së gjyqtarëve pas procedurave të rivlerësimit (vetingut), gjyqtarët janë bërë së fundmi objekt i sulmeve publike fyese në media nga figura të larta politike.
    Këto sulme kanë shkuar deri në veçimin e gjyqtarëve individualë për fyerje dhe denigrim personal, përfshirë publikimin e fotografive të tyre në llogari të mediave sociale. Thirrjet e përsëritura të Unionit Shqiptar të Gjyqtarëve dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor për t’i dhënë fund këtyre sulmeve publike ndaj anëtarëve të gjyqësorit nuk janë marrë parasysh, dhe si pasojë besimi i publikut në sistemin gjyqësor vazhdon të dëmtohet, ndërsa gjyqtarët detyrohen të punojnë në një mjedis armiqësor publik.
    3. Papranueshmëria e një sjelljeje të tillë është e vetëkuptueshme. Standardet evropiane janë të qarta:
    (i) “Ndërsa kritika objektive ndaj gjykatave dhe vendimeve të tyre është e lejueshme, nuk është e pranueshme që pushtetet e tjera të shtetit të kritikojnë gjyqësorin në një mënyrë që minon pavarësinë e tij, autoritetin gjyqësor ose besimin publik në gjyqësor, dhe që nxit mosbindje apo edhe dhunë ndaj gjyqtarëve.” (ii) “Pushtetet ekzekutive dhe legjislative kanë detyrimin të ofrojnë çdo mbrojtje të nevojshme dhe të mjaftueshme kur funksionet e gjykatave rrezikohen nga sulme fizike ose nga frikësime të drejtuara ndaj anëtarëve të gjyqësorit.”
    4. Për rrjedhojë, Shoqata Evropiane e Gjyqtarëve (EAJ) i bën thirrje Qeverisë së Shqipërisë: * të garantojë respektimin e plotë të pavarësisë së gjyqësorit; * të ndalojë kritikat e pajustifikuara, si dhe kërcënimet dhe sulmet ndaj gjyqtarëve; dhe * të ndërmarrë masa efektive për të siguruar mbrojtjen dhe sigurinë e gjyqtarëve.

  • “Qeveria shqiptare të marrë masa për të garantuar sigurinë…”/ Vrasja, Shoqata Europiane e Gjyqtarëve miraton rezolutë

    “Qeveria shqiptare të marrë masa për të garantuar sigurinë…”/ Vrasja, Shoqata Europiane e Gjyqtarëve miraton rezolutë

    Shoqata Europiane e Gjyqtarëve (EAJ) ka miratuar një rezolutë ku i bën thirrje qeverisë së Shqipërisë që të marrë masa efektive për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve. Rezoluta u miratua unanimisht me kërkesë të Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, i cili u përfaqësua nga dy gjyqtarët Gerd Hoxha dhe Genti Dokollari, në takimin vjetor që po mbahet në Baku nga datat 11-17 tetor.
    Në rezolutë thuhet se pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet të sigurojë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e gjyqtarëve kur rrezikohen nga sulme fizike apo kërcënime.
    “Pushtetet ekzekutive dhe legjislative kanë detyrimin të sigurojnë të gjitha masat e nevojshme dhe të përshtatshme të mbrojtjes kur funksionet e gjykatave rrezikohen nga sulme fizike ose kërcënime të drejtuara ndaj anëtarëve të gjyqësorit”, thuhet në rezolutë.
    Më tej në rezolutë i bëhet thirrje qeverisë që të ndalen kritikat ndaj gjyqtarëve, referuar këtu edhe postimeve të kryeministrit Rama që ka shprehur jo pak kritika për vendimet për lirimin e hapësirave publike.
    Ndërkohë, në një reagim nga Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë thihet se kjo rezolutë është një mbështetje efortë për të gjithë gjyqtarët dhe punonjësit e drejtësisë, për të çuar para përkushtimin për dhënien e drejtësisë.
    “Kjo rezolutë është shenje e respektit të lartë për kolegun tonë të ndjerë Z.Astrit Kalaja dhe gjithë gjyqtarët shqiptarë, si dhe një mbështetje e fortë për gjithë trupën gjyqësore në veçanti dhe gjithë punonjësit e drejtësisë në përgjithësi, për ta çuar më para përkushtimin tonë në dhënien e drejtësisë!
    Kjo rezolutë është një thirrje për reflektim serioz e të menjëhershëm të organeve shtetërore, që kanë detyrë kushtetuese e ligjore të sigurojnë një klime normale pune dhe sigurinë e gjyqtarëve, si gur themeli për një drejtësi të pavarur”, thuhet në reagimin e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë.
    Gjyqtari Astrit Kalaja u vra më 6 tetor në sallën e gjyqit, menjëherë sapo dha vendimin për një konflikt për çështje pronësie. Autori i vrasjes është 30-vjeçariElvis Shkambi, familja e të cilit ishte palë në një proces gjyqësor për një konflikt pronësie prej vitesh.
    Rezoluta e plotë e Shoqatës Evropiane të Gjyqtarëve
    Në mbledhjen e saj në Baku më 14 tetor 2025, Shoqata Evropiane e Gjyqtarëve (“EAJ”) u informua nga anëtari i saj, Unioni Shqiptar i Gjyqtarëve, për vrasjen e fundit të një gjyqtari në një gjykatë apeli në Shqipëri, Astrit Kalaja, i cili u qëllua me armë ndërsa po shpallte një vendim. Delegatët e pranishëm u tronditën nga ky lajm dhe shprehën ngushëllimet e tyre për familjen, miqtë dhe kolegët e gjyqtarit.
    Delegatët shprehën gjithashtu shqetësim të thellë kur mësuan rrethanat në të cilat ndodhi ky akt. Përveç faktit që sistemi gjyqësor është nën presion për shkak të mungesës së gjyqtarëve si rezultat i procesit të rivlerësimit (vetingut), gjyqtarët kanë qenë së fundmi objekt i sulmeve publike abuzuese në media nga figura të larta politike. Këto sulme kanë shkuar deri në identifikimin dhe ofendimin e gjyqtarëve individualë, përfshirë publikimin e fotografive të tyre në rrjete sociale. Thirrjet e përsëritura të Unionit Shqiptar të Gjyqtarëve dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor për t’i dhënë fund këtyre sulmeve publike ndaj anëtarëve të gjyqësorit janë injoruar, dhe për pasojë, besimi i publikut në sistemin gjyqësor vazhdon të gërryhet, ndërsa gjyqtarët detyrohen të punojnë në një mjedis armiqësor nga ana e opinionit publik.
    E papranueshmëria e një sjelljeje të tillë është e vetëkuptueshme. Standardet evropiane janë të qarta:
    (i) “Ndërsa kritika objektive ndaj gjykatave dhe vendimeve të tyre është e lejueshme, nuk është e pranueshme që pushtetet e tjera në shtet të kritikojnë gjyqësorin në një mënyrë që minon pavarësinë, autoritetin gjyqësor ose besimin e publikut te gjyqësori dhe që nxit mosbindje apo edhe dhunë ndaj gjyqtarëve.”
    (ii) “Pushtetet ekzekutive dhe legjislative kanë detyrimin të sigurojnë të gjitha masat e nevojshme dhe të përshtatshme të mbrojtjes kur funksionet e gjykatave rrezikohen nga sulme fizike ose kërcënime të drejtuara ndaj anëtarëve të gjyqësorit.”
    Prandaj, EAJ i bën thirrje qeverisë së Shqipërisë:
    • të garantojë respektimin e pavarësisë gjyqësore;
    • të ndalojë kritikat e pajustifikuara, kërcënimet dhe sulmet ndaj gjyqtarëve; dhe
    • të marrë masa efektive për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve.