Qarku i Lezhës po përballet me një situatë alarmante përmbytjesh, ku dhjetëra banesa dhe sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore janë mbuluar nga uji. Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, i cili ndodhet në terren, raporton se gjendja është përkeqësuar ndjeshëm krahasuar me një ditë më parë, duke e kthyer zonën në njësh me detin.
“Situata është alarmante. Po të shihen ditën e sotme, situata është akoma më problematike krahasuar me situatën e djeshme, sepse edhe ditën e djeshme unë kam qenë në terren dhe nga dita e djeshme në ditën e sotme rezulton që ka një rritje të madhe të ujit, sidomos në zonën ku ndodhem unë dhe njëkohësisht në Mylte, në Sfitën edhe në Tresh. Rezulton, kjo është një rrugë kalimi siç e shihni juve, të cilët kalojnë makinat dhe po të shihni çizmet e mia, rezultojnë që janë në nivelin e sipërm të çizmeve. Dhe rezulton që disa shpia në fund të kësaj rruge janë të detyruar të evakuohen për shkak jo aq shumë të rreshjeve të shiut, por për shkak të prishjes së argjinaturës së së kënetës së Vainit dhe Kunës. Dhe sasia e ujit e cila ndodhet në këtë kënetë ka hyrë në zonën dhe tokat bujqësore duke përmbytur gjithçka në këtë zonë”, tha Gjoni.
Pamjet ajrore janë dëshmi e dëmeve të mëdha dhe kjo zonë është kthyer në njësh me detin.
Sipas deputetit Gjoni, shkaku kryesor i kësaj katastrofe nuk janë vetëm reshjet e dendura të shiut, por prishja e argjinaturës së kënetës së Vainit dhe Kunës. Kjo ka bërë që sasi të mëdha uji, përfshirë ujë të kripur deti, të vërshojnë në mënyrë të pakontrolluar, duke përmbytur gjithçka në zonat e Myltes, Sfitës dhe Treshit. Dëmi konsiderohet afatgjatë, pasi uji me kripë ka depërtuar në tokat bujqësore, duke i bërë ato jopjellore për një periudhë të gjatë kohore.
“Pasojat për banorët janë të rënda. Disa familje janë detyruar të evakuohen, ndërsa fermerët po përpiqen të shpëtojnë bagëtitë duke i ngjitur në katet e dyta të kasolleve me mjete rrethanore. Problem serioz mbetet edhe furnizimi me ujë të pijshëm, pasi puset nëntokësore janë kontaminuar nga përmbytja. Gjithashtu, raportohet për mungesë të ushqimit për kafshët.
Kemi dëmtime të mëdha të tokës bujqësore, sepse uji i cili ka hyrë është ujë me kripë dhe duhet një kohë e gjatë për të bërë që këto toka pjellore të fillojnë të prodhojnë edhe njëherë. Dhe po të shohësh të gjithë bagëtitë të cilët ndodhen dhe fshatarët e kësaj zone jetojnë dhe të ardhurat e tyre i sigurojnë të jetesës nga bagëtitë dhe shpendët që kanë, ndodhen në kushte dhe janë të detyruar që t’i ngrenë në katet e dyta të kasolleve të tyre me mjete rrethanore në mënyrë që mos të dëmtohen. Është problematike çështja e ujit të pijshëm. Çështja e ujit të pijshëm, për disa banorë të kësaj zone, meqenëse uji i pijshëm këtu merret me puse nëntokësore dhe shpime direkt në sipërfaqen, në tokën ku sot është nën ujë, por njëkohësisht edhe ushqimi për bagëtitë dhe gjëtë e gjalla. Situata shpresojmë të mos jetë problematike gjatë natës, meqenëse forcat e emergjencës civile po punojnë në bllokimin e argjinaturës e cila është e dëmtuar, por deri në momentin aktual nuk shihen shenja që mund të mbyllet sonte”, tha deputeti Gjoni.
Deputeti Gjoni akuzoi për neglizhencë dhe mungesë totale të autoriteteve lokale dhe qendrore. Ai theksoi se në zonat e përmbytura nuk ka asnjë prani të punonjësve të emergjencave civile apo të pushtetit lokal për të ndihmuar banorët, pasi e gjithë vëmendja është përqendruar vetëm te riparimi i argjinaturës së dëmtuar.
Kjo situatë, sipas tij, mund të ishte shmangur plotësisht. Ai denoncoi mungesën e investimeve dhe mirëmbajtjes së kanaleve kulluese, duke theksuar se kjo është pasojë e neglizhencës dhe diskriminimit të qarkut të Lezhës në ndarjen e fondeve. Gjoni e krahasoi situatën aktuale me përmbytjet e viteve 2002-2006, duke e cilësuar si një kthim pas prej 15 vitesh. Ai kritikoi qeverinë se ndërsa premtoi 5% të buxhetit për këtë fushë, në realitet ka akorduar vetëm 2.5%, duke treguar një mungesë totale interesi për fermerët dhe infrastrukturën.
“Ka një interesim të paktë në lidhje me situatën për të cilën flasim. Në disa zona sot është e pamundur të shkosh. Edhe emergjencat civile duhet të shkojnë me varka në banesat e tyre. Nuk ka, s’e ka një interesim nga autoritetet lokale dhe njëkohësisht edhe nga emergjencat civile.
Kjo nuk është për pasojë të reshjeve të shumta të shiut, se po ta shihni edhe tani, ditën e sotme pothuajse nuk ka pasur reshje fare. Po kjo është për mungesë të neglizhencës së pushtetit qendror, Drejtorisë së Kanalizimeve dhe njëkohësisht edhe të pushtetit lokal. Por edhe për shkak të mungesës së fondeve dhe qarku i Lezhës është një nga qarqet më të diskriminuar. Në rast se pushteti qendror dhe pushteti lokal do kishin punuar gjatë gjithë periudhës së vitit, në mënyrë që të bënin të mundur pastrimin e kanaleve kulluese, kjo situatë nuk do përsëritej. Situata e sotme është situatë e cila kthehet pas vitit 2002-2006. Dhe sot banorët tregojnë në të gjithë dëshmitë e tyre që kjo situatë nuk ka ndodhur vetëm para 15 vjetëve. Imagjinoni, në këtë periudhë 12 vjeçare rezulton që nuk është ndërhyrë dhe siç e kam theksuar edhe më parë, në vend që projekt-buxheti i cili u miratua në parlament të shtonte fondet në lidhje me sistemimin e rrugëve, të kanalizimeve kulluese, rezulton që nga premtimi 5%, përsëri jemi në kufijtë e 2.5% dhe ka një mungesë totale të pushtetit qendror përsa i përket fermerëve”.









