Gjokutaj: Prokurori Alfred Shehu po gënjen, Sali Berisha ishte në SPAK pikërisht në datën e fletëthirrjes
Avokati i kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, Genc Gjokutaj, ka reaguar ashpër, duke akuzuar SPAK për gënjeshtra, me pretendimin se i kishte dërguar dy fletëthirrje kryedemokratit për t’u paraqitur.
Me një postim në Facebook, Gjokutaj hedh poshtë versionin zyrtar të SPAK, duke theksuar se Presidenti i PD-së, Sali Berisha, ka qenë fizikisht në ambientet e institucionit pikërisht në datën 3 nëntor 2025, ditën kur SPAK pretendon se e ka thirrur për t’u pyetur.
Një sqarim për opinionin e interesuar! Tragji-komedia e SPAK për gjoja njoftimin e z. Sali Berisha për t’u pyetur së pari në datën 03.11.2025 dhe pastaj sot më datën 14.11.2025, si çdo gënjeshtër, i ka këmbët e shkurtëra!Zoti Prokuror SPAK-ist Alfred Shehu!
Ju e dini mjaft mirë që Sali Berisha paraqitet në SPAK të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji në funksion të ekzekutimit të vendimit gjyqësor për masën ‘detyrim për paraqitje’!’
Gjokutaj thekson se Berisha ka qenë prezent në SPAK më 3 nëntor, në orën 10:00, pikërisht në të njëjtën ditë dhe orë ku pretendohet se i është dërguar fletëthirrja për pyetje.
‘Për ironi të fatit, Sali Berisha është paraqitur ditën e hënë, datë 03.11.2025, ora 10.00, tek OPGj i SPAK, pikërisht në datën dhe orën që ju pretendoni se e keni thirrur për ta pyetur!
Pyetje: Përse nuk e ftuat për t’u pyetur atë ditë, pasi ai ishte në ambientet e SPAK?’
Gjokutaj ngre edhe një pikëpyetje të dytë mbi datën tjetër të përmendur nga SPAK.
‘Po për datën 14.11.2025, përse nuk ja komunikuat, meqë nuk ju dha ta realizonit pyetjen në datën 3? Që jeni të kapur politikisht, e dinim. Por që Prokurori i Shtetit të gënjejë për pushtetin, është kriminale, amorale dhe e padenjë institucionalisht!’
Avokati, në përfundim të reagimit, thekson se Berisha ndodhet në Tiranë, i gatshëm për t’u paraqitur sa herë kërkohet nga organet e drejtësisë.
‘Ndërkohë z. Sali Berisha ndodhet në Tiranë, i gatshëm për t’u paraqitur sipas ligjit dhe në adresat ku keni trokitur sa herë ju ka qenë nevoja.’, shkruan avokati Genc Gjokutaj në reagimin e tij në Facebook