Foto ilustruese
TIRANË- Zëvendëskryministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belnda Balluku, është marrë zyrtarisht e pandehur nga SPAK. Pasditen e sotme, Balluku u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, teksa pak minuta më vonë vetë Prokuroria për hetimin dhe njoftoi zyrtarisht akuzat.
SPAK sqaroi se deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, ministrja është marrë në hetim për njërën prej procedurave të prokurorimit për Tunelin e Llogarasë, konkretisht për aksin Orikum-Himarë, pjesë e autostradës (Vlorë-Sarandë), ku janë evidentuar shkelje në zhvillimin e procedurës së tenderimit për këtë aks.
Sipas SPAK, bëhet fjalë për procedurën e zhvilluar më 11 dhjetor 2020, e cila më pas u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me një fond limit prej 190 mln euro pa TVSH, një nga më të kushtueshmit sot në vend.
Hetimi filloi nga një kontratë e fituar nga kompania e ish-ortakut të ish-kreut të Autoritetit Rrugor, Evis Berberi në biznes, Valter Begaj, për mbikëqyrjen e punimeve të një prej veprave më të rëndësishme në bregun e jugut. Si Berberi ashtu dhe Begaj u arrestuan marsin e vitit të kaluar, dhe janë nën hetim të dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash. Sipas Prokurorisë së Posaçme, kjo kompani është përdorur për të devijuar para, drejt një tjetër kompanie, “Daam”, në letër në pronësi të Begajt, por që sipas hetuesve ishte në zotërim indirekt të Berberit.
Detajet në dosjen hetimore të Berberit, një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Ballukut, kanë çuar hetuesit drejt zv/kryeministres.
Skema korruptive…
Bëhet fjalë për nje tender me vlerë fondi limit 190 milion euro dhe punime me afat realizimi 37 muaj nga lidhja e kontratës. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave dhe shpalljes së fituesit të tenderit duhet të ishte data 12 shkurt 2021.
Por…çfarë ndodhi me fituesin?
Tenderi në fjalë kishte 6 ofertues, ku oferta më e ulët ishte ajo e kompanisë ‘Gjoka Construksion’ në vlerën 140 milion euro, e cila u anullua, pasi sipas ministres dhe zv.kryeministres, Belinda Balluku, ofertat ishin të papërshtatshme. Kjo lëvizje do të çonte në shpalljen edhe një herë të tenderimit, ku 4 muaj më vonë, më 26 qershor 2021, Balluku rihapi edhe një herë garën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Garë e cila u mbyll më datë 28 Korrik 2021.
Në këtë garë morën pjesë pesë operatorë ekonomikë, nga ku rezulton se 4 operatorë u skualifikuan dhe vetëm Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë (BOE) INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK dhe ASL INSAAT TAAHHUT u kualifikua dhe u shpall fitues në datën 08.10.2021, me ofertë rreth 170 milionë euro. Shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a., nuk ka marrë pjesë në garë, ndërkohë që oferta fituese është 30 milion euro më shumë se oferta që kishte paraqitur shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a. në procedurën e parë.
Anullimi i tenderit të parë rezulton i qëllimshëm
Shpallja e tenderimit për herë të dytë ishte një manovër për t’i hapur rrugë një kompanie turke, e cila del se u shpik vetëm për atë që do të ishte tenderi i radhës. Gara e cila u mbyll më datë 28 Korrik 2021, morën pjesë pesë operatorë ekonomikë, nga ku rezulton se 4 operatorë u skualifikuan dhe vetëm Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë (BOE) INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK dhe ASL INSAAT TAAHHUT u kualifikua dhe u shpall fitues në datën 08.10.2021, me ofertë rreth 170 milionë euro. Shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a., nuk ka marrë pjesë në garë, ndërkohë që oferta fituese është 30 milion euro më shumë se oferta që kishte paraqitur shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a. në procedurën e parë.
Ekzistojnë të dhëna, përfshirë dëshminë publike të një prej pjesëmarrësve në takim, se kompania fiktive turke u paracaktua si fituese në një takim në Ankara, Turqi, të zhvilluar në datën 3 Qershor 2021, pra 21 ditë para rishpalljes së tenderit.
Punimet për ndërtimin e tunelit të Llogarasë u kryen efektivisht nga shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a., e cila kishte marrë pjesë në procedurën e parë të anulluar të prokurimit dhe kishte ofruar për ndërtimin e tunelit vlerën prej rreth 140 milionë euro. Në fakt, rezulton që shpenzimi për ndërtim u krye po me këtë vlerë, sepse shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a. që bërë punimet me nënkontraktim u pagua po me këtë shumë, por në këtë rast jo drejtpërdrejtë nga Buxheti i Shtetit por përmes një ndërmjetësi që ishte kompania turke “INTEKAR – ASL”, i cila përfitojë 30 milion euro pa bërë asnjë punë.
Por si mundi SPAK të sigurojë prova kundër Belinda Ballukut e ta vërë atë nën akuzë, duke u bërë kështu zyrtarja më e lartë në detyrë që ka hesape të hapura më drejtësinë. SPAK kaloi nga emri i Evis Berberit, ish-drejtues i Autoritetit Rrugor Shqiptar, te emri i ministres Belinda Balluku.
Evis Berberi që do të ishte një prej njerëzve të saj më të besuar, tenderit e të cilit, kishin risk të lartë për korrupsion apo paracaktim të tyre. Ndërkohë që në mars të 2024 u arrestua nën dyshimet për akuzën e korrupsionit.
Ku sipas SPAK ai zotëronte në mënyrë të tërthortë kompaninë ‘DAAM’, e cila fitonte tendera në institucionet që drejtonte i besuari i Ballukut. Celularët që iu sekuestruan Berberit dhe gruas së tij, që duket se ishin një ‘minierë ari’ për hetuesit, të cilët zbuluan mesazhe që besohet se kanë lidhur zv.kryeministrem Balluku me aferën e ndërtimit të tunelit të Llogarasë. Mesazhe që duket se kanë implikuar dhe zyrtarë të tjerë të lartë, që janë tashmë nën hetim.
Lidhja e Evis Berberit me Valter Begaj dhe Ervis Lamin
Valter Begaj, biznesmen dhe ortak i Evis Berberit, është personi kyç që ka shërbyer për të pastruar paratë e përfituar përmes tenderave të paligjshëm nga kreu i ARRSH-së. Përveç aksioneve të DAAM, Begaj ishte zotërues dhe i kompanisë NET-GROUP (ish “B-VAAL ENGINEERING”), e cila rezulton që të jetë dhe kompania që ka fituar tenderat në mënyrë jo të ligjshme nga ana e Berberit. Më pas këto të ardhura dërgoheshin te kompania tjetër e Begajt, kompania DAAM, e cila sipas SPAK vijonte që të kontrollohej po nga Berberi, pavarësisht shitjes fiktive që ai i kishte bërë aksioneve. Ndërkohë Ervis Lami rezulton administrator i kompanisë ‘DAAM’. Më parë në kompaninë ‘DAAM’ ka rezultuar pronarë, vetë kreu i ARRSH-së Evis Berberi, Brunilda Buli, dhe Ervis Lami./ZËRI