Një vatër zjarri e fuqishme ka shpërthyer pasditen e sotme në zonën e Picarit, Gjirokastër, duke përfshirë kullota dhe shkurre të shumta.
Flakët vazhdojnë të përpijnë barishte dhe shkurre, ndërsa Shërbimi Zjarrfikës dhe strukturat e emergjencës janë angazhuar intensivisht për lokalizimin dhe shuarjen e tij.
Kjo është vetëm një ndër seri zjarresh që kanë përfshirë zonën këtë verë, duke shkatërruar rreth 1 mijë hektarë pyje dhe kullota, dhe duke rrezikuar gjithashtu zonat e banuara. Autoritetet lokale dhe shërbimet e emergjencës po bëjnë çdo përpjekje për të mbajtur nën kontroll situatën dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve.
Deri tani, nuk janë raportuar dëme të tjera serioze, por situata mbetet e ndërlikuar, pasi zjarret e kësaj vere kanë sjellë pasiguri të madhe në komunitetet rurale të Gjirokastrës.
Tag: gjirokastrës
-

Një vatër zjarri e fuqishme në Gjirokastrës, digjen 1 mijë hektarë kullotë, zjarrfikëset në terren
-

Muzika elektronike e ‘Çeço Fest’, Gjirokastra për të gjashtën herë nën ritme të paharrueshme
Kalaja e Argjirosë për të gjashtin vit radhazi magjepset nga ritmet e “Çeço Fest”, duke shënuar në kujtesën kulturore të vendit edhe një tjetër përvojë që nuk harrohet.
Duke filluar nga mbrëmja e 8 gushtit qyteti i Gjirokastrës do të jetojë nën meloditë e festivalit, për të përjetuar edhe njëherë magjinë e muzikës elektro.
Publiku do të ketë mundësinë të shijojë dy ditë intensive me performanca të paharruara nga artistë të njohur, gjë që edhe provon se ky festival për një kohë të gjatë është kthyer në “shtëpinë” e DJ-ve, dhe admiruesve të muzikës, duke mos i dëshpëruar asnjëherë me atë çka ofron dhe shfaq.
Flamur Golemi, kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, e cilësoi këtë festival si një tjetër fundjavë të paharrueshme:
“Vera vazhdon me ritëm, energji dhe emocion”, shkroi kryebashkiaku në rrjetet sociale.
“Çeço Fest” do të sjellë muzikë pa fund, spektakël drite dhe një atmosferë elektrizuese në zemër të qytetit të gurtë, aty ku tradita takohet me ritmet moderne për një përvojë të paharrueshme./KultPlus.com
-

34% më shumë vizitorë në Kalanë e Gjirokastrës, gjatë korrikut
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër bëri të ditur se, gjatë muajit që lamë pas, në Kalanë e Gjirokastrës, u regjistrua një numër i lartë vizitorësh për periudhën 1 korrik -31 korrik 2025.
Vizitat turistike në Kalanë e Gjirokastrës kanë ardhë duke u rritur krahasuar me atë të një viti më parë.
48,273 vizitorë u regjistruan gjatë korrikut ose 34% vizitorë më shumë krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Kalaja e Gjirokastrës është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 metra mbi nivelin e detit. Krahasuar me kalatë mjesjetare të tjera të vendit, kjo kala është më e vogël nga sipërfaqja dhe ruhet në gjendje më të mirë. Gjerësia e saj është 75 metra dhe gjatësia 500 metra. Për t’u shtuar rezistencën mureve të kalasë janë ngritur pesë kulla të fuqishme.
Për gjatë viteve ajo ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Rreth vitit 1490 u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II. Pastaj në vitin 1811, Ali Pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Po ashtu përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg.
Me gjithë vlerat që posedon, ajo është tejet atraktive për turistë nga mbarë bota./atsh/KultPlus.com
-

Mbi 48 mijë vizitorë në Kalanë e Gjirokastrës gjatë korrikut
Kalaja e Gjirokastrës ka qenë një nga destinacionet më të vizituara gjatë muajit korrik, duke tërhequr mbi 48 mijë turistë nga brenda dhe jashtë vendit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, për periudhën 1-31 korrik 2025, janë regjistruar plot 48 mijë 273 vizitorë, një rritje prej 34% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
E ndodhur në një pozicion dominues mbi qytetin, Kalaja ofron jo vetëm pamje mahnitëse të luginës, por edhe një pasuri të veçantë historike e arkitektonike.
Me mure të fuqishme, pesë kulla mbrojtëse dhe elemente të shtuar gjatë sundimeve të ndryshme, nga sulltan Bajaziti II e deri te Ali Pashë Tepelena, kalaja mbetet një dëshmi e gjallë e historisë dhe një magnet për turistët.
Rritja e vizitueshmërisë tregon se interesimi për trashëgiminë kulturore shqiptare është në rritje të qëndrueshme, ndërsa Gjirokastra po kthehet gjithnjë e më shumë në një pikë referimi për turizmin historik në jug të vendit./tvklan -

Përfundon ekspedita në kalanë e Gjirokastrës, gërmimet arkeologjike më parë rifilluan pas 30 vitesh
Arkeologët pas më shumë se 30 vitesh rifilluan në korrik gërmimet arkeologjike në kalanë e Gjirokastrës për të evidentuar dëshmi të periudhave të hershme të ndërtimit të saj. Ekspedita e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore i nisi punimet në korrik, ndërsa këto ditë gushti bëhet me dije se ajo ka përfunduar. Ekspedita arkeologjike në kalanë e Gjirokastrës u zhvillua me pjesëmarrjen e arkeologëve shqiptarë dhe të huaj. Arkeologët bëjnë me dije se zbulimet e reja përfshijnë gjurmë të një kulle të periudhës së antikitetit të vonë të shekullit V-VI të erës sonë si dhe skeletin e një kali dhe të një luftëtari.
Gjithashtu sipas tyre janë zbuluar objekte arkeologjike me vlerë, të cilat i përkasin periudhës së Bronzit të Mesëm dhe të Vonë. “Pas 4 javë gërmimesh në kalanë e Gjirokastrës ne kemi mbyllur me sukses ekspeditën tonë, mund të themi se kemi patur gjetje materiale përveç skeleteve, kemi gjetur fragmente qeramike që i përkasin periudhave të ndryshme, gjetje metalesh”, u shpreh Pamela Llapaj arkeologe, që shton më tej se kjo është një ekspeditë e suksesshme, ku nga zbulimet mësojmë më shumë për historikun dhe për arkeologjinë e kalasë dhe vetë qytetit. Gërmimet arkeologjike që u zhvilluan këtë periudhë në kalanë e Gjirokastrës janë në vijim dhe të projekteve të tjera që po zhvillohen në vendin tonë me në fokus arkeologjinë, ku këtë herë ato vijuan nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër. Rifillimi i gërmimeve arkeologjike pas më shumë se tre dekadash në kalanë e Gjirokastrës ka marrë vëmendje këto ditë, por ky monument kulture ka shënuar edhe rritje të numrit të vizitorëve.
-

Kur Ali Pashë Tepelena ndërtonte ujësjellësin e Kalasë së Gjirokastrës
Ali Pashai do të realizonte ujësjellësin e Kalasë së Gjirokastrës në vitet 1812-1813. Ai ishte i gjatë 12 km dhe nëpërmjet një arkitekture të veçantë, me ura dhe harqe, sillte ujë nga mali i Sopoti për të furnizuar kalanë
Nga Blerim Kore
Mbetjet e ujësjellësit të famshëm të Kalasë së Gjirokastrës, i cili nëpërmjet urave të gurta sillte ujin nga mali i Sopotit për të furnizuar kështjellën, vazhdojnë të tërheqin kërshërinë e vizitorëve të ndryshëm që mbërrijnë në qytetin e gurtë.
Nga ujësjellësi i dikurshëm, i ndërtuar i gjithi me gur ka ngelur një urë e gurtë, në pjesën e sipërme të lagjes “Dunavat” si dhe disa fragmente muresh dhe harqesh, në zona të ndryshme të pjesës veriore të kalasë. Ujësjellësi i gurtë, i Kalasë së Gjirokastrës, përbën një ndër ndërtimet më të veçanta për kohën e vet. Ai ishte i gjatë 12 km dhe nëpërmjet një arkitekture të veçantë, me ura dhe harqe, sillte ujë nga mali i Sopoti për të furnizuar kështjellën e Gjirokastrës.
Sipas studiuesve, megjithëse në disa dokumente historike flitet se ujësjellësi është ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena, në vitet e kulmit të sundimit të tij në Pashallëkun e Janinës, sërish ndërtimi i ujësjellësit të gurtë të kështjellës ka fillesa më të hershme. Studiuesit mendojnë se ndërtimi i tij i përket shekullit të XII ndërkohë që Ali Pasha do të restauronte pjesë të rëndësishme të tij, duke qenë i fundit që jepte kontributin në lidhje me ndërtimin e ujësjellësit.
Ndërkohë sipas burimeve historike Ali Pashë Tepelena do të realizonte ujësjellësin e Kalasë së Gjirokastrës në vitet 1812-1813 si pjesë e ndërhyrjeve në kështjellën e qytetit. Krahas ndërhyrjeve në kështjellën e gurtë Ali Pasha do të ndërtonte edhe ujësjellësin, i cili i ngritur mbi një sistem kanalesh dhe urash madhështore, do të furnizonte me ujë nga mali i Sopotit kështjellarët. Ashtu si pjesa më e madhe e fortifikimeve dhe kështjellave të ndërtuara nga Veziri i Janinës në këtë periudhë edhe kjo vepër e veçantë do të mbante firmën e arkitektit Petro Korçari.
Lexo edhe : Ataturku, babai i turqve
Ujësjellësi ose ndryshe “aquadoti” ishte i ndërtuar mbi ura dhe harqe të gurta, ku pasi ujë kalonte në një sistem kanalizimesh të gurta, depozitohej në rezervuaret në brendësi të kalasë. Por ai që do ta përjetësonte ujësjellësin e Kalasë së Gjirokastrës, si një dëshmi e vërtetë për këtë vepër të rrallë në fushën e arkitekturës dhe ndërtimit, do të ishte piktori i famshëm britanik Eduard Lir, i cili gjatë udhëtimeve të tij në Jug të Shqipërisë e vendosi ujësjellësin e Kalasë së Gjirokastrës në qendër të një tabloje të vet. Krahas vlerave artistike kjo tablo është edhe një dëshmi historike në lidhje me ujësjellësin e gurtë të Kalasë së Gjirokastrës.
Dëshmitë historike në lidhje me ekzistencën e pjesëve të veçanta të këtij ujësjellësi i gjejmë deri në fillim të viteve ’30-të të shekullit të kaluar. Ndërkohë një ndër mbetjet më të veçanta të këtij ujësjellësi vazhdon të jetë një urë e gurtë mbi lagjen “Dunavat”. Ura, e cila njihet ndryshe edhe me emërtesën “Ura e Ali Pashës”, është e ndërtuar e gjitha me gur dhe është e lartë 16 metra, e gjatë 40 metra dhe ka një gjerësi 2.3 m. Kjo urë, dëshmi e ujësjellësit të famshëm tregon për vlerat arkitektonike, ndërtimore dhe mjeshtërinë e gurgdhendësve gjirokastritë, të cilët realizuan ujësjellësin e kështjellës.
Edhe në ditët e sotme studiues apo vizitorë kureshtarë ngelen të mahnitur nga mjeshtria e ndërtimit të saj. “Ndihem mjaft i emocionuar që kam parë nga afër një vepër të tillë dhe mendoj së është diçka e veçantë”, thotë hollandezi Harmond Din, pasi ka vizituar Urën e Ali Pashës. Si ai edhe vizitorët e tjerë shprehin vlerësimin në lidhje me këtë vepër të rrallë arkitektonike dhe historike.
Dëshmitë, mbetje të ujësjellësit të gurtë të Kalasë së Gjirokastrës vazhdojnë të përbëjnë një element interesant
-

E vërteta për vrasjen e bujshme të Bimbashit turk në 1908-ën/ “Dikush kallëzoi se e fejuara e Çerçizit Topullit, Qamoja ishte me barrë dhe…”
Dashnor Kaloçi
Publikohet historia e panjohur e ngjarjes së shumëpërfolur në historinë e Shqipërisë të ndodhur në marsin e vitit 1908, kur Çerçiz Topulli në bashkëpunim me komitët e tij, vrau me atentat Komandantin e Xhandarmërisë së Gjirokastrës, Bimbashin turk, Halil Efendiun, që ishte me origjinë nga Bosnja.
Historia e panjohur vjen nëpërmjet kujtimeve të Javer bej Hurshitit me origjinë nga Afkazia, ish-kryetar bashkie, prefekt, deputet, ministër dhe senator, që nga periudha e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, e deri në mbarimin e Luftës në nëntorin e vitit 1944, (kur ai do të arrestohej dhe do të pushkatohej pak muaj më vonë pasi ishte gjykuar në Gjyqin Special), të cilat janë trashëguar dhe ruhen nga nipi i tij, Shahin Hurshiti, në Tiranë.
Komandanti i Xhandarmërisë së Gjirokastrës, Bimbashi Halil Efendiu, nga gjiriti, donte të diktonte se cilët ishin personat që i bënin strehë Çerçizit, që t’i internonte ata.
Dikush kallzoi se e fejuara e Çerçizit, Qamoja ishte me barrë. Po të provohej kjo, do të ishte një provë e gjallë që Çerçizi mbahej prej fisit të gruas. Kështu Bimbashi vendosi që të dërgonte një doktor për ta ekzaminuar Qamon.
Kjo gjë iu njoftua Çerçizit i cili për të ndaluar një punë që ishte e turpshme simbas zakonit tonë, vendosi që t’a vriste Bimbashin e Gjirokastrës.
Në atë kohë që unë arrita te Hani i Çiçove në të hyrë të pazarit nga ana e Hazmuratit, u dëgjuan dy të shtëna një pas një dhe kur u afruam për të parë ç’kish ngjarë, pamë Bimbashin të shtrirë për dhe që kish vdekur”.
Kështu shkruhet në mes të tjerash lidhur me ngjarjen tashmë shumë të njohur në historinë e Shqipërisë që bën fjalë për vrasjen e Bimbashit turk të Gjirokastrës në vitin 1908 prej çetës së Çerçiz Topullit, në kujtimet e Javer Bej Hurshitit, ish-kryetar bashkie, prefekt, deputet, ministër dhe senator që nga periudha e shpalljes së Pavarësisë e deri në mbarimin e Luftës në vitin 1944, i cili pak muaj më pas, në prillin e vitit 1945, do të ekzkutohej me pushkatim, pasi ishte gjykuar nga “Gjyqi Special” së bashku me 63 të pandehur të tjerë, të gjithë ish-funksionarë, zyrtarë të lartë dhe intelektual të njohur që nga qeveria e parë e Ismail Qemalit e deri tek ajo e fundit nën pushtimin gjerman në nëntorin e 1944-ës.
Kujtimet e tij, Javer bej Hurshitit janë në dorëshkrim dhe ato janë shkruar prej tij në katër fletore të trasha në vitin 1939 dhe ato posedohen nga nipi i tij, Shahin Hurshiti, i cili na i ka vënë në dispozicion për t’u publikuar nga Memorie.al.
Po kush ishte Javer Bej Hurshiti dhe cila është e kaluara e tij? Si u arrestua ai së bashku me djalin e tij, Mehmetin, në janarin e vitit 1945 dhe përse Enver Hoxha dha urdhër që t’i ktheheshin të gjitha plaçkat e shtëpisë që i’u konfiskuan ditën e arrestimit?! Përse Halil Hoxha i’u lut të birit të tij Enverit, që të mos e pushkatonte Javerin me të dënuarit e Gjyqit Special dhe cila ishte përgjigja që mori prej tij? Si u trajtua nga regjimi komunist familja e Javer Beut dhe si u ruajtën prej fëmijëve e nipit të tij, kujtimet me ngjarjet historike që ai i kishte përjetuar vetë, të cilat i kishte shkruar që në 1939-ën?
Lidhur me këto e ngjarje të tjera nga historia e familjes Hurshiti, na njeh dëshmia e nipit të tij, Shahin Hurshitit dhe nga kujtimet e Javer Beut, po botojmë ngjarjen e vrasjes së Bimbashit turk nga çeta e Çerçiz Topullit, duke qenë se ai është një nga figurat më popullore të luftëtarëve në Jugun e Shqipërisë.
Lidhur me atë çka e shtyu Javer Bej Hurshtitin që t’ë shkruaj kujtimet, në fillim të fletores së parë ai është shprehur: “Fatkeqësisht shumë të pakët, fare të pakët janë ata shqiptarë që kanë mbajtur shënime të kujtimeve të tyre. Unë, pothuaj se, jam ndodhur në të gjitha lëvizjet kombëtare që kanë ndodhur në krahinën e Labërisë: nuk jam tundur prej Gjirokastrës gjithë kohën e okupacionit grek dhe italian: kam qenë dëshmitar i aq ngjarjeve me rëndësi sa që sikur qysh në ato kohëra, t’i kesh shënuar ngjarjet ditë për ditë, sot do të jesh në gjendje të botoja historinë e plotë të Gjirokastrës qysh prej vitit 1912 der 1925. Pikërisht historinë e atyre kohëve që kemi me shumë rëndësi për historinë e Rilindjes s’onë Kombëtare, sot vendosa t’i shkruaj kujtimet, por këto do të jenë shumë të meta. Shumë data me rëndësi dhe shumë emra të personave që kanë lojtur role me rëndësi i kam harruar. Prandaj këto kujtime më shumë se t’i shërbejnë historisë së vendit, do t’i shërbejnë më shumë familjes sime”
Javer Hurshiti
14-Vjeshtë e I-939, Tiranë
Kush ishte Javer bej Hurshiti?
Sipas kujtimeve që Javer bej Hurshiti ka lënë të shkruara me dorën e tij, ai lindur në Afkazi (Republika Sovjetike e Kaukazit) aty nga viti 1883. Ai ka ardhur në Shqipëri rreth vitit 1889, kur nuk ishte më shumë se gjashtë vjeç, pasi u adoptua nga Maliq Pashai, i cili ishte nga Libohova e Gjirokastrës. Maliq Pashai ishte nipi i Shanishasë, motrës së Ali Pasha Tepelenës. Ai ishte martuar për herë të parë me vajzën e Tahir Beut nga Gjirokastra, të cilën e ndau vetëm pas pak muajsh, dhe për herë të dytë u martua me Shemshie Hanëmin, që ishte e bija e Nurullah Beut po nga Gjirokastra me të cilën bëri katër vajza e katër djem.
Mbas shumë vitesh që kishte bërë të tetë fëmijët, Shemshie Hanëmi u sëmur nga tuberkulozi dhe për këtë arsye Maliq Pasha, vendosi që të martohej përsëri. Por për të mos hidhëruar gruan dhe fëmijët, nuk deshi që të martohej me ndonjë grua prej familjeve shqiptare, e vendosi që të martohej duke marrë si grua një Xharije (skllave). Lidhur me këtë në kujtimet e tija, midis të tjerash Javer Beu shkruan: ”Aty nga mezi i shekullit XIX-të, Maliq Beu vajti në Stamboll dhe bleu për 300 lira turke, Esma Hanëmin, e cila atëhere ka qenë siç thoshte vetë, 17 vjeç, dhe Maliq Pashai 50 vjeç.
Në ato kohra në tregun e Stambollit shiteshin lirisht djem e çupa ku më të shumtit e tyre ishin çerçezë (Çirscasien). Ky komb pasi luftoi prej 50 vitesh trimërisht kundër Rusisë, më së fundi u pushtua prej saj. Shumica e madhe e popullsisë muhamedanë e kafkazianë e ashkë me këta dhe çerqezët emigruan në Turqi ku shumica e emigrantëve nga që nuk e përballonin dot jetesën, filluan të shisnin fëmijët e tyre. Kjo gjë bëhej kryesisht me vajzat çerqeze të cilat shquheshin për bukurinë e tyre dhe shumica bliheshin për pallatin e Sulltanit. Kështu mbasi e bleu në Stamboll, Esma Hanëmin, Maliq Pashai e mbajti atë për grua dhe e dërgoi të jetonte brenda në sarajet e tij në Libohovë, ku kishte pronat. Megjithëse kishte dhe Shemsie Hanëmin si grua, Maliq Pashai mbajti dhe Esmanë, duke lindur me të dhe tre vajza e një djalë, por që asnjë nuk i rrojti më shumë se dy vjet.
Maliq Pashait i sygjeruan që për t’i rojtur fëmijët, ai duhet ta lironte nga skllavëria Esmanë dhe të vendoste me të kurorë. Maliq Pashai kështu veproi dhe lidhi martesë legale me Esmanë, me rekomandimin e tij adoptoi një fëmijë të quajtur Ferhat, i cili u vra në grindje e sipër në moshën 25 vjeçare, me një gardian në Libohovë. Në këto rrethana dramatike për Esmanë, Maliq Beu i sugjeroi që të adaptonte një fëmijë tjetër, që ta kishte si fëmijën e saj. Kështu motra e Maliqit, Shanishaja, që rrinte në Stamboll, me porosi të vetë Maliqit i gjen një djalë të vogël rreth pesë vjeç, puro çerqez i cili ishte nga një familje fisnike”.
Ky djalë që motra e Maliq Beut e gjeti në një familje të pasur shqiptare në Stamboll dhe e mori për të vëllanë e gruan e tij, ishte Hurshiti, të cilin më pas Maliq Beu me Esmanë ja ndërruan emrin, duke e quajtur Javer. Lidhur me këtë, në kujtimet e tija midis të tjerash, Javer bej Hurshti shkruan: “Në Libohovë kam ardhur në vitin 1890. Përsa i përket vitit jam i sigurt se siç më thoshte Esma Hanëmi, unë kam ardhur në Libohovë pa mbushur vitin që Ferhati kishte vdekur.
Si në ëndërr më kujtohet që kur erdha në Sarajet të Libohovës, më shpunë drejt e në odën e Pashait, i cili sipas zakonit rinte i shtrirë afër zjarrit dhe rreth e rrotull i rrinin pas macet. Unë kam hyrë në dhomë me një shufër në dorë dhe porsa pashë macet fillova që t’i rrihja me shufër. Pashai qeshi dhe tha: me tersëllëm na ka ardhur ky djalë, do të bëhet shumë i mënçur”. Maliq Pashai ashtu dhe Esmaja, gruaja e tij e konsideronin djalin e adoptuar, Javerin sikur ta kishin fëmijën e tyre të vërtetë.
Po kështu dhe Javeri i donte dhe i respektonte shumë dhe për të cilën shkruante: ”Nuk doja në asnjë mënyrë të largohesha prej nënës, të cilën e doja më shumë se një nënë të vërtetë dhe ajo më donte më shumë se një djalë të barkut. Nuk e ndjeja veten aspak çerqez. Jeshë shqiptarizuar aq shumë dhe idetë nacionaliste shqiptare më sundonin aq shumë sa që nuk mund të largohesha prej Shqipërisë edhe sulltan sikur të më bënin….”.
Javeri i vogël u mbajt prej dy prindërve që e adoptuan në kushte përrallore. Ai u shkollua në shtëpinë e tij në sarajet e Libohovës me mësues privatë që i vinin nga Gjirokastra të cilët paguheshin shumë mirë nga Maliq Pashai. Provimet e shkollës së mesme ai i dha në gjimnazin e “Zosimea” të Janinës dhe më pas mbaroi shkollën e lartë në Stamboll. Po me mësues private, ai mësoi frengjishten, italishten, greqishten dhe turqishten që e dinte mjaft mirë që i vogël. Në vitin 1889, Maliq Beu vdiq dhe Javeri mbeti vetëm me Esmanë në sarajet e Libohovës. Ata qëndruan aty deri nga viti 1900, kur u shpërngulën për në Gjirokastër.
Javeri shkonte çdo vit për pushime në Athinë, ku e thërrisnin Beu i Megalles, titull të cilin e kishte marrë që në moshën 12 vjeçare. Edhe pasi u rrit, ai shkonte vazhdimisht në Athinë ku kishte zënë shumë miq dhe kishte çifligun e tij në Argjirohar. Pas vitit 1900, Javeri u vendos në Gjirokastër dhe filloi që të ingranohej në jetën publike të qytetit, duke bërë emër që në moshë fare të re kur akoma nuk i kishte mbushur të njëzetat.
Lidhur me këtë në kujtimet e tija Javeri shkruan: ”Në vitin 1900, blemë në Gjirokastër shtëpinë e Nurullah Beut, për 700 lira turke. Në vitin 1902 erdhi Prefekt në Gjirokastër Xhavid Pashaj, i cili ishte një nacionalist i flakët çerqez.
Zonja e tij ishte motra e të famshmit Hasan Çerqezit, që vrau tërë Këshillin e Ministrave kur rrëzuan prej froni Sulltan Azizin. Kur Xhavid Pashai mori vesh se në Gjirokastër ndodhej një djalë çerqez, dërgoi dhe më thirri në shtëpinë e tij. Sa më pa më tha: dukesh nga fytyra që je çerqez. Pas kësaj Pashai filloi të më donte si djalin e tijë dhe megjithëse isha i ri, më pyeste shpesh dhe shumë herë i pëlqente mendimi im. Unë në atë kohë vazhdoja mësimet arabisht në Medrese dhe në vitin 1902 u emëruash anëtar i Këshillit Shkollor e inspektor i shkollave fillore të qytetit.
Këto detyra i bëja pa rrogë për të kënaqur Xhavid Pashanë, i cili më stërviste për detyra zyrtare. I përkrahur siç jesh prej Xhavid Pashait, fillova të kesh një farë pozite dhe të gjithë nënpunësit e shtetit më nderonin. Po kështu më nderonin dhe populli i Gjirokastrës, i cili më lutej për nevojat që kishte në Prefekturë. Kështu fillova që të ç’quhesha në Gjirokastër si një njeri me influencë dhe që i shkonte fjala pranë autoriteteve të vendit. Por kjo influencë e imja dihej se nuk do të vazhdonte gjatë pas largimit të Prefektit Xhavid Pashaj, prandaj mundohesha që të bëja të mira për të siguruar pozitën time pranë opinionit vendas”.
Javeri, krahas punëve që filloi të kryente në administratën shtetërore të Gjirokastrës, i kushtonte një kohë të konsiderueshme librave dhe për të cilat në kujtimet e tija, midis të tjerash shkruan: ”Jesh mik me konsullin e grekut të Gjirokastrës, me të cilin këmbenin romane në frëngjisht. Një ditë më dërgoi një roman të cilin e kishte mbështjellë me një gazetë të vjetër në gjuhën greke”.
Po kështu Javeri ishte i dhënë shumë dhe pas teatrit, e shkonte deri në Athinë për të ndjekur shfaqet që jepeshin aty. Javer Hurshiti së bashku me nënën e tij Esmanë, bënin një jetë mondane të zhytur në lluks, duke harxhuar si familje 700 deri 900 lira turke në vit nga pasuria e madhe që ju kishte mbetur pas vdekjes së Maliq Pashait.
Ata mbanin rreth vetes shërbëtorë e roje personale të shumta, kurse pronat e tyre gjendeshin brenda kufijve të Shqipërisë që fillonin nga Radati në Kakavijë, Bularat, Zervat, Voshtinë, e deri në malin Makri-Aleksi e Koshovicë të Greqisë së sotme. Kështu shumë nga këto prona si toka bujqësore, kullota, pyje, mullinj etj., ata nuk ishin në gjendje që t’i kontrollonin dot. Lidhur me këtë, Javeri shkruan:”As unë, as nëna ime Esmaja, nuk ishim në gjendje që të kontaktonim dot drejt-përsëdrejti me nënshtetasit grekë që kishin në përdornim tokat tona për t’ju marrë qeratë.
Por bujqtë tanë grekë i depozitonin qeratë e pronave që na takonin neve në bankat greke ku kishin dhe numrat e llogarisë. Ne merrnin prej tyre gjithmonë aq sa na jepnin dhe kurrë nuk i detyronim që të paguanin aq sa u takonte, sepse kishim aq shumë prona, që sido të ishin detyrimet e bujqërve neve na dilnin e na tepronin”.
Kujtimet e Javer bej Hurshitit
Pse doli Çerçizi komit?
Komitët e ndryshëm të dallkaurit që ronin për ndë zgjedhën e imperatorisë Otomane, kishin shumë vjet që kishin organizuar Komitete dhe mundësisht me çdo mjet që të shpëtonin prej zgjedhës. Cilido komb kishte organizuar çeta komitësh për të prishur qetësinë. Sidomos Maqedonia ishte mbushur me komitë bullgarë dhe grekër. Komitët e këtyre dy Kombeve, lëftonin kundra armikut të përbashkët, Turqisë, po lëftonin dhe me njëri jetrin pasi nuk vinin dot në marrveshje që të caktonin zonën e influencës simbas racës. Në ato kohëra shqiptarët që ronin jashtë Turqisë, sidomos ata të Bukureshtit dhe të Sofjes, me dëshirë dhe me gazeta i ftonin shqiptarët që ronin në atdhe të ngriheshin kundra Turqisë dhe të mos ia linin sheshin të lirë vetëm Bullgarisë, Greqisë dhe deri diku Rumanisë.
Shahin Be Kolonja me gazetën e tij dhe Faik Be Konica me të përkohshmen, propagandonin për të zgjuar shqiptarët që t’i kthenin pushkën turkut. Qëllimi i tyre i shënjtë, midis zërave që ankoheshin prej zgjedhjes otomane, duhesh të dëgjohesh dhe zëri i Shqipërisë që të mundëte dhe kjo të kishte të drejtë të lypte indipendencën e saj kur të vinte koha e shkatërrimit të Turqisë. Kjo kohë kuptohesh çiltas se kishte afruar.
I pari në mos gabohem që doli në male kundra Turqisë ishte Bajo Topulli nga Gjirokastra. Ky ishte drejtor gjimnazi në Selanik. Patriotizma e shtyu t’ë linte detyrën dhe të aratisesh. Pas pak muajsh ish shoqëruar vëllai i tij Çerçiz Topulli, Mihal Gramenua nga Korça dhe disa të tjerë me më pak rëndësi. Bajua nuk ishte njeri i kësaj mjeshtërie, prandaj çeta e vogël shqiptare komandohesh prej Çerçizit. Guverna turke këtë çetë të vogël shqiptare e quante shumë më të rrezikshme prej mijrash komitësh grekë dhe bullgarë.
Çeta shqiptare që ishte e një feje me turqit, kishte një rëndësi të posaçme në opinionin e botës së jashtëme, kurse bullgarët dhe grekërit, mund të quheshin si elementë që e urrenin turkun, pasi kishin një fe tjetër dhe kryengritja e tyre nuk provonte doemos administrim barbar të Turkut. Çeta shqiptare, e përbërë me shumicë prej muhamedanësh, provonte qartë se turku nuk ish në gjendje të kënaqte popujt që rronin për nder flamurin e tij, qoftë dhe atë pjesë të popullit që kishin një fe të përbashkët.
Kur Çerçizi vrau Dhespotin e Korçës, qeveria turke i shtiu ca më shumë fuqitë për ta shtënë në dorë Bajon dhe Çerçizin. Aktiviteti i kësaj çete kreshnike zhvillohesh më shumë në Korçë, Kolonjë dhe Gjirokastër. Kur Kushellat turke e ndiqnin Çerçizin këmba këmbës, ky dogji shkollën dhe disa godina të tjera të katundit Kustanjan, afër Koshovicës për të marrë hakun e Refik Budos nga Gjirokastra që komitët grekë, çeta e Vasil Killovit, i dogji kullën në katundin Lluvinë.
Vrasja e Bimbashit boshnjak, Halil Efendiu
Çerçizi qendrën e fshehjes e kishte në qytet brenda të Gjirokastrës dhe në katundin Mashkullorë e në Kardhiq ku kishte dhe të fejuarën e tij, Qamon, e mbesa nga motra e Mirkës që kemi përmendur më nalt, kur kemi bërë fjalë për shkatërrimin e teqesë së Baba Hajdarit. Komandanti i Gjindarmërisë së Gjirokastrës, Bimbashi Halil Efendiu (Boshnjak), nga gjiriti, donte të diktonte se cilët ishin personat që i bënin strehë Çerçizit, që t’i internonte.
Dikush kallëzoi se e fejuara e Çerçizit ishte me barrë. Po të provohej kjo do të ishte një provë e gjallë se ai mbahesh prej fisit të gruas. Vendosi për të dërguar një doktor për të ekzaminuar Qamon. Kjo gjë i’u njoftua Çerçizit, i cili për të ndaluar një punë që ishte e turpshme simbas zakonit tonë, me gjithë që Çerçizi jo që nuk ish bashkuar, por as që e kishte parë të fejuarën e tij, vendosi t’a vriste Bimbashin e Gjirokastrës, i cili ishte një oficer i shkuar nga mosha por shumë i zoti.
Këtë kishin dashur ta vrisnin dhe në Berat, por shpëtoi vetëm me një plagë të rëndë. Siç e thashë në faqen 45, duke lënë nënën të sëmurë dolla për në pazar. Bimbashi rrinte në shtëpinë e zonjës së Dervish Pashait, komshi me ne. Kur unë kalova edhe shtëpitë e Xhafer Karalliut, pashë që Bimbashi dolli nga shtëpia e tij dhe filloi të ngjitesh lart. Kur unë arrita te Hani i Çiçove, në të hyrë të pazarit nga ana e Hazmuratit, u dëgjuan dy armë një pas një. Me turmën bashkë u kthyesh dhe unë që të shikoja se ç’kish ngjarë: për ndën furën e gurgenjet pamë të shtrirë përdhe Bimbashin, i cili kishte vdekur.
Deri sa të veja unë në Prefekturë, filluan të dëgjoheshin shtimjet e armëve të paprera nga ana e tejme e përroit të Palortosë. Çerçizi kish dërguar në qytet dy veta, Hiton nga Kardhiqi dhe Hajredinin nga Tremishti i Përmetit, që ta vrisnin Bimbashin. Vetë Çerçizi me shokët e tjerë kishte zënë vend në Palorto. Këta të dy e pritën Bimbashin tek furra ime. Bile kur dolla unë, u ngritnë në këmbë dhe më nderuan. Kur dolli Bimbashi i ranë nga pas dhe kur arriti në vendin që thamë, kryen detyrën e tyre patriotike dhe u kthyen përsëri posht.
Duke shkuar nga lulanjtë, i’u drejtuan vëndit ku i priste Çerçizi. Gjindarëmt po i ndiqnin nga pas, por i godiste Çerçizi me shokët e tij dhe kështu Çerçizi u bashkua dhe me dy shokët q’i erdhën, morri përpjetë malin dhe shtinte kundra gjindarëmve që të mos i afroheshin. Ne nga Prefektura i shihnim si gjindarët, ashtu dhe çetën e Çerçizit deri sa u larguan. Kjo ngjarje më detyroi që të mos kthehesh shpejt në shtëpi dhe të haj drekën jasht. Kur u kthyesh në shtëpi, vajta drejt e në odën e nënës. E gjeta këtë që rinte në një koltuk afër penxheres dhe pinte duhan. Fillova t’i kallzoj ngjarjen e vrasjes së Bimbashit dhe i kërkova ndjesë që u vonuash. Nuk mu përgjigj aspak. Pandeha se ishte zëmëruar nga vonesa ime, se kur nuk pranonte të haja unë drekë jasht. Pas pak e morra vesh se nëna ime e kishte humbur gojën, nuk fliste dot, ndofta dhe nuk dëgjonte. Doktor Taseja më njoftoi se nuk kishte mbetur më asnjë shpresë për shpëtimin e saj, megjithëse ajo dukej të ishte e qetë dhe nuk ndjente asnjë dhimbje. Afër mezit të natës u shtri në dyshek dhe vdiq pas dyzet e tetë orësh, ditën e fundit të shkurtit, ose ditën e parë të Marsit të vitit 1908. (Kalendari i vjetër)./Memorie.al
-

Dy skicat e mrekullueshme të kalasë së Gjirokastrës nga piktori anglez Edward Lear (4 nëntor 1848)
Në këto dy pamje, të emëruara nga Lear si “Pamje e ujësjellësit dhe kalasë së Gjirokastrës në Shqipërinë e Jugut, 4 nëntor 1848”, autori na jep disa përshkrime tepër interesante për kalanë dhe ujësjellësin e saj.
Për skicën e parë, Edward Lear shkruan:
“Qyteti qëndron kryesisht në faqen ose skajin e këtyre shkurreve të ngushta, por shumë ndërtesa janë të shpërndara në mënyrë më piktoreske poshtë anëve të tyre, të përziera, siç është zakon në qytetet shqiptare, me pemë të bukura, ndërsa qendra dhe kreshta më e lartë e shkëmbinjve, të izoluara nga mali mëmë, dhe i lidhur me të vetëm nga një ujësjellës, kurorëzohet nga ajo që formon tiparin më të spikatur të vendit, një kështjellë e zezë e rrënuar, që shtrihet përgjatë gjithë majës së tij dhe kullëzon me krenari, edhe në kalbje, mbi shtëpitë poshtë të shpërndara.”
Ndërsa për skicën e dytë, Edward Lear na jep këto detaje për rinovimet që sundimtari shqiptar, Ali Pashë Tepelena bëri në kështjellë pas vitit 1812:
“Në fund të ditës unë shkova në kështjellë, aktualisht një guaskë muresh të errëta. Ajo u ndërtua nga Ali Pasha për të komanduar qytetin pas nënshtrimit të tij, por u shpërbë dhe u shkatërrua me rënien e tij, megjithëse mbetjet e tij dëshmojnë forcën dhe rëndësinë e mëparshme.”
Të dhënat janë marrë nga libri “Edward Lear në Shqipëri” publikuar nga autori në fjalë, në vitin 1851. Në faqen tonë do publikojmë më shumë nga skicimet e piktorit anglez për trojet shqiptare.
-

Përfundon ekspedita në kalanë e Gjirokastrës, pasurohet historiku për turistët
Ekspedita arkeologjike në kalanë e Gjirokastrës e ndërmarë nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore me pjesëmarrjen e arkeologëve shqiptarë dhe të huaj ka përfunduar.
Zbulimet e reja përfshijnë gjurmë të një kulle të periudhës së antikitetit të vonë të shek. V–VI të erës sonë si dhe skeletin e një kali dhe të një luftëtari. Gjithashtu janë zbuluar objekte arkeologjike me vlerë, të cilat i përkasin periudhës së Bronzit të Mesëm dhe të Vonë.
“Pas 4 javë gërmimesh në kalanë e Gjirokastrës ne kemi mbyllur me sukses ekspeditën tonë, mund të themi se kemi patur gjetje materiale përveç skeleteve, kemi gjetur fragmente qeramike që i përkasin periudhave të ndryshme, gjetje metalesh”, tha Pamela Llapaj, arkeologe.
Ndërsa arkeologët u rikthyen pas gati 30 vitesh në këtë monument me vlera unikale e cilësojnë të rëndësishme këtë ekspeditë që pasuron historikun e kalasë së Gjirokastrës.
“Është një ekspeditë mjaft e suksesshme sepse kemi arritur qëllimin tonë, kemi gjetur pjesë të një fortifikimi të hershëm para periudhës së mesjetës, duke na ndihmuar të mësojmë më shumë për historikun dhe për arkeologjinë e kalasë dhe vetë qytetit përpara periudhës së cilës kemi dijeni”, shtoi arkeologia Llapaj.
Zbulimet e fundit arkeologjike zgjerojnë hartën e vizitueshmërisë duke e bërë më interesantë për turistët vizitën në kalanë e gurtë.
Më tej, Pamela thekson se: “Mund të shërbejnë sepse njerëzit dhe turistët janë gjithmonë të interesuar për të parë historinë dhe për ta njohur më mirë dhe aq më tepër kur në një kala mesjetare zbulohen mure të antikitetit të vonë të cilat janë të hershme”.
Kalaja, si histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës, përmendet për herë të parë në vitin 1336. E megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë së egzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishtë në periudhën e Pashallëkut të Janinës kur Ali Pashë Tepelena do të realizontë një sërë ndërtimesh të reja duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.
-

Kursi UEFA C për zonën e Gjirokastrës nis më 8 shtator, FSHF hap regjistrimet
Federata e Futbollit në bashkëpunim e UEFA do të zhvillojë kursin e radhës të licencës UEFA C për zonën e Gjirokastrës, duke filluar nga 8 shtatori.
Kursi do të zgjasë deri më 3 tetor dhe do të jetë i hapur për studentët nga Gjirokastra, Tepelena, Memaliaj, Këlcyra, Përmeti, Delvina dhe Saranda.
Pjesë e kursit UEFA C mund të bëhen ish-futbollistë, mësues të edukimit fizik, por edhe persona që janë të apasionuar pas futbollit dhe duan të zhvillojnë karrierën e tyre në këtë fushë.
Për t’u regjitruar në kursin UEFA C duhet të përmbushni kriteret e mëposhtme:a) Të jeni të paktën 20 vjeç në momentin e aplikimit
b) Të keni përfunduar shkollën e mesme
c) Të paraqisni një përshkrim të aktivitetit që ushtroni aktualisht
d) Numër kontakti
e) Fotokopje e ID-së ose pasaportësAfati i fundit për aplikim është data 15 gusht 2025 dhe aplikimet e dorëzuara pas afatit nuk do të pranohen.
Dorëzimi i aplikimit mund të bëhet në nëpërmjet adresës së email-it xhkacorri@shrfgj.al, ose të paraqiteni pranë zyrave të SHRFGJ.