Gjirokastra do jetë qyteti në të cilin do të ngrihet porta e dytë hyrëse ajrore në jugun e vendit, krahas atij të Vlorës, që është “në kantier”.
Nga Gjirokastra, ku ndodhej paraditen e sotme, kreu i qeverisë Edi Rama tha se projekti për ndërtimin e aeroportit është gati dhe synohet që brenda vitit 2030 të ketë fluturime që ulen dhe ngrihen nga Gjirokastra.
Rama: Në një dekadë, me të gjitha vështirësitë që kemi pasur, për qarkun Gjirokastër kemi realizuar 475 projekte dhe kemi investuar 331 mln euro. Tani është shumë e qartë se si dhe pse deri në fund të kësaj dekade, niveli i ekonomisë vendore në këtë qark do të rritet në mënyrë të ndjeshme. Është shumë e qartë sepse nga një anë turizmi, nga ana tjetër zhvillimi i agro turizmit, paketa e maleve e cila është për të gjitha malet nuk është vetëm për veriun, do t’i japë një dorë shumë të mirë.
Dhe aeroporti i Gjirokastrës që sot është një aeroport funksional për aktivitete sportive, për fluturimet sportive, ka rezultuar që te jetë pika më ideale për të bërë aeroportin turistik të jugut. Ne u nisëm me projektin e Sarandës, nuk rezultoi e suksseshme, kemi marrë konsulencë ndërkombëtare dhe duke pasur tani këtë lidhjen e shkurtër dhe të shpejtë mes Gjirokastrës dhe bregdetit rezulton se pika më ideale për të ndërtuar aeroportin është Gjirokastra. Projekti është gati dhe ne kemi shumë besim, sepse nuk është një aeropot i madh is Vlora, dhe kemi shumë besim që në Shqipërinë 2030 do të ketë fluturime që ulen dhe ngrihen nga aeroporti i Gjirokastrës./vizionplus.tv









