Tag: Gjirokastër

  • Vendimet e reja të KQZ/ Celibashi miraton vendet e numërimit të votave dhe qendrat private të votimit

    Vendimet e reja të KQZ/ Celibashi miraton vendet e numërimit të votave dhe qendrat private të votimit

    Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi caktoi sot, Vendet e Numërimit të Votave për zgjedhjet e datës 11 maj 2025.
    Vendet e Numërimit të Votave të miratuara plotësojnë kriteret e përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe aktet e KQZ-së në fuqi.
    Sipas vendimit të KQZ, VNV janë përgjithësisht salla me përmasa të mëdha ose palestra sportive, plotësojnë kriterin teknik të sipërfaqes bazuar në numrin e QV-ve të ZAZ-së.

    VNV janë përgjithësisht brenda territorit të ZAZ-ve, ofrojnë lehtësi logjistike të transportit rrugor nga QV-të e ZAZ-së, ofrojnë kushte për aplikimin e teknologjisë mbështetëse për numërimin e votave si dhe kanë sistem të pandërprerë të furnizimit me energji elektrike.
    Në zgjedhjet për Kuvend do të jenë 93 VNV.
    Gjithashtu, u miratuan disa shtesa në vendimin “Për caktimin e vendndodhjes së disa qendrave të votimit në ndërtesa private, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025”.
    Shtesat konsistuan në miratimin e 230 qendrave të votimit në ambiente private në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë.
    Komisioneri miratoi Procedurën Standarde të Operimit (PSO) për përgatitjen e zarfave me dokumentacionin zgjedhor për votuesit nga jashtë.
    Procedura Standarde e Operimit ka për qëllim detajimin e procedurave standarde teknike të përgatitjes së dokumentacionit zgjedhor që do t’i dërgohet zgjedhësve nga jashtë.
    Ky dokument është i strukturuar në 8 krerë në përmbajtje të të cilëve janë të specifikuara si fazat/hapat e përgatitjes së zarfave me dokumentacionin zgjedhor; materialet dhe pajisjet e nevojshme për këtë proces; procedurën e përgatitjes së setit me dokumentacioni zgjedhor për votuesit nga jashtë; personelin përgjegjës që angazohet për këtë proces; detyrat/veprimet që kryen personeli për secilën nga fazat e përgatitjes së  dokumentacionit zgjedhor; trajnimi i nevojshëm; organizimi i ambientit të punës; organizimi i turneve dhe punonjësve.
    Referuar kësaj procedure, personeli i atashuar për procesin e përgatitjes së zarfeve me dokumentacioni zgjedhor për votuesit nga jashtë duhet të nënshkruajë deklaratën e konfidencialitetit, si dhe të ketë akses të autorizuar në ambientet e përgatitjes së dokumentacionit zgjedhor.
     

  • Rama prezanton programin e PS-së/Nga pagat, punësimi, arsimi, shëndetësia, infrastruktura e mbrojtja, ja pikat kryesore

    Rama prezanton programin e PS-së/Nga pagat, punësimi, arsimi, shëndetësia, infrastruktura e mbrojtja, ja pikat kryesore

    Kryeministri Edi Rama, njëherësh dhe kryetari i Partisë Socialiste, prezantoi sot programin e forcës së tij politke për “Shqipërinë 2030” me të cilën u kërkon votën e shqiptarëve në zgjedhjet e 11 majit. Thelbi i programit socialist mbetet anëtarësimi në Bashkimin Europian.
    Rama tha se më 11 maj shqiptarët t’u japin mandatin por njëkohësisht do t’u japin një mesazh shumë të fortë të gjitha vendeve të BE-së duke votuar, sipas tij, masivisht për anëtarësimin dhe për pasaportën europiane. Pragrami i Partisë Socialiste i shpalosur sot nga Rama u detajua gjatë prezantimit të tij në pika të tilla si pagat dhe ekonomia, punësimi dhe pensionet, biznesi dhe taksat, arsimi, shëndetësia, infrastruktura, energjia, uji, kadastra dhe turizmi.
    PROGRAMI I PARTISË SOCIALISTE:
    Paga
    Të ardhurat për frymë do të pesëfishohen deri në vitin 2030 (nga 3324 euro në 10342 euro dhe më pas në 15,000 euro). Paga mesatare në sektorin publik është rritur nga 372 euro në 1000 euro dhe do të arrijë 1200 euro deri në vitin 2030. Paga minimale ka kaluar nga 157 euro në 400 euro dhe do të rritet në 500 euro deri në janar 2026. Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur nga 9.6 miliardë euro në 25 miliardë euro, me synim 35 miliardë euro deri në vitin 2030.
    Punësimi dhe Pensionet
    Në vitin 2030, papunësia do të arrijë nivelin e mesëm të BE-së (6%). Pensioni mesatar do të arrijë 400 euro në vitin 2030. Janë nënshkruar marrëveshje për njohjen e pensioneve me shtete të tjera, përfshirë Italinë. Brenda mandatit të katërt, të mbyllin marrëveshjen me Greqinë. Do të vazhdojë regjimi me taksë 0% për bizneset e vogla dhe taksë 15% për bizneset e mëdha. Propozohet një “Paqe Fiskale” për biznesin, ku tatimi mbi fitimin do të lidhet me rritjen ekonomike dhe kontrolli për bizneset do të ndalet. Eksportet do të mbështeten me kredi dhe garanci shtetërore për bizneset.
    Arsimi
    Paga mesatare e mësuesve do të arrijë 1250 euro në vitin 2030. Plan për 200 shkolla të tjera deri në fund të mandatit. Laboratorët inteligjentë do të arrijnë 1000 deri në fund të mandatit të katërt. Programi i ushqimit në shkolla dhe transport falas për nxënës nga shtëpia në shkollë. Do të dyfishohet numri i nxënësve në arsimin profesional dhe do të investohen 60 milionë euro në shkolla profesionale.
    Shëndetësia
    Buxheti për shëndetësinë do të arrijë 1 miliardë euro deri në vitin 2025. Janë rindërtuar 400 qendra shëndetësore dhe ambulanca, dhe do të përfundojnë të gjitha deri në vitin 2030. Programi i shëndetësisë përfshin mbështetje për rinovimin dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.
    Mbrojtja Sociale
    40 shërbime të reja sipas nevojave në territor. Do të rrisin aksesin në programin aktiv të punësimit, duke krijuar 20 ndërmarrje të reja sociale, ku do të punësojnë dhe mbështesin kategoritë në nevojë.
    Bujqësia
    Do ta çojnë në afro 500 milionë vlerën totale të investimeve në bujqësi dhe synojnë të arrijnë objektivin e 1 miliardë euro eksporteve. ‘Paketa e Maleve’, 500 sipërmarrësit e parë zero taksë e TVSH
    Infrastruktura
    Brenda mandatit të katërt 700 km të reja rrugë. Rruga e bregut, Dhërmi-Sarandë, do të vazhdojë atë nga tuneli i ri i Llogarasë, deri në Dhërmi. Tiranë-Krujë, rruga Berat-Çorovodë do të jetë një rrugë e parametrave dhe standardeve europiane. Ura e Leklit Përmet- Çarshovë, pra do të jenë të lidhura bashkë të gjitha. Ersekë- Leskoviku, Rrëshen Burrelit, Vau i Dejës- Pukë- Fushë Arrëz, Rruga e Vjetër Tepelenë-Vlorë, Ura mbi lumin Vjosë-Selenicë.
    Skrapar- Gramsh, Skrapar- Përmet, Gjirokastër- Libohovë, Poliçan- Zagori, pra, siç shihet, ose kryqëzimi i llixhave Elbasan – Gramsh të gjitha këto segmente janë segmente që tani më nuk bëjnë lidhjen nga pika A tek pika B, por janë A-B-C-D dhe krijohen arterie të brendshme që lehtësojnë shumë lidhjen midis qyteteve tona turistike dhe kur shkohet në Korçë, do mund të shkohet në Përmet e në Gjirokastër pa pasur nevojë që të kthehesh dhe t’i biesh prapë nga Tirana.
    Brenda 2026 përfundon faza e parë dhe e dytë e superstradës Tiranë-Durrës. Përfundon edhe Kombinat- Ndroq – Plepa. Maqellarë- Peshkopia përfundon këto ditë, Qukës- Qafë Plloçë, Berat – Ballaban përfundon po këtë vit. Brenda vitit 2025 hyn në funksion Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut. Porti i ri tregtar në Durrës do ketë krahun ushtarak të NATO-s. Pagëzimi i pistës së aeroportit të Vlorës.
    Energjia
    Në mandatin e katërt, Shqipëria do të bëhet e pavarur energjetikisht dhe do të mund të eksportojë energji. 10% e prodhimit është fotovoltaik, dhe pritet që deri në vitin 2030 kjo të arrijë në 30%
    Uji
    Brenda mandatit të katërt 90% do të ketë ujë 24 orë, për zonat e largëta malore që përbëjnë 10% të rasteve e pamundur zgjidhja
    Turizmi e mjedisi
    Deri në 2030 shkojmë në 20 mln turistë, kemi mbi 50 kontrata me hotele me pesë yje. Iinteresimi nga brendet ndërkombëtare për të investuar është rritur. 22% e territorit të Shqipërisë është tani zonë e mbrojtur dhe është zhvilluar një legjislacion i ri evropian për menaxhimin e këtyre zonave.
    Kadastra
    Deri në vitin 2026, do të përfundojë plotësisht digjitalizimi i kadastrës. Regjistrimi fillestar i të gjitha pasurive do të përfundojë brenda vitit 2028. Brenda 2028 do tw mbyllet i gjithë procesi i legalizimit
    Mbrojtja
    Do të kemi kampusin modern të Akademisë së Forcave të Armatosura në Tiranë, ku ka filluar ndërtimi, një pjesë edhe e kemi treguar për publikun. Flota detare e Republikës së Shqipërisë do të bëhet me tre anije luftarake të reja. Flota ajrore duke filluar nga kjo verë, janë bërë marrëveshjet dy avionë zjarrfikës në dispozicion në gatishmëri për ne, papritur që të vijë nga një vend apo nga një vend tjetër.
    Rendi
    Brenda vitit 2026 do të pajisin çdo shtetas shqiptar, edhe me kartën e identitetit digjital, e cila do të jetë në të njëjtën kohë, me përgatitjet që po bën edhe Bashkimi Europian për Kartën Europiane të Identitetit Dixhital
    Brenda vitit 2026, 12 qytetet qendër qarku do të jenë të futura në programin e monitorimit me kamera inteligjente që do ta ngrenë rrjetin e integruar të sigurisë në një nivel krejt tjetër, si asnjëherë më parë, duke shpeshtuar parandalimin, duke shpejtuar kohën e reagimit ndaj keqbërësve dhe identifikimin e tyre.

  • Hartimi i PMI për Beratin e Gjirokastrën, grupi i punës takime me institucionet dhe inspektim në sitet e trashëgimisë

    Hartimi i PMI për Beratin e Gjirokastrën, grupi i punës takime me institucionet dhe inspektim në sitet e trashëgimisë

    Nga Julia Vrapi
    Në kuadër të hartimit të Planit të Menaxhimit të Integruar për qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës, pjesë e trashëgimisë botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s, grupi i punës ka nisur takimet me institucionet lokale, por ka vijuar dhe inspektime në terren. Ky proces është i mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ku për dy ditë, në 26 dhe 27 mars u zhvillua një vizitë në terren me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Universitetit të Tiranës dhe ekspertëve të huaj. IKTK bën me dije se inspektimi në sitet e trashëgimisë kulturore ishte për të njohur më nga afër dhe potencialet e tyre. “Gjatë kësaj vizite, grupi i punës zhvilloi takime me institucionet lokale kyçe, të cilat do të jenë partnere në këtë proces, si dhe realizoi inspektime në sitet e trashëgimisë kulturore për të njohur më nga afër sfidat dhe potencialet e tyre.
    Ky proces bashkëpunues synon të sigurojë një menaxhim të qëndrueshëm dhe të integruar të këtyre dy qyteteve historike, duke ruajtur dhe promovuar vlerat e tyre unike”, thuhet nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Zbatimi i Planit të Menaxhimit të Integruar (PMI) sipas IKTK më herët do të zhvillohet për një periudhë 7-vjeçare 2023-2030. Objektiva:1. Zhvillimi i PMI-së bazuar në një analizë të detajuar të situatës ekzistuese dhe vlerave të trashëgimisë kulturore; 2. Përdorimi i qasjes së Rekomandimit për Peizazhin Historik Urban (2011); 3. Përfshirja e komponentit të menaxhimit të riskut për zbutjen e kërcënimeve nga fatkeqësitë natyrore dhe/ose të shkaktuara nga njeriu; 4. Harmonizimi i dokumenteve për administrimin e zonës në drejtim të ruajtjes, zhvillimit ekonomik dhe atij të territorit; 5. Sigurimi i bashkëpunimit ndërinstitucional përmes konsultimit me të gjitha palët e interesit, përfshirë shoqërinë civile.
    Projekti është ndërmarrë nga IKTK
    Projekti për zhvillimin e Planit të Menaxhimit të Integruar për qendrat historike Berat dhe Gjirokastër është ndërmarrë nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK), në kuadrin e vendimeve të vazhdueshme të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, në lidhje me nevojën urgjente të hartimit të një Plani Menaxhimi të Integruar (PMI), për pronën pasuri botërore “Qendrat Historike të Gjirokastrës dhe Beratit”. Siç bëhet me dije në një raport të publikuar në IKTK më parë, projekti udhëhiqet nga ky institut nën koordinimin e Qendrës së Trashëgimisë Botërore (QTB) të UNESCO-s, në kuadër të detyrimeve që rrjedhin nga Konventa e Trashëgimisë Botërore, si dhe në bazë të legjislacionit shqiptar për trashëgiminë kulturore. Në maj të vitit 2022 u realizua një anketim me qëllimin për një përfshirje sa më aktive të komunitetit në projektet e trashëgimisë kulturore.
    Qyteti i Beratit iu shtua listës së trashëgimisë kulturore të UNESCO-s në 2008. Kalaja përbën një nga pamjet më të mrekullueshme të qytetit. Me kalimin e kohërave ajo ka pësuar disa ndryshime gjatë shekujve VI, VIII, XV dhe XIX. Ndërtesat brenda kalasë janë ndërtuar gjatë shekullit të XIII dhe për shkak të arkitekturës së tyre karakteristike janë ruajtur si monumente kulture. Kalaja ka shumë kisha bizantine si dhe disa xhami të ndërtuara gjatë epokës otomane, e cila filloi në vitin 1417. Më 15 korrik 2005 Gjirokastra u përfshi në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, e vlerësuar për arkitekturën, historinë dhe traditën e saj. Qyteti ruan skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar. Sipas kategorive të monumenteve kulturore, në qytet dallohen kalaja, pazari, ndërtimet e kultit dhe shtëpitë e banimit.

  • Media spanjolle “El Periódico”: Shqipëria, “parajsa” që bashkon vendet e trashëgimisë botërore me plazhet mahnitëse

    Media spanjolle “El Periódico”: Shqipëria, “parajsa” që bashkon vendet e trashëgimisë botërore me plazhet mahnitëse

    Kur planifikojmë një udhëtim në Evropë, shpesh priremi të zgjedhim vende si, Parisi, Londra, Berlini ose Roma, që janë destinacione shumë të njohura dhe, për fat të keq, kjo bën që çmimet të jenë të larta, sipas një artikulli të botuar në revistën spanjolle “El Periódico”.
    Si do të ndiheshit nëse do ju thosha se ekziston një “parajsë” që bashkon vende të trashëgimisë botërore, plazhe mahnitëse dhe akomodime me kosto të ulët?
    Kjo “parajsë” ekziston dhe quhet Shqipëri!
    Ky vend, i vendosur në juglindje të gadishullit ballkanik evropian dhe i lagur nga detet Jon dhe Adriatik njihet për ofrimin e një raporti të shkëlqyer cilësi-çmim, gjë që e bën atë një destinacion mjaft tërheqës për vizitorët me buxhet të kufizuar.
    Nëse keni dyshime se çfarë mund të ofrojë Shqipëria, ju rekomandojmë pesë qytetet kryesore që nuk duhet t’i humbisni nëse vendosni të vizitoni vendin!
    Tirana
    Ndalesa e parë, është në Tiranë, kryeqyteti i vendit.
    Në këtë qytet historia dhe moderniteti janë të ndërthurura me mjeshtëri. E njohur për diversitetin e saj kulturor dhe arkitekturën plot ngjyra, Tirana njihet për frymën e saj novatore dhe trashëgiminë e pasur kulturore.
    Ndër gjërat thelbësore të saj spikat Sheshi Skënderbej, zemra e qytetit, ku qëndron shtatorja e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut.
    Muzeu Historik Kombëtar dhe Piramida e Tiranës janë gjithashtu vende interesante, të cilat ofrojnë një dritare në të kaluarën komuniste të vendit.
    Një tjetër vend që duhet vizituar është Blloku, një lagje që dikur ishte shtëpia e elitës komuniste dhe sot shfaqet para nesh plot kafene, restorante dhe jetë nate.
    Gjithashtu, nuk duhet të humbisni një shëtitje në Parkun e Madh të Tiranës, i përsosur për t’u çlodhur pas një dite intensive duke eksploruar qytetin.
    Saranda
    Në jug të Shqipërisë zbuloni Sarandën, një nga thesaret e Rivierës Shqiptare.
    Falë ujërave të saj spektakolare të kristalta, të cilat nuk kanë asgjë për të pasur zili me destinacionet e tjera shumë më të shtrenjta dhe të mbushura me turistë, ajo po bëhet një destinacion gjithnjë e më popullor.
    Me pamje nga deti Jon, Saranda është ideale për ata që kërkojnë të pushojnë në plazhet parajsore si Ksamili.
    Nëse adhuroni historinë dhe arkeologjinë, më pak se 20 minuta me makinë nga Saranda do të mund të zbuloni Butrintin.
    Butrniti, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ku mund të eksploroni rrënojat greke, romake dhe bizantine të rrethuar nga natyra e harlisur.
    Gjirokastra

    Dhe nga një vend i Trashëgimisë Botërore në tjetrin, që kur Gjirokastra u bë pjesë e kësaj ‘liste të zgjedhur të UNESCO-s’ në vitin 2005 – falë arkitekturës osmane të ruajtur mirë, si dhe kullës, të cilat pasqyrojnë stilin tradicional ballkanik.
    I njohur si ‘Qyteti i Gurtë’, është një nga destinacionet më magjepsëse në Shqipëri falë rrugëve me kalldrëm dhe shtëpive tradicionale me çati prej guri, të cilat ofrojnë një atmosferë magjike për ata që kërkojnë një udhëtim në të kaluarën.
    Kalaja e Gjirokastrës është një vend që duhet vizituar, me pamje spektakolare të qytetit dhe një muze armësh që tregon historinë ushtarake të rajonit.
    Gjithashtu, nuk duhet të humbisni Shtëpinë e Zekatëve, një shembull i arkitekturës osmane, që ju kthen pas në shekullin XIX; Pazari i Vjetër; apo Kisha e Shën Sotirit, një tempull ortodoks që tregon diversitetin fetar të zonës.
    Korça
    Korça njihet si ‘Parisi i vogël’ dhe me këtë nofkë tashmë e dimë se nuk do të zhgënjejë.
    Qyteti shquhet për atmosferën e tij boheme, si dhe si vendi ku u ndërtua shkolla e parë shqipe.
    Vizitoni Katedralen e Ngjalljes së Krishtit, një ndërtim mbresëlënës ortodoks që shquhet për arkitekturën e tij monumentale dhe ngjyrat e gjalla.
    Muzetë janë gjithashtu një pjesë thelbësore e Korçës, si Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, i cili strehon një koleksion të vlefshëm ikonash bizantine.
    Ashtu si në Gjirokastër, është interesante të shëtisni qytetin duke ecur nëpër Pazarin e Vjetër, i cili së fundmi është restauruar.
    Zbuloni gjithashtu një nga kantinat lokale, bëni një vizitë në vreshtat dhe një degustim të verërave vendase Shesh i Bardhë ose Shesh i Zi.
    Berati
    I njohur si ‘qyteti i një mbi një dritareve’, është një nga destinacionet më magjepsëse në Shqipëri falë arkitekturës osmane dhe bukurisë natyrore.
    Qyteti është gjithashtu një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe një destinacion që bashkon historinë, kulturën dhe peizazhet verbuese.
    Një nga atraksionet kryesore është Kalaja e Beratit, e cila ngrihet mbi qytet dhe ofron pamje mahnitëse panoramike të luginës dhe Lumit Osum.
    Brenda kalasë, mund të eksploroni Kishën e Shën Mërisë dhe të shijoni një shëtitje nëpër rrugicat e saj me kalldrëm.
    Gjithashtu, eksploroni Muzeun Onufri, i cili strehon një koleksion të dukshëm ikonash dhe arti fetar; apo lagjen e Mangalemit, e përkryer për të ecur dhe për të zbuluar shtëpitë tradicionale me dritaret e tyre karakteristike.
    Nëse doni të zbuloni një vend me peizazhe që të lënë pa frymë, qytete të Trashëgimisë Botërore apo kuzhinë interesante, Shqipëria do t’ju befasojë.

  • Hapet zyra e Kryetarit të Kuvendit, Kryeparlamentarja Spiropali pret studenten e xhubletës në zyrën e saj

    Hapet zyra e Kryetarit të Kuvendit, Kryeparlamentarja Spiropali pret studenten e xhubletës në zyrën e saj

    Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka pritur në një takim në zyrën e saj Mary Camajn, vajzën 22-vjeçare shqiptaro-amerikane, me origjinë nga Malësia e Madhe, e cila u diplomua me rezultate të shkëlqyera më 12 maj 2024, me një diplomë Master në Shkenca Politike në Columbia University.
    Mary veshi ditën e diplomimit në Universitet xhubletën ikonike shqiptare, duke tërhequr vëmendjen e të gjithëve me zgjedhjen e saj.
    Krahas videos me momente nga takimi, Spiropali shkruan për 22-vjeçaren se një pjesë të bekimit e solli edhe në zyrën e hapur të Kryetarit të Kuvendit.
    “Mary Camaj është 22 vjeçe, ka lindur dhe është rritur në New York. Prindërit e saj janë nga Malësia e Madhe. Babai nga Hoti dhe nëna nga Kastrati.
    Që në moshë të njomë, prindërit e kanë rritur me ndjesinë e thellë për trashëgiminë shqiptare. Më 12 maj 2024, u diplomua me një diplomë Master në Shkenca Politike në Columbia University”.
    “Në shenjë nderimi për të parët e saj, veshi xhubletën ikonike në ceremoninë e diplomimit. Ka mbajtur kumtesa dhe ka bërë prezantime për historinë shqiptare, Kosovën, shqiptarët në Mal të Zi, shqiptarë të Greqisë etj. në universitetin prestigjioz ku studionte.

    Në qershor të vitit 2023, Mary përmbushi një ëndërr të sajën duke interpretuar si valltare kryesore në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, pasi që 14 vjeç ajo bashkë me motrat janë pjesë e një grupi tradicional vallëzimi shqiptar në New York me emrin “Grupi Rozafati i Kishës Zoja e Shkodrës”.
    Mary frymon, jeton, vallëzon, ëndërron, studion dhe punon shqip”, shkruan Spiropali.
    Mary punon për ish-këshilltarin e qytetit të Nju-Jorkut dhe kryetarin e Këshillit Koordinues të Diasporës, Mark Gjonaj dhe ka bashkëpunuar me organizata të shumta shqiptaro-amerikane, ku koordinon projekte që shkojnë në të mirë të komunitetit tonë në SHBA.
    Ajo kërkon më shumë shpërndarje dhe digjitalizim të studimeve nga shqiptarët dhe për shqiptarët, në mënyrë që të rinjtë tanë në Diasporë të mund të ushqehen intelektualisht dhe shpirtërisht me trashëgiminë tonë.
    “Zoti më bekoi që në momentin që vendosi të më krijonte si një grua shqiptare.
    Shpresoj që gjithçka që bëj në jetë të sjellë krenari për njerëzit nga vij”, tha Mary, e cila një pjesë të bekimit e solli edhe në zyrën e hapur të Kryetarit të Kuvendit”, përfundon postimin e saj Spiropali.

  • “Anifest” edicioni i 16-të nis udhëtimin nga Tirana, ku bëhet bashkë me filmat e krijuesve nga Kosova

    “Anifest” edicioni i 16-të nis udhëtimin nga Tirana, ku bëhet bashkë me filmat e krijuesve nga Kosova

    Nga Julia Vrapi
    Festivali ndërkombëtar i filmit “Anifest” e nisi udhëtimin nga Tirana për edicionin e 16-të. Filma që janë shfaqur ndër vite në këtë festival ishin pjesë e programit artistik në qendrën e artit “Agimi” në Tiranë. Por këtë vit festivali “Anifest” në partneritet me ” Art Without Limit International Film Festival” nga Kosova prezantoi në program dhe filma për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe në nevojë. Festivali përfundoi një ditë më parë ditët e tij në Tiranë, por drejtori artistik i “Anifest”Artan Maku sjell në vëmendje bashkëpunimin këtë vit me “Art Without Limit International Film Festival”, ku u shfaqën kryesisht filma të shkurtër për fëmijë, të animuar që prekin tema të ndjeshme social-psikologjike, duke përcjellë mesazhe ndërgjegjësuese për të miturit. “ Nga “Anifest” u shfaqën filma të animuar nga bota. Krijuesit nga Kosova dhe ata të huaj kanë trajtuar problemet e fëmijëve me aftësi të kufizuar dhe në të njëjtën kohë se si janë në art ata”, thotë Artan Maku drejtor artistik i festivalit ndërkombëtar të filmit për fëmijë “Anifest” që nisi udhëtimin e edicionit të tij të 16-të këtë vit nga Tirana.
    Festivali u zhvillua në datat 24-27 mars. Në këtë aktivitet në bashkëpunim me qendrën e artit “Agimi”- Agjencia e Industrisë Kreative Tiranë që bëri bashkë dy festivale drejtori artistik  i “Anifest” Artan Maku tregon se u shfaqën rreth 36 filma. “Agjencia e Industrisë Kreative Tiranë hapi kinemanë “Agimi” 24-27 mars 2025 dhe ne si organizatorë i falenderojmë, sepse OJF AniFest realizoi festivalin ndërkombëtar të filmit të shkurtër për fëmijët ndryshe. Fëmijët që bëjnë art, po janë me aftësi të kufizuar. Këta fëmijë në fund të filmit theksojnë se edhe “Ti mund t’ia dalësh”, kjo realizohet në bashkëpunim me OJF “Art Without Limit”, i cili organizon në Prishtinë festival me të njëjtin emërtim “Kosovë””, thotë drejtori artistik Artan Maku në reagimin e tij.
     Festivali në qytet të tjera
    Festivali ndërkombëtar i filmit “AniFest” pas Tiranës do të vijojë dhe në dy qytete të tjera. Drejtori artistik Artan Maku thotë se në muajin maj do të jetë në qytetin Shkodrës për dy ditë dhe në vijim edhe në qytetin e Gjirokastrës. “Në Shkodër festivali do të jetë në muajin maj për dy ditë. Mendohet të jetë nga java e fundit e majit. Pas Shkodrës është planifikuar që të jetë në shtator në Gjirokastër”, tregon drejtori Maku. Festivali ndërkombëtar i filmit për fëmijë “Anifest” prej vitesh po zhvillohet në vendin tonë, por dhe vështirësia për këtë aktivitet nuk ka munguar. Drejtori artistik Artan Maku thotë se po përgatitet që të aplikojë për këtë projekt në dy bashkitë, ku është menduar festivali për të qenë në ndihmë të zhvillimit të tij.
    “ Ministria e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit nuk e miratoi projektin “Anifest”. Unë kam dorëzuar projektin në Qendrën Kombëtare Kinematografike dhe po presim. Por do bëj dhe projekte të tjera do t’ia çoj bashkisë së Shkodrës, si dhe Gjirokastrës dhe në vazhdim presim për financimin. Situata me festivalin ndër vite ka qenë e vështirë. Festivali do të vijojë rrugëtimin e tij edhe pse me shumë përpjekje”, thotë drejtori artistik Artan Maku. Festivali ndërkombëtar i filmit për fëmijë “AniFest” është cilësuar unik në llojin e tij në vendin tonë. Në edicionin e parë “Anifest Rozafa” 2010 morën pjesë 100 filma.
     

  • “Dasma e Lunxhërisë” në 1874 shfaqja e parë teatrore e dokumentuar në Shqipëri

    “Dasma e Lunxhërisë” në 1874 shfaqja e parë teatrore e dokumentuar në Shqipëri

    Muzeu Historik Kombëtar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Teatrit, përkujtoi fillimet artistike të teatrit në Shqipëri. Shfaqja e parë teatrore e dokumentuar në Shqipëri është “Dasma e Lunxhërisë” në vitin 1874 e shkruar nga Koto Hoxhi. Në materialin e Muzeut Historik Kombëtar thuhet se ajo u vu në skenë nga nxënësit e shkollës normale “Zografia” të fshatit Qestorat në Gjirokastër. “Krijimet e para dhe shfaqja e parë teatrore përkojnë me Periudhën e Rilindjes Kombëtare. E para dramë shqiptare me strukturë të mirëfilltë artistike është “Emira” e arbëreshit Françesk Anton Santori (1814-1894), e shkruar më 1885, e cila u botua nga De Rada në gazetën “Fjamuri i Arbrit””, thuhet nga Muzeu Historik Kombëtar.
    Drama shqipe arriti nivele më të larta me autorë të tjerë siç janë: Andon Zako Çajupi, me komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr” (1902), Gjergj Fishta me melodramën “Shën Françesku i Asizit” (1909), Fan. S. Noli, me dramën “Israelitë e Filistinë” (1907), Mihal Grameno, me komedinë në tre akte “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe tragjedinë në vargje “Vdekja e Pirros“ (1906), etj. Muzeu Historik Kombëtar vijon më tej se teatri i parë profesionist në Shqipëri është Teatri Popullor, i cili u inaugurua më 17 maj të vitit 1945 në Tiranë. “Teatri Popullor dhe më vonë pas viteve ’90, i njohur si Teatri Kombëtar”, thuhet në materialin e Muzeut Historik Kombëtar (MHK). Shfaqja e parë e Teatrit Popullor, është komedia “Topazi” nga Marcel Pagnol, me regjinë e Sokrat Mios.

  • Arrestohet i riu në Gjirokastër, tentoi të gënjente policët me patentë greke të falsifikuar. Në banesë i gjejnë radio dhe dylbi

    Arrestohet i riu në Gjirokastër, tentoi të gënjente policët me patentë greke të falsifikuar. Në banesë i gjejnë radio dhe dylbi

    POLICIA E SHTETIT
    Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare arrestuan në flagrancë shtetasin E. Ç., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi iu ka paraqitur punonjësve të Policisë, leje drejtimi të shtetit grek, që dyshohet se është e falsifikuar. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën 2 radio si ato që përdor Policia dhe 1 palë dylbi, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale bashkë me dokumentin e falsifikuar. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

  • Theu xhamin e komisariatit në Gjirokastër, nën hetim 43-vjeçari

    Theu xhamin e komisariatit në Gjirokastër, nën hetim 43-vjeçari

    POLICIA E SHTETIT
    Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin F. S., 43 vjeç, banues në Durrës, pasi ditën e djeshme ka thyer xhamin e një dritareje në këtë komisariat. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

  • Aksident në Gjirokastër, makina përplaset me motorin, një i plagosur

    Aksident në Gjirokastër, makina përplaset me motorin, një i plagosur

    POLICIA E SHTETIT
    Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., 47 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi ditën e djeshme, automjeti që drejtonte ky shtetas, është përplasur me motomjetin që drejtonte shtetasi F. Ll., banues në Gjirokastër, i cili është dëmtuar lehtë.
    Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin F. Ll., pasi e drejtonte motomjetin, pa leje drejtimi.
    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.