Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë shkaktuar një sërë problematikash në disa qarqe të vendit, kryesisht në infrastrukturën rrugore dhe në furnizimin me energji elektrike. Strukturat vendore dhe ekipet operacionale vijojnë punën në terren.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile rruga në fshatin Shpërtheth në qarkun Lezhë mbetet e dëmtuar nga ujërat e lumit Droje. Gjithashtu po punohet në terren për sigurimin e qarkullimit në akset Skuraj–Gallatë, njësia administrative Milot, por edhe në njësinë administrative Kaçinar, ku ura në fshatin Shpërdhezë u dëmtua nga reshjet me intensitet.
Në qarkun Shkodër vijon të mbetet e bllokuar segmenti Ndërlysaj–Breg-Lumi, ndërsa në Gjirokastër ka prani të shtuar të ujit në urën e Kardhiqit dhe në rrethrrotullimin e urës së lumit në qytetin e Gjirokastrës.
Në Elbasan ka rënie gurësh në disa akse, ku po punohet për pastrimin e tyre. Gjithashtu disa zona vijojnë të kenë mungesë të energjisë elektrike, ku ekipet e OSHEEE po vijojnë punën për rikthimin e furnizimit me energji.
Qarku Lezhë
Vijon puna për normalizimin e situatës në fshatrat Gjorm, Zhejë dhe Fushë Mamurras në njësinë administrative Mamurras, bashkia Kurbin.
Rruga në fshatin Shpërtheth mbetet e dëmtuar nga ujërat e lumit Droje, por po punohet nga forcat në terren.
Gjithashtu po vijon puna për sigurimin e kalueshmërisë në segmentin rrugor Skuraj–Gallatë, njësia administrative Milot, por edhe në njësinë administrative Kaçinar, ku ura në fshatin Shpërdhezë u dëmtua nga reshjet me intensitet.
Qarku Durrës
Situata në njësitë administrative Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm është drejt normalizimit, ujërat janë tërhequr nga zonat e prekura.
Niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave normale.
Hidrovorët në Porto Romano dhe Hamallaj vijojnë punën me kapacitet të plotë.
Qarku Shkodër
Është zhbllokuar segmenti rrugor Theth–Ndërlysaj në njësinë administrative Shalë.
Mbetet i bllokuar segmenti Ndërlysaj–Breg-Lumi, ku punimet do të vijojnë gjatë ditës së sotme.
Qarku Gjirokastër
Aksi rrugor Sofratikë–Libohovë është kthyer në normalitet.
Aktualisht ka prani të shtuar ujërash në segmentin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, në urën e Kardhiqit dhe në rrethrrotullimin e urës së lumit në qytetin e Gjirokastrës.
Qarku Elbasan
Vijojnë punimet për pastrimin e inerteve në segmentin rrugor Elbasan–Peqin, në vendin e quajtur “Murraç”, si dhe në segmentin Elbasan–Librazhd.
Qarku Korçë
Në fshatin Sanjollas, njësia administrative Barmash, bashkia Kolonjë, situata është normalizuar falë zhbllokimit të tombinove dhe pastrimit të inerteve, duke u shmangur rreziku për banesat.
SITUATA ENERGJETIKE
Ekipet e OSHEEE po vijojnë punën për rikthimin e furnizimit me energji
-në fshatrat Skuraj, Vinjollë dhe Gallatë, në qarkun e Lezhës
– në njësitë administrative Topojan, Shishtavec, Zapod, Bytyç dhe Lekbibaj në qarkun e Kukësit
– Në njësitë administrative Hajmel dhe Vig–Mnelë (bashkia Vau-Dejës), si dhe në Iballë dhe Qafë-Mali (bashkia Fushë-Arrëz) në qarkun e Shkodrës
– Në zonën Maricaj, Memaliaj, në qarkun e Gjirokastrës