Pamje nga prezantimi i dronit në Gjilan
GJILAN-Tashmë Kosova ka dronin e saj të quajtur “Skifteri”, të prodhuar në Gjilan nga kompania “Future Minds Academy”. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook. Kurti ka theksuar se ky është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të industrisë vendore të mbrojtjes dhe prodhimit të dronëve, duke nënvizuar se tashmë Kosova po kthehet në një shtet që prodhon.
“Të ardhmen e industrisë së mbrojtjes dhe avancimit të dronëve luftarakë po e ndërtojmë e zhvillojmë edhe në Kosovë. Shteti ynë po shndërrohet në vend që prodhon. Në Gjilan, bashkë me kryetarin Hyseni, vizituam kompanitë e prodhimit të dronëve ushtarakë ‘Skifteri’ dhe dronëve civilë nga ‘Future Minds Academy’ dhe MIGA SkyShield MAR. ‘Made in Gjilan’, përveçse natyrisht ‘Made in Kosova’. Droni kamikaz K1 arrin shpejtësi maksimale prej 180 km/h dhe lartësi deri në 2500 metra. Ndërsa ‘Skifteri’ arrin lartësi deri në 5000 metra, hapësirë operuese 20 km dhe shpejtësi prej 270 km/h.
Në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kemi investuar duke blerë nga shtetet tona mike dhe partnere dronët Bayraktar TB-2, Puma dhe së fundmi dronët kamikazë Skydagger. Tash dronët luftarakë po i prodhojmë edhe vetë. Si qeveri, si në nivel qendror ashtu edhe lokal, do ta mbështesim dhe përkrahim ngritjen e kapaciteteve dhe prodhimtarisë, derisa nuk do t’i ndalim investimet për mbrojtje dhe siguri.” – ka shkruar Kurti. /ZËRI









