Sanksione të mëtejshme ndaj Izraelit “nuk janë të nevojshme”, tha të mërkurën Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, ndërsa qëndrimi i Berlinit mbi luftën në Gaza vazhdon të ndryshojë nga ai i partnerëve të tij perëndimorë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka hartuar një paketë sanksionesh ndaj Izraelit, duke përfshirë ndërprerjen e koncesioneve tregtare dhe shënjestrimin e ministrave të ekstremit të djathtë, në përgjigje të operacionit të vazhdueshëm izraelit në Gaza.
Kancelari Friedrich Merz synon të njoftojë qëndrimin e Gjermanisë mbi sanksionet, para një takimi informal të këshillit të BE-së në Kopenhagen më 1 tetor, pas konsultimeve brenda qeverisë së tij të koalicionit.
“Do ta shqyrtojmë përsëri këtë javën tjetër, por për momentin besoj se kemi marrë masa efektive deri më tani dhe se masa të mëtejshme nuk janë të nevojshme”, tha Wadephul për radion Deutschlandfunk.
Në fillim të gushtit, Merz njoftoi një ndalim të eksporteve gjermane të armëve në Izrael që mund të përdoren në Gaza, duke e justifikuar këtë veprim bazuar në ofensivën e afërt në Qytetin e Gazës.
Ofensiva e plotë nisi javën e kaluar, me qindra mijëra palestinezë që ikën nga qyteti, ndërsa organizatat humanitare paralajmërojnë për kushte katastrofike për civilët.
Ky veprim i ka shtyrë vendet perëndimore si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kanadaja dhe Australia të njohin shtetin palestinez ditët e fundit, duke iu bashkuar shumicës së shteteve anëtare të OKB-së që e bënë këtë.
Por Berlini dhe Italia vazhdojnë të kundërshtojnë një njohje të menjëhershme, me Ëadephul që deklaron se hapi duhet të ndërmerret pasi të gjendet një zgjidhje me dy shtete.
Ministri i jashtëm tha se njohja e njëanshme e një shteti palestinez “vetëm e ngurtëson qëndrimin izraelit”./ DPA News.









