Një debat është zhvilluar gjatë seancës plenare të sotme në Kuvend, pas deklaratave të deputetit Erald Kapri mbi çështjen e eshtrave të të vrarëve dhe të zhdukurve gjatë regjimit komunist, teksa po diskutohet mbi raportin e veprimtarisë së Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish – Sigurimit të Shtetit për vitin 2024.
Gjatë fjalës së tij, Kapri tha se Shqipëria ka dështuar në trajtimin e çështjeve të të përndjekurve dhe viktimave të komunizmit, duke shtuar se në vendin tonë ende nuk është mundësuar puna për gjetjen e eshtrave të viktimave, ndryshe nga Serbia.
“Për çështjen e eshtrave dhe të mos gjeturve është një skandal. Nuk e besoni ndoshta, por Serbia ka lejuar ICMP-në që është edhe në Shqipëri, të gjejë shqiptarët e Kosovës të vrarë në territorin e saj, dhe janë gjetur. Në Shqipëri nuk mundësohet akoma. Kam pyetur Prokurorin e përgjithshëm që ka dhënë garancinë se sa herë të gjendet një eshtër, prokurorët të gjendet aty”, deklaroi Kapri.
Deputeti theksoi se Parlamenti ka një detyrim moral dhe politik për të trajtuar të kaluarën e komunizmit, duke akuzuar si të majtën ashtu edhe të djathtën për dështim në këtë drejtim.
Krahasimi i Kaprit me Serbinë shkaktoi reagimin e menjëhershëm të kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili e cilësoi krahasimin të papranueshëm dhe të rëndë.
“Krahasimi që sapo bëri deputeti se nuk qenkemi as tek Serbia në gjetjen e trupave të atyre që janë pushkatuar në Shqipëri pavarësisht mendimit që duhet të bëjmë gjithçka për t’i gjetur, e konsideroj si të pavend dhe i kërkoj deputetit të kërkojë ndjesë për krahasim që nuk i bën nder një deputeti të Shqipërisë”, tha Balla.
“Unë pranoj gjithçka, por askënd të më krahasoj Shqipërinë me Serbinë në këtë kontekst. Kemi përgjegjësi të gjithë, të bëjmë gjithçka. Si mund të marrësh fjalën të thuash “as sa Serbia nuk kemi bërë në”. Gjej mo një vend tjetër, mos më krahaso mua Shqipërinë me Serbinë, kur Serbia ka hesape të pambyllura me shqiptarët. Kjo nuk është gafë, është e rëndë”, shtoi Balla.
Pjesë nga debati:
Erald Kapri: Për çështjen e eshtrave dhe të mos gjeturve është një skandal. Nuk e besoni ndoshta, por Serbia ka lejuar ICMP-në që është edhe në Shqipëri, të gjejë shqiptarët e Kosovës të vrarë në territorin e saj, dhe janë gjetur. Në Shqipëri nuk mundësohet akoma. Kam pyetur Prokurorin e përgjithshëm që ka dhënë garancinë se sa herë të gjendet një eshtër, prokurorët të gjendet aty.
Kjo është shumë e rëndësishme, sepse në momentin që gjendet një eshtër, prokurori duhet të hapi hetim dhe të shoh nëse është torturuar, kush e vrau, të hapi hetim penal. Sot nuk kemi dënuar asnjë person për krimet e komunizmit. Vendi me diktaturën më të egër, nuk ka një të dënuar për krimet, 6 mijë të vrarë. Gati 30 mijë njerëz në burgje, mbi 60 mijë të tjerë në internime, megjithëse shifra të sakta nuk kemi.
E ka detyrim ky Parlament përtej të majtës, të djathtës, sepse të dyja kanë përgjegjësi për këtë dështim mbi këtë çështje, por nuk mund ta zbarisim më shumë kompensimin për të përndjekurit politikë… Me thënë të drejtën, dua të shoh që maxhoranca të bëj ndonjë lëvizje sepse ndonjëherë më duket absurde sesi kjo maxhornacë kujton se ka nisur historinë e vetë në 1941. Ka figura të së majtës që edhe një kontribut të jashtëzakonshëm por nuk i nderon kush sepse ata i ka vrarë dhe i ka nxjerrë jashtë loje Enver Hoxha.
Kemi dështuar me të kaluarën e komunizmit dhe ky është një turp më të mëdha të shoqërisë sonë, politikës sonë, nuk u dhamë drejtësi atyre familjeve, nuk u dhamë ato pak para që ata meritonin, por edhe sot në nuk e kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë për të mbyllur këtë plagë të madhe. Nuk e kemi të qartë, flasim në ajër, por nuk e dimë çfarë të bëjmë për të zgjidhur plagët e komunizmit.
Taulant Balla: Krahasimi që sapo bëri deputeti se nuk qenkemi as tek Serbia në gjetjen e trupave të atyre që janë pushkatuar në Shqipëri pavarësisht mendimit që duhet të bëjmë gjithçka për t’i gjetur, e konsideroj si të pavend dhe i kërkoj deputetit të kërkojë ndjesë për krahasim që nuk i bën nder një deputeti të Shqipërisë.
Janë 1636 trupa shqiptarësh të Kosovës që ende nuk gjenden në Serbi, janë shqiptarë të cilët u burgosën në burgjet e Serbisë dhe sot nuk i gjendet trupit. Të vijë një anëtarë i Kuvendit të na bëjë moral e të na thotë që “ne nuk jemi si Serbia”, ku 1636 shqiptarë që u burgosën nuk i gjendet trupi, kjo është jo e rëndë, por nëse nuk distancoheni menjëherë, nuk e di se si mund të rrimë bashkë në një sallë.
Unë pranoj gjithçka, por askënd të më krahasoj Shqipërinë me Serbinë në këtë kontekst. Kemi përgjegjësi të gjithë, të bëjmë gjithçka. Si mund të marrësh fjalën të thuash “as sa Serbia nuk kemi bërë në”. Gjej mo një vend tjetër, mos më krahaso mua Shqipërinë me Serbinë, kur Serbia ka hesape të pambyllura me shqiptarët. Kjo nuk është gafë, është e rëndë.