Tag: gjelle

  • Bukë me miell misri dhe miell pa gluten – Ideale për dietën tuaj

    Bukë me miell misri dhe miell pa gluten – Ideale për dietën tuaj

    Me pak përbërës të thjeshtë dhe pa shumë mundim, mund të përgatisni një bukë të shëndetshme që do t’i pëlqejë gjithë familjes

    Më poshtë gjeni udhëzimet e detajuara për t’u nisur menjëherë në këtë aventurë gatimi.

    Përbërësit:

    ▪ 300 g Miell Schär Mix B (miell universal pa gluten)
    ▪ 100 g Miell misri (pa gluten)
    ▪ 1 pako (7 g) maja të thatë Schär
    ▪ 1 lugë çaji kripë
    ▪ 1 lugë çaji sheqer
    ▪ 350 ml ujë të ngrohtë (jo i nxehtë)
    ▪ 3 lugë gjelle vaj ulliri ekstra i virgjër
    ▪ 2 lugë gjelle fara (susam, luledielli, kungulli ose një miks)
    ▪ 1 lugë gjelle fara chia ose fara liri (opsionale, për më shumë shëndet)

    Udhëzimet:

    Në një tas të madh, përzieni miellin Schär Mix B dhe miellin e misrit.

    Shtoni kripën dhe sheqerin dhe përzieni mirë.

    Në një enë tjetër, shpërndani majanë e thatë në ujë të ngrohtë. Lëreni për 5 minuta derisa të aktivizohet dhe të formohet një shtresë shkumë në sipërfaqe.

    Shtoni majanë e aktivizuar dhe vajin e ullirit në përzierjen e miellit.

    Filloni të punoni brumin me lugë druri, pastaj me duar, deri sa të formohet një brumë i butë dhe pak i ngjitshëm. Nëse brumi është shumë i thatë, shtoni pak ujë; nëse është shumë i lagësht, shtoni pak miell Schär.

    Mbulojeni tasin me një pecetë të pastër dhe lëreni të pushojë në një vend të ngrohtë për rreth 1 orë, derisa brumi të dyfishohet në masë.

    Ngrohni furrën në 220°C (me ventilim).

    Vendosni brumin në një tavë të mbuluar me letër pjekjeje, formoni një bukë ovale dhe spërkateni sipër me farat e përziera.

    Piqni në furrë për 30-35 minuta, derisa buka të marrë një ngjyrë të artë dhe të jetë e fortë kur e trokitni poshtë.

    Lëreni të ftohet plotësisht para se ta prisni.

    Këshilla shtesë: Kjo bukë është e shkëlqyer për mëngjes me gjalpë kikiriku ose për sandviçë gjatë ditës.

    Nëse dëshironi, mund të shtoni edhe 1 lugë gjelle fara chia ose fara liri për vlera më të larta ushqyese.

    Për ta ruajtur më gjatë, mbajeni në një qese letre ose në një kuti bukë dhe mos e lini në frigorifer pasi tharjet janë më të shpejta aty.

  • Pse mjekët rekomandojnë vaj ulliri çdo ditë?

    Pse mjekët rekomandojnë vaj ulliri çdo ditë?

    Studimet e fundit kanë zbuluar se vaji i ullirit zvogëlon rrezikun e sëmundjeve kronike dhe kontribuon në një jetëgjatësi më të gjatë, për shkak të përfitimeve të shumta shëndetësore.

    Vaji i ullirit është bërë popullor kohët e fundit në mediat sociale dhe shumë njerëz kanë dalë me mënyra të ndryshme për ta konsumuar atë, për të mbështetur shëndetin dhe për të ndihmuar në humbjen e peshës.

    Hulumtimet kanë treguar se konsumimi i disa lugëve vaj ulliri çdo ditë zvogëlon ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve kronike.

    Një studim shtesë tregoi se konsumimi i gjysmë luge gjelle vaj ulliri çdo ditë, zvogëlon rrezikun e vdekjes nga sëmundja e Parkinsonit ose Alzheimerit me 29 përqind dhe zvogëlon rrezikun e vdekjes nga kanceri me 17 përqind.

    Studiuesit ia atribuojnë këto përfitime përmbajtjes së lartë të yndyrnave mono të pangopura në vajin e ullirit, të cilat ndihmojnë në uljen e niveleve të kolesterolit të dëmshëm në gjak.

    Sasia dhe mënyra e konsumit

    Raporti tregoi se përdorimi i vajit të ullirit për të erëzuar sallatat është një nga mënyrat më të mira për të përfituar nga përfitimet e tij shëndetësore. Mjekët gjithashtu rekomandojnë përdorimin e tij për të pjekur perime dhe mish.

    Carmen Pernas, një studiuese e të ushqyerit në Universitetin e Oksfordit, rekomandon të mos konsumoni më shumë se katër lugë gjelle vaj ulliri në ditë, mundësisht në sallata ose gatime të lehta.

    Kohët e fundit, shtimi i vajit të ullirit në kafenë e mëngjesit është bërë një trend në mediat sociale, me zinxhirin global Starbucks që lançoi tre pije kafeje të mbushura me vaj ulliri për t’iu përshtatur këtij trendi.

    Një studim i kryer në Spanjë me 7,500 persona në rrezik për sëmundje të zemrës tregoi se ata që konsumonin katër lugë gjelle vaj ulliri ekstra të virgjër çdo ditë kishin 31 përqind më pak gjasa të pësonin atak në zemër, goditje në tru ose të vdisnin nga sëmundjet e zemrës.

    Një studim i kryer në Universitetin e Harvardit, i cili përfshinte 92,000 njerëz gjatë një periudhe prej 28 vitesh, zbuloi se ata që konsumonin më shumë se gjysmë luge gjelle / Sky News Arabiya.

  • Qumështor me Petë dhe Arra të Pjekura – Shije e Përsosur në Shtëpi

    Qumështor me Petë dhe Arra të Pjekura – Shije e Përsosur në Shtëpi

    Qumështori me Petë dhe Arra të Pjekura është një ëmbëlsirë e mrekullueshme, shija e të cilit është e papërshkruar kur përgatitet nga mjeshtëria e duarve të amvisave shqiptare.

    Fantastik për t’u konsumuar në çdo kohë, sidomos pas një vakti të plotë dreke apo edhe darke.
    Ideal për t’u shërbyer në raste festash e gëzimesh familjare, qumështori me petë e arra të pjekura qendron padyshim në krye në listës së shijshme të gatimeve shqiptare.
    AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën tradicionale të përgatitjes së kësaj ëmbëlsire unike krejt lehtë në shtëpi.
    Përgatitja e Qumështorit me Petë në Shtëpi 
    Përbërësit 
    (Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)  
    Për Kremin  

    2 kokrra vezë
    5 lugë gjelle sheqer
    2 lugë gjelle miell
    2 filxhan çaji me qumësht
    Pak vanilje
    1 filxhan çaji me arra të qëruara

    Për Petët 

    2 filxhanë çaji miell
    5-6 lugë gjelle me gjalpë të freskët

    Për Shurupin 

    2 gota ujë me sheqer
    1 gotë e gjysmë me ujë

    Përgatitja 
    Si fillim, parangrohet furra dhe arrat e qëruara futen të piqen për 10-15 minuta. Më pas, largojini nga furra dhe shtypini pak.
    Në një tenxhere hedhim vezët, sheqerin, pak qumësht dhe rrihen mirë duke shtuar miellin e situr.
    Pastaj shtohet qumështi i nxehtë duke e trazuar vazhdimisht dhe vihet në zjarr që të marrë valë, pa ndërprerë të trazuarit.
    Hiqet nga zjarri, shtohen arrat e pjekura, shtohet vanilje e holluar në qumësht dhe hidhet në enë tjetër që të ftohet.
    Më pas, zihet brumi. Ndahet në pjesë të barabarta të punuara në formë topi, nga të cilat përgatiten petët. (këto hapen me dorë në tavolinë ose me petës)
    Petët pasi janë hapur lihen të thahen pak, pastaj priten në madhësi pak më të mëdha se madhësia e tepsisë.
    Lyhet tepsia me gjalpë, shtrojmë gjysmën e sasisë së petëve duke i spërkatur me gjalpë.
    Hidhet mbi të kremi, sheshohet dhe mbi të shtrohen petët e tjera të skërkatura me gjalpë.
    Anët e tepërta të petëve që mbeten jashtë tepsisë mbështillen nga brenda.
    Lyhet sipërfaqja me gjalpë dhe piqet.
    Pas pjekjes ftohet dhe pritet në copa.
    Në fund i hidhet shurup i vakët dhe i trashë si i bakllavasë.
    Sipas preferencës mund t’i shtoni ose jo edhe sherbet.
    Mjafton të zjeni mirë sheqerin dhe ujin derisa të krijohet në masën e shurupit dhe më pas sherbetin e nxehtë hidhjani qumështorit, i cili duhet të jetë i ftohtë. /AgroWeb.org

  • Kasatë Shtëpie me Kakao – Më e Ëmbla dhe e Freskëta për Verën

    Kasatë Shtëpie me Kakao – Më e Ëmbla dhe e Freskëta për Verën

    Një ëmbëlsirë fantastike për ditët e nxehta të verës, freskuese, e lehtë dhe me shije të mrekullueshme.

    Kasatat janë padyshim ndër ëmbëlsirat më të preferuara gjatë stinës së verës.
    Dikur ato ishin ndër specialitetet më të veçanta të restoranteve dhe pastiçerive ndërsa sot nostalgjia e shijes së saj mes gjithë ëmbëlsirave dhe akulloreve të shumëllojshme që ofrojnë dyqanet e ëmbla zgjon padyshim dëshirën për t’i provuar sërish.
    AgroWeb.org sjell më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së kasatës së shtëpisë, një recetë e thjeshtë në përgatitje por që të magjeps tërësisht me shijen e saj.
    Receta e Përgatitjes së Kasatës Krejt Lehtë
    (Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

    4 filxhanë çaji me akullore (mund ta blini të gatshme ose ta bëni vet)
    1 lugë gjelle gjalpë i freskët
    Dy lugë gjelle me kokrra reçel qershie
    Dy lugë gjelle kakao
    1 lugë gjelle biskota të thjeshta
    1 lugë gjelle arra të thërrmuara

    Përgatitja
     Në tasin ku keni akulloren, AgroWeb.org ju udhëzon që të shtoni gjalpin i cili duhet të jetë i shkrirë në temperaturë ambjenti, kokrrat e reçelit të qershisë, arrat e thërrmuara dhe përzjeini bashkë.
    Në tasin apo formën ku do përgatisni kasatën vendosni një shtresë me akulloren e përgatitur me arra e kokrra reçeli qershie, shtroni biskota dhe më pas vendosni një shtresë tjetër akullore.
    Futeni në zonën e ngrirjes së frigoriferit dhe lëreni derisa të ngrijë plotësisht.
    Më pas nxirreni nga frigoriferi dhe përmbyseni në një pjatancë.
    Sipas preferencës sipër mund t’i hidhni pak çokollatë të shkrirë, disa kokrra reçel qershie ose edhe fruta të tjera apo përbërës të tjerë sipas dëshirës.
    Kasatën mund ta përgatisni edhe ndryshe, shtroni në tasin apo formën që do përdorni për kasatën si fillim një shtresë akullore, spërkateni me arrat e thërrmuara, biskotat dhe kokrrat e reçelit kokërr dhe më pas shtoni shtresën tjetër të akullores dhe futeni në zonën e ngrirjes së frigoriferit./AgroWeb.org

  • Kek i Shpejtë dhe i Lehtë me Limon – Ëmbëlsi Magjike

    Kek i Shpejtë dhe i Lehtë me Limon – Ëmbëlsi Magjike

    Tradita shqiptare e përgatitjes së ëmbëlsirave është fantastike.

    Me shurup a me sherbet, me fruta të thata, a arra dhe bajame, a me mollë e me karrota, shije të ndryshme, të gjitha të mrekullueshme që të ndjellin e kënaqin oreksin e nepsin menjëherë.
    Por fantazia e amvisave në kuzhinë është magjike. Së fundmi, një recetë e ëmbël ka rrëmbyer zemrat e të gjithëve me shijen e saj marramendëse.
    Përgatitja e tij kërkon shumë pak kohë dhe përbërësit e tij gjenden patjetër në kuzhinën e çdo amvise shqiptare.
    Përbërësit për një tavë me diametër 22-24 cm

    120 g niseshte misri
    120 g miell gruri
    250 g gjalpë i zbutur në temperaturë ambienti
    250 g sheqer
    4 vezë mesatare
    Fryrës për ëmbëlsira ose sodë buke 16 g
    75 g lëng limoni
    Lëkura e dy limonëve
    Sheqer pluhur për spërkatje

    Përgatitja
    Si fillim presim gjalpin në kubikë të vegjël, dhe e hedhim në një tas të thellë.
    Shtoni aty gjysmën e dozës së sheqerit, pak nga pak, ndërkohë që e trazoni.
    Pasi kokrrizat e sheqerit të jenë shkrirë me gjalpin, dhe ngjyra e masës të jetë një e verdhë e lehtë, do të shtoni të verdhat e vezëve një nga një (ndërsa të bardhat e vezëve lërini mënjanë).
    Do ta trazoni këtë masë derisa të jetë e njëtrajtshme. Merrni dy limonë mesatarë dhe pasi t’i keni larë me ujë të bollshëm, me ndihmën e një rendeje grijmë lëkurën e tyre.
    Lëkurën e limonëve e shtojmë tek masa me vezët, gjalpin dhe sheqerin dhe e përziejmë përsëri.
    Në një tas tjetër trazojmë miellin, niseshtenë dhe sodën e bukës, më pas e shtojmë një lugë gjelle pas tjetrës tek sheqeri, gjalpi dhe vezët.
    AgroWeb.org ju këshillon të tregoni kujdes në mënyrë që tek brumi të mos krijohen kokrriza të pa tretura të miellit.
    Në një tas tjetër rrahim të bardhat e vezëve, më pas fillojmë dhe shtojmë pak nga pak sheqerin, duke u kujdesur që të mos lëshojnë ujë.
    Në fund shtojmë dhe lëngun e limonit dhe vazhdojmë t’i rrahim derisa të përfitojmë një masë kompakte dhe të lehtë.
    Hapi tjetër është bashkimi i vezëve të bardha tek brumi.
    AgroWeb.org ju sugjeron që të përdorni një lugë gjelle për të përzierë brumin, duke e trazuar nga poshtë lartë në formë rrethore.
    Marrim një tavë me diametër 22-24 cm, e lyejmë me pak gjalpë të shkrirë dhe e spërkatim me pak miell, në mënyrë që brumi të mos ngjitet.
    Hedhim brumin e përgatitur, dhe e vendosim në furrë të ngrohur më parë në 180 gradë.
    Për të kuptuar nëse keku është gati, me një thikë apo pirun shpoheni dhe nëse sipërfaqja e thikës del e pastër, brumi është pjekur plotësisht dhe brenda.
    Servirja
    Pasi keku të jetë ftohur pak, e kthejmë në një pjatë të madhe dhe e spërkatim sipër me sheqer pluhur.
    Ose nëse dëshironi merrni 5 lugë gjelle me sheqer pluhur dhe 2 lugë gjelle me leng limoni, rrihini derisa masa të bëhet kremoze dhe hidheni sipër kekut kur ai të jetë ftohur.
    Kjo ëmbëlsirë është ideale për t’u konsumuar në çdo kohë të ditës, e madje edhe në mëngjes me një gotë me qumësht.
    Fantastike për t’u shoqëruar me një filxhan kafe apo çaj, por edhe me lëngje frutash gjithashtu.
    Keku me limon shërben gjithashtu edhe si një gosti shijshme për ta përgatitur e shërbyer për mysafirë e të ftuar në raste festash e gëzimesh. /AgroWeb.org

  • Mish në Krem Qumështi me Hudhra – Receta me Shije të Veçantë

    Mish në Krem Qumështi me Hudhra – Receta me Shije të Veçantë

    Kjo është një recetë elegante në pamje dhe me shije të mrekulleshme.

    Menjëherë sapo e provon shija fantastike që merr mishi nga kombinimi i salcës shoqëruar edhe me patate është me të vërtetë unike.
    Më poshtë do të ndiqni recetën, e cila kërkon pak kujdes nue përgatitje por që në përfundim të përfshin tërësisht me shijen e saj.
    Përbërësit

     500 gr mish qengji tul
    1 kokërr qepë e vogël
    4-5 patate mesatare
    3 lugë gjelle gjalpë
    1 lugë gjelle vaj ulliri
    Një lugë gjelle lëng limoni
    1 filxhan çaji qumësht
    4 lugë gjelle miell
    ½ l lëng mishi
    2 thelpinj hudhër
    Kripë
    Piper
    Majdanoz

    Përgatitja
    Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të ndani mishin e qengjit në copa.
    Vendosni një tenxhere me vaj ulliri dhe një lugë gjalpë në zjarr.  Shtoni aty copat e mishit, kaurdisini për pak, shtoni qepën e grirë hollë dhe vijoni t’i kaurdisni.
    Shtoni kripë dhe ujë derisa copat e mishit të mbulohen por jo plotësisht.
    Lëreni mishin të ziejë derisa të zbutet dhe më pas largojeni nga tenxherja dhe vendoseni në një enë mënjanë.
    Në lëngun e mishit që po zjen vendosni patatet e prera në katër pjesë nëse janë mesatare dhe në gjashtë pjesë nëse janë të mëdha.
    Lërini të ziejnë për 10-20 minuta dhe më pas largojini edhe ato nga tenxherja dhe lërini mënjanë.
    Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe ruajeni lëngun e mbetur për përgatitjen e salcës.
    Ndërkohë, në një tigan shtojmë gjalpin e freskët dhe pak vaj ulliri dhe e vendosim në zjarr.
    Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni miellin dhe pak kripë dhe ta skuqni derisa të zverdhet.
    Në vijim, shtoni qumështin dhe përzjeheni pa ndërprerje në zjarr shumë të ngadaltë derisa të trashet në formën e salcës.
    Kur salca të jetë gati shtojeni tek tenxherja ku keni lëngun e mishit, shtoni dhe edhe thelpinjtë e hudhrës të shtypur në grimca të vogla.
    Vendoseni në zjarr dhe përzjeheni derisa salca të jetë kremoze jo shumë e plotë por as jo shumë e lëngshme, në fund hidhini dhe lëngun e limonit.
    Kur ta servirni, vendosni copat e mishit në pjatë si dhe patate dhe sipër mbulojeni tërësisht me salcën e përgatitur. Spërkateni me majdanoz të grirë hollë dhe shijojeni./AgroWeb.org

  • Keku Mermer – Si ta Përgatisni në Shtëpi Ëmbëlsirën e Famshme

    Keku Mermer – Si ta Përgatisni në Shtëpi Ëmbëlsirën e Famshme

    Me siguri e keni parë dhe më parë kekun me sipërfaqe si e mermerit, ku bashkohen disa ngjyra e shije të ndryshme.

    Në recetën e sotëme do të kuptoni se përgatitja e tij është shumë e thjeshtë dhe mund ta përgatisni të gjithë në shëpi.

    Ndiqni recetën mëposhtë dhe mësoni një metodë interesante për të përgatitur ëmbëlsirat.

    Përbërësit

    225 gr gjalpë

    225 g sheqer pluhur

    4 vezë

    225 gr miell për ëmbëlsira

    3 lugë gjelle qumësht

    1 lugë ekstrakt vanilje

    2 lugë gjelle pluhur kakao

    Përgatitja

    Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete, ndizni furrën në temperaturën 180 gradë C dhe lëreni të ngrohet.

    Më pas bëni gati një tavë pjekje 20 cm, lyejeni me pak gjalpë ose vaj dhe sipër shtrojeni me letër furre.

    Vazhdoni me përgatitjen e kekut duke shtuar në një enë gjalpin, sheqerin pluhur, vezët, miellin për ëmbëlsira, qumështin, vaniljen dhe përzieni një nga një përbërësit

    Bëjeni këtë për disa minuta derisa të formoni një masë brumi homogjene.

    Ndani brumin në dy tasa të ndryshëm në masa të barabarta dhe veçmas përgatisni çokollatën.

    Në njërin nga tasat e brumit përzieni 2 lugë gjelle kakao derisa e gjithë masa të marrë ngjyrë çokollate.

    Hidhni gjysmën e brumit tek tava e pjekjes dhe më pas hidhni pjesën tjetër pak nga pak me anë të një luge duke përzier në sipërfaqe.

    Mundohuni të formoni një sipërfaqe të ngjashme me atë të mermerit, tundni pak tavën që të dalin bulëzat e ajrit.

    Më pas futeni tavën të piqet 45-55 minuta derisa të marrë ngjyrë të artë dhe spërkateni me sheqer pluhur kur të jetë gati./AgroWeb.org

  • Musaka me Patate – Shije Tradicionale në Tryezë

    Musaka me Patate – Shije Tradicionale në Tryezë

    Një gatim special, i veçantë me shije të mrekullueshme dhe ideal për një vakt dreke por edhe darke.

    Musakaja është përgatitur jetë e mot nga nënat e gjyshet shqiptare, traditë sidomos në zonat e jugut të vendit.
    Shije plotë dhe e kombinuar në mënyrë perfekte me më të mirat e kuzhinës. Patatet e përgatitura me kimën e mrekullueshme të amvisave shqiptare janë padyshim ndër gatimet më të shijshme.
    Një mënyrë fantastike për të kënaqur gjithë familjen apo për ta gatuar edhe në raste të veçanta kur shtëpinë e vizitojnë miq e mysafirë.
    Musakaja me patate shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës, turshi të ndryshme, salcë kosi apo edhe bukë të thekur.
    AgroWeb.org u sugjeron më poshtë përgatitjen e musakasë me patate në shtëpi.
    Përgatitja e Musakasë Në Shtëpi  
    Përbërësit
    (Për një tepsi mesatare)

    8-10 kokrra patate mesatare (1.5 kg)
    1 filxhan çaji vaj ulliri
    2 kokrra qepë mesatare
    1 filxhan çaji mish i grirë
    2 kokrra domate mesatare ose 1 lugë gjelle salcë
    Kripë
    Piper
    Majdanoz

    Për salcën beshamel duhen

    3 lugë gjelle miell
    2 lugë gjelle gjalpë të freskët
    2-3 gota qumësht
    2 kokrra vezë
    1 lugë gjelle gjalpë për spërkatje
    3 lugë gjelle djathë kaçkavall i grirë
    Kripë

    Përgatitja
    Për gatimin e musakasë zgjidhen patate të mëdha. Patatet e pastruara priten në feta dhe vendosen në një tavë.
    Pasi spërkaten me vaj, tava futet në furrë. Patatet lihen të piqen, sa të skuqen lehtë.
    Përgatitet kima: Kaurdisen qepët me mish të grirë. Hidhet salcë, kripë, piper dhe dafinë.
    Në një tepsi të lyer me vaj ulliri dhe galetë (bukë hekur të grirë hollë në rende), vendoset një shtresë patatesh. Fundi i tepsisë mbulohet mirë, që të mos dalë kima. I vendosim patatet mbi njëra – tjetrën.
    Më pas, vendosim një shtresë kimë, përsipër patate e përsëri një shtresë kimë.
    Sipër duhet të vendoset shtresa e patateve.
    Hidhet salcë beshamel, e cila sheshohet me ndihmën e një luge të lagur me qumësht ose gjalpë. Shtohet djathë kaçkavall i grirë dhe pak gjalpë.
    E fusim tavën në furrë dhe e lëmë të piqet. /AgroWeb.org