Nga Julia Vrapi
Ekspeditat arkeologjike gjatë vitit të kaluar dhe puna kërkimore shkencore e tre departamenteve të Institutit të Arkeologjisë mblodhi studiues e arkeologë. Konferenca shkencore “Viti arkeologjik 2024” prezantoi rezultatet e punës së vitit të kaluar, ku ekspedita arkeologjike janë zhvilluar për realizimin e projekteve me perspektivë shumëvjeçare si Lini, Butrinti, Finiqi, Bylisi, Apolonia, etj, ndërsa u prezantua dhe harta arkeologjike nënujore e bregdetit shqiptar. Konferenca e Institutit të Arkeologjisë pjesë e Akademisë së Shkencave u drejtua nga kryetari i institutit akad. Adem Bunguri, kryetari i seksionit të shkencave natyrore dhe teknike akad. asoc. Gëzim Hoxha dhe kryetari i komisionit të arkeologjisë prof. dr. Neritan Ceka. Në këtë konferencë u paraqitën 26 punime shkencore nga kërkues dhe studiues të tri departamenteve të Institutit Arkeologjik: Departamenti i prehistorisë; Departamenti i antikitetit dhe Departamenti i antikitetit të vonë dhe i mesjetës.
“Prezantimet paraqitën të rejat e shkencës kombëtare dhe ndërkombëtare të arkeologjisë, lidhur me zbulimet gjatë vitit 2024”, thuhet në njoftimin e ASH-së. Seanca e parë nisi me prezantimin e rezultateve të projektit shqiptaro-zviceran LIN 3, 2024, të cilat e rendisin si vendbanimin më të vjetër palafit në Europë. Studimi është përgatitur nga Adrian Anastasi, Ilir Gjipali, Albert Hafner, M. Hinz, M. Brunner, K. Anastasi. “Zbulimet në këtë sit arkeologjik treguan që vendbanimet palafite në “Lin-3” ishin më të vjetrat në Europë, 6000 BC dhe konsiderohet si vendbanimi më i vjetër liqenor të këtij lloji në Europë”, thuhet nga akademia. Më tej, arkeologët E. Andoni, J. Anvari, P. Willett prezantuan rezultatet e kërkimeve arkeologjike për Neolitin në fushën e Korçës, ku u paraqit edhe një studim i sondazheve arkeologjike në vendbanimin e Neolitit të hershëm në Pogradec.
“Gjatë kësaj seance u prezantuan edhe dinamikat e vendbanimit gjatë periudhës së Hekurit në pellgun e Korçës: “Kalaja” e Barçit (misioni shqiptaro-francez i pellgut të Korçës – 2024) nga R. Kurti, A. Gardesein, me kontributin e E. Glass, A. Bici, U.Tota. Nëpërmjet këtij studimi u paraqitën gjurmët arkitekturore të periudhave të ndryshme, gjatë periudhës së hekurit dhe asaj qytetare ilire, rreth 2800 vjet më parë. E. Kujtila paraqiti rezultatet e sondazheve arkeologjike në fortifikimin prehistorik të Orenjës (Librazhd, 2024), ku janë përftuar të dhëna stratigrafiko-kulturore që e mbështesin zhvillimin e jetës në këtë vendbanim në 3 faza kronologjike të emërtuara Orenjë I-II-III, përkatësisht të lidhura me Bronzin e Hershëm, Bronzin e Vonë dhe periudhën e vonë antike”, thuhet nga ASH. Në fund të seancës Adrian Anastasi prezantoi hartën arkeologjike nënujore të bregdetit shqiptar 2024.
Departamenti i antikitetit dhe ai i antikitetit të vonë dhe mesjetës
Në seancën e dytë u paraqitën rezultatet e studimeve të Departamentit të antikitetit. Orgita Ceka paraqiti rezultatet e gërmimeve në monumentet e tarracës perëndimore të agorasë së Bylisit, si dhe rezultatet e fushatës arkeologjike të vitit 2024 në Gurëzezë, ku të tjerë arkeologë prezantuan studimin “Apolonia e Ilirisë”. Jamarbër Buzo prezantoi rezultatet e studimit për nekropolin verilindor të Amantias -Sektori 7. Në këtë seancë u prezantuan studime edhe nga të tjerë arkeologë për arkeologjinë e peizazhit në zonën Memaliaj-Tepelenë; për kërkimet në Antigone gjatë vitit 2024, që shtrihen përgjatë luginës së Drinosit, rezultatet e zbulimeve gjatë vitit 2024, përkatësisht në Foinike dhe Butrint, në Dobër, në Çukën e Ajtoit, etj. Në materialin e kësaj konference, ASH bën me dje se në seancë e tretë u prezantuan zbulimet e periudhës së antikitetit të vonë dhe mesjetës.
“Në këtë seancë paraqitën punime shkencore nga Brikena Shkodra, Ulsi Tota, M. Nushi, C. Metkola, B. Forsen, Elio. Hobdari, N. Molla, R.Hodges, E. Metalla, S. Antonelli, P. Pushimaj, E. Nikolli, M. Meshini”, thuhet nga ASH. Arkeologët në këtë seancë trajtuan zbulimet e bazilikës paleokristiane së Elbasanit, në Manastirin e Ballshit 2024, në Kishën e Shën Mërisë, në Kodrën e Muzhilës – Drisht 2024, në prapatokën e Durrësit, në Butrint, në territorin e Sappës, etj. Ekspeditat dhe gërmimet arkeologjike të zhvilluara gjatë vitit 2024 u vlerësuan për sasinë dhe shumëllojshmërinë e materialit arkeologjik, i cili do të shërbejë si objekt studimi në vazhdim nga specialistët e projekteve të IA. Në aktivitetin tij Instituti i Arkeologjisë u përfshi hap pas hapi në një veprimtari të gjerë kërkimore, duke organizuar projekte bashkëpunimi me universitete e institucione simotra të vendeve perëndimore. Projektet shumëvjeçare të gërmimeve bashkuan përvojat e arkeologëve shqiptarë me ato të arkeologëve dhe specialistëve nga vende si Anglia, Franca, SHBA, Italia, Greqia, Austria, Gjermania, Zvicra, Izraeli e Polonia në kërkimet për të gjitha fushat e arkeologjisë si për prehistorinë, antikitetin dhe mesjetën.