Lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi nga Strasburgu se Shqipëria është kthyer në një narkodiktaturë. Deklarata u bë gjatë një takimi me grupin konservator në Asamblenë Parlamentare të Këshillit te Europës, gjatë të cilit Berisha theksoi në fjalën e tij se paratë e drogës dhe krimit po përdoren në zgjedhje. Në përgjigje të pyetjeve, Berisha theksoi se Shqipëria është kthyer në një republikë të Xhorxh Soros dhe ftoi eurodeputetët që të sjellin mision vëzhgimi në Shqipëri.
Gjatë vizitës zyrtare në Strasburg Lideri i opozitës Sali Berisha zhvilloi një takim pasditen e 7 prillit me grupin konservator në Asamblenë Parlamentare të Këshillit te Europës. Gjatë fjalës së tij Berisha tha se Shqipëria është kthyer në një narkodiktaturë dhe theksoi se Edi Rama kërkon mandatin e 4 duke burgosur 3 liderët kryesorë të opozitës shqiptare.
“Sot pothuajse në 30 vite pas anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës, fatkeqësisht vendi im është i pari dhe i vetmi shtet narkodikaturë në Europe. Shqipëria në këtë 30 vjetor është një vend ku para zgjedhjeve, kryeministri synon mandatin e 4-të, duke arrestuar tre liderët kryesorë të opozitës shqiptare. Më arrestoi mua për 330 ditë pa asnjë fakt penale. Ata më akuzuan për korrupsion pasiv dhe për një faturë për një javë pushime për arsye shëndetësore. Dhëndëri im për 440 ditë ndodhet në ‘arrest shtëpie’ për një pronë prej 110 metrash që i është lënë trashëgim nga gjyshërit e tij, çdo gjë e dokumentuar me dokumente zyrtare që i përket familjarëve të tij”
Berisha përmendi arrestimin brutal të Presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta, procesin ndaj kreut republikan Fatmir Mediu për një çështje të bmyllur 15 vjet më parë, burgosjen e eurodeputetit Fredi Beleri i cili u dënua pasi, Edi Rama kërkonte të merrte mijëra metra katrorë tokë pranë detit. Po ashtu dënimin me burg të deputetit Ervin Salianji sepse denoncoi vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, pasi ishte dënuar në Itali, për arsye se drejtonte trafikun e drogës nga Vlora.
Lideri i opozitës theksoi në fjalën e tij se paratë e drogës dhe krimit po përdoren në zgjedhje.
Rreth 12 miliardë euro u krijuan nga trafikantët e kanabisit dhe më pas këta u lidhën me trafikantët Amerikano-latin dhe tani janë shumë të fuqishëm me lidhjet e tyre në kartelet, si psh, ai i Sinaloas.
Të nderuar anëtarë, vetë Edi Rama është i lidhur me këto organizata. Në zyrën e tij ka një këshilltar, i cili koordinon aktivitete e këtyre organizatave. Ai ka pritur në zyrën e tij, bosin shqiptar të Sinaloas dhe i ka dhënë leje për kazino dhe një hotel me 5 yje. Krimi i organizuar është shumë i famshëm dhe shumë i përfshirë në zgjedhje.
Autoritet franceze, belge dhe holandeze kanë dorëzuar mijëra e mijëra faqe të mesazheve të krimit të organizuar, të marra nga telefonat e enkriptuar. Komunikimi arrin deri tek Edi Rama dhe ministrat e tij. U zbulua se gjysma e komunikimeve ishin të lidhura dhe me dhunimin e zgjedhjeve dhe ne tani jemi në zgjedhjet elektorale. Por janë edhe dhjetëra e qindra miliona euro të kanabisit që janë përdor për të blerë vota, e gjithashtu edhe kërcënimi i mafias ndaj njerëzve që të votojnë për ta. Një kryeministër që Europa nuk e ka parë kurrë, që drejton një shtet si diktator dhe një narkodiktator.
Në përgjigje të pyetjeve të eurodeputetëve të grupit konservator, Berisha theksoi se Shqipëria është kthyer në një republikë të George Soros.
“Edi Rama ka qenë lideri më i mbrojtur, më i investuar nga George Soros. Dhe problemi im me miliarderin George Soros është i vjetër. Kam qenë shumë konfrontues me të. Prej vitesh kam kërkuar që të ndalohet veprimtaria e tij politike në Europë. Kam kërkuar që Parlamenti Europian t’ia ndalojë, sepse ai blen politikanë kudo. Ai ka një agjendë ekstreme të majtë. Ai e rikthen modelin e monizmit, duke marrë të gjitha OJQ-të dhe duke i vënë nën ombrellën e Partisë së vjetër Komuniste.Përplasja ime me të u bë më e madhe kur ai u përfshi në politikën e Ballkanit. Ai u bë faktori kryesor në politikën e jashtme për Ballkanin. Ai deshi ndarjen e Kosovës, një projekt i Millosheviçit, që më është sjellë përmes ndërmjetësve disa herë gjatë kohës që isha President i Republikës. Tani George Soros e vulosi dhe e firmosi projektin si të tijin. Sigurisht që unë e kundërshtova. Dhe ai ishte shumë i pakënaqur. Sa për Sorosin, siç ju thashë më parë: Nëse më pyesni çfarë është Shqipëria sot, Shqipëria është një republikë e George Soros’ tha Berisha.
Berisha informoi grupin konservator edhe per sanskionimin e tij nga ish-sekretari i shtetit Antony Blinken, një vendim i marrë mbi bazën e një lobimi të korruptuar nga Edi Rama dhe George Soros.
Berisha ftoi eurodeputetët që të sjellin mision vëzhgimi në Shqipëri.
“Ju mund të na ndihmoni shumë. Së pari, dërgoni një mision verifikimi, sepse do të dëgjoni gjëra të pabesueshme. Dhe kur të prekni realitetin atje, atëherë mund të gjeni një mënyrë për të ndihmuar kombin tim, për të ndihmuar vendin tim të çlirohet nga kjo narkodiktaturë. Ne do të luftojmë dhe do të vazhdojmë të luftojmë, por na duhet edhe ndihma e njerëzve të lirë, kudo që janë. Dhe nga qeveritë europiane dhe miqtë tanë kudo’





