Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar përmes disa reagimeve në rrjetet sociale situatën politike në vend, ndërsa ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Fillimisht avokat Ngjela e nis reagimin e tij me tone të forta ndaj deklaratave të kryeministrit Rama për bashkimin kombëtar. Ai e akuzon Ramën se po flet pa baza dhe se nuk e kupton thelbin e vullnetit historik të shqiptarëve. Sipas tij, bashkimi kombëtar është një çështje vullneti dhe jo frike apo ndikimi nga faktorë të jashtëm. Në përfundim, ai thekson se asnjë pushtetar nuk mund të shkelë idealin kombëtar pa u gjykuar nga vetë historia. “Rama po flet broçkulla për bashkimin kombëtar. Sepse ose e ka frikë, ose nuk e lë Parisi. Por ideali kombëtar i shqiptarisë është vullnet; prandaj edhe bashkimi kombëtar i dy shteteve shqiptare është vullnet kombëtar dhe jo një frikë që ka antishqiptaria.
Kot lodhen. Janë dy shtete shqiptare të pavarur dhe çdo marrëveshje juridike midis dy shteteve shqiptare të pavarur nuk ka lidhje me Ramën, që dihet se nuk ka luajtur ndonjëherë për shqiptarinë: por kjo ka lidhje me vullnetin historik të shqiptarëve. Dhe këtu merr fund çdo diskutim. Një pushtetar që nuk e di dhe nuk e njeh se çfarë është vullneti historik i popullit të tij; nuk ka lidhje me këtë popull. Aaaa, mbretëria absolute nuk do të vendoset kurrë në Shqipëri. Këtë duhet ta kuptojë pa hezitim edhe Edi Rama. Dhe historia e shqiptarisë nuk mund të shkelet dot nga askush; sepse kjo shkelje e hedh shkelësin menjëherë në plehrat e historisë”, shkruan ai.
Spartak Ngjela: Rama s’e kupton fuqinë që i jep historia
Më tej në një reagim tjetër, avokat Spartak Ngjela ka reaguar sërish me tone kritike ndaj kryeministrit Rama, duke e akuzuar se nuk e kupton rolin e tij historik në raport me kombin shqiptar. Ai shprehet se Rama nuk di të përdorë fuqinë që i jep ligji dhe historia për zhvillimin e Shqipërisë dhe forcimin e unitetit kombëtar. Sipas Ngjelës, politika shqiptare po humb një mundësi të artë për të korrigjuar padrejtësitë historike ndaj shqiptarëve. “A po e shihni se të gjithë krerët e politikës shqiptare sot janë në kërkim të fuqisë. Po kryeministri aktual, a ka fuqi? Jo, sepse, sipas psikikës së tij të pushtetit, ai nuk e ka fuqinë që ai do, dhe ndërkohë nuk arrin ta kuptojë me logjikën e shtetit demokratik që i thotë se atij nuk ka se çfarë t’i duhet fuqia, kur asnjë kundërshtar i tij nuk e ka fuqinë që ta rrëzojë.
Por pyetja thelbësore këtu është kjo: A i mjafton kryeministrit aktual Rama fuqia që i ka dhënë ligji, që ky të krijojë një skemë të nivelit të lartë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë? Ligji ia ka dhënë të gjitha, madje i ka dhënë në kufirin e Shqipërisë edhe një shtet tjetër shqiptar. Kosovën, me dy milionë shqiptarë. Por po shihet qartë se ai nuk po e kupton dot këtë favor politiko-historik me dy shtete shqiptarë, sikurse edhe këtë favor gjeografik me këtë territor shqiptarësh prej rreth 6 milionë shqiptarë vetëm në dy shtete shqiptare. Por janë edhe 1000.000 shqiptarë në Maqedoninë e Veriut; por janë dhe katër milionë shqiptarë si arvanitas në Republikën e Greqisë. Prandaj ndërkohë, a nuk po e kupton dot politika shqiptare sot që, pikërisht në këtë fenomen shqiptar, ajo duhet të përqendrohet për të rifituar të gjitha padrejtësitë që Beogradi, Athina dhe Parisi i kanë bërë shqiptarëve, duke filluar që nga viti 1878 e deri më sot? Por ama, nese nuk e kupton, pse duhet ta qeverisësh Shqipërinë?!”, shprehet Ngjela.
Avokat Ngjela: Gënjeshtra sundon politikën shqiptare
Ndërkohë, në një reagim tjetër avokat Spartak Ngjela ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të përsëritura për manipulim zgjedhjesh në Shqipëri. Teksa shigjeton kreun e PD, Sali Berisha, avokat Ngjela thekson se Partia Demokratike dhe drejtuesit e saj po mbajnë gjallë një kulturë gënjeshtre, duke mos pranuar kurrë humbjen reale në garat politike. Sipas tij, kjo sjellje është shenjë e mungesës së moralit dhe e një intelekti politik të dobët që nuk njeh rregullat e qytetërimit demokratik. Ngjela paralajmëron se për sa kohë gënjeshtra do të jetë themel i lojës politike, Shqipëria nuk do të mund të ecë drejt zhvillimit dhe të vërtetës. “Si shpjegohet që në mbi dhjetë vjet Partisë Demokratike i vjedhin votat e nuk e lënë të jenë fituesit e zgjedhjeve në Shqipëri. (!) Ajo, sipas kryetarit të saj, ka fituar gjithmonë, por gjithmonë kryetari i tyre thotë se u kanë vjedhur dhe manipuluar rezultatin e votimeve politike.
I humburi në një garë normale dhe të drejtë; por që nuk ka intelekt të lartë, jo vetëm që nuk e pranon humbjen, por gjithmonë thotë se ia kishin bërë me hile. Edhe mashtruesi i zakonshëm këtë logjikë ka. Por edhe ai që spekulon në treg po këtë logjikë kriminale ka: ai gjithmonë nuk thotë që kam spekuluar si vjedhës, por… Në psikologjinë moderne kjo quhet gjendje e një intelekti, i cili nuk ka moral dhe e një shteti ku nuk funksionon ligji. Qytetërim don të thotë para së gjithash, që, në një garë ku ti merr pjesë, duhet të pranosh realisht gjendjen tënde, pa qenë nevoja ta gënjesh veten dhe të tjerët, se ti ke fituar. Por na duhet të theksojmë që kjo nuk është vetëm një gjendje e gënjeshtërt e bërë nga humbësi, sepse shpesh ky është edhe karakter individual i atij i cili nuk mund ta pranojë humbjen në një garë: por ka edhe diçka tjetër, sepse ai që ka humbur dhe që pas vetes ka edhe një grup individësh që janë bashkuar me kryetarin për interesa, kuptohet se edhe këtyre iu shërben gënjeshtra e kryetarit, dhe prandaj, të gjithë bashkë u thonë përkrahësve: “ne kemi fituar”.
Por ama të gjithë gënjejnë për interesin e tyre dhe të gjithë bashkë, me këtë psikologji, kalojnë nga humbja në humbje, dhe asnjëherë nuk e pranojnë humbjen, sepse kryetari që ka forcën, nëse dikush e pranon humbjen, e largon atë nga ekipi dhe ata që largohen bashkë me të vërtetën, humbasin edhe atë pakogjë që fitonjësi humbës ua jep për të jetuar në gënjeshtrën e humbësit fitues. Dhe jeta vijon… Atëherë, të gjitha këto vijnë e krijohen nga kryetari i fuqishëm që gënjen dhe pastaj të gjithë përkrahësit futen te gënjeshtra dhe bërtasin për kryetarin dhe për veten si viktima, të cilëve, sipas tyre, me dredhi apo me falsifikim, u kanë “vjedhur” fitoren. Ja kjo është tabloja e gënjeshtrës së madhe politike dhe të humbësit “fitues”, edhe këtu në Shqipëri, prandaj gjendja jonë shoqërore nuk ka dalë ende nga gënjeshtra.
Por realisht, e gjithë kjo ndodh sepse, po të mos jetë gënjeshtra parësore në një gjykim politik, kryetarët aktualë do të kishin shkuar me kohë në vendin e tyre të një pune të rëndomtë dhe sa për të jetuar. Atëhere, si përfundim, na duhet të themi se: jo e vërteta por gënjeshtra është sunduese në garën politike në Shqipëri. Po, në garën politike në Shqipëri është ende gënjeshtra ajo që mban rendin e të mundurit që thotë se: ” Unë jam fitues, por më kanë manipuluar rezultatin që kam marrë nga votimi popullor”. Por, në një kohë të tillë politik: kryetari humbës, që i ka humbur zgjedhjet katër herë rresht, thotë: “fituesi ka manipuluar zgjedhjet, sepse fituesi jam unë. Kurse humbësit e shumtë që janë me këtë parti, të qetësuar, pas kësaj gënjeshtre – bërtasin me entuziazëm – Rroftë Kryetari”, nënvizon avokat i njohur, Spartak Ngjela.