Pas polemikave të shumta, Francesco Totti vendosi të shkonte në Rusi për të marrë çmimin “International Rb Award” në Moskë. Që atje foli për atë që po bën, pas tërheqjes nga futbolli, në një intervistë për kanalin rus “Match TV”:
“Fillimisht kam qenë drejtues i Romës për dy vite, më pas kam bërë gjëra të tjera. Tani jetoj për kënaqësinë time personale, sot jam i lumtur që ndodhem këtu. Kur luaja futboll, jeta ime private nuk ekzistonte. Gjithmonë kam menduar se kur ta mbyllja karrierën, gjithçka do të bëhej më e qetë.
Sidoqoftë, në realitet, për disa aspekte, situata ka shkuar edhe më keq. Dikur isha gjithçka për Romën, ndërsa tani nuk është më kështu. Ndeshja ime e fundit kundër Genoa më 2017 ishte e pabesueshme. Isha i lumtur që tërë dita m’u dedikua mua, por njëkohësisht i shqetësuar, sepse ishte fundi i një cikli të jetës sime”.
Çfarë mendon për De Rossin?Mendoj se ai do të bëhet një trajner i madh. I ka munguar ndoshta pak përvojë, por objektivisht, si mund t’i thoshte ‘jo’ Romës? Ka luajtur aty për 20 vite. Ka aftësi të jashtëzakonshme, e njeh futbollin dhe mund të bëhet një trajner i shkëlqyer.
Ju njihni mirë Capellon dhe Stankovic, të famshëm edhe në Rusi…Personalisht, mund ta pëlqej apo jo, por Capello është një fitues. Kjo është ajo që ka rëndësi. Dejan e njoh mirë, kemi luajtur shumë herë kundër njëri-tjetrit. Mund të them që është një person i mrekullueshëm. Mund të ishte lojtar i përsosur për çdo skuadër.
Djali juaj, Cristian, i cili është këtu në Moskë me ty, zgjodhi të bëhej futbollist…Luajti futboll me kënaqësi dhe është i lumtur, por fatkeqësisht duhet të mbajë peshën e mbiemrit tonë. Edhe pse ai e merr me shumë qetësi, e vuan këtë pjesë. Mendoj se çdo i ri ka qëllimet dhe ëndrrat e tij. Shumë njerëz do të donin të bëheshin lojtarë të Serie A, por të rinjtë kanë nevojë për ndihmë. Problemi për shumë futbollistë të rinj janë prindërit e tyre. E dërgojnë djalin të luajë futboll pa e pyetur për atë që dëshiron të bëjë në jetë. Kjo sjellje është e gabuar. Futbolli duhet të jetë vetëm argëtim.
Tag: futboll
-

Totti nga Rusia: Isha gjithçka për Romën, tani nuk është më kështu. De Rossi do të bëhet trajner i madh