Tag: frymore

  • Korça destinacion i fundjavës, performojnë bandat frymore! Në Boboshticë festë me lakrorë e raki mani

    Korça destinacion i fundjavës, performojnë bandat frymore! Në Boboshticë festë me lakrorë e raki mani

    Në Boboshticë u organizua “Tregime Fshati”, një festë që bashkoi traditën, shijet dhe mikpritjen e banorëve vendas.
    Amvisat gatuan receta tradicionale, si lakrori me dy petë, duke ndarë sekret e kuzhinës me të ftuarit.
    Vizitoret nuk u mjaftuan vetëm degustim por provuan vetë të hapnin petët.
    Rakia e manit shkëlqente në ngjyrën e saj karakteristike, ndersa burrat e Boboshticës rrëfyen me krenari procesin e distilimit.
    “Tregime Fshati” solli jo vetëm shije dhe aromë, por edhe ndjesinë e kthimit te rrënjët, një udhëtim që bashkon të shkuarën me të tashmen.
    Ndërsa qyteti i Korçes u kthye në një skenë të hapur koncertale. Parada e Bandave Frymore pushtoi qytetin në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Bandave Frymore “Lulu Fest”.
    Marrin pjese 150 artistë nga Shqipëria, Kosova, Italia dhe Kroacia, ndërsa qindra qytetarë dhe vizitorë i ndoqën nga afër.
    Festivali do të vazhdojë deri te dielen me performanca të shumta në rrugët e qytetit.

  • Festivali “Lulu Fest”, arbëreshët e Italisë sollën në Korçë interpretimet me bandat frymore

    Festivali “Lulu Fest”, arbëreshët e Italisë sollën në Korçë interpretimet me bandat frymore

    Korça për disa ditë do të jetë një skenë e madhe muzikore me zhvillimin e “Lulu Fest”, festivalit që bashkon banda frymore nga Shqipëria, Kosova, Kroacia, Italia dhe vende të tjera të rajonit.

    Tingujt e marsheve, interpretimet plot energji dhe atmosfera festive krijuan në ditën e parë një ngjarje që solli jo vetëm art, por edhe bashkim kulturash e miqësish.
    Pasi performuan duke ecur në rrugët e qytetit pjesëmarrësit tregojnë se festivali  ndërkombëtar i bandave frymore është një eveniment i veçantë që u ka dhënë jo vetëm emocione por u ka krijuar hapësirën për të shkëmbyer eksperiencën e tyre
    “Përfaqësoj Bandën Muzikore të San Giorgio Albanese. San Giorgio është një komunitet që erdhi në 1400 dhe ne po përpiqemi të rigjallërojmë dhe të rilidhim kontaktet me ju. Vendi ynë gjendet më provincën e Kozencës dhe është një nga vendet që formojnë një varg shqiptar. Është hera e dytë që vijmë këtu, dy vite më parë ishim në Tiranë në festën e flamurit dhe do rikthehemi me kënaqësi sa herë që të na ftojnë për të rigjetur tokën tonë, sepse ne nuk ndjehemi të huaj, ndjehemi si ju”, shprehet Cosimo Esposito- dirigjenti i bandës tw San Giorgio Arbëreshët e Italisë
    “Jam i lumtur dhe i nderuar që vij këtu. Është hera e parë që jam në Korçë, e njoh shumë morë Shqipërinë sepse kam qenë disa herë. Ishte shumë e bukur ti shohësh të gjitha bandat të performojnë. Padiskutim muzika është bukuri, është harmoni dhe gëzim ndaj kur luhet muzikë ka shumë lumturi që është gjëja më e bukur në botë”, thotë Giani Gabrielli- kryetar i komunës San Georgio Albanese
    “Dita e parë e festivalit ishte e shkëlqyer, edhe koha e bukur ndërsa në veri tek ne është pak më ftohtë. Interpretuam disa marshe të Evropës Veriore, nuk sollëm sot krijime tonat. Besoj që ishte një mundësi për një bashkim evropian me njerëz të ndryshëm, nga vende të ndryshme. Udhëtimi ynë ishte i gjatë por do ta bënim përsëri. Ishte hera e parë në Korçë dhe nuk e dinim që qyteti ishte kaq i bukur”, shprehet Željko Kertez, Kroacia
    “Lulu Fest” zgjat tre ditë dhe këtë vit u organizua për herë të parë me synimin  që të kthehet në një traditë të bukur që promovon artin, turizmin dhe bashkëpunimin kulturor ndërkombëtar.

    Top Channel

  • Festivali i bandave frymore/ Organizohet në Korçë me 150 pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Kroacia, Italia dhe Greqia

    Festivali i bandave frymore/ Organizohet në Korçë me 150 pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Kroacia, Italia dhe Greqia

    Në Korçë do të organizohet për herë të parë Festivali Ndërkombëtar i Bandave Frymore.

    Në një konferencë për shtyp organizatorët zbuluan detajet e këtij eventi që pritet të sjellë për tre ditë me radhë në qytetin juglindor tingujt e muzikës frymore nga artistë vendas e të huaj.
    Në këtë edicion të parë do bëhen bashkë mbi 150 pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Kroacia, Italia dhe Greqia, ndërsa programi përfshin koncerte, ekspozita, marshime në rrugët e qytetit dhe masterclass-e me mjeshtër të instrumenteve frymore.
    Për nënkryetaren Benila Themeli kjo nismë vjen si një mundësi e re për promovimin e turizmit dhe për pasurimin e kalendarit kulturor, duke u lidhur ngushtë me traditën e bandës Vatra por edhe figurën e mjeshtrit virtuoz korçar Lulush
    Për drejtorin artistik Ilir Kodhima festivale të tilla mbeten të rëndësishme jo vetëm për artistët por edhe brezat e rinj
    Festivali do të kulmojë me një koncert të madh në sheshin qendror të qytetit, në 25 tetor ku të gjitha bandat pjesëmarrëse do të interpretojnë së bashku.

    Top Channel

  • Banda frymore nga Shqipëria, Evropa dhe Ballkani në festivalin që e shndërron Korçën në skenën e muzikës frymore

    Banda frymore nga Shqipëria, Evropa dhe Ballkani në festivalin që e shndërron Korçën në skenën e muzikës frymore

    Nga Julia Vrapi
    Banda frymore nga Shqipëria, Evropa dhe Ballkani këtë tetor në qytetin Korçës, pjesë e një festivali ndërkombëtar. Ky festival për tre ditë do ta shndërrojë Korçën në skenën e muzikës frymore ndërkombëtare. Festivali ndërkombëtar i bandave frymore “AirBeat Korça Festival” nis më 24 tetor në qytetin e Korçës, si një nga ngjarjet e rëndësishme kulturore këtë sezon, ku veç koncerteve që pritet të zhvillohen përgjatë tre ditëve nuk do të mungojnë edhe master-class me artistë të njohur. Qendra e Artit dhe Kulturës Korçë shprehet se “AirBeat Korça Festival” është më shumë se një koncert”. “24 – 26 tetor 2025 Korça shndërrohet në skenën e madhe të muzikës frymore ndërkombëtare! Për tre ditë rresht, qyteti do të pulsojë në ritmet e dhjetëra bandave frymore nga Shqipëria,
    Evropa dhe Ballkani, duke sjellë tinguj, energji dhe emocione pa kufij. AirBeat Korça Festival është më shumë se një koncert – është një festë e madhe muzikore dhe kulturore, e lidhur me ditën e çlirimit të qytetit tonë, dhe nder të dirigjentit të parë Thoma Nasi”, thuhet në materialin e Qendrës së Artit dhe Kulturës Korçë. E frymëzuar nga tradita e orkestrave të famshme si “Banda Liria” dhe “Banda Vatra”, kjo ngjarje sjell bashkim të brezave dhe e çon trashëgiminë tonë në një skenë ndërkombëtare.
    “Një homazh i veçantë i kushtohet mjeshtrit të madh Novruz Nure( Lulushi)  pasuria e të cilit kulturore dhe artistike mbetet frymëzim për brezat që vijnë. AirBeat Korça Festival #luluFEST- aty ku historia, muzika dhe arti frymor bashkohen në një spektakël të paharrueshëm!”, thuhet në materialin e festivalit. “Banda e Lirisë” u krijua në qytetin e Korçës më 1 tetor 1908. Sipas materialit nga Qendra e Artit dhe Kulturës Korçë bëhet me dije se iniciatorë të themelimit të saj u bënë drejtuesit e klubit “Dituria Shqip” në Korçë. Ndërsa banda “Vatra” është krijuar më 1912 nga patriotët shqiptarë të Drenovës, Dardhës dhe Korçës të vendosur në USA.
    Master-class nga artistë të njohur në festival
    Festivali këtë tetor vjen në vijim dhe të tjera veprimtarive të tjera kulturore që janë zhvilluar në këtë qytet, ku për tre ditë me radhë rrugët dhe sheshet e qytetit do të mbushen me tingujt e bandave muzikore. Ilir Gjoka, pedagogu i Oboes do të mbajë master-class pranë Qendrës së Artit në Korçë  në kuadër të “AirBeat Festival”. Ilir Gjoka është aktivizuar si solist koncertist ku shquhet interpretimi për herë të parë i disa veprave të muzikës shqiptare për oboe solo,të asambleve të ndryshme kamertale, si dhe të repertorit botëror të instrumentit të oboes. Ilir Gjoka gjatë gjithë kohës ka kontribuar me pasion në sferën pedagogjike duke qenë specialisti më i kualifikuar i profesoratit në specialitetin përkatës e më gjerë.
    Elvis Rudi, një prej flautistëve më në zë të brezit të tij, e që kombinon karrierën artistike me punën si pedagog gjithashtu do të mbajë master-class në kuadër të “AirBeat Festival” në Korçë. Ka bashkëpunuar me institucione të rëndësishme si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Anëtar i ansamblit kontemporan “Asmus”. Orkestra e TOB-it ( flaut i parë), Orkestra e RTSH ( solist), Trio e Konservatorit të Biel- Bienne ; Kuinteti “Çesk Zadeja”, Kuinteti i Universitetit të Arteve. Shkumbin Bajraktari që është një nga emrat më të njohur në fushën e muzikës klasike në Kosovë, me një karrierë të gjatë dhe të pasur si pedagog, performues dhe themelues i institucioneve muzikore një tjetër artist, që do të mbajë master-class në ditët e festivalit në Korçë. Shkumbin Bajraktari është klarinetist solist në Orkestrën Simfonike të Filharmonisë së Kosovës.

  • PERSONAZH – 4 vjet nga largimi i parakohshëm i Mjeshtrit të Madh, dirigjentit Kujtim Alija

    PERSONAZH – 4 vjet nga largimi i parakohshëm i Mjeshtrit të Madh, dirigjentit Kujtim Alija

    Katër vjet më parë do të largohej nga jeta në moshën 60- vjeçare Mjeshtri i Madh Kujtim Alija. Dirigjenti dhe drejtori i QKF Shkodër humbi betejën me sëmundjen e rëndë me të cilën përballej prej disa kohësh.
    Dirigjenti i njohur, ka qene organizator per shume vite i Festivalit mbarekombetar te femijeve si dhe drejtues i Qendres Kulturore te Femijeve ne Shkode. Prej disa kohësh, ai vuante nga nje semundje e rende e cila i mori jeten. Kujtim Alija mban titullin Mjeshter i Madh, akorduar nga Presidenti i Republikës.
    Kujtim Alija ka patur një kontribut të jashtëzakonshëm për artin e kulturën shqiptarë, sidomos për evidentimin dhe përkrahjen e talenteve që në moshë të vogël.
    Homazhet u zhvilluan në teatrin “Migjeni” me 28 gusht 2021, ku nderuan Profesor Kujtimin qindra njerëz nga Shkodra e pertej, nga të gjitha moshat e profesionet.
    Pak ditë pasi ndërroi jetë, Qendra Kulturore e Fëmijëve në Shkodër u emërtua “Kujtim Alija”, në nderim të punës e kontributit të tij të pashoq.
    Kush ishte Kujtim Alija?
    Mjeshtri i Madh Kujtim Alija u diplomua në vitin 1985 Dirigjent me “Koncert vokal simfonik” me Orkestrën Simfonike të Filarmonisë, Shkodër. Nga viti 2003 dhe deri më sot, ka punuar si drejtor i Qendrës Kulturore të Fëmijëve Shkodër. Paralelisht, ai ka punuar si pedagog i jashtëm në Universitetin e Arteve Tiranë, Akademinë e Arteve Shkodër, Universitetin “Luigj Gurakuqi”, mësues i jashtën në Shkollën Artistike “Prenkë Jakova”. Më herët ka punuar si mësues në shkollën “Migjeni” në Pukë dhe shkollën “11 Janari” në Shkodër. Nga viti 1987 deri tani, ka qenë dirigjent i Orkestrës Frymore të Shkodrës.
    2019 – 1998 Drejtor artistik i Festivalit mbarëkombëtar të këngës për fëmijë
    2019 – 1995 Drejtor artistik i “Bilbilat e vegjël të Shkodrës këndojnë”
    2019 – 1987 Dirigjent në premierat e Orkestrës frymore (Bandës) të Qytetit të Shkodrës
    2016 – 2007 Udhëheqës artistik i Ansamblit artistik në premierat e organizuara nga Komuniteti Mysliman Shqiptar.
    2019 – 2007 Dirigjent në premierat e Orkestrës Simfonike të qytetit të Shkodrës
    2012 – 1996 Dirigjent i premierave të Orkestrës së harqeve të qytetit të Shkodrës
    2019 – 2008 Dirigjent në Festivalet Kombëtare të Orkestrave Frymore
    2010 – 2009 Dirigjent në Festivalet Internacionale të Orkestrave frymore në Itali
    2002 – 1999 Udhëheqës artistik i Premierave të Ansamblit të këngëve dhe valleve të Q. K. të Fëmijëve, të realizuara në Rusi, Turqi, Maqedoni.
    2007 – 2003 Udhëheqës artistik i Ansamblit të Meshihatit të Bashkësisë Islame të Maqedonisë
    1996 – 1992 Udhëheqës artistik i veprimtarive të organizuara nga Myftinia e qytetit të Shkodrës
    1988 – 1986 Dirigjent i Festivalit kombëtar të këngës për fëmijë
    1981 – 1980 Drejtoi Ansamblin rinor të qytetit të Pukës
    1981 Dirigjent në Festivalin e Fëmijëve të qytetit të Pukës
    ÇMIME DHE VLERËSIME GJATË JETËS
    2019 Fitoi çmimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar të orkestrave frymore Shkodër.
    2018 Fitoi çmimin “Kujtim Laro” në Festivalin Ndërkombëtar të Orkestrave frymore Shkodër.
    2017 Dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin “MJESHTËR I MADH”
    2011 Fitoi çmimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar të orkestrave frymore Sarandë.
    2010 Fitoi çmimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar të orkestrave frymore Sarandë.
    2009 Fitoi çmimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar të orkestrave frymore Sarandë.
    2009 Fitoi çmimin e pare në Giulianova, Itali, në “X Festival internazionale BANDE MUSICALI”, Çmim i akorduar nga Presidenti i Republikës Italiane.
    2008 Fitoi çmimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar të orkestrave frymore Sarandë.
    2007 Dekorim nga Këshilli Bashkiak i qytetit të Shkodrës me titullin e lartë “MIRËNJOHJA E QYTETIT”
    2002 Fitoi çmimin e gazetarëve në Festivalin internazional të Ansambleve folklorike në SOÇI-RUSI me ansamblin e këngëvedhe valleve të Q. K. të Fëmijëve Shkodër.
    2002 Dekorim nga Presidenti i Republikës me urdhërin “NAIM FRASHËRI I ARGJENDTË”
    1999 Fitoi çmimin e parë në Festivalin internazional të Ansambleve folklorike në YALOVA-TURQI me ansamblin e këngëve dhe valleve të Q.K. të Fëmijëve Shkodër.
    1981 Fitoi çmim të dytë me Ansambin rinor të qytetit të Pukës, në konkursin kombëtar të rretheve të kategorisë së dytë, në qytetin e Fierit.
    BOTIME
    Këngë të zgjedhura për fëmijë (cikli i lartë), libër i botuar në 1996
    Këngë të zgjedhura për fëmijë (cikli i ulët), libër i botuar në 1996

    Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd.
    Ju mirëpresim!

  • Edmond Doko: Nëse nuk zgjidhen problemet Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të përjetojë krizë…

    Edmond Doko: Nëse nuk zgjidhen problemet Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të përjetojë krizë…

    Politikat që janë ndjekur në fushën e artit dhe kulturës herë pas here kanë sjellë reagime të artistëve të ndryshëm, sipas të cilëve nuk ka zgjidhje të problemeve në jetën artistike. Organigrama e cunguar dhe e pamjaftueshme, funksionimi jo i duhur nga pikëpamja ligjore dhe buxheti i pamjaftueshëm janë disa nga problematikat me të cilat përballet Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. Dirigjenti i njohur Edmond Doko, me përvojë pune 25 vjeçare në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në intervistën për gazetën “SOT” thotë se nëse nuk zgjidhen problemet institucioni do të përjetojë krizë. Sa i takon funksionimit të institucioneve kulturore në vend, dirigjenti Doko sjell gjithashtu në vëmendje se një nga problemet ka qenë dhe përbërja e bordeve, ku përfshihen edhe njerëz që kanë pak dhe ndonjëherë aspak lidhje me specifikat e institucioneve dhe prej tyre nuk mund të presësh mendime profesionale. Ndër të tjera probleme që shprehet dirigjenti Edmond Doko është dhe reduktimi i numrit të Orkestrave Frymore, ku sipas tij këtu ndikuan jo vetëm financimet e pakta, por dhe vendimet politike të gabuara në nivele qëndror e lokal. Shqetësuese për dirigjentin Edmond Doko është dhe fakti që në ambiente të ndryshme mbizotëron vulgariteti muzikor, ndaj sipas tij është domosdoshmëri që kënga apo vallja autentike të jetë më prezente në programet e institucioneve publike artistike, të cilat duhet ti prezantojnë ato me profesionalizëm. Dirigjenti Doko shpreh dhe kritika për çfarë ndodh me vlerësimin e projekteve artistike nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkia Tiranë, ku sipas tij duhet të rishikojnë kriteret e vlerësimit të tyre. Disa kohë më parë u bë edhe promovimi i botimit “14 këngë popullore” për kuintet tunxhi i aranzhuar nga maestro Edmond Doko, i cili shërbeu dhe si frymëzim për koncerte. Edmond Doko autori i “14 këngëve popullore” këto thesare i ka risjellë me një gjuhë muzikore bashkëkohore. Në vijim të aktivitetit të tij, dirigjenti Doko thotë se këtë periudhë i është kushtuar sistemimeve përfundimtare të disa krijimeve të ngjashme me ato të librit të sapo botuar, por që janë për formacione të tjera të muzikës së dhomës.
    -Muzika popullore lirike shqiptare erdhi në një format bashkëkohor në një koncert disa kohë më parë, ku u bë dhe promovimi i botimit “14 këngë popullore ” për kuintet tunxhi i aranzhuar nga ju. Si autor çfarë mund të na thoni më shumë rreth këtij botimi, pse zgjodhët që të përpunoni pikërisht këngë popullore lirike?
    Gjatë viteve të karrierës 25 vjeçare si dirigjent permanent i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit shpesh kam drejtuar koncerte të dedikuara këngës popullore të interpretuara nga këngëtarët tanë lirikë. Dihet që kemi trashëgimi të çmuar të këngëve popullore të përpunuara për vokale lirike. Këngë popullore të punuara për solistë e piano kemi konsiderueshëm, për solistë e orkestër simfonike jo mjaftueshëm e ndërkohë për formacione muzikore të tjera ky repertor është i mangut dhe cilësisht mesatar, për të mos thënë i papreferueshëm për t’u interpretuar nga instrumentistët. Për tu kthyer te thelbi i pyetjes suaj, zgjedhja e këngëve u “imponua” nga dëshira dhe nevoja e ansamblit muzikor të instrumenteve të tunxhit Albanian Brass Ansambel për repertor të tillë, domethënë si të thuash ishte një porosi e tyre. Fillimisht përpunova 6 – 7 këngë të njohura popullore, që i interpretuan nga ky ansambël në një projekt të veçantë e në vazhdim përsëri insistuan e kërkuan që të vazhdoja të përpunoja të tjera këngë popullore, e kështu arrita të përpunoj gjithsej 12 këngë popullore nga treva të ndryshme. Ndërkohë që shtohej numri i përpunimeve kuptova, që po përfshihesha në një proces krijues, (në rininë time kisha provuar të kompozoja në disa zhanre apo të orkestroja shpesh) ndjeva nevojën të konsultohesha e të siguroja një opinion të thelluar nga kompozitorë e muzikologë dhe prandaj ju drejtova kompozitorit Vasil Tole si dhe muzikologut Behar Arllati. Të dy më dërguan recenca profesionale pozitive, sigurisht dhe sygjerime të çmuara, të cilat i respektova, bile profesor Arllati më propozoi që të përpunoja dhe 2 këngë kosovare, të cilat i realizova dhe kështu numri i përpunimeve arriti në 14, numër konsiderueshëm mjaftueshëm për ti përfshirë në një botim që do ti vlente nxënësve, studenteve, instrumentistëve profesionistë dhe njëkohësisht do të ishte një mundësi e mirë për të promovuar muzikën e vërtetë popullore. Në përzgjedhjen e këngëve parapëlqeva të përfshij këngë nga treva të ndryshme, të cilat përtej diversitetin meloritmik, dinamik e morfologjik, të kishin të përbashkët karakterin lirik, që është një karakteret thelbësore të këngës popullore shqiptare. Dua të theksoj jam ndjerë shumë mirë që instrumentistët e Albanian Brass i interpretuan me entuziazëm këto përpunime në Prishtinë e Tiranë dhe vazhdojnë ti kenë pjesë të repertorit në aktivitetet e tyre. Botimi i librit u mundësua nga mbështetja bujare e Operës së Republikës së Kosovës, të cilën e falenderoj përzemërsisht, ndërkohë që Bashkia Tiranë, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, nuk mbështetën as botimin dhe as koncertin promovues që u realizua në bashkëpunim COD e që u përcoll me mjaft interes. Për të qenë i drejtpërdrejtë vlerësoj se Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkia Tiranë duhet të heqin dorë nga mbështetjet klinteliste apo dhe korruptive siç dhe së fundmi provohet dhe të rishikojnë me themel kriteret e vlerësimit të projekteve artistike. Faktet, jo thjesht mendimi im, sygjerojnë reformin me themel të mënyrës si duhen seleksionuar, vlerësuar, mbështetur financiarisht, por sidomos si duhen monitoruar realizimet e projekteve artistike të pavarura apo dhe projektet e institucioneve artistike qëndrore apo lokale. Është një çështje e ndjeshme dhe uroj që të përfshihen në axhendën e reformave të pritshme të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkisë Tiranë.

    -Në materialin rreth “14 këngë popullore” ju ndër të tjera shpreheni se orkestrat frymore janë trashëgimi e vyer e kulturës. Çfarë mund të na thoni më shumë për rëndësinë e këtyre formacioneve muzikore dhe pse u reduktua numri i tyre ndër vite?
    Arsyet sepse u reduktua numri i Orkestrave Frymore janë pjesërisht të njohura, por sa më shumë kalojnë vitet, përtej vështirësive kryesisht te karakterit financiar, bindem se janë vendimet politike të gabuara në nivele qendror e lokal, të shoqëruara nga apatia e komuniteteve artistike si dhe me përjashtime, nga mos interesi i përgjithësisht i komuniteteve qytetare. Them me përjashtime, sepse në qytete me tradita të hershme e të qëndrueshme si Shkodra, Berati, Korça, Elbasan e në ndonjë qytet tjetër orkestrat frymore janë aktive, pavarësisht problematikave që kërkojnë zgjidhje. Mos harrojmë që deri në 1990 pothuaj në çdo qytet funksiononte një orkestër frymore. Përpjekjet për rizgjim e rivitalizim të kësaj tradite me vlera të fuqishme kulturore nuk kanë munguar, por në mungesë të mbështetjes që duhet të buronte nga strategji të qarta politike, mbështetje financiare ky rizgjim e rivitalizim ka rezultuar i pamundur. Po jua konkretizoj: në vitin 2005 me disa kolegë krijuam Klubin kombëtar të Orkestrave frymore e në vazhdim organizuam disa festivale të Orkestrave frymore në qytetin e Sarandës, disa masterclasse ndërkohë që kisha krijuar dhe Orkestrën frymore të Bashkisë Tiranë. Festivali u shndërrua vit pas viti në ndërkombëtar dhe pikërisht pasi ai hyri në një fazë konsolidimi Ministria e Kulturës, gjatë kohës që drejtohej nga ministrja zonja Kumbaro reduktoi në minimum financimin e festivalit. Po në të njëjtin vit ish kryetari i Bashkisë Sarandë zoti Stefan Çipa për habi nuk dëshiroi që festivali të zhvillohej në Sarandë, një vendim që në thelb nuk dëmtoi vetëm festivalin, por vetë qytetin e Sarandës. Mjaftuan këto dy vendime që festivali i bandave muzikore të mbyllte aktivitetin, ndërkohë që “banditët” e vërtetë u shtuan dhe ja ku jemi: – për të krijuar një ambient sa më të bukur, entuziast në prezencë të ministres së Turizmit zonjë Kumbaro ndërkohë, në hapjen e sezonin turistik në një qytet u ftua të performojë një bandë nga ishulli fqinj i Korfuzit dhe online i kënaqur kryeministri duke ndjekur këtë performin bisedon me ministren dhe e porosit: Shumë bukur kjo bandë muzikore…të shikojmë mundësitë që të kemi dhe ne të tilla banda…etj!!!!…ironike….ishte pikërisht kjo ministre që i dha një dorë shkatërrimit të kësaj tradite. Nuk dua të zgjatem, por ndjej keqardhje që kjo traditë e hershme, e përhapur anekënd qyteteve sot është pothuaj inegzistente. Rizgjimi dhe rivitalizimi i Orkestrave frymore për mua vazhdon të mbetet një imperativ. Mbase kolegë më të rinj do te iniciojnë iniciativa të reja dhe ministria dhe bashkitë do të vlerësojnë se projekti i rizgjimit e rivitalizimit të Orkestrave frymore në të vërtetë është nevojë që i vlen kulturës qytetare, që i bën qytetet tona relevante me qytetet europiane.
    -Në ambiente të ndryshme serviret turbofolku e tallavaja si muzikë popullore, por sa dëmton kjo në krijimtarinë popullore?
    Është fakt i hidhur që publiku është i bombarduar me tallava importi apo turbofolke diletante. Kjo muzikë e bërë sfondi “gri” i trendit argëtues masiv që mbizotëron në ambientet e ndryshme publike, në Radio, TV e rrjete sociale e që kësisoj ka ndikim mjaftueshëm të lartë në publik. Nuk e teproj të them që në argëtimet popullore tradicionale si dasmat apo festa të ndryshme familjare apo komunitare kënga tradicionale popullore mungon gjithnjë e më tepër, ndërkohë, që muzika vulgare e ashtuquajtur popullore mbizotëron. Këtu nuk e kam fjalën për prezencën e DJ apo përdorimin e përfshirjen e përmirësimet e sistemeve audio apo efekteve skenike që natyrisht janë pjesë e çdo lloj performance që zhvillohen në ambiente të ndryshme, e kam fjalën për repertorët muzikore që përdoren. Mbizotëron vulgariteti muzikor dhe gjithnjë e më tepër mungon kënga apo vallja mirëfilli tradicionale, dmth shqiptare. Prandaj është domosdoshmëri që kënga apo vallja autentike të jetë më prezente në programet e institucioneve publike artistike, të cilat duhet ti prezantojnë ato me profesionalizëm, përpunuar e paraqitur me teknika bashkëkohore tingëllimi, duke shfrytëzuar aftësitë e mundësitë shprehëse të këngëtarëve, instrumentistëve, me harmonizime të thelluara e formate të reja krijuese, pa u larguar nga tingëllimet bazike burimore. Kjo nga njëra anë i bën këngët popullore të këndshme për t’u dëgjuar, dhe nga ana tjetër i propozohet publikut muzike e kultivuar kombëtare.
    -Si dirigjent në reagimet tuaja ju herë pas here keni sjellë në vëmendje problemet, që janë në fushën e muzikës, ku sipas jush duhet të dëgjohet zëri i profesionistëve. Sa është dëgjuar nga institucionet përballë problemeve me të cilat përballet krijimtaria?
    Jetojmë në një kohë ku të gjithë flasin me kompentencë për gjithçka, gjeologu për gjuhët, inxhinieri për historinë, arkitekti për muzikën, piktori për zanafillën e botës e kështu me rrallë…ky është një fenomen që rëndom ka fituar hapësira të konsiderueshme ndër panele televizive, në rrjete sociale, etj. Çoroditja e shoqërisë ka marrë përmasa qesharake deri në kufijtë e groteskut. Që dhe media ka rol në promovimin e gjithologëve apo gjithologologjisë kjo nuk do as mend e as kalem që ta konstatosh. Problemi bëhet dhe me shqetësues kur në institucione (në këtë rast e kam fjalën për institucionet kulturore) përfshihen në borde, jo rrallë dhe në pozicione drejtuese njerëz që kanë pak dhe ndonjëherë aspak lidhje me specifikat e institucioneve dhe janë aty për shkak të lidhjeve apo besnikërive politike. Kështu që prej tyre nuk mund të presësh mendime profesionale. Do të presësh gjithologji dhe aspak mendime profesionale specifike. Në panele më shumë flitet për ngjarjet artistike, për evente,  flitet për artistë, vetëpromovohen artistë, por mungojnë panele ku përshfaqen opinione, mendime apo debatohet për artin, për orientimet, fenomenet artistike apo dhe për politikat që duhet të orientojnë zhvillimet në fushën e artit e trashëgimisë kulturore. Meqenëse më jepet rasti po ngre 2-3 probleme që mbase ndonjë sy ministror i verën nëse lexon të paktën rreshtat më poshtë: TKOB ka disa nevoja emergjente që në mënyrë të përmbledhur po i rendis: Rishikimin e ligjit të pensioneve, rishikimin e organigramave, plotësimin e tyre sipas standarteve europiane, shtimi i organikës së Orkestrës Simfonike (është orkestra më e vogël e Ballkanit) dhe sigurisht dhe rishikimi i mënyrës së financimit të produksioneve skenike ndërkohë që me buxhetet që akordohen realizimi i produksioneve nuk mundësohet. Këto buxhete janë disa herë më të pakta se sa buxhetet e Operës së Kosovës. Ministria mjaftohet me ndërrimin e drejtorit të përgjithshëm, ndërkohë që prej një viti në TKOB nuk ka as dirigjent permanent dhe as drejtor artistik. Nuk besoj se në ministri nuk njihet ky realitet, por nuk shoh vullnet për zgjidhje. Natyrisht ka shumë probleme të tjera, por solla në vëmendje ato që mendoj që janë më të rëndësishme. Me këtë rast përshëndes dhe vendime siç ishte rritja e konsiderueshme e pagave apo dhe rikonstruksioni i godinës. Por mungesa e drejtorit artistik dhe pamfajtueshmëria  e buxheteve kushtëzon apo cungon kalendarin artistik. Nëse nuk zgjidhen këto problematika Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të përjetojë krizë.
    -Sipas jush sot çfarë duhet bërë më shumë nga institucionet për zhvillimin e krijimtarisë muzikore shqiptare?
    Në këtë pikë mendimet i kam të rezervuara për shkak se mendoj se është një pyetje që më mirë, më drejt e në mënyrë shteruese mund ti përgjigjen kompozitorët, që janë dhe më të interesuar për fatet e krijimtarisë së tyre. Në dijeninë time ministria në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB) ka organizuar konkurse për krijimtarinë muzikore dhe janë realizuar dhe performime të veprave fituese.
    -Projekti artistik i radhës në vijim të aktivitetit tuaj?
    Së afërmi kam një koncert jo në Tiranë dhe këtë periudhë i jam kushtuar sistemimeve përfundimtare të disa krijimeve të ngjashme me ato të librit të sapo botuar, por që janë për formacione të tjera të muzikës së dhomës.
    Intervistoi: Juljana Vrapi

  • Koncerti i Orkestrës Frymore të Durrësit, pjesë e aktiviteteve këtë sezon turistik

    Koncerti i Orkestrës Frymore të Durrësit, pjesë e aktiviteteve këtë sezon turistik

    Orkestra Frymore e Durrësit dha një koncert emocionues në sheshin “Liria”, për qytetarët dhe turistët, që zgjedhin Durrësin si destinacion. Koncerti i Orkestrës Frymore të Durrësit u zhvillua mbrëmjen e datës 4 gusht, ndërsa solli pjesë festive nga autorë shqiptarë dhe të huaj si: P.Jakova, F.Ibrahimi, Bizet, Shostakovich, Beethoven, Morricone, The Beatles, etj. Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako thotë se koncerti u zhvillua në vazhdën e aktiviteteve të shumta kulturore dhe artistike të këtij sezoni turistik. “Nën drejtimin e dirigjentit Saimir Kalaja, orkestra solli një repertor të pasur me vepra të njohura nga kompozitorë shqiptarë dhe të huaj.
    Një emocion i veçantë iu shtua koncertit falë interpretimit mjeshtëror të solistes Juna Ruçi. Tingujt e muzikës dhe entuziazmi i të pranishmëve krijuan një atmosferë festive në qytetin tonë”, shprehet Sako në rrjete sociale. Koncerti i Orkestrës Frymore të Durrësit iu bashkua aktiviteteve, që janë zhvilluar deri tani këtë sezon vere në qytetin bregdetar, ku nuk kanë munguar edhe shfaqet teatrore apo dhe koncerte të ndryshme në amfiteatrin antik të Durrësit. Disa ditë më parë në amfiteatrin antik të Durrësit u shfaq dhe premiera e komedisë “Vendi më i humbur në Shqipëri”, një produksion i teatrit “Aleksandër Moisiu”. “Vendi më i humbur në Shqipëri” është një komedi e shkruar nga Jean Pierre Martinez dhe përkthyer nga Anxhela Çikopano, që erdhi për publikun me regji nga Andia Xhunga me pjesëmarrjen e aktorëve Gentian Zenelaj, Romir Zalla, Mimoza Marjanaku, Aleksandër Seitaj, Ervin Doko, Alesia Xhemalaj, Adelina Muça, Amos Zaharia, Xheini Fama dhe Jaho Guma.
     
     
     

  • Orkestra Frymore e Durrësit, koncert dhe atmosferë festive në qytetin bregdetar

    Orkestra Frymore e Durrësit, koncert dhe atmosferë festive në qytetin bregdetar

    Sheshi “Liria” në Durrës u kthye mbrëmjen e djeshme në një skenë të hapur artistike, ku u zhvillua koncerti festiv i Orkestrës Frymore, nën drejtimin e dirigjentit Saimir Kalaja dhe me pjesëmarrjen e solistes Juna Ruci.

    Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako tha se ky aktivitet u zhvillua në vazhdën e eventeve të shumta kulturore dhe artistike të këtij sezoni turistik, ndërsa Orkestra Frymore e qytetit dhuroi një koncert emocionues për qytetarët dhe turistët që zgjedhin Durrësin si destinacion.

    Nën drejtimin e dirigjentit Saimir Kalaja, orkestra solli një repertor të pasur me vepra të njohura nga kompozitorë shqiptarë dhe të huaj.

    “Një emocion i veçantë iu shtua koncertit falë interpretimit mjeshtëror të solistes Juna Ruçi. Tingujt e muzikës dhe entuziazmi i të pranishmëve krijuan një atmosferë festive në qytetin tonë”, pohoi Sako.

    Repertori përfshiu vepra nga kompozitorë të njohur si: Prenk Jakova, Feim Ibrahimi, Bizet, Shostakovich, Beethoven, Morricone, The Beatles, ndërthurur mjeshtërisht për të sjellë një përjetim muzikor të larmishëm dhe frymëzues.

    Ky aktivitet është pjesë e kalendarit artistik të verës në Durrës, që synon të promovojë artin dhe të krijojë hapësira kulturore për komunitetin./atsh/ KultPlus.com