Tag: frashëri

  • Sot ditëlindja e Naim Frashërit, poetit të madh të Rilindjes Kombëtare Shqiptare

    Sot ditëlindja e Naim Frashërit, poetit të madh të Rilindjes Kombëtare Shqiptare

    Më 25 maj të vitit 1846 lindi në Frashër të Përmetit Naim Frashëri poeti më i madh i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, atdhetar, mendimtar, veprimtar i shquar i arsimit e i kulturës shqiptare dhe intelektuali më i njohur shqiptar i kohës së tij.

    Kur vendi u përfshi në ngjarjet e mëdha të lëvizjes çlirimtare, që do të sillnin formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878, udhëheqës i së cilës ishte Abdyli, Naimi ndihmoi për krijimin e degëve të lidhjes në Jugun e Shqipërisë, përkrahu e përhapi programin e saj. Më 1880 shkroi vjershën e gjatë “Shqipëria”, në të cilën shpalli idetë kryesore të Rilindjes.

    Më 1881 Naimi u vendos përfundimisht në Stamboll, ku u bë shpirti i Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip dhe i lëvizjes së atdhetarëve shqiptarë. Iu kushtua çështjes kombëtare, punoi për ngritjen e shkollës shqipe dhe hartoi libra për të, shkroi vjersha, përktheu e botoi vazhdimisht, duke ndihmuar për zhvillimin e letërsisë sonë, për botim edhe të shumë veprave të autorëve të tjerë.

    Naim Frashëri vuri themelet e letërsisë kombëtare shqiptare. Vepra e tij shënoi lindjen e një letërsie të re me vlera të vërteta artistike që shprehte aspiratat e shoqërisë shqiptare të kohës dhe ndikoi fuqishëm në luftën e saj për liri e progres.

    Vepra e tij vuri bazat e gjuhës letrare kombëtare shqipe, e cila do të njihte më vonë një zhvillim të mëtejshëm, për të arritur gjer në shqipen e sotme letrare kombëtare të njësuar e të zhvilluar.

    Veprat e Naimit janë: “Ëndërrimet”, “Shqipëria”, “Bagëti e Bujqësi”, “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”, “Vjersha për mësonjtoret e para”, “Lulet e verës”, “Historia e Skënderbeut”, “Qerbelaja”, “Fjalët e Qiririt” etj.

    Ai vdiq më 20 tetor 1900 në lagjen Erenqoj të Stambollit, ku edhe u varros. Eshtrat e tij janë sjellë në Shqipëri në vitin 1937.

     

  • Tensionohet situata te ‘Sami Frashëri’, Policia nxjerr jashtë vëzhguesit dhe mediat

    Tensionohet situata te ‘Sami Frashëri’, Policia nxjerr jashtë vëzhguesit dhe mediat

    Situata te qendra e numërimit të votave te shkolla Sami Frashëri në Tiranë paraqitet tejet e tensionuar.
    A2 CNN ka siguruar pamjet, ku duket se efektivët e Policisë po nxjerrin jashtë ambienteve të numërimit të votave vëzhguesit, gazetarët dhe operatorët e mediave.
    Ende nuk dihen arsyet e kësaj situate të tensionuar, por kujtojmë se kjo lëvizje nuk është në përputhje me kodin zgjedhor.

  • Llatja: Shkolla me histori të artë në Elbasan hyn në fazën e transformimit total

    Llatja: Shkolla me histori të artë në Elbasan hyn në fazën e transformimit total

    Shkolla “Naim Frashëri” në Elbasan do të jetë një nga kantierët e hapur, pjesë e investimeve për transformimin e infrastrukturës arsimore duke iu nënshtruar një rikonstruksioni total.
    Ky investim i shumëpritur do të sjellë ndryshime thelbësisht pozitive për 730 nxënës që do të mësojnë në mjedise të reja me kushte bashkëkohore si dhe për 72 mësuesit që kontribuojnë çdo ditë në edukimin e brezave të rinj.

    Rikonstruksioni total do të përfshijë ndërhyrje të thelluara në të gjithë strukturën e shkollës, duke garantuar siguri, komoditet dhe standarde moderne për një mjedis të denjë arsimor.
    “Arsimi është themeli i të tashmes dhe të ardhmes, ndaj përmes këtij investimi dhe jo vetëm, po ndërtojmë më shumë mundësi për fëmijët dhe nxënësit e Elbasanit”, tha kryetari i bashkisë Gledian Llatja. Prej më shumë se një dekade kjo shkollë kryente mësimin me dy turne dhe gjithnjë ka qenë kërkesë e kreut të bashkisë, duke lobuar në ministrinë dhe qeverinë për rikonstruksionin total të kësaj shkolle të vjetër në Elbasan, e cila ka nxjerrë breza të talentuar nxënësish për më shumë se 50 vite, duke ruajtur një muze të vyer me figurat që u kanë dhënë zë arsimit në Elbasan…
    Pak histori për shkollën “Naim Frashëri”
    E themeluar për herë të parë në vitin 1908, shkolla “Naim Frashëri” është një ndër institucionet më të hershme arsimore në qytetin e Elbasanit. Godina aktuale ku funksionon shkolla është ndërtuar në vitin 1967 dhe që prej asaj kohe ka shërbyer si një vatër e rëndësishme formimi për breza të tërë nxënësish. Me një traditë të gjatë dhe staf të përkushtuar pedagogjik, shkolla ka ruajtur një identitet të fortë arsimor, duke kontribuar ndjeshëm në edukimin e fëmijëve të qytetit. Brenda saj ndodhet edhe një kënd muzeal, që përkujton figurat më të shquara që kanë kontribuar në historinë e arsimit në Elbasan. Me këtë rikonstruksion, ajo nuk do të jetë vetëm një shkollë moderne, por edhe një simbol i respektit për trashëgiminë dhe përkushtimit për të ardhmen.

  • Manastirliu nga gjimnazi “Sami Frashëri”: Investime të reja në infrastrukturë, pajisje për 80 laboratorë modernë për shkolla

    Manastirliu nga gjimnazi “Sami Frashëri”: Investime të reja në infrastrukturë, pajisje për 80 laboratorë modernë për shkolla

    Katër laboratorët e shkencave në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë janë pajisur me materiale të reja didaktike për biologjinë, fizikën dhe kiminë, si pjesë e investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Qëllimi i këtij investimi është përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies, duke krijuar kushte bashkëkohore dhe praktike për nxënësit.
    Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, vizitoi ambientet e reja të laboratorëve dhe theksoi rëndësinë e përhapjes së këtij standardi në të gjitha shkollat e vendit, pavarësisht vendndodhjes së tyre.

    “Janë 80 laboratorë, të cilët janë pajisur me mjete didaktike këtë vit, do të vijojmë më pajisjen e shkollave në vijim sepse është e nevojshme që çdo shkollë, qoftë në qendër, qoftë në periferi, qoftë në fshat, qoftë në qytet, të krijojë mundësi që nxënësit të mësojnë njësoj, me të njëjtin standard”, tha Ministrja Manastirliu.
    Pajisja e laboratorëve përfshin shkollat e arsimit bazë dhe të mesëm, me synimin për të nxitur aftësitë kërkimore dhe analitike të nxënësve përmes mësimdhënies moderne dhe interaktive.
    Gjatë takimit me nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, Ministrja Manastirliu vlerësoi angazhimin e tyre dhe theksoi rëndësinë e vijimit të investimeve në këtë drejtim:
    “Arritjet tuaja na bëjnë të ndihemi mirë dhe na bëjnë të investojmë akoma më shumë në kapacitetet laboratorike dhe në të gjithë materialet didaktike të nevojshme, që puna kreative dhe puna laboratorike të mundet që të jetë sa më shumë komplementare për të gjitha njohuritë teorike që ju merrni”, u shpreh Manastirliu.
    Zhvillimi i laboratorëve STEM është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit arsimor, duke i ofruar nxënësve mundësinë për të zhvilluar aftësi praktike në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Këto laboratorë jo vetëm që nxisin kreativitetin dhe punën në grup, por përgatisin gjithashtu të rinjtë për tregun e punës dhe për karriera të suksesshme në fusha me kërkesë të lartë për ekspertizë shkencore dhe teknologjike.