Tag: formë

  • ‘Kur qëllimi është i drejtë, çdo formë është e pranueshme’, Balliu apel shqiptarëve: Kemi nevojë për njëri-tjetrin

    ‘Kur qëllimi është i drejtë, çdo formë është e pranueshme’, Balliu apel shqiptarëve: Kemi nevojë për njëri-tjetrin

    “Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për shqiptarët. Kemi nevojë për njëri-tjetrin për largimin e kësaj qeverie”.
    Këtë mesazh përcolli për qytetarët nga bulevardi Dëshmorët e Kombit, deputeti demokrat Klevis Balliu në nisje të foltores së dytë të opozitës para Kryeministrisë.
    “Bulevardi do të mbushet si herën e fundit. Sot ka rëndësi që ka dakordësi mbarëkombëtare që kjo është një qeveri me vjedhje seriale. Nuk ka ditë që të mos u dalë një skandal në vjedhjeje. Tani mbetet një mision e detyrim kombëtar për ju, për mua e për çdo qytetar të këtij vendi që të bëjmë gjithçka për të larguar një qeveri që ka humburi çdo të drejtë ligjore e morale. Këtu bëhet fjalë për dorëheqjen e Ramës pasi ata qartazi nuk kanë asnjë plan për rregulluar interesat e qytetarëve”, tha Balliu.
    Balliu theksoi se çdo formë reagimi është e pranueshme përballë regjimit siç e cilësoi ai të Edi Ramës, që nuk lejon zgjedhje.
    “Kur qëllimi është i drejtë, çdo formë është e pranueshme. Do të ketë edhe forma të tjera si çdo regjime dhe ky duhet të rrëzohet nga sheshet. Që të ketë zgjedhje duhet të largohet regjimi se ky regjim nuk lejon zgjedhje. E vetmja mundësi për të patur zgjeshje të lira e të ndershme është largimi i regjimit”.
    Deputeti demokrat akuzoi qeverinë për largimin dhe varfërimin e shqiptarëve, në një kohë që ka rritur buxhetin e vet.
    “55% e shqiptarëve nuk mund të mbyllin dot muajin. Ose të lëmë këta që vjedhin qytetarët, ose të ikin në emigrim, ose të largojmë këta. Është e vetmja qeveri në 12 vjet që krenohet që ka rritur buxhetin e vet. Këta kanë rritur buxhetin e vet duke pakësuar atë të shqiptarëve, qytetarët sot taksohen 3 herë më shumë se në 2013”.

  • Muçi priste ftesë në Kombëtare por…, situata e tij e bën “me turp” Silvinjon

    Muçi priste ftesë në Kombëtare por…, situata e tij e bën “me turp” Silvinjon

    Adriatik BALLA
    Trajneri i Kombëtares Silvinjo është sy e veshë nga dueli I nesërm me Andorrën. Ai ka objektiv fitoren dhe për këtë duhet të hartojë një sttrategji në fushë për të dalë faqebardhë. Për këtë në radhë të parë I duhen lojtarët e duhur, ata që janë më në formë. Në fakt, në listën e tij mungojnë disa kualitete e mes tyre Ernest Muçi. Mungesa e tij muajt e fundit është parë si një lënie mënjanë e lojtarit dhe kulmin e situatës e shpjegon vetë futbollisti, kur në media ka deklaruar se është në formë të mirë sportive, gjë që I mbyll gojën Silvinjos që thotë ka ftuar lojtarë në formë në ekip.
    Situata dhe qëndrimi i Muçit
    Ernest Muçi pritej të ishte sërish pjesë e Kombëtares, por për të nuk pati vend as në dy ndeshjet vendimtare të këtij muaji. Trajneri Silvinjo e la jashtë grumbullimit të kuqezinjve për kualifikueset e Botërorit 2026. Deri në vendimin për të mos e ftuar, ka pasur lëvizje të rëndësishme për karrierën e mesfushorit shqiptar. Më 29 gusht, Silvinjo shpalli listën për miqësoren me Gjibraltarin dhe sfidën kualifikuese ndaj Letonisë. Pjesë e saj si mesfushor ishte edhe Ernest Muçi. Më 1 shtator, nga FSHF u njoftua se përveç Adrian Bajramit të larguar, për kuqezinjtë nuk do të ishte i gatshëm as Muçi. “Pjesë e Kombëtares për dy ndeshjet e shtatorit nuk do të jetë as Ernest Muçi, i cili ka vuajtur nga dhimbje të mesit me shenja të inflamacionit të diskut.
    Pas konsultimit me stafin mjekësor të klubit dhe doktorin e Kombëtares, është vendosur që ai të mos thirret për këto ndeshje”. Vetëm pesë ditë më vonë, erdhi huazimi i Muçit nga Beshiktashi te Trabzonspori. “Jam plotësisht gati fizikisht. Jam në 100% të formës sime dhe mezi po e pres të nis sezonin”, u shpreh Muçi në deklaratën e tij të parë, pikërisht atë ditë. Nga ai moment, 24-vjeçari u harrua te Kombëtarja. Silvinjo nuk e ftoi as për ndeshjet e tetorit, as të këtij muaji. Hera e parë në drejtimin e trajnerit brazilian, që Muçi qëndron për një kohë kaq të gjatë jashtë skuadrës. Me Trabzonsporin ndërkohë numëron tetë paraqitje deri tani. Gjatë kësaj kohe nga ana e tij janë regjistruar 333 minuta. Në katër takime ka veshur fanellën e titullarit. Ndërkohë akoma nuk është kthyer në faktor te Tabzonspori, që ka besim të madh tek aftësitë e tij. Dje në Turqi është publikuar një shkrim, që tregon se vendimi i Silvinjos për të mos e ftuar ka tronditur Muçin. Sipas “61saat” ishte një vendim që nuk pritej nga ana e futbollistit shqiptar.
    E ardhmja
    Lojtari luan në kampionatin turk. Ai ka pasur ecuri jo të qëndrueshme për shkak të aktivizimit me periudha. Por kualiteti I tij nuk ëhstë vënë asnjëherë në diskutim. Muçi është futbollist me të dhëna spektakolare dhe mund të përmirësohet shumë. Ai është në situatë që mund të bëjë shumë më mirë. Muçi me qëndrimet e tij I ka dhënë Silvinjos të kuptojë se është lojtar që e Meriton ftfesën. Por trajneri në këtë moment ka gjetur ekuilibrat e duhur me një kontiugjent tjetër. Gjithsesi, mungesa e Muçit në Kombëtare është moment reflektimi për stafin kuqezi.

  • Juventusi i Spallettit po merr formë, por është ende i ngadaltë dhe pa ekuilibrin e duhur në sulm

    Juventusi i Spallettit po merr formë, por është ende i ngadaltë dhe pa ekuilibrin e duhur në sulm

    11 Nëntor 2025

    7:43

    Alfred Lleshi

    Pas barazimit 0-0 me Torinon, në ndeshjen e tretë nën drejtimin e Spallettit, Juventusi fillon të tregojë identitetin e tij, por puna për t’i dhënë ekuilibër skuadrës mbetet e madhe. Pikat pozitive janë konfirmimi i sigurisë së Di Gregorio, roli i rëndësishëm i McKennie, potenciali i Zhegrova dhe roli i ri për Koopmeiners.
    Holandezi po përshtatet gjithnjë e më mirë në rolin e mbrojtësit, duke ndihmuar në ndërtim dhe shtyrje, sidomos në krahun e majtë me Cambiaso dhe Yildiz. Skema 3-4-2-1 e Spallettit po merr formë, por regjisë i mungon vertikaliteti, ndërsa qendra e mbrojtjes kërkon akoma kohë. McKennie me lëvizjet e tij krijoi hapësira për Conceição dhe Zhegrova, megjithë ishte një mbrëmje jo e mirë për Vlahovic dhe Yildiz.
    Në sulm, treshja Conceição–Yildiz–Vlahovic nuk duket ende kombinimi i duhur. Zëvendësimet me Zhegrova dhe David sollën më shumë cilësi, ndërsa prania e Openda e mban ende të hapur skemën ofensive të Spallettit. Pra, duket qartë se Juventusi mbetet një “kantier në ndërtim”.
     

  • Vdekja e skenarit, ose zhdukja e arkitekturës së mendimit

    Vdekja e skenarit, ose zhdukja e arkitekturës së mendimit

    Marsel Lela dhe Agim Bajko

    Nga Marsel Lela

    “E kundërta e lirisë nuk është skllavëria, por zbrazëtia.” — Milan Kundera

    *

    Në një kohë kur improvizimi është bërë doktrinë, ndërsa spontaniteti kthehet në virtyt publik, skenari – si formë, si disiplinë dhe si art i ndërtimit të kuptimit – duket se e ka humbur vendin e vet. Në këtë ese, jam përpjekur të vështroj me syrin e njeriut të fjalës vdekjen e skenarit dhe të skenaristit, duke e lexuar këtë jo si fund të një profesioni, por si simptomë të një krize më të thellë: humbjes së arkitekturës së mendimit në kulturën bashkëkohore.

    *

    Ka vdekje që ndodhin pa bujë, pa trishtim publik, pa ndonjë shpallje zyrtare. Ato nuk i gjen në formë lajmërimesh të ngjitura nëpër mure, apo pemë, si vdekjet njerëzore. Thjesht, një ditë kupton se diçka që dikur ishte gjallë, frymonte, ushqente artin dhe mendimin, nuk është më. Ashtu ka ndodhur me skenarin. Ai nuk u vra nga censura, as nga ideologjia. U shua nga harresa — ajo formë e re, e heshtur, e përhumbur e vdekjes që vjen kur shoqëria lodhet nga mendimi.

    Dhjetë vjet më parë kisha shkruar një artikull të shkurtër për rrezikun e zhdukjes së skenarit dhe skenaristit. Nuk ia kam idenë se ku ka përfunduar ky artikull, por mjerisht, sot e shoh se ajo profeci e bërë një dekadë më parë është përmbushur. Nuk e mohoj se asokohe më trembte ideja se ne skenaristët “ishim si dinosaurët, të destinuar të zhdukeshim nën meteorët e spontanitetit dhe klikimeve”.

    Në ekranet shqiptare, në emisione që dikur kishin ide, tekst dhe përgatitje, sot mbretëron improvizimi. Në vend të skenarit kemi “skaletën”; në vend të skenaristit – redaktorin teknik, dhe në vend të rrëfimit – reagimin. Kultura audiovizuale është bërë si një pasqyrë e copëzuar që reflekton vetëm kaos, jo kuptim.

    ARKITEKTURA QË MUNGON

    Skenari nuk është thjesht një tekst për t’u lexuar apo për t’u luajtur. Ai është arkitektura e mendimit – mënyra për t’i dhënë realitetit formë dhe frymëmarrje. Një skenar i mirë nuk lind nga rastësia, por nga disiplina e përsiatjes, nga kërkimi i ritmit dhe strukturës.

    Në Shqipëri, kjo mungesë ndihet dukshëm. Mjafton të shohësh shumicën e emisioneve të mbrëmjes: ato janë ndërtuar mbi “biseda të çastit” dhe jo mbi ide. Një garë se kush të flasë më shumë, kush të bërtasë më fort dhe kush të dëgjojë më pak – ndërkohë që shohin celularët në vend që të dëgjojnë bashkëbiseduesin. Kontrasti alarmant i larushisë së të ftuarve dhe temës së emisionit është tjetër hesap. Dëgjon analiza politike nga njerëz të modës dhe kritikë letrare nga shefa kuzhine. Një tregues që në hapësirën mediatike shqipfolëse këpucari rri gjithëkund, përveçse te këpuca. Nga ana tjetër, moderatorët shfaqen si “bartës të batutave”, jo si udhëheqës të një rrëfimi.

    E njëjta gjë edhe tek shfaqjet e humorit. Në vend të dramaturgjisë televizive që dikur e kishte, fjala bie, “Portokallia” në vitet e para, sot kemi rrëmujëra të pashpirta improvizimesh, ku çdo aktor është edhe autor, edhe interpretues, edhe komentues – dhe për këtë, gjithnjë i shpërblyer me honorarin që dikur i takonte skenaristit.

    E njëjta zbrazëti shihet në emisionet ku “debati” është zëvendësuar nga “përçartja”: një përplasje spontane, pa asnjë ndërtim logjik apo tematik. Skenari si strukturë, si ndërgjegje profesionale, ka vdekur – dhe bashkë me të edhe logjika e mendimit publik.

    Në këtë kontekst na vjen ndërmend edhe shprehja e urtë e skenaristit të talentuar shkodran Paulin Selimi:

    “Nuk ka vdekur humori, ka vdekur kultura e të shkruarit.”

    Mungesa e humorit cilësor nuk vjen nga mungesa e talentit apo e ironisë tek njerëzit, por nga rënia e standardeve kulturore, nga humbja e përkushtimit ndaj skenarit, strukturës, fjalës dhe mendimit të përpunuar. Kjo shprehje është më shumë se një shigjetë kritike; është një diagnozë kulturore. Ajo nënkupton se humori i mirëfilltë nuk mund të ekzistojë pa një kulturë të shkrimit që e ushqen. Pa strukturën, ritmin dhe ironinë e menduar që i jep jetë një skenari, humori bëhet zhurmë, jo reflektim. Aty ku teksti ende ka peshë, shfaqja nuk është thjesht zbavitje, por një formë e mendimit shoqëror.

    SHEMBUJ PËRTEJ KUFIJVE – KULTURA GLOBALE E IMPROVIZIMIT

    Ky fenomen nuk është vetëm shqiptar. Në shumë vende perëndimore, sidomos në epokën e reality show-t dhe streaming content, skenari është zëvendësuar nga “koncepti”. Netflix, për shembull, mbështetet gjithnjë e më shumë te “formati i përsëritshëm” sesa te rrëfimi i thellë. Seritë e filmave serialë që transmetohen aty, në pjesën më të madhe janë bërë si produkte teknike, ku përmbajtja përshtatet sipas algoritmit të shikueshmërisë.

    Këtu, shkrimi nuk udhëheq më krijimin – të dhënat e shikueshmërisë e bëjnë këtë.

    Në kontrast me këtë zbrazëti, shembuj si seria britanike “Black Mirror”, apo filmat e Christopher Nolan dhe Asghar Farhadi, tregojnë se aty ku ekziston skenari, ekziston edhe ideja, dilema etike, struktura dramatike. Pra, nuk është bota që nuk di më të shkruajë; është tregu që nuk ka më durim ta lexojë.

    FITORJA E IMPROVIZIMIT, HUMBJA E MENDIMIT

    Në kohën e të menjëhershmes, skenaristi është bërë i padukshëm. Ai kërkon kohë, reflektim, një lidhje me tekstin që nuk prodhon “shpërndarje”, por kuptim. Për këtë arsye, ai është bërë i panevojshëm në sistemin ku suksesi matet me klikime dhe jo me ide.

    Në vend të tij, ka triumfuar improvizimi. Por improvizimi, kur humbet mendimin, nuk është më liri — është lodhje estetike, një përpjekje për të fshehur boshllëkun pas spontanitetit.

    E shohim këtë në formatet shqiptare të huazuara (“BBV”, “Love Island”, “Dancing with the Stars”) që jetojnë jo nga skenari, por nga “ndodhitë e rastësishme”. Shfaqjet bëhen të suksesshme sa herë ndodh diçka “e paparashikuar” – pra, sa herë mungon çdo formë e shkruar mendimi.

    ASGJË JASHTË SKENARIT – FENOMENI BYPASS SHOW DHE AGIM BAJKO

    Në vitet kur isha skenarist i “Bypass Show”, pata fatin dhe privilegjin të punoja me Agim Bajkon, “Mjeshtër i Madh”, një aktor dhe aristokrat i skenës, që e shndërronte disiplinën artistike në një formë të lartë etike. Si moderator dhe drejtor artistik i emisionit, Bajko kishte disa parime të panegociueshme: i pari, asnjë banalitet; i dyti, asgjë jashtë skenarit.

    Në një kohë kur televizioni shqiptar, si shumë të tjerë në botë, po rrëshqiste drejt improvizimit të pafund, drejt “spontanitetit” që shitet si autenticitet, Bajko zgjodhi rrugën e kundërt: të mbrohej skenari si një formë e dinjitetit profesional. Ai e dinte që çdo fjalë e shkruar, çdo pauzë, çdo intonacion i parashikuar në tekst, kishte një arsye të brendshme — një ritëm, një muzikalitet, një sens që nuk mund të shpikej në moment. Ai mund të improvizonte sa të donte, sepse ishte mjeshtër i skenës, por për dhjetë vjet që punuam bashkë nuk doli asnjëherë jashtë skenarit. Jo për mungesë guximi, por nga besimi se arti i vërtetë nuk ka nevojë të shpëtojë vetveten me improvizime.

    Në këtë qëndrim kishte diçka fisnike dhe njëkohësisht të dhimbshme: sepse Bajko e kuptonte se skenari po vdiste. Jo si formë teknike, por si mënyrë të të menduarit. Sot, në shumicën e ekraneve, “programi” është zëvendësuar nga “biseda”, “formati” nga “rasti”, “teksti” nga “instinkti”. Kudo dëgjon shprehje si “ta mbajmë më spontan”, “të mos i lexojmë shumë tekstet”, “të dalim pak nga skenari” — dhe kjo dalje e pafund nga kornizat e fjalës së menduar është, në thelb, një ikje nga përgjegjësia. Sepse skenari është përgjegjësi: të mendosh përpara se të flasësh, të ndërtosh përpara se të shfaqesh.

    “Bypass Show”, me të gjitha kufizimet dhe formatin e vet, mbeti për më shumë se një dekadë një strehë e rrallë e mendimit të shkruar në televizion. Ishte një laborator ku çdo batutë kalonte nëpër sitën e arsyes, ku çdo skenë ndërtohej me kujdes, ku satira nuk lindte nga shfryrja, por nga analiza. Dhe kjo ishte merita e atyre parimeve që Bajko nuk i lëvizi kurrë: asnjë banalitet, asgjë jashtë skenarit.

    Nëse sot “vdekja e skenarit” është një fakt, ajo nuk ndodhi nga mungesa e shkruesve, por nga humbja e respektit ndaj tekstit. Televizioni modern, i përthithur nga shpejtësia dhe gara për vëmendje, nuk ka më kohë të lexojë, e aq më pak të rishkruajë. Ai preferon “momentin” ndaj strukturës, “efektin” ndaj kuptimit, “shpërthimin” ndaj ndërtimit. Dhe kështu, vdes skenari — jo si dokument, por si ide e disiplinës estetike.

    Kur mendoj për ato vite me Agim Bajkon, e kuptoj se ndoshta ne ishim brezi i fundit që ende besonte se një emision satirik mund të ketë arkitekturë, jo vetëm humor; mund të ketë moral, jo vetëm efekt. Bajko e mbrojti skenarin deri në fund, me një përkushtim që sot duket anakronik, por që në fakt ishte parashikues: ai e dinte se pa tekst, arti kthehet në zhurmë.

    Prandaj, çdo herë që dëgjoj sot dikë të thotë me krenari “nuk kishim skenar, por na shpëtoi improvizimi”, më kujtohet qetësia e Gimit në zyrë, përkulja e tij mbi letër, dhe ai rregull i pathyeshëm që i dha kuptim gjithë asaj pune: “Skenari është shpirti i respektit ndaj publikut.”

    SKENARISTI SI PRIFT I RENDIT SHPIRTËROR

    Dikur, skenaristi ishte më shumë se autor: ishte një prift i rendit të brendshëm. Ai kuptonte se arti kërkon strukturë, se jeta dramatike ka nevojë për tension, se fjala duhet të ndërtohet përpara se të interpretohet.

    Në teatrin shqiptar, për shembull, një pjesë e madhe e repertorit të ri vjen nga “dramaturgjia e improvizuar” – aktorët krijojnë në prova, pa tekst të plotë. Por kjo liri, e pamenduar, sjell shpesh pështjellim në skenë: ngjarja humb qendrën, personazhi humb motivin, ndërsa publiku del pa kujtesë.

    Në kontrast, kujto “Tangon” e Mihal Luarasit apo “Njollat e murrme” të Minush Jeros – vepra që jetojnë ende sepse janë ndërtuar mbi skenar, mbi tekst që ngjiz kuptim dhe tension moral.

    RIKTHIMI I HUMBUR

    Të kërkosh rikthimin e skenarit sot është si të kërkosh kthimin e disiplinës në një botë që adhuron kaosin. Por arti i vërtetë ka lindur gjithmonë nga ata që kanë pasur guximin të mos dorëzohen përballë rrëmujës.

    Rikthimi i skenarit është akt shpëtimi. Ai rikthen formën, përgjegjësinë, ritmin dhe kujtesën. Ai është mënyra për ta shpëtuar njeriun nga përkohshmëria e vet. Sepse aty ku mungon struktura, mungon edhe mendimi; dhe aty ku mungon mendimi, mbetet vetëm zhurma.

    Në fund, skenari nuk është thjesht një tekst: është arkitektura e kuptimit — mënyra e vetme për ta mbajtur të gjallë shpirtin në një epokë që çdo ditë prodhon përmbajtje, por gjithnjë e më pak ide.

    Dhe ndoshta, kur improvizimi të lodhet nga vetvetja, do të kthehemi sërish te ajo fjalë e harruar, që dikur i jepte jetës kulturore dhe artistike rend e kuptim: skenari.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    MARSEL LELA: KU ËSHTË ATDHEU?

  • “Jam në formë, kam mentalitetin e duhur”, Akanji: Interi do luftojë për trofe, e ardhmja…

    “Jam në formë, kam mentalitetin e duhur”, Akanji: Interi do luftojë për trofe, e ardhmja…

    Manuel Akanji, mbrojtësi i Interit prekur tema të ndryshme, në një intervistë të dhënë së fundmi. Ai u ndal te fitorja “in extremis” ndaj Veronas dhe tek, e ardhmja.
    “Triumfi 1-2 ndaj Veronas- Gjëja më e rëndësishme ishte fitorja. Ishte një ndeshje e vështirë, por besuam deri në fund dhe morëm tri pikë shumë të rëndësishme. Po e shijoj shumë kohën time te Interi.

    Dal në fushë me mentalitetin e duhur dhe ndihem në formë të shkëlqyer. Kam marrëdhënie të mira me stafin dhe me shokët e ekipit.
    E ardhmja? Do ta shohim në fund të sezonit, por shpresoj shumë të qëndroj, ndihem vërtet mirë këtu”- tha Akanji.

    © BalkanWeb

    Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb

  • Shfaqet dramatizimi “Eposi shqiptar”, “Lahuta e Malcis” merr formë të re në skenën e Lezhës

    Shfaqet dramatizimi “Eposi shqiptar”, “Lahuta e Malcis” merr formë të re në skenën e Lezhës

    Në Pallatin e Kulturës në Lezhë u shfaq dramatizimi “Eposi Shqiptar”, një formë e re artistike për të prezantuar “Lahutën e Malcis” të At Gjergj Fishtës. Përmes ndërthurjes së aktrimit, muzikës, kostumografisë tradicionale dhe skenografisë simbolike, krijuesit sollën në skenë një mënyrë ndryshe për ta përjetuar veprën madhore të poetit.
    Shfaqja, me dramatizim dhe regji të Kol Kunorës, u realizua me interpretimin e aktorëve Mark Hilaj, Mario Paloka, Keslin Perdoda, Alesia Alcani dhe Gerald Ndreca, ndërsa Pretash Nilaj (Mjeshtër i Madh) përcolli tingujt autentikë të lahutës.
    Regjisori Kol Kunora u shpreh se ky koncept është vetëm fillimi i një cikli të ri prezantimesh të “Lahutës së Malcis”.

    “E kam pasur detyrim prej kohësh që ‘Lahutën e Malcis’ ta sillja në skenë në një formë më të plotë. Ajo është shumë e gjatë, dhe jemi munduar të ndërthurim ngjarjet më pikante që lidhen me Lezhën. Mendova ta krijoja me dramatizimin e pesë personazheve bashkë” , shprehet regjisori Kol Kunora
    Edhe për aktorët, interpretimi i kësaj vepre mbetet një sfidë për nga thellësia e gjuhës dhe emocionit që kërkon, por një mënyrë e denjë për ta ringjallur Fishtën në skenë.
    “Ishte diçka interesante dhe e veçantë në krahasim me herët e tjera. Gjatë kohës që kam bërë provat me regjisorin ose kam marrë pjesë në këtë projekt, kuptova sa pak e njoh Fishtën.”“Realisht, Fishta ka qenë një autor që e kam pasur shumë për zemër, dhe kur mu dha mundësia isha shumë e lumtur. Është një autor shumë i vështirë për t’u interpretuar nga të rinjtë.”
    Sipas aktorëve, kjo mund të jetë hera e parë në vitet e fundit që dramatizohet një vepër e Fishtës. Ky projekt kulturor, pjesë e Tetorit Fishtjan dhe i mbështetur nga Bashkia Lezhë, synon të sjellë trashëgiminë e poetit kombëtar në një formë bashkëkohore dhe të ndjeshme për publikun.
    /vizionplus.tv

  • Teknologjia ‘shkrihet’ me natyrën, robotët marrin formën e luleve

    Teknologjia ‘shkrihet’ me natyrën, robotët marrin formën e luleve

    Shkencëtarët e University of North Carolina kanë krijuar robotë mikroskopikë në formë lulesh që ndryshojnë formë dhe sjellje sipas mjedisit, njësoj si organizmat e gjallë. Këto “lule ADN-je” përbëhen nga kristale speciale që formohen nga shkrirja e ADN-së me materiale inorganike. Ato mund të palosen e shpalosen brenda disa sekondave, çka i rendit ndër materialet më dinamike të krijuara ndonjëherë në përmasa kaq të vogla.
    Çdo lule ADN-je vepron si një program i vogël kompjuteri që i tregon si të lëvizë dhe reagojë. Kur mjedisi ndryshon si për shembull aciditeti rritet ose ulet, lulja hapet, mbyllet ose shkakton një reaksion kimik. Kjo do të thotë se një ditë këta robotë mund të veprojnë vetë, nga transportimi i barjnave në organizëm deri te pastrimi i mbetjeve.
    “Njerëzve do t’u pëlqente që të kishin kapsula të zgjuara që aktivizojnë barnat automatikisht kur dallojnë sëmundje dhe ndalojnë kur shërohen. Në teori, kjo është e mundur me materialet tona që ndryshojnë formë”, tha Ronit Freeman. “Në të ardhmen, lulet e gëlltitshme apo të implementueshme mund të krijohen për të dërguar një sasi të caktuar barnash, të kryejnë një biopsi apo të largojnë një trombozë gjaku.”
    Ideja e luleve erdhi nga procese natyrore si hapja e petaleve, pulsimi i koraleve dhe indet që krijohen te organizmat e gjallë. Shkencëtarët dëshirojnë t’i kthejnë këto veçori në materiale artificiale.
    Çelësi i suksesit është vendosja e ADN-së brenda kristaleve si lule. Kur mjedisi bëhet acid, disa pjesë të ADN-së mbyllen fort dhe bashkë me to, edhe lulja. Kur kushtet e mjedisit normalizohen, ADN-ja zgjerohet dhe petalet hapen sërish. Kjo lëvizje e thjeshtë, por e fuqishme mund të përdoret në kontrollimin e reaksioneve kimike, përçimin dhe çlirimin e molekulave si dhe ndërveprimin me qelizat e indet.
    Edhe pse teknologjia është ende e hershme, një ditë këto lule mund të injektohen në trup për të shëruar tumoret.
    Përtej mjekësisë, mund të çlirohen agjentë pastrues në ujin e ndotur dhe të shpërbëhen pasi të jetë pastruar. Njëkohësisht mund të ruajnë sasi gjigante informacioni, deri në 2 trilionë GB në një lugë çaji.

  • Champions rikthen spektaklin, do të fillojnë sot ndeshjet e javës së tretë të turneut gjigand

    Champions rikthen spektaklin, do të fillojnë sot ndeshjet e javës së tretë të turneut gjigand

    Përplasja e madhe është rezervuar për të mërkurën.
    Gjithsesi, Champions rinis këtë të martë dhe sfida kryesore është ajo mes Leverkusenit e Paris SG.
    Kampionët e Europës, që padyshim cilësohen favoritë edhe pse luajnë në Gjermani, janë përgatitur në qetësi, ndonëse situatën në kampionatin francez nuk e kanë nga më të mirat.
    Marseja është kthyer në pretendime, edhe pse trajneri Luis Enrike për momentin mendon vetëm për Ligën e Kampionëve dhe për Leverkusenin.
    Shqetësime ka si Markinjos, Fabian Ruiz apo Nevesh.
    Trajneri spanjoll vlerësoi rivalin e radhës, ndërsa shprehu kënaqësinë që në ekip është kthyer fituesi I Topit të Artë, Usman Dembele, që ka lënë pas dëmtimin.
    Edhe Leverkuseni ka problemet e veta.
    Plot shtatë lojtarë mungojnë ose janë në dyshim si Lukas Vaskez, Ezekiel Palasios, Aksel Tape, Natan Teja, Malik Tilman, Xherel Kuensah dhe Patrik Shik.
    Në fushë edhe Mançester Siti.
    Anglezët janë rikthyer në formë dhe pretendojnë edhe në Premier Ligë, edhe në Champions, duke qenë në vendin e dytë në vendin e tyre.
    Algjeriani Marmush më në fund është në skuadër dhe mund të rikthehet nga dëmtimi, ashtu si edhe Ait Nuri, ndërsa mungon Rodri.
    Siti ka me vete edhe bilancin pasi I ka fituar dy ndeshjet e mëparshme ndaj Vijarrealit.
    Trajneri I “qytetarëve”, Pep Guardiola, vlerësoi shumë Vijarrealin dhe teknikun rival Marselinjo, ndonëse shprehu shpresën që rikthimi në formë ta ndihmojë ekipin të fitojë në Spanjë.
    Një nga skuadrat e mëdha që luan sonte është Interi.
    Italianët, dy herë nënkampionë të Europës në tre sezonet e fundit, janë në një moment shumë të mirë, duke qenë pranë kreut në Serinë A, dhe me gjashtë fitore radhazi në çdo konkurrim.
    Markus Turam do të mungojë, por Boni do të jetë në fushë, ndërsa mungesa tjetër është Darmian.
    Trajneri Kivu ka besim, veçse rivali nga Belgjika, Sent Zhilua, është gjithashtu në formë sepse është në krye të kampionatit.
    Barcelona shpreson të rikthehet në formë në Europë, pasi po vuan shumë në La Ligën e Spanjës.
    Trajneri Ter Shtegen ka shumë mungesa si Ter Shtegen, Zhoan Garsia, Gavi, Olmo dhe Levandovski, ndërsa Ferran Torres e Rafinja janë në dyshim.
    Përballë katalanasve do të jetë Olimpiakosi, një rival jo I pakalueshëm, por I rrezikshëm nëse Barça nuk jep maksimumin.

  • Akulli që sfidon logjikën: Ngurtësohet në temperaturë dhome!

    Akulli që sfidon logjikën: Ngurtësohet në temperaturë dhome!

    Është zbuluar një formë e çuditshme e akullit të ujit që ngurtësohet në temperaturë ambienti nën presion ekstrem. Është emëruar Akull XXI sepse është forma e 21-të e ngurtë e akullit e njohur deri më sot.
    Akulli XXI karakterizohet nga një strukturë kristalore tetragonale me njësi relativisht të mëdha përsëritëse të përbëra nga 152 molekula uji.
    Për ta arritur këtë, studiuesit në Institutin Korean të Kërkimeve të Standardeve dhe Shkencës përdorën një qelizë diamanti në formë kudhre për të kompresuar ujin në presione afërsisht 20,000 herë presionin normal atmosferik në dhjetë milisekonda.
    Presioni më pas u lirua ngadalë, gjatë një sekonde, përpara se të përsëritej procesi. Ndërkohë, studiuesit përdorën rreze X për të kapur një milion imazhe në sekondë për të vëzhguar ndryshimet në strukturën kristalore.
    Akulli XXI mund të jetë një nga fazat e mundshme të ndërmjetme në rrugën nga uji në një fazë ekzotike të quajtur akulli VI, që besohet të jetë i pranishëm brenda hënave të akullta si Titani dhe Ganimedi.

  • Çfarë është rhinophyma? Sëmundja që e la një burrë pa puthur gruan

    Çfarë është rhinophyma? Sëmundja që e la një burrë pa puthur gruan

    Rhinophyma është një formë e avancuar e rosacea-s, një sëmundje kronike e lëkurës që prek kryesisht burrat e moshës së mesme dhe të shtyrë. Me kalimin e kohës, lëkura e hundës trashet, zmadhohet dhe fiton ngjyrë të kuqërremtë për shkak të zgjerimit të enëve të gjakut dhe rritjes së gjëndrave dhjamore. Në raste të rënda, si ky, hundat marrin formë të fryrë, të ashpër dhe mund të bllokojnë frymëmarrjen apo ushqyerjen normale.

    Pacienti në fjalë rrëfeu se, për shkak të deformimit, nuk mund të puthte më bashkëshorten dhe përjetonte izolim social, duke menduar se askush nuk mund ta ndihmonte. Pas publikimit të historisë së tij në rrjete, një mjek plastik i ofroi ndërhyrje falas për t’i rikthyer formën normale të hundës dhe vetëbesimin e humbur.

    Sipas dermatologëve, rhinophyma nuk shkaktohet nga alkooli, siç besohet shpesh, por nga një kombinim faktorësh gjenetikë, hormonalë dhe inflamatorë. Trajtimi bëhet zakonisht me laser, kirurgji plastike apo dermabrasion, për të hequr indin e tepërt dhe për të rikthyer pamjen natyrale.

    Kjo histori është bërë virale, jo vetëm për pamjen dramatike, por edhe për mesazhin që përcjell: çdo gjendje e rrallë mund të trajtohet nëse diagnostikohet dhe trajtohet me kujdes profesional.